IMZOT PAL ENGJËLLI (1417 – 1470) – HUMANIST I SHQUAR SHQIPTAR DHE BASHKËPUNËTOR I AFËRT I GJERRGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT (I)

Nov 25 • Histori


10805348_381713335322384_1217906468_n

SHKRUAN:

Prof. Dr. Mikel PRENNUSHI

Në plejadën e humanistëve të shquar shqiptarë të shekujve XV, XVI, një vend të merituar ka Imzot PAL ANDREA ENGJËLLI nga familja e njohur e Engjëllorëve, dukë të Drishtit, familje e njohur patriote që luajti një rol me rëndësi në mesjetën shqiptare e sidomos në periudhën e Skënderbeut.

Kjo familje me titull fisnikërie kishte lidhje të ngushta me familjet kryesore princërore shqiptare të kohës. Pal Engjëlli jetoi e veproi në epokën e Skënderbeut si prelat fetar e si humanist i përmendur dhe diplomat i shtetit të përqëndruar arbëresh të kësaj kohe. Pothuaj se bashkë moshatar me Heroin Kombëtar, ai qe njëheri edhe mik i tij, siç pohon disa herë Marin Barleti në veprën e njohur “De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis Roma 1508 – 1510, qe këshilltar dhe diplomat i tij. Pal Engjëlli lindi në 1417 dhe vdiq rreth viteve 1469 – 1470.

Ai qe arqipeshkëv i Durrësit. Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti jep këtë karakterizëm për Pal Engjëllin: “Ky kryepeshkop qe epirot, nga kryeqyteti i Drishtit, bir i Andrea Engjëllit për të cilin folëm më lart, burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të folur (në gojtari), me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë e zakone… burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit…” (M. Barleti, Historia e Skënderbeut, 1964, f. 395, 430)

Imzot Pal Engjëlli është i njohur sepse prej tij kemi të shkruar në gjuhën shqipe “Formulën e Pagëzimit”, të parin dokument të gjuhës shqipe të shkruar. Është viti 1462. Duke u gjurmuar në bibliotekën Laurentiana të Firencës, dijetari rumun Nikolae Jorga e gjeti këtë frazë në gjuhën shqipe dhe e botoi më 1915 në veprën e tij Notes et extraites pour servir à l’histoire descroissades au XV siècle” (Bukuresht, 1915, f. 195). Në udhëzimet e porositë që Pal Engjëlli, me cilësinë e kryepeshkopit të Durrësit, i jepte klerit të dioqezës së Lisit në Mat, ku shërbente peshkop Andrea, ndër 37 fletët në pergamenë që përmbante ky dokument në gjuhën latine (formati i fletëve 20 x 14 cm), dijetari rumun gjeti dhe dy radhë të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet latin:
“Un te’ paghesont per emnitAtit et Birit et Spertit Senit”.
Këto radhë janë shkruar në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi latin. Duke lexuar këtë raport të Pal Engjëllit mësojmë se ai si kryepeshkop kishte mbledhur gjithë klerin e dioqezës së Matit në kishën e Shën Trinisë, më 8 nëntor 1462, dhe se, atje ndër udhëzime të tjera, i jepte porosi klerit që prindërit në mungesë të priftërinjve mund t’i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë formulë duke u hedhur pakëz ujë mbi krye. Dihet se dioqezi i Matit varej nga Ipeshkvia e Durrësit dhe se në Mat janë mbajtur në atë kohë shumë kuvende kishtare. Formula e shkruar në shqip dhe e përdorur në ritet fetare të kohës tregon një shfaqje të gjallë të patrotizmit nga vetë Pal Engjëlli dhe nga vartësit e tij. Jemi në kohën e luftrave fitimtare të Skënderbeut kur heroi ynë kombëtar quhej në dokumente DOMINUS ALBANIAE” – “Zot i Arbërit.”

Në Bibliotekën Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke të kohës së Rilindjes Europiane. Në vitet 60-të të shekullit XV, Pal Engjëlli, si diplomat e këshilltar për punët e jashtme i Skendërbeut, qe aktivizuar shumë. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën katërditore që bërinë Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461. Dihet historikisht se Republika e Raguzës pati marrëdhënie të mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë kohës që Shqipëria kalonte provëne rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e pushtuesve osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzanë për Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon Marin Barleti, iu përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë, duke lavdëruar zhvillimin kësaj republike dalmate, shkencën humaniste dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër të tjera në fjalimin e tij ai tha: “… Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha artet e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe disiplinat e tjera… Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat që na keni bërë, kujtimi juaj, emri juaj dhe i qytetit tuaj do të jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri, do të jenë ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona”.

Vërtetë se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijim I penës mjeshtërore të Marin Barletit, po dihet gjithashtu mirë fort se në farkëtimin e miqësisë mes Raguzës dhe shtetit të Arbërit, një rol me rëndësi ka luajtur Pal Engjëlli. Natyrisht të dy shtetet fshqinje ishin të interesuara për një bashkëpunim në luftrat mbrojtëse kundër hordhive osmane. Dihet gjithashtu se Pal Engjëlli qe një humanist dhe konsiderata e tij për lëvizjen humaniste përparimtare të njerëzimit qe e madhe. Imzot Pal Engjëlli, si diplomat, u përpoq të afrojë shtetet e interesuara në aleancën kundër osmane.

Shqipërisë në atë kohë i interesonte të kishte marrëveshje e aleanca me Raguzën, Hungarinë, Venedikun dhe me vende të tjera. Në këtë drejtim përpjekjet nuk munguan, e sidomos nga ana e Pal Engjëllit. Autoritetin e tij fetar e shfrytëzoi plotësisht në dobitë atdheut. Kështu, si shoqërues i Skënderbeut në vizitën në Itali më 1461, ai u tregua i shkathët në marrëveshje me mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe në takime me princër të tjerë. Gjithashtu edhe Traktati i Gaeta-s është vepër e Pal Engjëllit (1461).

Shteti i përqëndruar i Arbërit nën udhëheqjen e Skënderbeut kishte nevojë për ndihma materiale e morale, kishte nevojë për aleatë në luftën e pabarabartë kundër pushtuesve osmanë që derdheshin çdo vit kundër kështjellave tona me sulmet e tyre të tërbuara. Më 1464, Pal Engjëlli, si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut, kreu një mision diplomatik pranë kontit Sforza të Milanos. Në letër kredencialet e paraqitura shprehet qartë misioni i tij i rëndësishëm në kërkim të një aleance dhe të ndihmave materiale. Skënderbeu, siç na e tregon dhe Fan Noli, kishte pasur letërkëmbim me kontin Sforza që në vitin 1461. Siç duket, misioni diplomatik i Pal Engjëllit pati sukses fillimisht, po më vonë nuk dihet përse ndihma materiale për Shqipërinë trime qe reduktuar. Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në Milano, humanisti i shquar italian, Françesk Filelfo u drejtonte letra princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit, në të cilat shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e drejtë që bënin shqiptarët. Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se Pal Engjëlli e ka takuar edhe Françesk Filelfon, njëri me influencë dhe humanist i përmendur. Në letrat e tij Filelfo shkruan: “Skënderbeu është shpirt madh dhe i stërvitur në mes të turqve që në moshë të re… Pas tij janë shumë kalorës dhe këmbësorë shqiptarë nga më trimat. Midis gjithë kombësive të tjera ndërmjet Danubit e Adriatikut dhe kufijve të Italisë, shqiptarët qenë të vetmit që u bënë ballë turqve me trimëri të madhe…” Dhe më poshtë: ” Skënderi pra, do të ketë mundësi të japë një kontribut jo të vogël në çështjen tonë të përbashkët… Fuqive të tij do t’i vinë në ndihmë dhe fuqitë ushtarake të Kontit Sforza, të këtij princi trim e të përmendur…”

(Vijon)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »