NDRYDHJA DHE MOHIMI I SJELLJES JODEMOKRATIKE

Nov 10 • Res socialis

SHKRUAN:

Dr. Pavao BRAJSHA

Ne sjelljen tonë jodemokratike e ndrydhim në nënvetëdije (nënndërgjegje). Është e vështirë ta pranojmë dhe ta bëjmë të vetëdijshme ekzistencën e sjelljes sonë jodemokratike! Ashtu si çdo gjë tjetër të papranueshme nga Uni ynë, por edhe nga presioni i ndërgjegjes sonë (mbi-Unit/superegos), ne e ndrydhim atë në nënvetëdije (nënndërgjegje). Në nivelin e vetëdijes s`i vëmë re elementet e sjelljes sonë të përnjëmendtë. Mirëpo, kjo sjellje e jonë jodemokratike është shumë e gjallë në “ilegalen” (“nëntokësoren”) tonë të brendshme dhe vazhdimisht na prish sjelljen tonë të përditshme në nivelin privat, profesional dhe social. Shpesh ajo “e nënvetëdijshmja jodemokratike” dominon sjelljen tonë dhe të gjithë e vënë re atë, vetëm ne jo. Të gjithë e kanë të qartë se jemi duke u sjellë në mënyrë jodemokratike, vetëm ne pohojmë të kundërtën!

Duhet theksuar faktin se shumë individë, por dhe grupe me të gjitha tiparet e sjelljes jodemokratike përnjëmend besojnë në “qëndrimet dhe sjelljet e tyre demokratike.” Ata nuk gënjejnë. Ata me të vërtetë ashtu besojnë. Nuk e vërejnë hendekun mes asaj që thonë dhe asaj sesi sillen. Nuk janë të vetëdijshëm për papajtueshmërinë, inkongruencën (mospërputhjen), mungesën e sinqeritetit të tyre. Ata predikojnë demokracinë, por me sjelljen e tyre reale dhe të përditshme tregojnë diçka krejt tjetër. Ata s`mund ta shohin atë që të gjithë të tjerët rreth tyre e shohin në mënyrë të dukshme. Problemi më i madh i tyre është që të bëhen të vetëdijshëm për sjelljen e tyre jodemokratike.

Sjelljen jodemokratike e përjashtojmë nga fusha jonë e vështrimit, thjeshtë e mohojmë. Krijojmë një pikë të verbër (skotoma), një errësim për çdo gjë që është jodemokratike te vetvetja. Nuk e shohim atë që s`dëshirojmë ta shohim. Ashtu si struci e fusim kokën në rërë. Sillemi si një fëmijë i vogël i cili i mbyll sytë e vet dhe mendon se s`ekziston ajo që s`është duke e shikuar. Shpesh në jetë në këtë mënyrë mbrohemi nga e pakëndshmja dhe e papranueshmja dhe mbetemi krejt jo kritikë kundrejt asaj që me të vërtetë ndodh në dhe përreth nesh. Kjo është mbyllja e syve përpara fakteve, ikje nga realiteti dhe njëanshmëri subjektive. Mosnjohja e fakteve s`ndikon në ekzistencën e tyre dhe s`e zvogëlon fuqinë e realitetit të tyre (fakteve). Ne priremi që të mos i shikojmë faktet në sy dhe ta ndërtojmë botën rreth vetes sipas dëshirave dhe nevojave vetjake. Kështu problemet nuk zgjidhen, kurse bota e as ne s`ndryshojnë.

Sjelljen jodemokratike në vetvete jo vetëm që e ndrydhim, s`e shohim, e injorojmë, por atë në mënyrë aktive edhe e mohojmë. Pohojmë se s`jemi ajo që në fakt jemi. E theksojmë mosekzistimin e të ekzistuarës së qartë. Pohojmë se s`ekziston ajo që në mënyrë evidente e tregojmë. Këtu shkohet aq larg sa të zezën e shpallim të bardhë kurse të bardhën të zezë. Shohim çfarë s`ka, e s`shohim çfarë ka.

Këto mekanizma mbrojtës do të mund t`i quanim “futje e kokës në rërë”, ikje nga realiteti, tërheqje në bunkerin personal, ku presim që situata të qetësohet dhe vetëm pastaj të shikojmë se për çfarë është fjala. Kjo është një formë më finoke e sjelljes së papërgjegjshme.

Konversioni (shndërrimi) dhe sublimimi (lartësimi)

Për të shmangur dialogun dhe marrëveshjen e mundimshme demokratike, jemi të prirë “të shpëtojmë/të ikim në sëmundje” (mekanizmi i konversionit), me ndihmën e së cilës në një mënyrë shumë jodemokratike sillemi me mjedisin tonë. Kërkojmë atë që s`na takon – një gjë e tillë është më e lehtë dhe më e këndshme. Kërkojmë prioritet në çdo gjë dhe në një mënyrë shumë egoiste marrim gjithçka për vete. Është shumë më e lehtë ta lidhësh kokën me një peshqir dhe të shtrihesh në shtrat sesa të ballafaqohesh me një problem të vërtetë, shpesh edhe të pazgjidhshëm. Është më e lehtë të gëlltitësh tableta (hape) qetësuese sesa të përballesh me jetën. Simptoma e konversionit është një problem tipik i rremë që na shmang nga problemi real. Bisedimin për diçka në ne, e shndërrojmë në bisedim për diçka që na bëhet ne. Shpesh herë konversioni është dalja e vetme nga situata e pazgjidhshme e jetës.

“Të sëmurë” s`kemi nevojë tu përmbahemi shpesh kushteve të vështira dhe kërkuese të sjelljes demokratike. Nuk na zihet për të madhe dhe na lejohet një sjellje e përkohshme jodemokratike. Në kuptimin e fjalëpërfjalshëm dhe figurativ është më e lehtë “të sëmuresh” dhe “të shtrihesh në shtrat” sesa pa privilegje të luftosh për nevojat e tua me marrëveshje demokratike. “Të sëmurë” mund të sillemi sipas parimit të kënaqësisë dhe menjëherë t`i përmbushim disa nga nevojat tona pa i marrë shumë parasysh të tjerët dhe nevojat e tyre, sepse kemi një alibi të fortë dhe arsyetim në “sëmundjen” tonë. Shpesh dëgjohet: “Bëhu budalla dhe bëj ç`të duash!”

Sjelljen vetjake të shtypur dhe të mohuar jodemokratike e zhvendosim, e gjejmë dhe përshkruajmë te sjellja e të tjerëve rreth nesh. Ata i akuzojmë, atyre u mbajmë ligjërata dhe u japim këshilla në lidhje me diçka, për gjëra që do të duhej ta fajësonim vetveten, t`i mbanim leksione dhe t`i jepnim këshilla vetvetes. Të tjerët e jo vetveten i dënojmë për shkak të sjelljes jodemokratike. Tjetrin dhe jo vetveten e vëmë në shtyllën e turpit. Te sjellja e tjetrit identifikojmë gjithë atë që s`duam ta shohim te sjellja vetjake.

Bëhemi gjyqtarë të ashpër dhe të pamëshirshëm të sjelljes jodemokratike te të tjerët me bindjen se kjo s`ka të bëjë fare me ne. Ndryshe nga projeksioni i qëndrimeve tona jodemokratike dhe motiveve të të tjerëve, këtu e bëjmë diagnozën e sjelljes jodemokratike te të gjithë të tjerët, vetëm te vetja jonë jo. Të tjerëve ua vëmë në dukje gabimet në sjelljet e tyre kurse ato tonat i fshehim me kujdes. Rezultati i kësaj është një imazh i pasinqertë dhe hipokrit i demokracisë sonë gjoja “të përsosur”.

Sjelljen jodemokratike e realizojmë në një formë tjetër më të pranueshme (sublimimi – ngritja në një nivel më të lartë). S’ka dyshim se  është e papranueshme të mendosh në mënyrë egoiste vetëm për veten tënde dhe t`ua imponosh nevojat dhe dëshirat e tua të tjerëve rreth teje, por është e pranueshme shoqërisht dhe në të vërtetë e lavdërueshme të jesh origjinal, i veçantë, i ndryshëm. Për më tepër, këtë e quajmë demokraci të vërtetë. Sublimimin e sjelljes jodemokratike mund ta identifikojmë te pohimet sesi duhet qenë herë pas here autokratë, të pamëshirshëm, të rreptë dhe autoritarë, për shkak se këtë e kërkon problematika e situatës së caktuar. Në raste të tilla, publikisht tregojmë sjellje jodemokratike me lejen dhe bekimin e mjedisit, por edhe të ndërgjegjes vetjake.

Regresi dhe identifikimi jodemokratik

Kthehemi në një formë më të hershme të sjelljes që është adekuate me një moshë më të hershme dhe jo momentale jetësore (regresioni). Si fëmijë kemi marrë shumë gjëra me një sjellje dukshëm jodemokratike, d.m.th., duke qarë, bërtitur, duke i përplasur këmbët për dysheme, duke u mikluar, përkëdhelur. Nëse kështu sillemi si të rritur, atëherë kemi të bëjmë me regresionin. Në mënyrë të pavetëdijshme presim të njëjtën dobi, d.m.th. të marrim atë që me sjellje demokratike me një sjellje të rritur s`mund ta arrijmë. Në situata krizash shpesh herë qajmë dhe e thërrasim të ëmën. Në shumë raste, ose përkëdhelemi ose bërtasim. E gjithë kjo është regresive, infantile (foshnjarake), jo reale, sjellje jodemokratike. Kjo është mbrojtje nga një sjellje më angazhuese e rritur demokratike.

Regresioni është ikje nga fronti duke u kthyer mbrapa, dobësi, tërheqje. Në mesin e njerëzve ka, megjithatë, shumë “fëmijë të rritur”. Me regresion nuk zgjidhet problemi, por shtyhet dhe u lihet të tjerëve.

Në konversion e fshehim veten pas “sëmundjes”, kurse në regresion pas dobësisë, pafuqisë dhe paaftësisë. Në konversion e aktrojmë sëmundjen, në regresion dobësinë. Është më e lehtë që të jesh i dobët dhe i papërgjegjshëm sesa i fortë dhe i përgjegjshëm. Në mbytjen e anijes fëmijët e dobët kanë prioritet dhe të parët kursehen, shpëtojnë. Të dobët dhe të papërgjegjshëm kemi mbrojtjen e të fortëve dhe të përgjegjshmëve dhe s`na duhet të marrim vendime. Kjo është arsyeja pse ne shpesh na përshtatet më shumë jodemokracia sesa demokracia.

Identifikohemi me të pushtetshmin dhe të fortin pranë vetes dhe marrim guxim që nëpërmjet tij dhe në hijen e tij të sillemi në mënyrë jodemokratike sikurse ai, gjë që vetë kurrë s`do të kishim guxuar (identifikimi). Nëse dikujt ia kemi frikën, atëherë mënyra më e lehtë është për t’u bërë si ai – dhe frika zhduket. Objekti me të cilin identifikohemi përveç se është më i fortë se ne mund të jetë pozitiv ose negativ. Kjo është shumë e rëndësishme për këtë mekanizëm mbrojtës mbi të cilin bazohet ndikimi edukativ, formësimi i sjelljes sonë të ardhshme, por edhe mundësia e shmangies për ta zgjidhur vetë një problem të caktuar. Me identifikim mund t`i kënaqim edhe impulset tona negative pa u ndëshkuar, por edhe në kurriz të një tjetri të luftojmë kundër dobësisë dhe pafuqisë vetjake.

Këtu duhet përmendur në mënyrë të veçantë liderët, udhëheqësit e shoqërisë dhe politikanët. Duke e identifikuar vetveten me sjelljen e tyre shpesh jodemokratike, ne marrim leje për një sjellje të tillë të njëjtë edhe te vetja jonë. Duke i shikuar ata, s`jemi të detyruar ta shikojmë vetveten. Në këtë mënyrë ata na bëhen model negativ i sjelljes jodemokratike. Në qoftë se ata mund të sillen kështu, atëherë mundemi edhe ne. Qëndrimet dhe mendimet e tyre jodemokratike të fshehta bëhen edhe tonat. Kjo është një formë speciale e epidemisë së sjelljes jodemokratike brenda një demokracie deklarative të një shoqërie të caktuar.

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »