IDEALISTA PA IDEAL

Nov 10 • TRADITA

SHKRUAN:

Atë Anton HARAPI

Qe se i a mrrijtëm edhe ksajë: Politika shtini ndër gjire të veta- po thuej- të gjitha lamijet e jetës nierzore. Sod nuk kemi vetëm politikë shtetnore e kombtare; politika ka depertue në jetën shoqnore, ekonomike, etj, etj. Hini der në kulturë e matet t’a bajt për veti edhe jetën morale.Shka don me thanë politikë? Shfrytësim i rasës, i ndolljes, i çastit. Kshtu nemose tash së voni shkruetë, e, – me shumicën e shkrimtarëve t’onë-

kuptote nji shqyptar në shej për idealogi nierzore e atdhetare. Ksajë sod i thonë politikë reale.Ktij parimi e ktij sistemi na shqyp i thomi me e qitë ujin në mulli të vet, me çë do mndyrë e me çë do mjet, pa marrë para sysh as parim as drejsi, por vetëm e vetëm si t’a levertisë e si të del ma mirë për veti a për çashtje qi ke marrë mbi veti.Në kët mndyrë politika bahet një farë avokature, por me kët ndryshim, se prej avokati kërkohet ligjë e drejtsi, me sa nieri i politikës, në themel të ktij parimi, po desht vërte të bajë politikë, e xen vetin të liruem prej çë farë do ligje, edhe të nderës e të moralit. Suprema lex e tija asht dobija reale e konkrete qi do të xjerrë. Kallzojn për Knjaz Nikollën e Malit të Zi, se t’ue ndejë ‘i ditë me nji mik të vetin, paska ra bisedimi mi politikë.Shka asht politika? –e pvetka mikun Knjazin. Tue pasë ngurrue aj në të përgjegjun, më len, t’a kallëzoj Madhni, i tha miku: Politikë don me thanë, po të rrejsh ti, unë me duartrokitje të brohoris: Të lumët! E po rrejta un, të më burgosish si fajtuer, pa pas të drejtë të lypi arsye.Në perjudhën t’onë kemi vojtë përnjiherë në kulmin e përparimit e në kulmin e krizeve. Kemi kriz menduar edhe në lamën politike.Nierzt e kohës, nierzt e politikës nuk po dijn t’u apin dum problemeve të mdha qi u kan ra mbi krye; e kta jo aq prej nevojve të reja shoqnore, të cilat, kah ditë për ditë shtohen, kapërthyeshëm ngatrrohen, por sidomos pse, kanë xanë të nisin prej disa parimeve të gabueme, si t’ishte në dorë të tyne t’i ndrrojn natyrë nierit e punve; sa ma haptë duen të shohin, nierzt e politikës, aq ma tepër janë të ngushtuem të kufizohen në dobi e leverti; kndej kërkesat e tyne gjithherë të paplotsueme, dishiret e vullndesa e tyne gjithmonë të pangishme.Kjo asht nji punë e vërtetë, se nierzt sod nuk po merren vesht shoq me shoq mbi kuptimin themeluer të jetës, në daç si vehtje, në daç edhe si kolektivitet; e pra ditunija socjologike e etike ka mrrijtë në nji zhvillim të mrekullueshëm.Që sod, problemi i jetës asht vu, por kush asht burrë t’a zgidhë? Kta pra don me thanë, e as shkenca, as teknika nuk mjaftojn. Ata të cillt i kan dalë zot, udhëhejksat, organiatorët, njerzt në fuqi duen të nisin prej nji parimi, prej parimi politik, kah ata vetë e dijn se nuk hecë. Ky është kontrasti rrotullues i shoqnis nierzore. Jeta moderne, koha e jonë, analizue mirë, në fund të fundit asht materjaliste pa dyshim. Qe ktu asht ndeshja e krizeve: Udhëhjeksat e soçëm duen të jenë idealista materialist.Dy ide të pashoqnueshme, dy punë të papërkueshme, dy skaje të kundërta, qi ndryshojn e rrin larg sa qiell e dhe.Idealista pa ideal, pse në fund të fundit materjalista.Mirë po edhe ksajë i duel boja; u pa e po shihet kjartë se as kshtu nuk ban. Idealogija materjalistike njëmend bani bankrrotë teoretikisht, sa m’u mbajtë e m’u thirrë si asht njëmend, e ndyt, por praktikisht po ka në dorë gati gjithshkafen.Nieri, si do të hecë fati i tij, nuk asht berr, nierzimi kërkoi arsyen e ksajë gjëje mendore e praktike e pveti: a ka se si mund të jemi idealista materjalist? Edhe ksajë iu gjet kllefi. Ideali politik, po i materjalizuem, psi i pshtetun vetëm në leverti, u vesh me nji formë të hijshme e të përshtatun, qi ia qorroj syt shumkuj. U krijue “mistika” politike. U kapërcye metafizika, edhe pse u kapën në mistikë! S’ka ma vështrime e parime të ngulta e të njëmendta, por shndërrime mendimi, kapërcim kuptimi, transformim jete, ba me ma të madhin elasticitet, sajue me ma të haptën fantazi, t’faqë me mndyrët ma të ndërrueshmet. Ky asht kulmi i rropameve politike nierzore të kohës s’onë. E nieri met aj se aj, veçse u buer ekvilibri ndërmjet tij e rrethit brenda të cilit rrnon: Institucjonet nierzore, familja, shteti, shoqnija, organizatat etj., ata shka asht, nuk i gjegjin aspiracjoneve të kohës. Tash pra njana dysh: a se duen ndrrue institucjonet nierzore, a se duen sherue smundjet shpirtnore e rropamet e nierit modern. Lamshi i jetës, kshtu i ngatërruem suell shum smundje në jetën nierzore, e para ndër të cillat asht mosbesimi në politikë, qi, për rrjedhim të natyrshëm, kurrkund nuk u ndie ma keqas se në lamen ekonomike. Dyshimi, droja, mosbesimi e kan kapë për fyti, financën ndërkombëtare e janë më kuti t’ia marrin frymën, me sa ekonomit kombtare ndjekin nji udhë fatale pa e dijtë se ku do të dalin.Vemja e mosbesimit ndërmjet kombeve shkaktoi autarkit ekonomike e po krijon nji “ekonomi për luftë”; kredit e shpenzimet për mjete luftarake po e kapërcejn, kërrçikun ekonomik në setcillin vend; ekonomit kombëtare janë të ngushtueme të ndjekin rrjedhjen e fatin e gatimeve luftarake. Në kët mndyrë u mekanizua jeta financjare e ekonomike; shtetet, me randim e dam të madh të popujve, do të caktojn përfitimin e konsumin në themel të nevojve e të mjeteve luftarake; industrit e mdha muerën shkas e randsi të parë, me sa industrit e vogla në dobi të popullit si b.f. bujqsija, mbeten në të dytin rend. Rrjedhimi i natyrshëm i këti sistemi janë taksat. Ekonomija e vendit shkon e maron ndër të dheta e ndër pagesa, në vend të themelohet ndër përfitime reale.Interesa e përbashkët, qi sod çë mos kurr, demek po merret për ideal e po hyjnohet, asht ba vegel për qëllime të tjera; e mira e përbashkët mbet nji emblem i bukur, por gja abstrakte, qi maron pluhun sysh. Në tjetren anë përkrahen interesët e veçanta: dobija e klasës dirigjente, politika ushtarake, industrit luftarake etj. Të gjitha kto përligjen me fjalën e bukur, me arsyetimin sofistik, me trajtën tërhejkëse “e mira e përbashkët”. Kso dore politika s’ka kund themel: qëllimi shoqnuer nuk ama qëllim, por mjet i qëllimeve të tjera, natyrisht jo të para, as të përgjithta, por të dyta e të veçanta.Prej se sunduesët nuk dijn a por nuk duen të dijn shka janë e ku do të maten ndolljet politike, nierzimi do të vuej gjithnji, si kje në pagjë, si në luftë. Ndër së marri të kohës s’onë, bje në sy çë mos kurrnji tjetër, kontrasti i madh, se mos çë kur dishrohet e çohet në qiell pagja, e çë mos kurr bota asht shtrëngue për luftë; kurr s’a folë ma madhnisht se tash për nji sistemacjon vllaznuer për popujt, e kurr s’janë ba ma shum studime për t’a ba luftën sa më dërmuese e antinjerëzore.Udhëhjeksat e popujve kan ba nji gabim të madh: kan harrue se nieri si nieri, e populli si popull, me sa mund të bajnë pa ajr e pa ushqim, aq mund të bajn pa mirsi e drejtsi; ata rrehen, tue kujtue se problemet e jetës nierzore mund të zhvillohen vetëm me formula, pa vlerë të njëmendta shpirtnore; ata e tregojn vetin të padijshëm po s’u kujtuen se e keqja s’muhet veteëm me të keq e se lufta nuk ka dert për luftë.Thue s’mrrijn nierzt të kuptojn kaq e gja? Po sugure, veç kaq s’mjafton; lypet edhe t’a dishmojn ket të vërtetë, e për t’a ba kët hap shpëtimtar duhet sinqeritet, ndërgjegje e guzim. Pa kta, të gjitha rropamet tjera janë fjalë n’erë, qi njerzt e errët përdorin për të luejtë gurt e vet në korris të jetës nierzore.Tash dy pvetje:A e dijm na shqyptarët se në çë parim themelohet e mbas cillit sistem rrjedhë jeta e jonë vetjake, shoqnore, morale, ekonomike e politike? E po patëm diejenin a jemë të paisun me at sinqeritet, ndërgjegje e guzim, qi lypen për t’a zhvillue e përfundue problemin e jetës?

(Botuar më 1936)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »