Poezia e bukur të çliron, të argëton dhe të jep dituri

Nov 25 • Recension

 (Peter Poulsen, Prapa hënës, “Ditët e Naimit”, 2014. Përktheu nga danishtja Edita Kuçi Ukaj)

 

“Fjalët e poetit janë në erë dhe ato shpërndahen me një gjuhë të epërme në tokë. Poeti kërkon që këto fjalë të erës, t’i zbres në ndërgjegjen e lexuesit; t’i kujtoj atij se bota ka nevojë për humanizmin tonë, për t’i mposhtë forcat e dhunshme, demonët që s’prajnë së kërkuari mundësi ta shpijnë njeriun kah e keqja. Me këtë ligjërim, kjo poezi, ka kapacitetet e mjaftueshme të shndërrohet në poezi që thërret, apelon, kërkon ndërgjegjen e zgjuar, të armatoset me të bukurën, të mirën, drejtësinë dhe të rri si kandil ndezur përballë të keqes.”

SHKRUAN: 

Ndue UKAJ

Kur flasim për poezinë, na parapëlqen të mendojmë në një realitet estetik. E ky realitetit, ka mjeshtrin dhe aftësinë ta “mashtron” realitetin e përditshmërisë; të vorbullës së ngjarjeve kalendarike, të cilat destinohen shpejt të përfundojnë si relikte në harresë. Por poezia e ka aftësinë ta lufton harresën dhe në të njëjtën kohë, ta njomë kujtesën; ta mbarsë atë me fuqinë epërme të fjalës së bukur, që ka një thirrje mbitokësore. Teksti poetik, me strukturën, tingujt e figurat, është jashtë realitetit konkret, mirëpo, relacioni i tij më të vërtetën dhe moralin, është një relacion që është i mveshur nga gjuha thellësisht e bukur dhe estetike, dhe nga një rreth i çuditshëm imagjinativ që ka potencë intelektuale dhe  përçon mesazhe universale. Kur lexojmë poezi, brenda një konteksti të caktuar, ne, përveç se marrim informacione të caktuara, kuptojmë se ai është realitet i përhershëm, i krijuar për të mos u shuar kurrë, përkundër të vërtetave tjera që gjithmonë kanë kufijtë e tyre.

Hëna është shumë e stresuar, sepse ne jemi pjesë e një tregimi të veçantë, të cilit s’ia dimë përfundimin-shprehet poeti danez Peter Poulsen, në poezinë e tij. E m’u ky tregim, është pika nevralgjike, të cilën e synon poezia, kjo mbretëreshë e bukur, që rri ndezur si kandil në errësirën që shpeshherë tenton ta zotëron dritën. Poezia e danezit vjen në shqip, me tiparet e një poetike moderne, që karakterizohet nga mendimi i fermentuar dhe humane, nga gjuha subtile dhe hapja imagjinative ndaj së bukurës.

Çfarë bën poeti në një shoqëri?  Ai është njëri nga ta, por, me një thirrje tjetër, të nuhas të padukshmet e shoqërisë, t’i piketoj të paprekurat e shoqërisë dhe krajatat e njeriut. Poeti prek pulset ma të makthshme dhe nëpërmjet një ligjërimi të tejkohëshëm, i përjetëson në realitete gjuhësore, që ne i njohim si realitete estetike. Edhe poezia e Peter Poulsenit- danezit me një sqimë të veçantë, priret nga këto tendenca: pulson drithërimat e shoqërisë njerëzore, të Danimarkës së tij, por edhe të universit ku ai jeton dhe ku përthithim ajrin ne.

Duke e njohur anën e errët të kësaj shoqërie, ai na rikujton makthshëm, se: Toka është në duart e forcave të dhunshme, andaj përballë këtyre forcave, duhet sforcuar idealet e humanizmit, drejtësisë dhe së mirës. Për ma tepër, përball një konstatimi të tillë gjuhësor, poeti  rrekët të ndihmoj lexuesin të bëhet më human, më ngulmues në rrugëtimin e tij ka e mira dhe drejtësia. Ndonëse e di se:

“Një gjë është e sigurt: asgjë nuk është

e sigurt. Radio transmeton

lajmet e mëngjesit. Më vonë  

vjen lufta për fatin

në mes të dy ekipeve për kërcënimin e dëbimit

dhe  jam shumë krenar për ta përmendur me emër,” ai s’ndalet në rrugëtimin e tij për të pulsuar klithmat e tij, në këtë kohë, kur një krimb mund të shkruaj kujtimet e tij.

Fjalët e poetit janë në erë dhe ato shpërndahen me një gjuhë të epërme në tokë. Poeti kërkon që këto fjalë të erës, t’i zbres në ndërgjegjen e lexuesit; t’i kujtoj atij se bota ka nevojë për humanizmin tonë, për t’i mposhtë forcat e dhunshme, demonët që s’prajnë së kërkuari mundësi ta shpijnë njeriun kah e keqja. Me këtë ligjërim, kjo poezi, ka kapacitetet e mjaftueshme të shndërrohet në poezi që thërret, apelon, kërkon ndërgjegjen e zgjuar, të armatoset me të bukurën, të mirën, drejtësinë dhe të rri si kandil ndezur përballë të keqes.

Michail Bachtin shkruan se “Letërsia është një pjese e pandashme e kulturës dhe kjo nuk mund të kuptohet jashtë krejt kontekstit të përgjithshëm kulturor të një epoke të caktuar. Është e palejueshme të ndahet letërsia nga kultura.” Duke e tumirë këtë mendim të Bachtinit, në kontekst të poezisë së Poulsenit, mund të pohojmë, se poezia e tij është pjesë e pandashme e kulturës daneze, e asaj skandinave, por edhe me gjerë, e letërsisë perëndimore. Ajo tash është pjesë edhe e kulturës shqipe.

 Lexuesi i pajisur me kulturë, te kjo poezi gjen prehje, sepse ajo është e hapur, pulson me ritmet e paradoksit, ambiguiteti, kontrastit dhe rrëfimit plot ndjeshmëri e emocionalitet. E tillë si është, kjo poezi, ka tagrin dhe fuqinë të shkakton te lexuesi përjetime estetike dhe përjetimet intelektuale.

“Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës” shkruan italiani mendjendritur Italo Calviono. Poezi e këtij libri, ka tagrin të përmbush dukshëm këtë kërkesë, sepse ndihmon formësimin, sforcimin e këtyre antitrupave për t’u mbrojt nga helmi i gjuhës.

Poezia e fuqishme, e ngjizur nga një mendje që imagjinatën e shtrin nëpër galaktikë dhe kërkon të vërteta poetike: të mbetet në mendje, të grish, të thërret të meditosh e ta soditësh botën, njeriun dhe përjetësinë, me një shqisë tjetër, të epërme. E poezia, kur është e bukur, të çliron, të argëton dhe të jep dituri. Këto karakteristika, i ka poezia e Pousenit, sepse vargjet e tij, të përftojnë me humanizmin që i përshkon, me figurat poetike të sofistikuara dhe të goditura, me të cilat tipare e ngjiz vjershërimin e tij.

Jorge Luis Borges, te eseu Poezia, na këshillon se poezinë e ndjejmë, ashtu sikur e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit. Po, kështu shfaqet poezia në hirësinë e saj, kështu shfaqet edhe poezia e përkthyer shqipe e Peter Poulsenit- të cilën e ndjejmë- ashtu siç ndjehet poezia e shkruar me shije e kulturë.

Kjo poezi, si e tillë, dëfton kohën e poetit, e kjo mund të jetë koha e çdo njeriut bashkëkohës. Ajo vjen në shqip, nëpërmjet përkthimit të Edita Kuçit Ukajt, me një spontanitet e qartësi dhe me gjetje të arrira. Kështu, kjo poezi, hap portat e komunikimit dhe ndërveprimit mes gjuhëve dhe kulturave, për të ndihmuar në krijimin e urave komunikuese mes kulturës daneze dhe asaj shqipe.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »