Selia e Shenjtë – pararojë e kombit shqiptar

Nov 25 • Opinion

SHKRUAN:

Ndue UKAJ

Teksa po meditoja t’i skicoja disa ide modeste për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, s’mund të shkëputesha nga imazh i parë që me erdhi në mendje: imagjinoja Papa Piun e II-të tek përgatitej të nisej nga Ankona për në Arbëri, ku duhej  ta priste mbreti i ardhshëm i shqiptarëve dhe ndoshta i Europës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Princi ynë i fisëm, gurthemel i identiteti tonë kombëtar, s’pati fatin ta realizonte planin e papatit dhe kështu Shqipëria u plandos në një robëri të gjatë. 

Vizita e Papa Piut II, (i zgjedhur papë me 1458), u ndërpre  në Ankona, në gusht të 1464, teksa priste me anijen e tij, të qante dallgët e Adriatikut dhe të zbriste në tokat arbërore, për ta kurorëzuar heroin tonë dhe të Europës, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, mbret. Të dhënat e shumta historiografike dëshmojnë se Arbëria e Gjergj Kastriotit, për Papa Piun e II-të, humanistin e madh, shihej si vendi prej ku duhej të ngjizej ideja e një kryqëzatë për çlirimin e Europës nga Turqia. Dhe kjo betejë, s’kishte kujt tjetër t’ju besohej, pos heroit tonë, Skënderbeut, që ishte bërë diga titanike që mbronte Europën nga osmanët.

Papa nuk erdhi në Shqipëri. Ai vdiq. Heroin ynë nuk u shpall mbret. Kryqëzata nuk u realizua. E Shqipëria ra nën thundrën e egër të një pushtimi shkatërrues, në fund të së cilit pushtim, ajo do të del në vete, me plagë të rënda shpirtërore, ekonomike, juridike e kulturore. Ndonëse heroi ynë s’e priti Papën, aleanca mes Vatikanit dhe popullit shqiptar, s’pushoi asnjëherë. Të shtypur e me plagë të rënda nga robëria e gjatë, shqiptarët asnjëherë s’u shkëputën shpirtërisht nga Selia e Shenjtë, ku kërkuan dhe gjetën ngrohtësi, miqësi, solidaritet dhe mbështetjen konstante. Papa Gjon Pali i II-të, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, me 25 prill 1993, do ta konfirmoi mbështetjen, përkrahjen, respektin për kishën shqiptare dhe për kombin shqiptar. Me fjalimet e tij, gjestin e puthjes së tokës, rikujtimin e së kaluarës së tokave arbërore, duke përmend krishterimin apostolik, ai shprehu tërë admirimin që Vatikani dhe Selia e Shën Pjetrit, ushqejnë për shqiptarët. 

 Vizita e një pape në Shqipëri, për pesë shekuj, ishte e diçka që hynte në domenin e të paimagjinueshmes. Megjithatë, duke u bazuar në të dhëna të shumta historike, religjioze e kulturore, mund të pohohet: asnjëherë s’mungoi prania e Selisë së Shenjtë dhe ndihma e saj për kombin shqiptar, duke u bërë një pararojë e interesave kombëtare, sidomos përgjatë këtyre shekujve të zymtë, kur populli shqiptar ishte, siç thoshte Pjetër Bogdani gjendej: “në robëni të errët, i verbum me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati e mosdija, sepse u dvar dija e urtia.”

Papa Gjon Pali i II-të, këto raporte, do t’i ndërlidhte me figurën madhore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i njohur ndryshe si “Athleta Christi.” Gjatë vizitës së tij në Shqipëri (25 prill 1993), ai do ta përkujtoi forcën me të cilën shqiptarët mbrojtën identitetin e Europës, kur  tha për  Skënderbeun: “i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar.”

Në dekadën e dytë të shekullit XXI, kur po bëhen përçapjet e fundit drejt fitimit të lirisë së ndërgjegjes, shqiptarët dëgjuan një lajm të shumëpritur, atë që dikur e kishin të pa imagjinuar: ardhjen e Papës së dytë në Shqipëri, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit II –të. Lajmi për vizitën e tij në Shqipëri, u kumtua nga Papa kështu:”Me kënaqësi ju njoftoj se, duke pranuar ftesën e Ipeshkvijve dhe të Autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, dëshiroj të shkoj në Tiranë, të dielën, më 21 shtatorin e ardhshëm. Me këtë shtegtim të shkurtër dua të përforcoj në fe Kishën e Shqipërisë dhe t’i dëshmoj inkurajimin tim një vendi, që vuajti gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës.” 

Për shqiptarët, një lajm i tillë, s’ishte dosido lajm. Ishte diçka që vinte si kumt shprese, i pritur me padurim, ngazëllim e nostalgji, që u shndërrua menjëherë në ngjarje historike. Pas dimrit të rëndë, shfaqja e pranverës shqiptare, s’kishte sesi të dukej më e mirë, më e bukur dhe më e frytshme, sesa me vizitën e Papës Françeskut- papë ky, i cili me urtësinë e tij krejt të veçantë, gjuhën e ëmbël dhe ligjërimin human, ka përfituar vëmendjen e botës ane e kënd. Andaj, lajmi për vizitën e tij në Tiranë, tingëlloi si një kambanë që parathotë një meshë të shenjtë- shumë të mirëpritur, prej së cilës meshë, do të shugurohet një epokë e re ndër shqiptarët- ajo e transformimeve të rëndësishme, drejt rritjes së humanizmit, drejtësisë dhe lirisë; postulate këto të qytetërimit të dashurisë, në krye të së cilës, Vatikani luan rol predominant, dhe në anën tjetër, vlera këto për të cilat kombi ynë ka më shumë së kurrë nevojë.  

“Në të njëjtën kohë, ndryshimet e mëdha dhe të shpejta kulturore të kohës së sotme kërkojnë që ne të përpiqemi pa reshtur për të shprehur të vërtetat e pandryshueshme në një gjuhë që sjell risi”-këshillon Françesku në nxitjen apostolike, Evalngeli Gauldium-Gëzimi i Ungjillit. E në të vërtet, duke kuptuar funksionin e epërm si pasardhës i Shën Pjetrit, me t’u zgjedhur papë, ai promovoi një ligjërim ndryshe: ai deshi dhe u bë shembull-shkëmb- sipas mësimit të Jezusit, mbi të cilin mund të ndërtohet qytetërimi ynë i së nesërmes, me gjuhën e tij që sjell risi. Përvujtëria e tij deri në përulësi, dashuria e tij për çdo qenie njerëzore, mesazhet nxitëse të mirësisë e solidaritetit, janë vetëm një segment i vogël i botës së madhe të këtij Pape, që për pak kohë në Selinë e Shenjtë, arrit të përfitoi vëmendjen e botës mbarë, duke u bërë titan i shekullit tonë. Andaj, ishte e pabesueshme që ky Papë, shembull i urtësisë, dashurisë, solidaritet dhe drejtësisë, vizitën e parë në Europë, ta bëj në Shqipëri, në vendin ku ndjehet nevoja e përdorimit të një gjuhë ndryshe, që sjell risi: mbron tolerancën dhe promovon bashkëjetesën. Mirëpo, kjo s’duhet të jetë krejt e rastësishme, nëse i analizohen raportet mes Selisë së Shenjtë dhe shqiptarëve.   

Krishterimi shqiptar është i hershëm dhe apostolik. Ky fakt nga njohës të fushave të ndryshme, konsiderohet aksiomatik. Po ashtu, vuajtjet e kishës shqiptare, siç tha Gjon Pali i II-të: “të tronditur nga persekutimi i rëndë dhe e gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martireve të saj”, janë një dhuratë dhe përvojë e fuqishme për kishën universale. Ndërkaq, heroi ynë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, aleat i shumë papëve, është ai që ju dha dimension tjetër këtyre marrëdhënieve. S’ka sesi të mos përmendet edhe Nënë Tereza-ikona e shekullit XX, shenjtëresha e gjallë; zëri që kumboi në çdo cep të botës, mu në kohën kur atdheu i saj ishte izoluar nga gjithë bota. Këto janë veçantitë që i zotëron toka arbërore, e  të cilat, në sytë e Papës dhe Vatikanit, janë vlera domethënëse. Ndërsa për ne, janë dëshmi dhe shenja të identitetin tonë autentik.

Vatikani dhe shqiptarët

Sa herë përmendim Vatikanin, Papën, Selinë e Shenjtë, s’ka sesi të mos na rikthehet në vëmendje aleanca e heroit tonë kombëtar, me këtë vend të vogël, por të rëndësishëm në hierarkinë e vlerave botërore. E një periudhë tjetër, kur këto marrëdhënie do të njohin një shkëlqim të ri, është ajo presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe marrëdhënieve të tij të veçanta me Selinë e Shenjtë, e sidomos me Papa Gjon Palin e II-të.

Si për ironi, siç e thamë sipër, u deshën afërsisht pesë shekuj, që të realizohej një vizitë e Papës në tokat arbërore, ndonëse në Selinë e Shën Pjetrit, pati edhe papë me origjinë shqiptare. E nga më të famshmit, mbetet Papa Albani, kontributi i së cilit, për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar, është i padiskutueshëmTë dhënat e shumta flasin për impenjimin e Papa Albanit, në favor të çështjes shqiptare. Kontribut i tij njihet sidomos me Kuvendin e Arbrit (1703), ngjarje kjo që bëri kthesë me rëndësi të posaçme politike, fetare e kulturore në historinë kombëtare. Ky Kuvendi, shqyrtoi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve, duke synuar të vërë në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë rrezikut nga islamizmi. Ndër vendimet e marra në këtë Kuvend, ishin edhe kërkesat për hapjen e shkollave dhe botimin e librave  në gjuhën shqipe.  Papa Albani, themeloi dy seminare papnore, në shek XVIII, në Kalabri dhe në Sicili; seminare këto që i paraprinë Rilindjes Kombëtare, në krye me Jeronim De Raden, 200 vjetori i lindjes së cilit është sivjet.

S’do mend, se, sa herë përsiasim për Papatin, s’ka sesi mos të na rikthehen imazhet e së kaluarës tonë, copëza të shumta, që përbëjnë një mozaik të jashtëzakonshëm. Janë arbëreshët që u shpërngulën në Itali, ata që u pritën dhe përkrahen me ngrohtësi nga Selia e Shenjtë, me ndihmën e së cilës u promovua gjuha dhe kultura e tyre në Itali. Po ashtu, janë figurat inicuese të kulturës shqiptare, ata emra titanësh, që nën influencën e Vatikanit, do t’ i japin kulturës shqiptare, shenjat e para identitare. Pal Engjëlli, shkroi formulën e pagëzimit, me të cilën pagëzoi kulturën shqiptare. Gjon Buzuku, shkroi librin e parë shqip dhe shënoi përpjekjen për të ngrit shandanin e dritës në atë errësirë të thellë të injorancës që kishte goditë tokat arbërore. Pjetër Budi, do ta vazhdoi këtë betejë, me dije e kulturë, duke skalit vargje e duke shkruar doktrinën e krishterë, që të ruaj identitetin burimor Arbnor. Ndërsa, titani Pjetër Bogdani, me Çetën e profetëve dhe një thes libra në krah, i persekutuar, i ndjekur dhe burgosur, s’prani së përhapuri kulturën, dijen dhe qytetërimin, përballë errësirës që kishte plandos atdheun e tij. 

E mu në kohën kur përtej detit lulëzonte dija, kultura, artet, në Shqipëri mbretëronte errësira: pa shkolla, pa tempuj bukurie, pa biblioteka, pa liri besimi dhe pa shkolla. Kjo ishte gjendja e zymtë, përballë së cilës, kleri katolik shqiptar, me ndihmën e Selisë së Shenjtë, asnjëherë s’do të dorëzohej. Nëpër këta shekuj të errët, nëpërmjet këtij kleri dhe kishës, Selia e Shenjtë u përpoq ta mbante të gjallë ndër shqiptar identitetin e tyre autokton. Këtë e bëri, duke e mbështet klerin vendës, në botime dhe shkolla. Mirëpo kjo s’është e tëra.

Mëvetësia e Shqipërisë dhe mos copëtimi i saj, veç pak vite pas shpalljes së pavarësisë, i dedikohet ndër të tjera kontributit të Papa Benediktit XV. Ai do të bënte që Shqipëria mos të copëtohej dhe e gjithë kjo, fal angazhimit titanik që bëri Imzot Luigj Bumçi, që bashkë me Mehdi Frashërin, do ta takojnë Papa Benediktin e XV, nga i cili, morën zotime konkrete se ai do të përdor influencën e tij në favor të Shqipërisë. Papa ndërhyri pranë fuqive të mëdha, ndërsa është presidenti i atëhershëm amerikan Woodrow Wilson që do t’u jep fund synimeve greke ndaj trojeve shqiptare.

Po ashtu, s’mund të mos përmendet ndihma e Atit të Shenjtë, Gjon Palit të II-të për rindërtimin moral të Shqipërisë, si dhe për çlirimin e Kosovës. Të dhënat e shumta tregojnë se ky Papë, me autoritetin që kishte, ndikoi që çështja e Kosovës, të internacionalizohet dhe të merr vëmendjen ndërkombëtare. Ndërhyrjet e tij në favor të Kosovës, janë të panumërta. Të dhënat e shumta, që flasin për këtë, janë dëshmuar në librin Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, botuar në Prizren me 2003.

Ibrahim Rugova dhe Vatikani

Janë disa momente të pakalueshme në historinë shqiptare, të cilat dëshmojnë, se, mes shqiptareve dhe Selisë së Shenjtë kanë ekzistuar marrëdhënie konstante, të afërta, me një admirim reciprok.  Selia e Shenjtë, në moment jetike, kur qenia shqiptare rrezikohej, ishte pararojë e interesit tonë kombëtar. Momenti më i freskëti, lidhet me Dardaninë Antike, vendin ku u martirizuan Flori e Lauri, dy shenjtër të krishterimit të hershëm.

Kosova në fund të shekullit të XX po përjetonte një kalvar të vërtet. E Papa, Selia e Shenjtë, qëndruan pranë Kosovës, duke e ndihmuar në pikëpamje diplomatike dhe jo vetëm. Lideri i Kosovës, një burrë i fisëm dhe i iluminuar, i rrallë në politikën shqiptare, marshimin politik  do ta filloi me besimin te Selia e Shenjtë. Andaj, s’ishte fare e rastësishme, as paradoksale, që në zyrën e tij, Papa Gjon Pali i II, do të zinte një hapësirë të veçantë, krahas të cilit rrinte portreti i madh i ikonës shqiptare, Nënë Terezës. Për koincidencë, Rugova para se të kalonte në amshim, në cilësinë e Presidentit, takimin e fundit e pati me kardinalin Anxhelo Skola, atëbotë patriark i Venedikut, tani arqipeshkëv i Milanos. Kjo mënyrë, me të cilën Rugova, për shkak të ndarjes së tij nga jeta i dha lamtumirë politikës dhe vendit të tij, është një porosi, një mesazh; pse jo një testament për Kosovën. Dhe jo vetëm kaq, kjo ndarje, na rikthen në kujtesë një takim të parealizuar, mes Papa Piut II dhe heroit tonë Gjergj Kastriotin, në kohën kur ishin bërë përgatitjet për çlirimin e Europës nga osmanët.

Imazhi Rugovës me Papa Gjon Palin e II në sfond të zyrës së tij, u përhap shpejt kudo nëpër botë. Me këtë simbolik filozofike, ai fitoi vëmendjen ndërkombëtare. Në çdo takim me diplomatë, gazetarë, ai përshëndeste në mënyrë të veçantë Papa Gjon Palin e II, i cili, siç thoshte, lutet për Kosovën. Kjo filozofi rugoviane, u bë kod kulturo dhe shenjë identiteti në Kosovën rugoviane. Papa u shndërrua në simbolin e lirisë për Kosovën, ndërsa shqiptarët që përjetonin dhunë, terror e pasiguri, në fjalët e Rugovës drejtuar Papës, ushqenin shpresat për liri, drejtësi e pavarësi. Andaj, ngarendja pas Rugovës, ishte e ndërlidhur ndër të tjera, pikërisht me faktin se ai diti mrekullisht të ripërtërijë aleancat e vjetra, ato aleancat e dikurshme të heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit me Vatikanin. Kjo filozofi e Rugovës, u bë e Kosovës. Populli i besoi sepse e kuptonte se kjo ishte lidhja  e natyrshme e shqiptarëve me botën perëndimore, prej së cilës u shkëputën pa dashjen e tyre dhe duke mbrojt portat e Romës.

  1. Rogova, fjalimin e fundit publik (duke mos llogaritur atë të ndezjes së dritave të bredhit të Krishtlindjeve) e ka pasur në vënien e gurthemelit të Katedrales, përmes të cilit e përçoj mesazhin e dashurisë tereziane, një modus vivendiqë na la testament për t’i mposhtur mynxyrat kohës. 

Gurthemeli, simboli i themeleve identitare të popullit të vet. Sikur ka dashur të na thotë: Nëse doni të mbështeteni fortë, në themele të sigurta, është kjo që po e vendosim sot. Jezusi i tha Pjetrit: “Ti je shkëmb dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj kishën time”.  Këto asociacione biblike me popullin tonë janë inspiruese, profetike.

 

Një mesazh për ta forcuar humanizmin tonë

Papa vjen në Shqipëri, për të mbështet harmoninë, bashkëjetesën dhe tolerancën; vlera këto për të cilat shqiptarët dallohen dhe njihen kudo në botë. Ati i shenjt, me vizitën e tij, në këto momente dramatike, kur shoqëria njerëzore, në tërësi, po rrezikon të humb ekuilibrat e qëndrueshëm dhe kur rrymat e vdekjes po godasin me tërë forcën e egërsisë qytetërimin e humanizmit, për shqiptarët duhet të ketë një domethënie superiore. Sepse kjo s’është vetëm një përkrahje e as vizitë e thjesht, por një admirim që ushqen Selia e Shenjtë për ne. Andaj, këtë duhet shfrytëzuar, të nxisim idetë solidare mes nesh, për të ruajtur dhe promovuar kulturën e jetës, përballë furtunës së vdekjes; për të ruajtur e kultivuar qytetërimin e dashurisë, përballë kërcënimit dhe barbarisë.

Populli shqiptar, pas kalvarit të gjatë, ka  nevojë ta fitojë lirinë e ndërgjegjes dhe të çlirohen nga plagët që i lanë armiqtë. E në këtë betejë, Selia e Shenjtë dhe vizita e Papa Françeskut, duhet tumir si ilaç, që ndihmon forcimin e imunitetit dhe po ashtu nxitë idetë solidare, për më shumë drejtësi, paqe e dashuri mes nesh, gjithnjë sipas porosisë së tij, me një gjuhë që sjell risi. Shqiptarët, të etur për liri, rrugëtojnë drejt një të nesërme, me besim se do të hyjnë në vallen e popujve të qytetërimit oksidental, prej të cilit u ndanë, jo me dëshirën e tyre, por për t’u  bërë digë e mbrojtëse e këtij qytetërimi. Ata mbrojtën Romën nga synimet turke, por u shkatërruan vetë.

Rindërtimi moral i shqiptarëve, është vizion që sfidoi gjithë mendjet e ndritura gjatë historisë sonë, e veçmas nga Rilindja Kombëtare e këndejSelia e Shenjtë, në një botë ku divergjencat janë në rritje, për shqiptarët, mbetet referencë morale, që promovon paqen dhe drejtësinë- për më tepër- është instanca e vetëm e organizuar në botë, pa ushtri, pa shtrëngime e detyrime politike, që lufton për dinjitetin e personit; atë dinjitet që ajo e nxjerr nga mësimet e Ungjillit.

Emëruesi i përbashkët e identitetit autentik shqiptar është identiteti oksidental apo identiteti europian, siç ngulmon me të drejt shkrimtari Ismail Kadare. Dhe në këtë konstatim s’duhet të ketë hamendje. Ky pohim, që ka mbështetje historike, s’e cenon aspak harmoninë fetare, për të cilën vlerë, kemi fituar admirimin e botës. Përkundrazi, forcon rrënjët tona të përbashkëta dhe përkatësinë perëndimore të kulturës dhe identitetit tonë.

Vizita e Papa Françeskut bahet historike, sidomos për momentet nëpër të cilat po kalon kombi shqiptar. Në zagushinë e jetës shqiptare, kur politika nganjëherë di të ngatërron punët tona, kjo vizitë duhet të shërbej si ilaç shërues: të tejkalojmë mentalitetin e ndarjeve dhe të kultivojmë ndjenjat e përbashkëta të identitetit të përbashkët, gjithnjë duke promovuar parimin me një gjuhë që sjell risi jete e dashuri.

Tani fal rrethanave të reja që janë krijuar, jetojmë të lirë dhe të vërteten për historinë tonë e kërkojmë pa shtytje të jashtme dhe pa trysni. Prandaj, duhet të stimulojmë dhe përkrahim historianë, shkrimtarë, filologë e gjuhëtarë, që ndihmojnë në ndiçmin e këtyre raporteve, sepse kështu forcojmë historinë tonë dhe armatosim kujtesën, me çka e luftojmë harresën, këtë armike të përhershme të njeriut.

Krishterimi në Shqipëri ka një histori të lavdishme. Nga gjiri i saj, janë ndezur sa e sa herë flakadanët e lirisë dhe kulturës. Prandaj, s’është aspak e rastësishme që shumica e korifenjve të kulturës shqiptare nga shek XV deri në mesin e dytë të shek XX, rezultojnë të dalin nga gjiri i kishës katolike. Kjo është vetëm një dëshmi e pjesshme, por që tregon esencialisht lidhjet shpirtërore të tokave arbërore me Vatikanin. E dëshmia ma e freskët, një kujtim për gjithë ne, ishte At Zef Pllumi, i cili, rrnoi për me dëshmu një kohë të mynxyrave dhe tmerreve çnjerëzore që përjetoi populli shqiptar dhe kisha katolike.

Kombi shqiptar, i vuajtur, i persekutuar, por asnjëherë i dorëzuar, ka nevojë të çlirohet nga robëria e ndërgjegjes dhe në këtë çlirim, Selia e Shenjtë mund të ndihmojë shumë: ta armatosim jetën tonë politike, kulturore e fetare, me dashuri dhe mirësi. Në këtë drejtim, portreti i Papa Françeskut na mëson shumë.

Shqiptarët në personin e Papës, përgjatë historisë, kanë kërkuar referencën morale, shpirtërore e kulturore. Vizita e Papa Françeskut, bëhet pikërisht në kohën kur Shqipërisë ju hapën portat e BE-së. Por, kjo vizitë, gjithashtu bëhet në kohën kur vlimit ndërshqiptare, s’kanë të ndalur dhe kur dalta në duar të atyre që s’e duan kombin shqiptar në Europë, po ngulet në trupin kombëtar.

Papa Françesku, me vizitën e tij, po i vulosë përjetësisht këto marrëdhënie, mirëpo në prizmin e perspektivave të reja, kur shqiptarët ma nuk kërcënohen dhe te Selia e Shenjtë s’kërkojnë ndihmë për t’i mbrojt tokat e tyre, por kërkojnë promovimin e vlerave dhe filozofisë së përbashkët, për një botë më të mirë, ku mbizotëron paqja, drejtësisë, mirëqenies dhe harmonia.

Duke përmbushur këshillën e Papa Benediktit XVI, se “Kisha nuk mundet dhe nuk duhet të qëndrojë indiferente në luftën për drejtësi”, Papa Françesku, vjen në Shqipëri, për të sforcuar këtë mision. Tokat arbërore, pas shumë tronditjeve shekullore, janë të etshme për drejtësi.

Faleminderit Papa Françesku!

 

 

Tekst i lexuar në konferencën “Vatikani dhe shqiptarët”, Tiranë: 20. 09. 2014

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »