Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë

Nov 25 • Recension

(Virgjil KULE, Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryqtari i fundit, Fast Track Albania, 2012, fq. 546.) 

SHKRUAN:

Don Lush GJERGJI 

 

Dikur, me të drejtë thuhej: “Pa histori s’ka as ardhmëri”. Sot, kjo thënie, ndoshta duhet të ndryshohet pak, të theksohet diçka e “re” dhe fatzeze: “Kush e vret historinë, vret të tashmen dhe ardhmërinë”.

Dikur të tjerët, të huajit, na mohonin historinë: gjuhën, traditën, kulturën, identitetin tonë kulturor dhe fetar, duke na vrarë, penguar dhe ndaluar që të jemi vetvetja, sidomos sundimtarët shekullor turko-otoman dhe sllavë.

Sot, këtë gjë ia bëjmë vetvetes, duke i mohuar dhe sulmuar personalitetet tona madhore historike dhe aktuale, nisur prej  heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Nënës Tereze, atë Gjergj Fishtës dhe shumë të tjerëve, si një vetëvrasje tragjike shpirtërore dhe kulturore, si përdhosje të historisë dhe rrezikim të së tashmes dhe të ardhmërisë.

Kopertina-e-monografise

Përse jemi të tillë?

Sepse, si duket, fatkeqësisht, për ne Shqiptarët, nuk ka më vlera dhe virtyte të pacenueshme dhe të paprekshme,  na mungon “barometri” për ta vlerësuar vetveten dhe të tjerët.

Dikush mjeshtërisht tha: “Bota vuan sepse ka pak njerëz të mençur. Shqiptarët vuajmë sepse të gjithë jem të mençur”.

Servilizmi dhe oportunizmi ynë tashmë i njohur, të nënshtruar ndaj të fortit, të fortë me të dobëtin, na solli deri te “rishkrimi i historisë”, që domethënë ripushtimi kulturor, shpirtëror, fetar, kombëtar. Dikur, me shumë qëndresë, lufta, heroizëm, me Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mbrojtëm vetveten, gjuhën, traditën, kulturën, qytetërimin tonë shumëshekullor të krishterë dhe evropian, mbrojtëm edhe të tjerët, gjë kjo që ka shkaktuar nderim dhe admirim në bota, ndërsa kohëve të fundit “vetëshkatërrohemi”apo “vetëvrahemi” me njëri-tjetrin, me cikërrime dhe ngatërrime, me papërgjegjësi dhe anarki, pra,  me bashkëpunimin për të zezën dhe “robërinë” tonë të re.

Dikur na martirizuan dhe masakruan, deri te zhvarrosja e Imzot Pjetër Bogdanit, djegia apo tretja e eshtrave; rrënimi i pamëshirshëm i objekteve kishtare, librave dhe personaliteteve të larta fetare dhe kombëtare. Sot, ne, me indiferentizmin dhe oportunizmin tonë, as që interesohemi më për këto fakte, këta njerëz kaq të çmuar dhe të dalluar, që aty-këtu janë harruar, apo sulmohen pa ndonjë shkas, pa  hir dhe mëshirë, sepse paskan qenë “shqiptarë të krishterë”, sikurse ishim edhe ne dikur të gjithë!

Çka të themi në gjithë këtë, përpos klithjes së dhimbshme dhe kushtrimit shpirtëror dhe kulturor: O tempora, o mores!

Shtrembërimi i historisë dhe së vërtetës, ndërrimi i tezave në antiteza, që edhe sundimtarët pesë shekullor turko-otoman na qenkan “vëllezër, miq, të gjakut tonë”, bile edhe “bamirës dhe çlirimtarë”, është arsyetimi dhe legalizimi i së keqes, robërisë, dhunës, deri te absurdi i sadizmit dhe mazokizmit historik, apo i idilesë absurde të pësimeve!

Ky proces, do të zbatohet herdo-kurdo edhe për Serbët apo çdokënd tjetër, sepse si duket jemi bërë tashmë “shoshë”, ironia e fatit tallet me ne.

I forti të rrah dhe nuk të le të qashë”- thotë fjala e urtë popullore. Kështu disi po ngjan edhe me ne, me “rishkrimin” e historisë shqiptare, me vrasjen e historisë dhe faktologjisë, në emër kinse “të zbutjes apo “humanizimit” të së kaluarës. Ku mungon e vërteta dhe dashuria, aty mungon çdo vlerë dhe virtyt, çdo liri dhe demokraci, çdo mundësi jete dhe përparimi, çdo lloj bashkëpunimi dhe bashkëjetese.

Pluralizmin dhe demokracinë, ne , e interpretojnë, në mënyrën tonë  arbitrare dhe të përçudnuar.

Mu për këtë, edhe një herë, i themi vetvetes dhe të tjerëve: Vetëm e vërteta do t’na çlirojë dhe vetëm dashuria do t’na pajtojë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, me Zotin, vetveten dhe të tjerët. Faktet historike, historia, nuk mund të ndërrohet, por sqarohet, thellohet, begatohet, ndriçohet, kompletohet. Çka është edhe më e rëndësishme dhe jetësore për ne në këtë periudhë: ne duhet ta ndërrojmë qëndrimin ndaj figurave, ngjarjeve dhe rrjedhimeve historike, duke i shqyrtuar dhe trajtuar ato në prizmin e së tashmes dhe të ardhmes.

Tek ne po ndodh një çorodi: e keqja, robëria, pësimi, po “glorifikohet”, ndërsa qëndresa, lufta, rezistenca, besnikëria, martirizimi, tash po sulmohet si diçka e keqe dhe negative… “Kandari i ndërgjegjes” sonë është dëmtuar dhe çrregulluar.

Në këtë këndvështrim libri i Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryqari i fundit, Fast Track Albania,  fq. 546, është një botim, i cili, na afron dhe dhuron Gjergj Katriotin në një dritë dhe vështrim relativisht të ri historik dhe aktual, të mbështetur në dokumente dhe dëshmi: si burrështetas, njeri të kulturës, të politikës, të diplomacisë, të bashkimit tonë kombëtar, pra, vegimtar të historisë dhe të ardhmërisë, ai që edhe një herë popullin tonë e nxori nga tjetërsimi, asgjësim kombëtar, fetar, kulturor dhe shpirtëror, duke e kthye në “shtratin” apo “djepin” natyror krishtëro-evropian.

Këtë proces të vështirë dhe të domosdoshëm ai e bëri me bashkimin e principatave shqiptare, me bashkëpunim me botën perëndimore, veçmas me Vatikanin, me diplomacinë politike dhe kulturore, me luftë të pashoqe dhe heroike të qëndresës dhe të mbijetesës.

Marin Barleti ndër të tjera shkruan se Gjergj ynë më së miri e  njihte perandorinë otomane me ”pikat e saja të forta e të dobëta” (Virgjil Kule, vep. e cit. fq.  14). Shi për këtë, kishte vizion të qartë dhe vendimprues për shqiptarët, si Moisiu dikur për popullin e Izraelit, duke përbuzur dhe braktisur interesat personale, mundësitë e jetës dhe të mirat e ofruara nga perandoria turko-otomane, për të luftuar dhe flijuar për të mirën dhe lirinë e popullit tonë arbëror. Shembull i mirë heroizmi, atdhedashurie, flijimi dhe shërbimi.

Kjo dikujt i dukej “ëndërrim” dhe utopi, sot disa e trajtojnë si “tradhti”, por Gjergj Kastrioti besonte, së pari në ndihmën e Zotit, pastaj në bashkimin dhe zgjimin e popullit shqiptar, në bashkëpunimin me aleatët besnikë, ndër të cilët ishte edhe fronti hungarez në krye me Huniadi. Kështu ai e kishte krijuar frontin e dytë, atë të Ballkanit, për ta luftuar sundimtarin e madh turko-otoman dhe për t’ia dhuruar botës së krishterë lirinë. Këtë ai e bëri me braktisjen e ushtrisë turo-otomane në betejën e Nishit dhe me bashkëpunimin tashmë të planifikuar me aradhet e krishtera që i udhëhiqte Huniadi në vitin 1443.

Kjo ngjarje ia kishte mundësuar ardhjen në Krujë, ngritjen e flamurit dhe formimin e kështjellës simbol dhe mbrojtëse, krijimin e aleancave me botën e krishterë, luftën për liri dhe pavarësi të tokave arbërore dhe më gjerë. “Skënderbeu kishte vendosur të hynte në atë botë me hapin e ushtarit të Krishtit, si një prijës i devotshëm për të organizuar Frontin e Dytë në Ballkan” vlerëson mirë  autori Virgjil Kule  /Po aty, vep. e cit. fq. 35/. 

Në këto korniza historike dhe faktologjike Gjergj Kastrioti Skënderbeu na dhurohet si figurë qendrore dhe thelbore për historinë, mbijetesën dhe zgjimin tonë nga “gjumi” i sundimit turko-otoman, hapja e perspektivës së re evropiane, perëndimore, që janë synimet dhe kërkesat tona gjithshqiptare për  gjendjen tonë aktuale. Ky “djep” apo “shtrat” na rriti dhe na mbajti gjallë, pëlqeu apo nuk i pëlqeu disave, sepse siç thotë fjala e urtë latine: Amicus Caio, amicus Platio, sed magis amica Veritas, që domethënë: mik Kaji, mik Placi, por miku më i madh është e Vërteta.

Ky studim dhe botim i vyeshëm dhe mirë i dokumetuar sjellë mjaft burime dhe dëshmi historike, të gërshetuara me mjeshtri dhe saktësi, për ta njohur dhe vlerësuar heroin tonë kombëtar dhe fetar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, konteksti historik, rrethanat shqiptare dhe më gjerë, miqtë dhe armiqtë, që dhuron një figurë kaq të njohur, të dalluar dhe të dashur nga gjithë shqiptarët, Njeriun i cili edhe një herë na “ngjalli”, i dëshmoi dhe tregoi botës entitetin dhe identitetin tonë shekullor arbëroro-shqiptar, në dritën e ngjarjeve dhe fakteve, dokumenteve të  vjetra dhe të reja, gjithsesi të  domosdoshme dhe të rëndësishme për historiografinë tonë të mirëfilltë.   

Autori Virgjil Kule në parathënie e përcakton metodologjinë e hulumtimit dhe të shkrimit, si dhe objektivin që synonte ta arrinte, kur ndër të tjera shkruan kështu: “Ishte kjo mënyra e zgjedhur instinktivisht prej meje që, duke mbetur “rob” i dokumentit, t’ju rrëfeja me pasion dhe, shpresoj me obketivitet, shqiptarin e mençur, Skënderbe” (Virgjil Kule, vep. e cit. f. 8).

Ai këtë e ka arritur me shumë përpikëri, saktësi, me të gjitha me shumë përkushtim dhe dashuri.

Dy porosi që unë i kam nxjerrë nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe ky botim: Përpara se të bashkohen tokat shqiptare, duhet të bashkohen kokat dhe zemrat. Dhe porosia e dytë është: T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës. Këtë e arriti mrekullisht  Skënderbeu.  

 

(Kumtesa me rastin e promovimit të këtij botimi në Bibliotekën Universitare dhe Popullore,  Prishtinë, 22 tetor 2014)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »