Koha e Ardhjes – Ecje e të rinjve në takim me Jezusin  

Dec 17 • Bota e të rinjve

Tribuna mujore me studentët

SHKRUAN:

Linda GJOKAJ

 

Qendra Rinore Pjetër Bogdani, në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës, me sukses organizoi edhe takimin e radhës të Tribunës Shkencore për studentë.

Takimi i muajit dhjetor dhe njëherësh i fundit për vitin 2014, u përmbyll suksesshëm nga  Famullitari i Koplikut, Pater Artan Seli, i cili, me elemente nga jeta e tij personale, arriti të mbulojë një temë shumë interesante që korrespondonte pikërisht me kohen e ardhjes.  

Pater Artani, këshilloi të rinjtë, që t’i shërbejnë vendit të tyre dhe se pritjet e tyre sado të gjata që janë, të mos zbejnë raportin e tyre personal që kanë me Zotin.

Ai bëri thirrje që  t’i shërbejmë Zotit aty ku jetojmë ndaj “shtëpia juaj është aty ku shërbeni”- tha ai. Thelbin e temës që Pater Artani ligjëroi e përmblodhi me gatishmërinë e te rinjve për punë dhe pritje: “Me punë, angazhim që nesër të jemi qytetarë, njerëz dhe të krishterë të mirë.”

Duke e cituar Papa Françeskun të ketë thënë “se të rinjtë janë e ardhmja e këtij vendi”, ai theksoi: përpara se ne të ankohemi për gjërat që s’ i kemi, le të rrisim durimin tonë, sepse është një virtyt njerëzor që gjithmonë sjell fryte.

Në prag të festës së Krishtlindjes, ligjëruesi bëri thirrje që të lihen anash problemet e vogla të jetës dhe t’i kushtohemi Jezusit, që pritja jonë e vetme të jetë Jezusi në zemrat tona. “Jo kot thuhet se është kohë e ardhjes, është një paralajmërim i përmbushjes së një pritjeje, lutjeje dhe durimi” -shtoi ai.

Pjesë shumë interesante e Tribunës Shkencore është padyshim edhe interaktiviteti ndërmjet ligjëruesve dhe studenteve. Kështu, mundësinë që të përfitojnë edhe nga Pater Seli, studentët e shfrytëzuan duke e pyetur atë rreth ligjëratës, gjegjësisht rreth asaj se si të mbajmë durimin tonë që pritja jonë për Jezusin të jetë e suksesshme.

Më gatishmëri të plotë Patër Artani udhëzoi dhe këshilloi të pranishmit që koha e ardhjes të jetë kohë e lutjes dhe gëzimit, sepse ajo që do të vijë në këtë kohë është vetë jeta.

Qendra rinore `Pjetër Bogdani` në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ipeshkvinë e Kosovës, merret me organizime të ndryshme për të rinjtë. Për më tepër, Tribuna është takimi ku ligjëruesit e fushave të ndryshme sjellin përgatitjet e tyre profesionale, akademike përpara studentëve, të cilët, janë edhe objektiva kryesore e funksionimit të këtyre ligjëratave. Mbulimi i shumë temave interesante nga fushat e ndryshme ka rezultuar me pjesëmarrje të madhe të të rinjve. Ipeshkvia e Kosovës e prirë nga Imzot Dodë Gjergji dhe bashkëpunëtorët e tij meshtarë, rregulltarë e laikë,  vazhdon të jetë qendër e aktiviteteve për të rinjtë.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »