KRIJIMI NUK ËSHTË MAGJI

Nov 10 • Kisha në botë

(Fjalimi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut ,me rastin e inaugurimit të bustit në nderim të  Papa Benediktit XVI, Casina Pio IV, e hënë, 27 tetor 2014)

Zotërinj Kardinaj,

të dashur vëllezër në episkopat dhe në meshtari,

të përndritshme Zonja dhe Zotërinj!

 

Derisa po binte veloja nga busti, të cilën akademikët e kanë dashur në Selinë e Akademisë Papnore të Shkencave, në shenjë të mirënjohjes dhe falënderimit, lindi një emocion gëzimi në shpirtin tim. Ky bust i Benediktit XVI, rikujton tek të gjithë ne, personin dhe  fytyrën e dashur të Papa Ratzinger. E rikujton edhe shpirtin e tij: mësimet, shembullin, veprat dhe përshpirtërinë e tij ndaj Kishës; jetën e tij aktuale “vetimtare”.   Ky shpirt, jo vetëm se s’ do të thërrmohet me kohën, por, gjeneratë pas gjenerate, do të shfaqet gjithnjë më i madh dhe më i fuqishëm. Benedikti XVI: një Papë i madh. I madh për forcën e thellësinë e inteligjencës; i madh për kontributin e rëndësishëm në fushën e teologjisë; i madh për dashurinë e tij për Kishën e njerëzit; i madh për virtytet e fenë e tij. Siç e dini mirë: dashuria e tij për të vërtetën s’u kufizua  vetëm në teologji dhe filozofi, por hapet ndaj shkencave. Dashuria për shkencën manifestohet në kujdesin për shkencëtarët, pa dallim race, kombi, qytetërimi dhe religjioni; një kujdes për Akademinë që atëherë kur Papa Gjon Pali II e ka emëruar anëtar të saj. Ai, ka ditur ta nderon Akademinë, me praninë dhe me fjalën e tij, ka emëruar shumë anëtarë të saj, përfshirë edhe Presidentin aktual Warner Arber. Benedikti XVI, për herë të parë, e thirri një President të kësaj Akademie për të marrë pjesë në Sinodin për Ungjillëzimin e Ri, i vetëdijshëm për rëndësinë e shkencës dhe kulturës moderne. Sigurisht, për të, nuk mund të thuhet kurrë se studimi e shkenca ia thanë shpirtin e dashurinë për Zotin e të afërmin; përkundrazi, shkenca, urtia e lutja ia bën zemrën e shpirtin mal. E falënderoj Zotin për dhuratën që ja ka bërë Kishës dhe botës me pontifikatin e Benediktit XVI. I falënderoj të gjithë ata që me zemërgjerësi e kanë bërë të mundur me vepër dhe këtë akt, në mënyrë të veçantë autorin e këtij busti, skulptorin Fernando Delia, familjen Tënde,  dhe të gjithë akademikët. Dua t’ ju falënderoj të gjithë juve të pranishëm sot që keni ardhur për ta nderuar këtë Papë të madh.

Në përfundim të Seksionit Plenar, të dashur akademikë, jam i gëzuar të shpreh nderimin tim të thellë dhe inkurajimin tim të ngrohtë që të shpini tutje progresin shkencor dhe përmirësimin e kushteve të jetës së njerëzve, në veçanti për më të varfëritë. 

Jeni duke u përballur me një temë shumë komplekse të evolucionit të konceptit të natyrës. Nuk do të hyjë aspak, po më kuptoni, në kompleksitetin shkencor të kësaj çështje të rëndësishme dhe vendimtare. Dëshiroj vetëm të nënvizoj se Hyji dhe Krishti, udhëtojnë me ne dhe janë të pranishëm edhe në natyrë, siç e ka pohuar Shën Pali apostull në fjalimin e tij në Areopag: “Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi.” (Vap 17, 28). Kur e lexojmë në librin e Zanafillës tregimin mbi Krijimin rrezikojmë të imagjinojmë se Hyji ka qenë një magjistar, që me një shkop magjik i ka bërë të gjitha gjërat. Por nuk është kështu. Ai i ka krijuar qeniet dhe i ka lënë të zhvillohen sipas ligjeve të brendshme që vetë Ai ju ka dhënë, secilës prej tyre, që të mund të zhvilloheshin dhe të mund të arrinin në plotninë e tyre. Ai (Hyji), ju ka dhënë autonominë qenieve të universit, në të njëjtën kohë, kur iu ka siguruar atyre praninë e tij të përhershme, duke i dhënë ekzistencë çdo realiteti. Dhe kështu, krijimi ka shkuar përpara për shekuj me radhë, mijëvjeçare e mijëvjeçare, derisa ka arrirë të bëhet ajo që ne e njohim sot, pikërisht sepse Hyji nuk është një demiurg apo një magjistar, por KRIJUES që jep ekzistencë (jetë) çdo enti (qenie). Fillimi i botës, nuk është vepër e kaosit, që i origjinën e tij duhet ta gjej te një tjetër, por ka origjinë të drejtpërdrejt nga Parimi Suprem që krijon nga dashuria. Bing-Bangu, që sot vendoset në origjinën e botës, nuk e kundërshton intervenimin e krijuesit hyjnor, por e kërkon atë. Evolucioni, në natyrë, nuk bie ndesh me konceptin e Krijimit, sepse evolucioni supozon krijimin e qenieve që evoluojnë.

Ndërkaq, sa i përket njeriut, kemi një ndryshim dhe një risi. Kur të gjashtën ditë, sipas tregimit të Zanafillës, krijohet njeriu, Hyji i jep qenies njeri, një autonomi tjetër- një autonomi që dallon nga ajo e natyrës dhe është autonomia e lirisë. Hyji i thotë njeriut t’ju jap emra të gjitha gjësendeve dhe të ecën përpara në rrjedhën e historisë. E bën përgjegjës të krijimit, edhe të sundoj mbi të Krijuarën, që ta zhvillojë deri në mbarimin e kohërave. Prandaj, shkencëtarit, mbi të gjitha, shkencëtarit të krishterë, i shkon për shtati të shtrojë pyetje për të ardhmen e njerëzimit dhe të tokës, dhe të jetë i lirë dhe përgjegjës, të bashkëpunojë për të përgatitur, për të ruajtur dhe për të eliminuar rreziqet ambientale, qofshin ato natyrore apo njerëzore. Por, një shkencëtar duhet të jetë i nxitur edhe nga besimi që natyra e mbartë brenda vetes, në mekanizmat e vet evolutiv, potencialiteteve që i përkasin inteligjencës dhe lirisë t’i zbulojë dhe t’i vë në jetë, për të arrirë deri të zhvillimi që gjendet në planin e Krijuesit. Pra, edhe pse i limituar, veprimi i njeriut merr pjesë në fuqinë e Hyjit dhe është i aftë të krijojë një botë të përshtatshëm për jetën e tij të dyfishtë, trupore dhe shpirtërore; të krijojë një botë njerëzore për të gjithë njerëzit e jo vetëm për një grup apo klasë të privilegjuar. Kjo shpresë dhe ky besimi në Hyjin, Autor të natyrës, dhe në aftësinë e shpirtit njerëzor, janë të afta t’i japin kërkuesit një energji të re dhe një qetësi të thellë. Por, është gjithashtu e vërtetë se veprimi i njeriut, kur liria e tij bëhet autonomi – që nuk është liri, por autonomi – e shkatërron të krijuarën dhe njeriu e merr vendin e Krijuesit. Ky është mëkat i madh kundër Hyjit Krijues.

Ju inkurajoj që të vazhdoni punët tuaja dhe të realizoni iniciativa fatlume teorike dhe praktike për të mirën e qenieve njerëzore që do t’iu japin nderim. Tani me gëzim po ju dorëzoj kollarin, që mons. Sanchez Sorondo do t’iu jep anëtarëve të rinj.

Faleminderit.

Papa Françesku

Shqipërimi: F.K.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »