Mesazhi i Papës Françesku drejtuar rinisë shqiptare

Nov 25 • Bota e të rinjve

Lajmi se Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë, u pritë në mënyrë të jashtëzakonshme, si lajm krejtësisht i veçantë dhe origjinal, nga gjithë shqiptarët, anë e mbarë botës, ku ata jetojnë dhe veprojnë. Arsyet pse ky ishte i veçantë, janë nga më të ndryshme: i Pari i Kishës Katolike, zgjodhi Shqipërinë, si vendin e parë në Europë për ta vizituar. Ai vendosi që pikërisht nga ky vend i martirizuar, i vuajtur, i shkelur nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm; i varfër ekonomikisht, mirëpo i pasur në virtyte, në mikpritje, në bashkëjetesë vëllazërore mes besimeve dhe religjioneve të ndryshme, t’i përçojë botës mbarë, porosinë e bashkëjetesës dhe të vëllazërisë mes njerëzve, kulturave dhe besimeve të ndryshme.

Falë thjeshtësisë, afërsisë dhe butësisë, Papa Françesku fitoi një popullariteti të jashtëzakonshëm në sytë e mbarë botës, që në ditët e para të Papatit të tij dhe pikërisht këto ishin arsyet tjera, pse populli shqiptar, me padurim priste ta takojë, ta dëgjojë, ta shoh dhe ta prekë për së afërmi profetin e paqes, të mëshirës dhe të thjeshtësisë Ungjillore.

Dita e 21 shtatorit bashkoi rreth Papa Françeskut, si asnjëherë më parë, popullin shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Gëzimi, hareja, buzëqeshja dhe ndjenja e falënderimit vëreheshin në fytyrën e secilit që ishte i pranishëm në sheshin Nënës Tereza, të zbukuruar dhe dekoruar si asnjëherë më parë. Pikërisht nga ky vend, ku tridhjetë vite më parë, bëheshin parada ushtarake dhe merreshin vendimet për të persekutuar dhe vrarë të gjithë ata që s’ i binin mohut fesë dhe kombit; nga ky vend ku merreshin vendimet për të shkatërruar gjithçka që ishte e krishterë; nga ky vend ku u vendos mos ekzistenca e Zotit dhe u shpall me ligj ateizmi shtetëror; mu nga ky vend u lartësua, publikisht, kryqi i Krishtit. U bashkua populli i Zotit, që në krye më të Parin e Kishës, Papën- lutën Zotin; dëgjuan Fjalën e Tij dhe u ushqyen me Korpin dhe Gjakun e Krishtit.

Ajo çfarë dëshirojmë të paraqesim përmes këtij përshkrimi të mesazhit të Papës, ka për qëllim, të shohim dhe të përshkojmë së bashku fjalimet e Papës, dhe kështu, të nxjerrim porosinë që Ati i shenjtë ua drejtoi të rinjve shqiptarë.

Në predikimin që Papa Francesku mbajti në sheshin e Nënë Terezës në Tiranë, mes tjerash tha: “Në shpirt bashkimi me ipeshkvijtë, meshtarët, personat e kushtuar dhe besimtarët laikë, ju thërrasë dhe ju nxisë t’i jepni hov veprimit baritor, që është një veprim shërbimi, dhe të vazhdoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës brenda shoqërisë. Në veçanti, këtë ftesë ju drejtoj ju të rinjve. Kam parë shumë të rinj rrugës nga aeroporti e deri këtu! Ky është një popull i ri! Shumë i ri. E ku është rinia aty është shpresa. Dëgjojeni Zotin, adhurojeni Zotin dhe duhuni mes vete si popull, si vëllezër”.

Menjëherë pas Meshe, në lutjen e Engjëllit ten’Zot, papa falënderoi të gjithë të pranishmit dhe në mënyrë të veçantë ju drejtua të rinjve me ketë fjalë: “Thonë që Shqipëria është vendi më i ri në Europë, prandaj ju drejtohem ju të rinj. Ju ftoj që ta ndërtoni ekzistencën tuaj mbi Jezu Krishtin, mbi Zotin: kush ndërton mbi Zotin ndërton mbi shkëmb, sepse Ai mbetet gjithmonë besnik, edhe pse ne nuk jemi besnik (krah. 2 Tm 2, 13). Jezusi na njeh ma mirë se çdo kush tjetër; kur gabojmë, nuk na dënon, por na thotë: “Shko e tani e tutje mos mëkato më” (Gjn 8, 11). Të dashur të rinj, ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, brezi i ri i Atdheut. Me fuqinë e Ungjillit dhe shembullin e të parëve tuaj, dini t’i thoni jo idhujtarisë së të hollave–jo idhujtarisë së të hollave! Jo lirisë individualiste, jo varësive, jo dhunës; ndërsa t’i thoni po kulturës së takimit, të solidaritetit, po bukurisë së pandashme të së mirës dhe të së vërtetës; po jetës së harxhuar me shpirt të madh dhe besnik ndaj gjërave të vogla. Kështu do ta ndërtoni një Shqipëri dhe një botë më të mirë, në gjurmët e të parëve tuaj.”

Në fjalimin që Papa kishte paraparë ta lexonte në Katedralen e Tiranës, por që ja dorëzoi ipeshkvit të kësaj Kishe mons. Rrokë Mirditës, Ai kishte shkruar: “Duke konsideruar që meshtarët dhe të kushtuarit nuk janë ende të mjaftueshëm, Krishti Jezus ju thotë sot edhe ju “Të korrat janë të mëdha por punëtor ka pakë! Lutuni Zotit të të korrave të dërgoj punëtor në të korrat e veta” (Mt 9, 37-38). Nuk duhet harruar se kjo lutje e Krishtit, niset nga një shikim: shikimi i Jezusit, që sheh se të korrat janë të mëdha. A e kemi edhe ne këtë shikim? A dimi ta rinjohim mbushullinë e fryteve që hiri i Zotit ka bërë të rriten, dhe të punës që na pret në arën e Zotit? E nga ky shikim feje, mbi arën e Zotit, lind lutja, klithja e përditshme dhe e fortë drejtuar Zotit për thirrje meshtarake dhe rregulltare. Ju të dashur, seminaristë, kandidate dhe postulante, jini fryti i kësaj lutje të popullit të Zotit, që gjithmonë e paraprinë dhe e përcjell përgjigjen tuaj personal. Kisha në Shqipëri ka nevojë për entuziazmin tuaj dhe për bujarinë tuaj. Kohën që sot ja kushtoni një formimi të mirë shpirtëror, teologjik, komunitar dhe baritor, është i frytshëm me qëllim që një ditë ta shërbeni denjësisht popullin e Zotit. Njerëzit, më tepër se mësuesit, kërkojnë dëshmitarë: dëshmitarë të përvujtë të mëshirës dhe të butësisë së Hyjit; meshtarë dhe rregulltarë sipas Krishtit Bariut të Mirë, të aftë për t’iu komunikuar të gjithëve dashurinë e Krishtit.

Këto që paraqitem, janë vetëm disa shkëputje nga fjalimet e ndryshme që Papa Françesku i mbajti gjatë vizitës njëditore në Shqipëri. Këto porosi, kanë nevojë të rimerren në shqyrtim, të reflektohet mbi to, të lutet – e kështu, nga një rilexim dhe reflektim i kujdesshëm, të gjinden forma të favorshme, të cilat sigurisht se do të ndihmonin në formimin human, shpirtëror, intelektual dhe baritor të të rinjve.

Përgatiti për Dritën: Don Anton Uka

Rinia

10685953_947855428565081_835984752_o

10686012_947851861898771_565305778_o

10707320_947850675232223_1201610412_o

Photos by: Antigona Pjetraj & Besim Ndau

Shpërndaje

Comments are closed.

« »