PAPA FRANÇESKU DHE BIG BANG

Nov 10 • Opinion

Një e vërtetë e re, apo një risi e vjetër!?

 

Mediat, rrjetet sociale, vërshuan me lajme, komente, pohime duke shpallur se Papa Françesku ka bërë një “hapje” ndaj teorisë së Big Bang-ut, kur kishte deklaruar se kjo teori “nuk e kundërshton intervenimin e krijuesit hyjnor, por e kërkon.” Në realitet, kjo që ka pohuar Papa gjatë fjalimit të tij në Akademinë Papnore të Shkencave s’është asgjë e re për Kishën Katolike e as për Papët.  

Papa Françesku ka risjellë një pohim tashmë të pjekur në qëndrimet e Kishës Katolike, atë se teoria e Big Bang-ut nuk shfaqet si antitezë e krijimit, s’e kundërshton Zotin.

Fjalimi i Papa Françeskut, po u lexua më vëmendje, jo që nuk bie në kundërshtim me traditën e Kishës, por e ripohon fuqishëm, duke e përforcuar Parimin Suprem si shkakun dhe krijuesin e universit. Edhe deklarimet dhe komentet e të disa personaliteteve kompetentë, në lidhje me çështjen, tregojnë se kjo është pa-risi e kulluar.  

 

Për të kthjelluar lëmshin mediatik!

 

Kush është autori i teorisë së Big Bang-ut? Po të bëhej një sondazh publik, jam i bindur se gati askujt nuk do t’i shkonte në mendje t’ia jepte autorësinë një prifti katolik. Do të mendonin se autori duhet të jetë ndonjë shkencëtar i njohur në botën e shkencës moderne.

E pra, teoria e Big Bang-ut, ka zanafillën e saj në vitin 1929 nga një prift katolik, jezuit astronom, Atë Georges Lemaître (1894-1966) me origjinë belge, i cili, kishte formuluar hipotezën e tij duke e quajtur atomi zanafillor.

1. Atë Georges Lemaître

Atë Georges Lemaître gjatë ligjeratave të tij

Ndoshta dikush do të mund të mendoj se Kisha Katolike e ka marrë në pyetje Atë Georges Lemaître, duke e përndjekur për mësimet e tija. Ai, jo vetëm se nuk është përndjekur, por formulimi i tij hipotetik, si risi, u pranua me plotë entuziazëm nga Kisha. Këtë e dëshmon edhe fakti se Atë Georges Lemaître, pak vite pas, në 1939, emërohet anëtar i Akademisë Papnore të Shkencave, e që nga viti 1960 qe President, deri në kalimin në amshim. Ja çka shkruan Papa Pio XII, në vitin 1951: “Gjithçka duket na tregon se universi material ka marrë, nga fillimi i kohës, një nisje të fuqishëm.

Po edhe Papët tjerë e kanë mbështetur në vende të ndryshme këtë pranim të Papa Pio XII. Papët zakonisht me ritëm të qëndrueshëm, i riformulojnë mësimet e paraardhësve të vet, duke i bërë të lexueshme në realitetin e ri.

 

Kush e kundërshtojë hipotezën e Atë Georges Lemaître?

Kundërshtarët e parë të Atë Georges ishin pikërisht shkencëtarët e famshëm,  si p.sh. Arthur Eddington (1882-1944) fizikan, që e definojë “të pështirë” idenë që Universi do të kishte një fillim. Hiq më pak se Alber Einstein e kishte refuzuar teorinë e Big Bang, duke e etiketuar si “të neveritshme” e duke parë atë teori si një përpjekje për ta propozuar në fizikë tregimin biblik të Zanafillës.

Gjithashtu Margharita Heck, nuk ishte e bindur me Big Beng-un, ndaj ajo shkruante në një libër të saj: “Unë mendoj se universi është i pakufishëm në kohë dhe në hapësirë, me fjalë tjera, se ka ekzistuar gjithmonë dhe do të ekzistojë gjithmonë.”

Edhe pse Atë Georges Lemaître nuk kishte bërë eksperiment për ta provuar formulimin e hipotezës së vet, megjithatë eksperimenti i Robert W. Wilson dhe Arno Penzias mbi rrezatimin e sfondit kozmik mikrovalë që bën të kuptohet zgjerimi i universit, i bërë disa vite më vonë, dhe botimi i rezultateve zyrtare nga Harvard-Smithsonian Center for Astrophysics  në vitin 2013, treguan se sa relevant ka qenë  kontributi i jezuitit astronom.

Nuk është e rastit që Agjencioni Hapësinore Europiane, ka vendosur që këtij prifti katolik të ja dedikojë navatën automatike europian ATV (Automated Transfer Vehicle ) që ishte lansuar në hapësirë në korrik të këtij viti, duke e quajtur  Georges Lemaître. Ky ishte vetëm një nderim i kohëve të fundit që iu është bërë këtij shkencëtari të madh katolik për të arrirat e tij në fushën e astronomisë.

Edhe sot, ka të atillë, në mesin e shkencëtarëve, që ende besojnë se universi s’ka filluar të ekzistojë, që s’e ka një fillim dhe një mbarim. Këta, kundërshtimet e tyre i drejtojnë kinse kundër një apologjetike katolike që vëhet në mbrojtje të Krijuesit. Me fjalë tjera, këta shkencëtarë, nuk grishën për të kundërshtuar të nisur nga bindjet dhe studimet e tyre shkencore, por nga një aversion absurd, kinse për të mos e futur fenë në hulumtimet shkencore. Drejtimi i Atë Georges Lemaître, ky shkencëtar i vërtetë, kurrë s’e kishte vënë në diskutim, por kishte ecur bashkë me shkencën dhe fenë – me një bindje se dy ecjet – rrugët, përkundër asaj se disa kolegë shkencëtarë i mendojnë të janë të kundërta dhe përjashtuese, të çojnë në drejtime të njëjtë. Ja si e dëshmon jetën e vet prej shkencëtari dhe prifti astronom: “Isha i interesuar për të vërtetën nga pikëvështrimi i Shpëtimit, ashtu siç isha i interesuar për të vërtetën nga pikëvështrimi i qartësisë shkencore. Ishin dy rrugë për të arrirë të vërtetën. Vendosa t’i përshkoj të dyja.”

ATV-5 01     ATV 5 vídeo

Agjensia Hapsinore Europiane  ia dedikon navatën automatike europiane ATV (Automated Transfer Vehicle )-Atë Georges Lemaître

 

Religjioni dhe shkenca nuk përjashtohen, por përplotësohen!

 

Për të bërë shkencë kërkohet një përqasje e tërësishme. Përjashtimet gjithnjë janë të dëmshme, si për shkencën ashtu edhe për religjionin, fenë. Përqasjet gjysmake kurrë nuk çojnë në zhvillimin e shkencës as mirëqenies.

Po e sjell në fragment të Papa Gjon Palit II të mbajtur, po ashtu, para Akademisë Papnore të Shkencave në vitin 1979, me rastin e shënimit të përvjetorit të Albert Einstein, i cili krejt qartë e tregon qëndrimin e Papëve ndaj shkencës: “Solidarizohem me Paraardhësin tim Pio XI dhe me të gjithë Papët që kanë qenë në këtë Seli Apostolike, për të kërkuar nga kjo Akademi Papnore e nga të gjithë shkencëtarët që të «bëjnë të zhvillohet gjithnjë e më fisnikërisht dhe dendësisht shkenca, pa kërkuar asgjë më shumë prej tyre: sepse në këtë qëllim joshës dhe në këtë punë fisnike përbëhet misioni për t’i shërbyer të vërtetës, për të cilin mision ju ngarkojmë… » (Pio XI, In multis solaciis , 28 tetor 1936: AAS 28 [1936] 424).

Hulumtimi i të vërtetës është detyra fundamentale e shkencës. Hulumtuesi që lëvizet në këtë drejtim të parë të shkencës, e ndjenë krejt magjinë e fjalëve të Shën Augustinit: “Intellectum valda ama” (Epist . 120, 3,13: PL 33,459), e do shumë inteligjencën dhe funksionimin saj që i përket për ta njohur të vërtetën. Shkenca e kulluar është një e mirë, e denjë për ta dashur shumë, sepse është njohje, e pra, perfeksionim i njeriut në inteligjencën e tij: ajo duhet të nderohet si e tillë, para aplikimit të saj teknik, si pjesë e integruar e kulturës.

Shkenca fundamentale është një e mirë universale, që çdo popull duhet të kultivojë me liri të plotë, e liruar nga çdo formë robërie internacionale dhe kolonializmi intelektual. Kërkimi dhe hulumtimi duhet të jetë i lirë para pushteteve politike dhe ekonomike, që duan të bashkëpunojnë për zhvillimin e saj, pa ndërhyrë në kreativitetin e saj dhe pa ja robëruar qëllimin. E vërteta shkencore, është, në fakt, si çdo e vërtetë tjetër, që i mbetet borxh vetëm vetës së saj dhe të Vërtetës Supreme, që është Zoti, krijues i njeriut dhe të gjitha gjësendeve.“

 

Përgatiti për DritënDon Fatmir Koliqi

Fjalimin e Papës të plotë mund ta lexoni në linkun më poshtë:

http://www.drita.info/editorial/krijimi-nuk-eshte-magji/

Shpërndaje

Comments are closed.

»