Imzot Dodë Gjergji publikon Udhërrëfyesin Baritor 2015-2020

Dec 17 • Kisha në Kosovë

Këto ditë ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, ka publikuar udhërrëfyesin baritor pesëvjeçar, me titull “Shërbejmë me përvujtëri e kumtojmë me hare”. Është botuar si libërth, me mundësinë që ta ketë në dorë çdo besimtar në Kosovë.

Është traditë në Kishë, që bariu i saj, të paraqet vizionin e Kishës që i është besuar në udhëheqje. Kështu, një ipeshkëv, në bashkëpunim me meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët laikë, trason rrugët e ecjes së Kishës.

Ja sesi e paraqet qëllimin vetë Ipeshkvi, në hyrje të këtij udhërrëfyesi:

“Po mbushen tetë vite qyshkur jam kthyer në mesin tuaj, si shërbëtor i Ungjillit dhe bari i grigjës së Kishës në Kosovë. Në ditën e intronizimit tim, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, me kujdes dhe plot shpresë e shpalosa planin tim baritor, të përmbledhur në disa pika. Që në ditën e parë, dëshiroja të shprehja vullnetin tim për Kishën, në mënyrë që të bëja të qartë: çka doja prej kishës që e mora në dorëzim; ku doja ta çoja atë me dhuntitë dhe dëshirat baritore që kisha. Që atëherë e deri më sot, së bashku me ju, kemi bërë ecje, duke punuar me zell dhe dashuri në shërbim të Ungjillit, në dobi të shpirtrave që na janë besuar dhe duke u përpjekur që të arrijmë të synuarën. […]po vij para jush, me këtë udhërrëfyes baritor, me qëllim që çdonjëri prej jush, po edhe e gjithë grigja, të ketë në dorë një udhërrëfyes për pesëvjeçarin e ardhshëm. Ky plan baritor, mbi të gjitha, synon të jetë udhëzues për të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit. Por, edhe për ata që kanë pozita udhëheqëse në strukturat që kemi konsoliduar: famullive, dekanateve, këshillave, komisioneve, zyrave të veçanta, por gjithashtu edhe ndonjë segmenti tjetër që ndërlidhet apo bashkëvepron me këto struktura.”

Dhe ipeshkvi e bën të qartë intencën e tij dhe pritjet nga Kisha:

“Unë pres që ky Udhërrëfyes, të jetë vërtet një mjet për të gjithë; për të planifikuar dhe vepruar së bashku gjatë shërbimit, i cili, duhet të na përforcojë në fe dhe dashuri, të na mbushë me gëzim e me shpresë, dhe të na shpie të gjithëve në mirësi dhe shenjtërim. Ndaj, besoj shumë se kjo ecje e përbashkët në lutje dhe në meditim, do të na shton zellin baritor në pesëvjeçarin që na pret.”

Udhërrëfyesi, është i ndarë në 8 kapituj, të cilët, i përfshijnë shtatë fushat e ndryshme të baritores së Kishës sonë në Kosovë:

1. KISHË NË PUNË DHE NË FALENDERIM

2. FRYTET E UNGJILLËZIMIT NDËR NE

3. KISHË QË E PRINË SHPIRTI SHENJT

4. FAMILJA – BASHKËSI FEJE

5. KISHA FAMULLITARE – VOTËR SHPIRTËRORE E BESIMTARIT

6. KATEKEZA – SHKOLLË E FESË

7. VEPRA MISIONARE NË REALITETIN TONË

8. MJETET TJERA PËR UNGJILLIZIM

 

Udhërrëfyesi mund të gjendet te Rezidenca e Ipeshkvisë në Prishtinë dhe në të gjitha Kishat e Kosovës dhe jepet falas.

(Dritapress)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »