«ATËSIA SHPIRTËRORE» E PRIFTIT

Nov 10 • Teologji

 Dëshira për atësi” është shkruar në pjesën më të thellë të njeriut dhe një meshtar nuk bën përjashtim, edhe pse dëshira e tij orientohet dhe jetohet në një mënyrë të veçantë. […] Të gjithë ne, për të qenë, për t’u bërë të plotë, për të qenë të pjekur, duhet ta ndiejmë gëzimin e atësisë: edhe ne që jetojmë celibatin. Atësi do të thotë t’u japësh jetë të tjerëve, po, t’u japësh jetën! … Për ne, do të jetë atësi baritore, atësi shpirtërore: por do të thotë të japim jetë, të bëhemi etër. Papa Françesku

SHKRUAN:

Leonardo FALCO *

 

Një shikim mbi botën

Si njerëz dhe si meshtarë jetojmë në një kontekst sociologjik të caktuar, që përkufizohet si «post-modern» dhe «post-i krishterë». Me këto terma kuptohet një shoqëri që u bën një kritikë të fortë disa vlerave të modernitetit që e ka paraprirë, e shoqëruar prej një interpretimi laik të jetës.

Pra, është e rëndësishme të paraqesim disa parametra të kuadrit sociologjik aktual në të cilin jetojmë.

Gjendemi në një botë ku komunikimet janë shumë të shpejta dhe të menjëhershme, por që në të njëjtën kohë gjithnjë e më «virtuale». Gjithçka kalon shumë shpejt, aq sa Zygmunt Bauman, disa vite më përpara, fliste për «shoqëri likuide [të lëngshme]: «Ajo që banorët e botës së modernitetit likuid zbulojnë shpejt është se asgjë në këtë botë nuk zgjat, imagjino pastaj të zgjasë përgjithmonë. Prodhimet që sot rekomandohen si të dobishme dhe të domosdoshme vjetërsohen shumë më përpara se të kthehen në një nevojë dhe në një zakon. Besohet se asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Asgjë nuk duket e pazëvendësueshme. Gjithçka lind me një markë vdekjeje të menjëhershme dhe del prej zinxhirit të prodhimit me etiketën e skadencës, që ndodhet e shtypur mbi produktin apo në mendjen e atij që e blen». Përshpejtimi i kohës dhe lëvizja gjeografike bëjnë të mundur që një brez të bëjë përvoja që brezi përpara tij nuk i ka bërë, por që as brezi pas këtij nuk do t’i bëjë. Mbizotëron një perceptim «i copëzuar» i kohës në të cilën është humbur kuptimi i vazhdimësisë historike mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Duke cituar Guy Debord, Bauman shkruan: “njeriu i sotëm dallon prej babait të vet meqë jeton në një të tanishme që «dëshiron të harrojë të kaluarën dhe që nuk duket se i beson të ardhmes». Por kujtesa e të kaluarës dhe besimi në të ardhmen kanë qenë deri tani dy shtylla mbi të cilat janë mbështetur urat kulturore dhe morale mes kalimtares e qëndrueshmërisë, vdekshmërisë njerëzore dhe pavdekshmërisë së veprimeve njerëzore, si edhe mes marrjes përsipër të përgjegjësisë dhe filozofisë së carpe diem [kape çastin].”

Gjatë këtyre viteve të fundit janë shtuar së tepërmi botimet nga ana e sociologjike dhe psikologjike, qëllimi i të cilave është të kuptojnë se çfarë po ndodh në botë. Më pëlqen të citoj disa prej tyre.

Massimo Recalcati në tekstin e tij Il complesso di Telemaco [Kompleksi i Telemakut], duke u nisur prej historisë së djalit të Uliksit, ndalet të përshkruajë situatën e brezave të rinj. Pas «perëndimit të autoritetit të babait» brezat e rinj duken të humbur sa edhe prindërit e tyre. Këta të fundit duan të vazhdojnë të jetë të rinj, ndërsa fëmijët e tyre përpëliten në një kohë pa horizont, vetëm, pa të rritur të besueshëm. Telemaku, djali i Uliksit, pret kthimin e të atit; lutet me qëllim që të rivendoset në shtëpinë e tij të pushtuar prej Procëve, ligji i fjalës. Lutja e Telemakut është një kërkesë e padëgjuar për të pasur një babë, një lutje e fortë, një kërkesë dëshmie që tregon se si mund të jetohet me zell dhe gjallëri në këtë tokë. Ai shkruan: «Të gjithë kemi qenë Telemakë. Të gjithë të paktën një herë e kemi shikuar detin duke pritur që diçka prej andej të vijë». Por në kohën tonë asnjë babë, asnjë Uliks, nuk duket se do të kthehet nga deti për të rivendosur ligjin në ishullin rrënuar prej Procëve. Me një fjalë: Kërkohen urgjentisht të rritur!

Në librin L’educazione (im)possibile [Edukimi i (pa)mundur], Vittorio Andreoli, shkruan se mungesa e një figure të vetme referimi (nëna e dikurshme!), krijon një mungesë harmonie edukative, që është shkaku i vërtetë i shumë shqetësimeve të adoleshentëve dhe të shokëve të tyre më të rritur. Për këtë arsye ai sugjeron përpjekjen për të gjetur një pikë takimi mes figurave të ndryshme, që ndërveprojnë në edukimin e brezave të rinj. Të edukosh do të thotë ta shndërrosh një fëmijë në burrë apo grua të aftë, që të bëhen babë dhe nënë…  Lidhja e thellë e dashurisë është detyra e parë e një prindi të mirë dhe duhet të vazhdojë në bankat e shkollës me ndihmën e mësuesve të aftë për t’iu kushtuar jo vetëm betejave historike, por edhe kujtesave personale për të zbuluar trashëgiminë e vogël të jashtëzakonshme dhe mrekullitë e pranishme në historinë e secilit prej nesh.

Mund ta mbyllim këtë përçapje të shkurtër për kohën në të cilën jetojmë me një pjesë tjetër të Z. Bauman: “Burrat dhe gratë post-modernë, me hir o pahir, janë të dënuar të bëjnë një zgjedhje të vazhdueshme, dhe arti i zgjedhjes bazohet sidomos mbi shmangien e një rreziku: të lënë t’u ikë prej duarsh rasti i mirë, si për faktin se nuk e kanë vënë re në kohë, si për faktin se nuk kanë qenë aq të zellshëm për ta kapur, si për faktin se u ka munguar forca fizike apo shpirtërore për ta arritur atë. Për ta shmangur këtë rrezik, burrat dhe gratë post-modernë kanë nevojë për konsulencë (këshillime). Varianti post-modern i pasigurisë nuk lind nevojën për vizione eskatologjike në të cilat është specializuar besimi fetar, por lind një kërkesë në rritje për konsulencë ekzistenciale bërë nga ekspertë për të qetësuar apo mjekuar problemet e identitetit. Burrat dhe gratë të munduar prej paqartësisë së tipit post-modern nuk duan predikues që t’i qortojnë për dobësitë dhe pamjaftueshmëritë e arsyes dhe të vullnesës njerëzore. Përkundrazi kërkojnë këshilltarë të aftë t’i bindin se atyre nuk u mungon asgjë që u nevojitet për një jetë të suksesshme dhe t’u tregojnë atyre se si ta gjejnë atë; t’u rijapin guxim të humburve duke u treguar se për çdo të metë ekziston një rrugëdalje dhe që klientët/pacientë do të arrijnë të realizojnë gjithçka që dëshirojnë mjaft që të ndjekin këshillat e tyre dhe t’i vënë në praktikë me seriozitetin e duhur.

  1. Stili i Jezusi: cura personalis (përkujdesja ndaj personit)

atësia3

Siç shkruan në  mënyrë të efektshme Z. Bauman njeriu post-modern nuk dëshiron predikues, por «këshilltarëtë aftë». Pa e ditur Bauman, a nuk është duke na kujtuar njërin prej aspekteve të shërbimit tonë? Atë të ngushëllimit, atë të inkurajimit, atë të të bërit i afërm me atë që na është besuar neve?

E megjithatë, të dashur sivëllezër, me lejoni të flas hapur, sa pak kohë i kushtojmë këtij aspekti! Ndoshta e lëmë veten të merremi, tepër, me organizimin, me ndërtimin e kësaj apo të asaj strukture, me bekimin e shtëpive, me shkrimin e një libri, me organizimin e një koncerti apo të një udhëtimi dhe pastaj… dhe pastaj jemi të lodhur, themi se nuk kemi as kohë, as shumë energji dhe pastaj justifikojmë veten tonë duke thënë se edhe ne kemi të drejtë të pushojmë dhe të zhdukemi për pak kohë dikund.

E megjithatë cura personalis, shoqërimi i një personi, kremtimi i sakramentit të pajtimit, shoqërim shpirtëror, kujdesi ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve duhet të jenë gjërat më të rëndësishme në jetën e një meshtari.

Le të sjellim në kujtesë për një çast stilin e Jezusit:

  • fliste me turmën, por vetëmtë Dymbëdhjetëve u shpjegonte domethënien e fshehtë të shëmbëlltyrave;
  • natën mikpret Nikodemin dhe ndalet të diskutojë gjatë me të;
  • ndalet dhe diskuton me Samaritanen te pusi i Sikarit;
  • kalon nëpër Jerihon dhe, me gjithë turmën e madhe, sheh Zakeun e vogël në fik dhe shkon në shtëpinë e tij;
  • turma e rrethon nga të katër anët dhe ai vë re që një grua, me derdhje gjaku, e ka prekur;
  • dy nxënësit e Emausit kthehen në shtëpi të zhgënjyer dhe përpara se të njihet prej tyre në thyerjen e bukës, bëhet shoku i tyre i udhëtimit;
  1. Stili i Kishës: cura personalis

atësia 4

Udhëzuesi për mbarështimin dhe jetën e meshtarëve të Kongregatës për Kler i kushton një paragraf të tërë atësisë shpirtërore të meshtarit: “Thirrja baritore e meshtarëve është e madhe dhe e gjithmbarshme: ajo i drejtohet krejt Kishës dhe, pra, është edhe misionare. «Normalisht ajo është e lidhur me shërbimin ndaj një bashkësie të caktuar të Popullit të Hyjit, ku secili pret që t’i kushtohet vëmendje, përkujdesje, dashuri». Për këtë arsye mbarështimi i meshtarit është edhe shërbim atëror (khs. PO 16). Nëpërmjet përkushtimit të tij ndaj shpirtrave, shumë prej tyre rilindin në jetën e re në Krishtin. Bëhet fjalë për një atësi të vërtetë shpirtërore siç thotë Shën Pali: «Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin» (1Kor 4,15).

Si Abrahami, edhe meshtari bëhet «ati i shumë popujve» (Rom 4,18) dhe gjen në rritjen e krishterë që i lulëzon përreth shpërblimin e lodhjeve dhe të vuajtjeve të shërbimit të tij të përditshëm. Po ashtu, edhe në planin mbinatyror, si edhe në atë natyror, misioni i atësisë nuk përfundon me lindjen, por përqafon krejt jetën…

Meshtarët e bëjnë pjesë të jetës së tyre ato fjalë prekëse të Apostullit: «O fëmijët e mi, që unë ju rilind me dhimbje rishtas derisa Krishti të formohet në ju» (Gal 4,19). Kështu jetojnë me bujari të ripërtërirë këtë dhuratë të atësisë shpirtërore dhe asaj ia drejtojnë përmbushjen e çdo detyre të mbarështimit të tyre.” (n. 24).

Po ashtu në numrin 41 Udhëzuesi, ndërsa i porosit meshtarët që të kenë kujdes për formimin e laikëve, pohon: “Në këtë mënyrë meshtari, i vënë në shërbim të Popullit të Hyjit, do të paraqitet si ekspert në njerëzi, njeri i të vërtetës dhe i bashkimit, dëshmitar i zellit të Bariut të Vetëm për të gjitha dhe për secilën prej deleve të veta…. Shfaqje e kësaj dashurie do të jetë kryesisht përkushtimi i tij në predikim, në kremtimin e sakramenteve, në veçanti të Eukaristisë dhe të sakramentit të pendesës, dhe në shoqërimin shpirtëror, si mjet për të ndihmuar shoshitjen e shenjave të vullnesës së Hyjit”. (n. 41).

Përsëri, duke folur për vëmendjen në nxitjen e një baritoreje thirrore, dokumenti pohon: “Çdo meshtar duhet të merret me një përkushtim të veçantë me baritoren thirrore, duke mos munguar të shtojë lutjen për lutjet, të punojë pa hesap në katekezë, të kujdeset për formimin e ministrantëve, të favorizojë nisma të përshtatshme nëpërmjet një marrëdhënieje personale, që ndihmon në zbulimin e talenteve dhe në dallimin e vullnesës së Hyjit për një zgjedhje të guximshme në ndjekjen e Krishtit.” (n. 43).

Benedikti XVI në fjalimin e mrekullueshëm bërë në Romë, më 22.12.2006, kur foli për celibatin duke u nisur prej Psalmit 16 (15) kështu thoshte: “Meshtari mund dhe duhet të thotë edhe sot me levitin: «Dominus pars hereditatis meae et calicis mei» [Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota]. Vetë Hyji është pjesa e tokës sime, themeli i jashtëm dhe i brendshëm i ekzistencës sime. Ky teocentrizëm i ekzistencës meshtarake është i nevojshëm në botën tonë krejtësisht funksionalistike, në të cilën gjithçka është themeluar mbi performanca të llogaritshme dhe të verifikueshme. Meshtari duhet me të vërtetë ta njohë Hyjin nga brenda dhe t’ua çojë kështu njerëzve: ky është shërbimi parësor për të cilin njerëzimi i sotëm ka nevojë. Nëse në një jetë meshtarake humbet kjo qendër e Hyjit, zbrazet pak nga pak edhe zelli për të vepruar. Në teprinë e gjërave të jashtme mungon qendra që i jep kuptim gjithçkaje dhe që të çon drejt njësisë. Aty mungon themeli i jetës, «toka», mbi të cilën e gjithë kjo mund të qëndrojë dhe të begatojë. […]

Themeli i vërtetë i celibatit mund të përmblidhet vetëm në fjalinë: Dominus pars. Mund të jetë vetëm teocentrike. Ai nuk do të thotë të privohesh prej dashurisë, por ta lësh veten të mbërthehesh prej pasionit për Hyjin, dhe të mësosh pastaj, falë një qëndrimi më intim me Të, t’u shërbesh edhe njerëzve.”

Ajo e atësisë shpirtërore është një temë edhe shumë e dashur për Papa Françeskun. Në homelinë e datës 26.06.2013 duke komentuar pjesën e flijimit të Isakut thoshte: “Dëshira për atësi” është shkruar në pjesën më të thellë të njeriut dhe një meshtar nuk bën përjashtim, edhe pse dëshira e tij orientohet dhe jetohet në një mënyrë të veçantë. … Të gjithë ne, për të qenë, për t’u bërë të plotë, për të qenë të pjekur, duhet ta ndiejmë gëzimin e atësisë: edhe ne që jetojmë celibatin. Atësi do të thotë t’u japësh jetë të tjerëve, po, t’u japësh jetën! … Për ne, do të jetë atësi baritore, atësi shpirtërore: por do të thotë të japim jetë, të bëhemi etër.

Atësia e Abrahamit shihet edhe kur ai me shkop në dorë mbron flinë, mbron atë që është e vetja. Një atë e di se çfarë do të thotë të mbrojë bijtë dhe bijat e veta. Dhe ky është një hir që ne priftërinjtë duhet ta kërkojmë: të jemi etër, po, të jemi etër… Mëkate mund të kemi shumë, por kjo është një commune sanctorum, domethënë një përvojë e përbashkët: të gjithë kemi mëkate! Por të mos bëhemi etër është sikur jeta të mos arrinte deri në fund: sikur të ndalej në gjysmë të ecjes. Dhe për këtë arsye duhet të jemi etër. Por është një hir që Zoti na jep. Njerëzit na thonë kështu: “Atë, atë, atë…”. Na duan kështu, me hirin e atësisë baritore.”

Përsëri Papa Françesku vitin e kaluar (06.07.2013) duke takuar seminaristët dhe novicet e mbarë botës i ftonte pikërisht që të ishin etër dhe nëna. Por le të dëgjojmë fjalët e tij:  “Kur ti takon një seminarist, një prift, një motër, një novice, me një fytyrë të trishtuara… diçka nuk shkon! Por ju lutem shumë: kurrë motra, kurrë priftërinj me fytyra të trishtuara. Kurrë! Gëzimi vjen prej Jezusit. Mendoni këtë: kur një prifti apo një motre i mungon gëzimi ju mendoni: «Këtu kemi një problem psikiatrik!» … Mund të ndodhë. Por në përgjithësi nuk është një problem psikiatrik. Është një problem pakënaqësie? Dhe qendra e asaj mungese gëzimi është një problem celibati. Po jua shpjegoj. Ju, seminaristë, motra, kushtojani dashurinë tuaj Jezusit, një dashuri të madhe; zemra është Jezusi, dhe kjo ju shtyn të bëni kushtin e pastërtisë, kushtin e celibatit. Por kushti i pastërtisë dhe kushti i celibatit nuk përfundon në momentin e marrjes së kushteve, ai vazhdon… Është një rrugë që piqet drejt atësisë baritore, drejt amësisë baritore, dhe kur një prift nuk është babë i bashkësisë së vet, kur një motër nuk është nënë e të gjithë atyre me të cilët punon, bëhet i/e trishtuar. Ky është problemi. Për këtë arsye unë ju them juve: rrënja e trishtimit në jetën baritore qëndron pikërisht në mungesën e atësisë dhe të amësisë, që vjen prej të jetuarit keq të këtij kushtimi, që në fakt duhet të na çojë në pjellori. Nuk mund të mendohet që një prift apo një motër mund të jenë të pafrytshëm: kjo nuk është katolike! Kjo është bukuria e kushtimit: është gëzimi, gëzimi…

Përsëri Udhëzuesi në nr. 80 pohon: “Nëpërmjet dhuratës së celibatit, meshtari fiton edhe atë atësi shpirtërore, por reale, që ka përmasë të gjithmbarshme dhe konkretizohet, në mënyrë të veçantë, ndaj bashkësisë që i është besuar. «Ata janë bijtë e shpirtit të tij, njerëz besuar nga Bariu i Mirë përkujdesjeve të tij. Këta njerëz janë shumë, më të shumtë sesa mund të përqafojë një familje e thjeshtë njerëzore. […] Zemra e meshtarit, për të qenë e gatshme për një shërbim të tillë, për këtë përkujdesje dhe dashuri, duhet të jetë e lirë. Celibati është shenjë e një lirie, që është për shërbimin.”

  1. Cura personalis dhe kujdesi ndaj vetes

«Askush nuk mund të japë atë që nuk ka» apo duke dashur të përdorim një gjuhë ungjillore të përpiqemi që të mos jemi si farisenjtë «që predikonin mirë dhe që vepronin keq».

Vëllezër fort të dashur, arti «i shoqërimit të shpirtrave është arti i arteve» sipas shprehjes së Gregorit të Madh, por niset prej parakushtit që ne vetë meshtarët duhet ta lëmë veten të shoqërohemi dhe të drejtohemi në jetën tonë. Shkruan Udhëzuesi: “Për të kontribuar në përmirësimin e përshpirtërisë së tyre është e nevojshme që meshtarët ta praktikojnë ata vetë shoqërimin shpirtëror sepse «me ndihmën e shoqërimit apo të këshillës shpirtërore […] është më e lehtë të shoshitet veprimi i Shpirtit Shenjt në jetën e secilit». Duke vënë në duart e një sivëllai të urtë – vegël e Shpirtit Shenjt – formimin e shpirtrave të tyre, do të piqen në vetëdijen, qysh në hapat e parë të mbarështimit, e rëndësisë që të mos ecin vetëm nëpër udhët e jetës shpirtërore dhe të angazhimit baritor.” (n.73).

Është e domosdoshme, shumë të dashur sivëllezër, t’ia bashkëngjisim asaj që predikojmë koherencën e jetës sonë, përndryshe nuk do të jemi kurrë etër, kurrë barinj, por vetëm mercenarë, funksionarë të së shenjtës me një kontratë part-time (me kohë të pjesshme). Ungjijtë na kujtojnë se njerëzit ishin të habitur, sepse Jezusi fliste me autoritet (khs. Mt 7, 29). Ky autoritet i vinte, me siguri dhe në vend të parë, prej gjendjes së tij hyjnore, por edhe, në sytë e njerëzve, prej mënyrës së sinqertë, të shenjtë dhe të përsosur me të cilën vepronte. Po ashtu secili prej nesh «duhet t’ia bashkëngjisë autoritetit objektiv shpirtëror, që zotëron në fuqi të shugurimit të vet, autoritetin subjektiv që vjen prej jetës së tij të sinqertë dhe të shenjtëruar, prej dashurisë së tij baritore, shfaqje e dashurisë së Krishtit». 

Duke përdorur një imazh tjetër Gjon Pali II në n. 43 të Pastores dabo vobis kishte shkruar: “Për këtë arsye formimi njerëzor i meshtarit zbulon rëndësinë e vet të veçantë në lidhje me ata të cilëve u drejtohet misioni i tij: pikërisht me qëllim që mbarështimi i tij të jetë njerëzisht më i besueshmi dhe më i pranueshmi, duhet që meshtari ta plazmojë personalitetin e vet në mënyrë që ta bëjë urë dhe jo pengesë për të tjerët në takimin me Jezu Krishtin Shëlbues të njeriut; është e nevojshme që, nën shembullin e Jezusit i cili «e dinte atë që është te çdo njeri», meshtari të jetë i aftë ta njohë në thellësi shpirtin njerëzor, të dallojë vështirësitë dhe problemet, të lehtësojë takimin dhe dialogun, të ngjallë besim dhe bashkëpunim, të shprehë gjykime të qarta dhe objektive.

Përfundime

Leximi i dokumenteve që ju kam propozuar na mundëson që të bëjmë ndonjë shqyrtim përfundimtar dhe t’i japim bazë kristologjike, kishtare dhe pse jo, edhe sociologjike stilit tonë të të qenët etër dhe barinj të një bashkësie të caktuar të krishterë.

Çfarë do të thotë «të jesh atë» i një famullie?

Atësia 2

Të jesh atë do të thotë të lindësh, të japësh jetë, të bësh të mundur që një fëmijë të bëhet i rritur dhe që, kur t’i vijë koha, të jetë i aftë që të jetë edhe ai babë ose nënë.

Të jesh atë do të thotë të mbrosh, të edukosh, të mësosh dhe të kujdesesh.

Të jesh atë do të thotë të vësh mënjanë diçka për ta ndihmuar kur pastaj i rritur duhet të fillojë punën dhe pse jo, të formojë një familje të re.

Të jesh atë do të thotë të jesh në të njëjtën mënyrë me të gjithë bijtë, pa dallime dhe, në të njëjtën kohë, të jesh më i vëmendshëm ndaj atij që është më i dobët, thjeshtë për faktin se është më i dobët, më i pambrojtur, më nevojtarë për mbrojtje.

Të jesh atë do të thotë të kultivosh një ëndërr për birin tënd, por edhe të pranosh që ta vësh mënjanë atë nëse ajo nuk është ëndrra «e tij».

Të jesh atë do të thotë të lejosh që biri yt të rritet, të bëhet i rritur, duke pranuar që nesër ai do të jetë i rritur dhe unë do të jem i moshuar.

Të jesh atë do të thotë «të japësh jetën» për jetën e fëmijës tënd.

Të dashur sivëllezër, le të mendojmë për stilin e «atësisë» sonë dhe se si, ndoshta, duhet të ndryshojë për t’iu përshtatur atij të një ati të vërtetë.

Sa veçanti në bashkësitë tona! Nuk njoh realitetin e Kishës suaj, por njoh shumë mirë atë të dioqezës sime dhe të shumë dioqezave të tjera në Itali: sa sivëllezër janë përshtatur apo më mirë janë rehatuar të jenë etër vetëm të një grupi, të një shoqate, të pak të zgjedhurve, të një rrethi të ngushtë «personash të afërt», që pak nga pak e thithin totalisht dhe e largojnë prej pjesës tjetër të bashkësisë. Kujtohemi për shëmbëlltyrën e «deles së humbur», por nuk e kuptojmë se numrat kanë ndryshuar: vazhdojmë të kujdesemi për delen e vetme që thotë se është besnike, gati-gati duke e mbajtur në jetë në mënyrë artificiale, dhe lëmë pas dore nëntëdhjetë e nëntë të tjerat që tashmë kanë humbur. Ku është shqetësimi, zelli, për shpëtimin e shpirtrave? Ku është përkujdesja për më të dobëtit?

Babai dhe nëna janë të tillë në marrëdhënie me fëmijët e tyre, përndryshe do të ishin thjeshtë bashkëshortë, burrë dhe grua. Përgjithësisht kanë një shtëpi që bëhet vendi-simbol i intimitetit të tyre familjar. Nuk ka rëndësi nëse është e madhe apo e vogël, e rehatshme apo e thjeshtë: është e imja, shtëpia jonë! Mendoni sa e bukur do të ishte sikur t’i bënim shtëpitë tona famullitare vende mikpritëse ku mund të vijnë të gjithë. Shtëpia famullitare si «shtëpi pranë shtëpive të tjera», por edhe si shtëpi e ndryshme prej të tjerave. E ndryshme sepse aty thithet një ajër i ndryshëm që të çon tek diçka tjetër apo më mirë tek Dikush tjetër. Shtëpia famullitare edhe si një shtëpi e sigurt.

Pse besimtarët tanë vijnë tek ne për të kërkuar vetëm një çertifikatë dhe jo për t’u lutur me ne, për t’u vënë së bashku në dëgjim të Fjalës, për ta lënë veten të pyetemi «prej shenjave të kohëve» dhe për të provuar rrugë të reja për të kumtuar Ungjillin? E megjithatë shumë herë Presbyterorum Ordinis na kujtoj se meshtari duhet ta kërkojë dhe ta gjejë përsosmërinë apo shenjtërinë e vet në ushtrimin e mbarështimit të vet, që meshtari shenjtërohet ndërsa ndihmon të tjerët të shenjtërohen, që ndërsa udhëheq dhe drejton bashkësinë me autoritetin e një ati dhe të një bariu nuk duhet të harrojë se ai vazhdon të jetë nxënës (khs. PO 8a, 12c, 13b). Të mikpresim jo thjeshtë dhe jo vetëm në zyrë, por në shtëpi, vëllazërisht! Jemi vëllezër, miq, bashkëpunëtorë në Krishtin! Një miku im më thoshte: “Sa bukur është të të thërrasë famullitari, jo sepse ka nevojë për diçka, por sepse nuk më ka parë prej ditësh!”.

Nuk jemi funksionarë, por etër dhe barinj! Shtëpia famullitare nuk është qendra drejtuese e një shoqate, por vendi ku bëhet përvojë njerëzimi, vëllazërie dhe Kishe. Të mikpresësh jo duke pasur në dorë Kodin e të Drejtës Kanonike, por para së gjithash Ungjillin.

Ky është stili i thjeshtë, transparent, i atij që është atë.

Ky është stili i thjeshtë i Jezusit.

Ky dhe, jo një tjetër, duhet të jetë edhe stili ynë.

Le t’u kërkojmë Shenjtërve tanë pajtorë që të ndërmjetësojnë për ne.

Le t’u kërkojmë meshtarëve të shumtë të vdekur, që kemi njohur në jetën tonë që të rrinë zgjuar mbi ne, me qëllim që ta ndiejmë përsëri praninë e tyre atërore dhe fjalën e tyre të vendosur dhe inkurajuese.

Le t’ia kërkojmë me ngulm Zemrës së Krishtit duke përsëritur edhe një herë: «O i lumi Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë, bën që zemra ime t’i përngjajë zemrës sate!».

Vërejtje: Referencat janë hekur nga DRITA

* Meshtar i dioqezës së Nolës (Itali), fidei donum në Shqipëri, Rektor i Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar. Teksti është ligjëratë para meshtarëve të Ipeshkvisë së Kosovës, Prishtinë, 3 nëntor 2014.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »