Kombi shqiptar gjendet në një moment pozitiv dhe shpresëdhënës

Nov 25 • INTERVISTË

Intervistë me Lazër Stanin, shkrimtar dhe publicist

 

“Natyrisht, si çdo komb, edhe kombi shqiptar ka mohuesit e tij. Por Shqipëria nuk është e mohuesve, është e shqiptarëve.” 

 

  1. Z. Lazër Stani, ju njohim si shkrimtar, eseist dhe publicist. Si prozator i formuar e me shije të  hollë, por edhe si vrojtues i zhvillimeve shoqërore, a mund të na thoni, sipas jush, ku është kombi shqiptar sot?

Shqiptarët sot, pavarësisht frikërave, pasigurisë, dilemave, paqartësive, luhatjeve, dyshimeve, janë në një moment pozitiv të historisë së tyre. Si asnjëherë në histori, shqiptarët kanë krijuar dy shtete sovrane dhe shqiptarët që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve, në Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera, gëzojnë më shumë të drejta, më shumë liri politike, më shumë liri ekonomike, kanë më shumë hapësirë për të zhvilluar identitetin dhe kulturën e tyre. Nga ky këndvështrim, edhe kombi shqiptar gjendet në një moment pozitiv dhe shpresëdhënës të historisë, me një projekt politik qartësisht europian. Krijimi i këtij realiteti të ri politik dhe projekti europian i kombit shqiptar ka ngjallur dhe reagime, frikë, pasiguri, dashakeqësi, ka nxitur dhe veprime të kundërta, ku protagonistë janë edhe një pjesë e vetë shqiptarëve.  Ndoshta për të kuptuar më mirë mbrapshtitë që ndodhin në kombin tonë, duhet qartësuar dhe koncepti se çfarë kuptojmë më komb shqiptar, që unë, duke iu referuar Johann Gottfried Herderit, do ta quaja, Kulturnation. Sipas Herderit Kombi është një bashkësi e krijuar mbi kohezionin gjuhësor, kulturën dhe traditën e përbashkët. Herderi me të drejtë thekson se në jetën e një kombi uniteti kulturor dhe gjuhësor është më i rëndësishëm se uniteti politik, shteti dhe Kushtetuta. Rasti i krijimit të Kombit shqiptar në Ballkan, është konfirmim i kësaj teze të Herderit. Ne nuk u formuam si komb nga Kushtetuta, për shkak të shtetit të fortë që kishim dhe as për shkak të një uniteti politik. Ne u krijuam si komb për shkak të unitetit tonë gjuhësor, njësimit kulturor, traditës dhe historisë së përbashkët. Kjo është arsyeja që ne jemi një komb i qëndrueshëm dhe i pamort, pavarësisht rrethanave historike dhe mbrapshtive politike, pushtimeve të gjata dhe presioneve asgjësuese, gjendur në kufijtë e përplasjes se perandorive dhe qytetërimeve. E kam thënë dhe herë tjetër se kombi shqiptar është një komb i krijuar nga shkrimtarët. Pa shkrimtaret e vjetër të gjuhës shqipe, pa Rilindjen Kombëtare që është vepër mahnitëse e inteligjencies krijuese, që formësoi vetëdijen kombëtare në mesin e errësirës otomane, pa vazhdimin  e kësaj tradite iluminuese edhe gjatë këtyre 101 vjetëve të ekzistencës së shtetit shqiptar nga inteligjenca krijuese, vështirë se do të kishim kombin shqiptar. Jo rastësisht edhe sot një prej emblemave të kombit shqiptar në botë, është një shkrimtar, siç janë emblema edhe një humaniste si Nënë Tereza, apo një shkencëtar i nderuar më çmimin Nobel. 

Energjia jone politike, në të shumtën e herëve, është investuar mbrapsht, herë si karrierë në shërbim të fuqisë pushtuese e herë si investim në kundërshtim më interesat e kombit tonë. Prandaj e kam thënë dhe e përsëris, se në formimin e Kombit shqiptar dhe në historinë e tij, nuk kanë asnjë vlerë politikanët që kanë shërbyer në shkallët më të larta të hierarkisë së perandorisë dhe janë realizuar politikisht, jo duke u shërbyer shqiptarëve, por pushtuesve të tyre.

  1. Ka një kohë të gjatë, që debatet për identitetin shqiptar nuk pushojnë. Cili është opinioni juaj,  kanë shqiptarët identitet unik? Për më tepër, a mund të flitet për një kulturë homogjene brenda kombit shqiptar?

Një prej shkrimet të tij të hershme At Gjergj Fishta ka dhënë një kumt dramatik: “Tash qi asht ba Shqipnia duhen përba shqiptarët”.  Në kohën e tij Fishta reflektoi për krizën e identitetit shqiptar, pas mëvetësisë së Shqipërisë, zbimit të Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare. Së pari, shekujt e gjatë të pushimit e kishin bërë gjëmën e tyre, duke goditur, dëmtuar e deformuar inde të qenësishme të identitetit shqiptar. Së dyti, ishte frika ekzistenciale në një botë të rrethuar nga fqinjë agresivë. Së treti, ishte identifikimi i gabuar i qenësisë nacionale me përkatësinë fetare, religjionin. Shumë shqiptarë, nuk e kuptonin ndryshimin historik që kishte ndodhur me përzënien e Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare. Ata ndjeheshin të trembur, të pasigurtë dhe shpresëhumbur në rrugën e kthimit të tyre historik në Europë. Ata nuk e kuptonin se kombi shqiptar nuk ishte krijuar si një unitet fetar, por si një unitet gjuhësor, kulturor dhe historik, falë edhe urtësisë dhe largpamësisë së rilindësve tanë.  Gjithnjë më ka revoltuar fakti që shpesh në kancelaritë perëndimore, për interesa politikë të ditës, na kanë quajtur komb musliman. Europa ka komb Italian, Gjerman, Francez, Anglez, po në termat politikë dhe as shkencor asnjëherë nuk përdorët termi Kombi katolik Italian, apo kombet protestante Angleze dhe Gjermane. As në shqiptarët nuk mund të pranojmë një standard tjetër: Ne jemi Kombi shqiptar dhe jo Kombi Mysliman Shqiptar. Dhe kjo është çështje e rëndësishme, thelbësore për t’u ditur dhe për t’u mbrojtur. Identiteti fetar është një element i identitetit individual dhe jo element përcaktues në identitetin kombëtar. Për fat të keq, liria u ka sjellë dilema ekzistenciale shqiptarëve. Një ndër këto është dilema e identitetit të tyre, dilema e të qenit lindor apo perëndimor, europian, apo aziatik. Grupime, individë, madje edhe intelektualë, që kanë bërë emër ndër shqiptarë, kanë agresuar identitetin europian të shqiptarëve. Shkaqet mund të jenë çfarëdo, por vetëm shkencore dhe shqiptare nuk janë. Ndotjet e otomanizmit as kanë qenë dhe as mund të jenë tipar përcaktues i identitetit të shqiptarëve. Shqiptarët, pasardhës të Ilirëve, fqinjë me grekët dhe romakët, janë në amën e krijimit të identitetit Euorpian. Në mesjetën paraosmane shqiptarët ishin po aq europianë sa ç’ishin edhe napolitanët e venecianët, kishin të njëjtin besim dhe kulturë, traditë qartësisht europiane. Jam habitur kur Ismail Kadare shkroi esenë “Identiteti Europian i Shqiptarëve”.  Një libër i shkruar për një të vërtetë të ditur, pata menduar më vetë atëherë. Megjithatë, zhvillimet e më vonshme treguan se shqetësimi i shkrimtarit ishte i drejtë.

kopertina

  1. Meqë jemi tek identiteti. Vitin e kaluar, kudo hapësirave shqiptare, u festua 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkaq, në anën tjetër, kemi një përpjekje të vazhdueshme për afrim me Turqinë. Në këtë aspekt, ndodhe që qeveritë shqiptare të shfaqin një “vëllazëri” me politikanë turq. Si i vlerësoni ju këto marrëdhënie dhe si shpjegoni marrëdhëniet e turko-shqiptare të viteve të fundit?

Bashkëpunimi me Turqinë dhe marrëdhëniet miqësore në interes të të dy popujve janë normale. Natyrisht, “vëllazëritë”, “gjaku i përbashkët” apo “partneriteti strategjik” janë marrëzi të politikës. Është një terminologji primitive, fisnore, shumë larg koncepteve dhe termave të politikës moderne.  Unë nuk di ndonjë prej politikanëve të sotëm anglez të përdorë terma të tillë nga leksiku fisnor, edhe pse SHB-ja është, në fund të fundit, një bijë e suksesshme e Anglisë. Ne si komb gjithnjë kemi paguar koston e çmendurive të politikanëve. E di se dhe vetë politikanët nuk besojnë në pallavra të tilla, por ndërkaq kjo tregon mungesën e principeve dhe të moralit të politikanëve tanë. Sa herë ata bëhen të papranueshëm për Perëndimin me sjelljet e tyre ataviste, kërkojnë strehim në Lindje, herë në Moskë, herë në Pekin e tash së fundmi edhe në Ankara, mjafton që kjo të zgjasë dhe të lehtësojë disi sundimin e tyre.

  1. Po tendencën për ndryshimin e historisë, që vjen nga presioni i shtetit turk, sidomos i pjesëve ku bëhet fjalë për pushtimin e perandorisë osmane në tokat shqiptare?

Turqia e sotme e z. Erdogan ka probleme serioze me vetën e saj, me qytetarët e saj. Shteti i qeverisur nga Partia Islamike e z. Erdogan, çdo ditë e më shumë i shmanget projektit politik, të themeluesit të Turqisë Moderne, Ataturkut. Inteligjenca turke me përfaqësuesin e saj më në zë, shkrimtarin nobelist Orhan Pamuk, ka kohë që kundërshton me forcë degradimin e shtetit laik në shtet islamik. Mjafton të lexosh intervistat apo librin me ese “Other Colors” të këtij shkrimtari për të kuptuar  se çfarë ngjet në Turqinë e sotme. Turqia vetë nuk e ka fshehur ambicien e saj për t’u shndërruar në një superfuqi rajonale, duke shtrirë ndikimin e vet në kufijtë e Perandorisë Osmane, duke shfrytëzuar për këtë edhe religjionin, besimin islam, edhe pse përdorimi i fesë  për politikë më duket një nga mëkatet më të pafalshme para Krijuesit dhe një nga rreziqet më serioze të kohës tonë.  Përpjekja e Turqisë për ndryshimin e historisë së Shqiptarëve nën pushtimin otoman, është përpjekje për të lehtësuar realizimin e këtij projekti politik që nuk ka lidhje me interesat e shqiptarëve dhe është në dëm të së ardhmes së tyre europiane.

  1.  Çfarë do të thotë sot të jesh shqiptar dhe a është përgjigjja në këtë pyetje homogjene për gjithë shqiptarët?

Nuk është zgjedhje, thjesht kam lindur shqiptar. Fat apo fatalitet unë nuk mund ta zhbëj këtë identitet timin dhe as ta vë në dyshim qoftë edhe për një çast të vetëm. Përkundrazi gjithçka të shenjtë që kam, gjithçka të mirë që kam krijuar, lidhet me këtë identitet. Historia ime është shqiptare prej kohësh që nuk mbahen mend. Për shkak të punëve që kam kryer, më ka takuar të udhëtoj shumë, kam takuar shumë njerëz të kombeve  dhe racave të ndryshme, personalitete të shquar, presidentë, ministra, diplomatë, shkrimtarë të shquar, poetë, mendimtarë dhe gjithmonë e kam patur me vete qenien time shqiptare. Dhe jam ndjerë mirë pikërisht prej saj.

Natyrisht, si çdo komb, edhe kombi shqiptar ka mohuesit e tij. Por Shqipëria nuk është e mohuesve, është e shqiptarëve. 

Nga ana tjetër shqiptarët janë një etni homogjene me diferenca jo thelbësore. Një shqiptar i Dukagjinit nuk dallon pothuajse aspak përveç nuancave dialektore me një shqiptar të Labërisë, apo një shqiptar të Stubllës. Dihet se komunitetet e izoluara krijojnë subkulturat e tyre, dhe shqiptarët për shekuj kanë jetuar në komunitete të izoluara, por këto subkultura nuk kanë formuar aq theksim, sa të cenojnë homogjenitetin e racës dhe të identitetit shqiptar. 

 

  1. Meqë kjo intervistë iu dedikohet më shumë lexuesve nga Kosova, si e shihni ju rrugëtimin e Kosovës në këto vite, nga liria, pavarësia deri tek përpjekjet për integrim në BE dhe NATO?

E shikoj si një rrugëtim të suksesshëm dhe pa kthim mbrapa. Edhe pse problemet e shtetit të ri të Kosovës janë të prekshme, prapë progresi është i ndjeshëm dhe tashmë ditë për ditë po kristalizohet projekti i Kosovës Europiane, si një proces i patjetërsueshëm, i pakthyeshëm. Unë e kam të qartë morinë e problemeve, që sjellin dëshpërim dhe zhgënjim te shumë qytetarë të Kosovës, sepse njeriu një jetë ka dhe do ta jetojë atë në mirëqenie dhe paqe. Por ne shqiptarët e shtetit të vjetër kemi 101 vjet mëvetësi dhe prapë kemi probleme serioze me varfërinë, institucionet, funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Por unë besoj se rruga e Kosovës për te shteti normal, për tek mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, kulturor e politik do të jetë shumë më e shkurtër, sepse edhe realitetet historike janë të tjera.

  1. Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërfetare ndër shqiptarë?

Ne deklarojmë vazhdimisht se bashkëjetesa fetare ndër shqiptarë është një model pozitiv për njerëzimin.  Dhe me të vërtetë, kemi arritur të krijojmë një model bashkëjetese që është garanci për të ardhmen e kombit, nëse do të arrijmë ta ruajmë dhe konsolidojmë edhe më tej këtë bashkëjetesë. Eshtë rast unik në histori, ndoshta, kur një popull me shumicë muslimane zgjedh për kryeministër një prift ortodoks, siç ishte zgjedhja e Fan Nolit. Por vetë fakti që e theksojmë këtë akt, tregon se marrëdhëniet ndërfetare nuk janë të arta. Pas shpalljes së Shqipërisë shtet ateist dhe ndalimit të fesë për njëzet e tre vjet, shqiptarët, rifituan më në fund lirinë e besimit në fundvjeshtën e vitit 1990. Por është e qartë se ndalesat ekstreme krijojnë dhe ndjeshmëri ekstreme, nxisin ekstremizmat. Ndërkaq vetë përplasja e qytetërimeve në këtë shekull dhe keqinterpretimi i luftës së fuqive Perendimore ndaj terrorizmit si luftë ndaj Islamit, nuk ka kaluar pa krijuar njolla edhe në marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri. Kundërshtimi që shpesh herë është hasur në vendosjen e monumenteve të shqiptares më të madhe të historisë, Nënë Terezës, në sheshet e qyteteve shqiptare, është një dëshmi shqetësuese për ndjeshmërinë dhe brishtësinë e këtyre marrëdhënieve. Ka dhe fakte të tjera shqetësuese: në Korçë për shembull, për shkak të përberjes fetare të popullisë, të dy forcat kryesore politike PD dhe PS, gjatë gjithë këtyre viteve kanë konkuruar në zgjedhjet bashkiake me kandidatë të besimit ortodoks. Pra në Korçë, pavarësisht aftësive të tua intelektuale, politike, profesionale, administrative, menaxhuese, nuk mund të konkurosh, nëse je i besimit musliman. Kjo për mua është e papranueshme, e rrezikshme. Të mos harrojmë se Shkodra dhe Korça janë dy qytetet emblematike të qytetrimit shqiptar, qytete që paraprinë Rilindjen dhe krijimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në qytetet e tjera dasitë fetare mund të jenë edhe më të ndjeshme. Dhe për fat të keq, këto janë theksuar dekadën e fundit edhe për shkak të ndikimit të sekteve të ndryshme ekstremiste, duke abuzuar me traumën e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri dhe pushtimi serb në Kosovë.

Këto marrëdhënie të brishta ndërfetare në jo pak raste i kanë rrezikuar edhe politikanët e papjekur, që për përfitime të ditës, për një grusht votash me orientim fetar, minojnë themelet e kësaj bashkëjetese.

Në kushtetutat e shteteve tona, pra të Shqipërisë dhe të Kosovës, duhej sanksionuar me nen të veçantë, se: “Përdorimi i fesë për politikë përbën krim ndaj shtetit dhe ndëshkohet me ligj”. Ne duhet ta ndajmë mendjen dhe të jemi të qartë njëherë e përgjithmonë: besimi është një marrëdhënie individuale e secilit prej nesh me Krijuesin, ndërsa të qenurit shqiptar është lidhja jonë e pandashme me këtë tokë që na ka dhuruar Zoti dhe me njëri-tjetrin në një fat, ose fatkob të përbashkët.

Intervistoi: Ndue Ukaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »