Kujdesi për Familjen – Kishë shtëpiake

Dec 17 • Familja

Mesazhi i Asamblesë III të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve (Vatikan, 18.10.2014)

 

Ne, Etërit Sinodalë, të mbledhur në Romë, përreth Papës Françesku, në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, u drejtohemi të gjitha familjeve të kontinenteve të ndryshme, dhe në veçanti atyre që ndjekin Krishtin Udhë, e Vërtetë dhe Jetë. Ju shfaqim admirimin dhe mirënjohjen tonë për dëshminë e përditshme që na jepni, neve dhe botës, me besnikërinë, fenë, shpresën dhe dashurinë tuaj.

Edhe ne, barinj të Kishës, kemi lindur dhe jemi rritur në një familje, me histori dhe ngjarje nga më të ndryshme. Si meshtarë dhe ipeshkvij, kemi takuar dhe kemi jetuar pranë familjeve që na kanë treguar me fjalë, dhe na kanë treguar me vepra një seri të gjatë gjërash të mrekullueshme por edhe mundimesh.

Sínodo-dos-Bispos_Intermirifica

Vetë përgatitja e kësaj asambleje sinodale, duke nisur prej përgjigjeve ndaj pyetësorit të dërguar Kishave të të gjithë botës, na ka lejuar, të dëgjojmë zërin e shumë përvojave familjare. Pastaj, dialogu ynë gjatë ditëve të Sinodit, na ka pasuruar, në mënyrë të ndërsjellë, duke na ndihmuar të shikojmë gjithë realitetin e gjallë e kompleks në të cilin jetojnë familjet.

Juve ju paraqesim fjalët e Krishtit: «Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua» (Zb 3, 20). Sikurse e kishte zakon të bënte gjatë udhëtimeve të tij përgjatë rrugëve të Tokës së Shenjtë, duke hyrë në shtëpitë e fshatrave, Jezusi vazhdon të kalojë edhe sot rrugëve të qyteteve tona. Në shtëpitë tuaja përjetohen drita e hije, sfida ngazëllyese, por, nganjëherë edhe prova dramatike. Hijet bëhen edhe më të dendura, derisa të bëhen terr, kur në vetë zemrën e familjes hyn e keqja dhe mëkati.

Para së gjithash, është sfida e madhe e besnikërisë në dashurinë bashkëshortore. Dobësimi i fesë dhe i vlerave, individualizmi, varfërimi i marrëdhënieve-stresi i një frenezie që e shpërfillë reflektimin, e karakterizojnë edhe jetën familjare. Kështu, asistohet në jo pak kriza martesore, të përballuara shpesh në mënyrë të përshpejtuar dhe pa guximin e durimit, të verifikimit, të faljes së ndërsjellë, të pajtimit si dhe të flijimit. Dështimet, kështu, u japin fillesë marrëdhënieve të reja, çifteve të reja, bashkimeve të reja dhe martesave të reja, duke krijuar situata familjare komplekse dhe problematike për zgjedhjen e krishterë.

Mes këtyre sfidave, duam të kujtojmë edhe mundimin e vetë ekzistencës. Le të mendojmë për vuajtjen që mund të duket në një fëmijë me aftësi të kufizuar, në një sëmundje të rëndë, në degradimin neurologjik të pleqërisë, në vdekjen e një personi të dashur. Është e admirueshme besnikëria bujare e shumë familjeve që i jetojnë këto prova me guxim, fe dhe dashuri, duke i konsideruar ato jo si diçka që u merret me forcë apo që u imponohet, por si diçka që u dhurohet dhe që ato dhurojnë, duke parë Krishtin që vuan në ata trupa të sëmurë.

Le të mendojmë për vështirësitë ekonomike, të shkaktuara nga sisteme të mbrapshta, nga «feticizmi i parasë dhe nga diktatura e një ekonomie pa fytyrë dhe pa qëllim me të vërtetë njerëzor» (Evangelii Gaudium, 55), që e poshtëron dinjitetin e personave. Le të mendojmë për babanë apo për nënën e papunë, të pafuqishëm përballë nevojave edhe parësore të familjes së tyre, si dhe për të rinjtë që gjenden para ditëve të zbrazëta e pa pritje, dhe që mund të bëhen pre e devijimeve në drogë apo në kriminalitet.

Le të mendojmë edhe për turmën e familjeve të varfra, për ato që kapen pas një varke për të arritur një cak mbijetese; për familjet refugjate që pa shpresë migrojnë në shkretëtirat; për ato të përndjekura thjesht për fenë e tyre dhe për vlerat e tyre shpirtërore e njerëzore; për ato të goditura nga brutaliteti i luftërave dhe i shtypjeve. Le të mendojmë edhe për gratë që pësojnë dhunë dhe i nënshtrohen shfrytëzimit, tregtisë së personave, për fëmijët dhe për të rinjtë, viktima të abuzimeve, madje edhe nga ana e atyre që duhet t’i ruajnë dhe t’i rrisin në besim, si dhe për anëtarët e shumë familjeve të poshtëruara e në vështirësi. «Kultura e mirëqenies na anestetizon dhe […] të gjitha këto jetë të cunguara prej mungesës së mundësive na duken thjesht një spektakël që nuk na turbullon në asnjë mënyrë» (Evangelii Gaudium, 54). Le t’u bëjmë thirrje qeverive dhe organizatave ndërkombëtare që të nxisin të drejtat e familjes për të mirën e përbashkët.

Krishti, ka dashur që Kisha e tij të ishte një shtëpi, me derën gjithmonë të hapur për mikpritje, pa përjashtuar askënd. Prandaj, u jemi mirënjohës barinjve, besimtarëve dhe bashkësive të gatshme për të shoqëruar dhe për të marrë përsipër mundimet e brendshme dhe shoqërore të çifteve dhe të familjeve.

Por është edhe drita që në mbrëmje shkëlqen pas dritareve në shtëpitë e qyteteve, në vendbanimet modeste të periferive apo në fshatrat e madje edhe në kasollet: ajo shkëlqen e ngroh trupa e shpirtra. Kjo dritë, në jetën martesore të bashkëshortëve, ndizet me takimin: është një dhuratë, një hir që shprehet – siç thotë Zanafilla (2,18) – kur dy fytyrat janë një “përballë” tjetrit, në një “ndihmë përgjegjëse”, pra të barabartë dhe të ndërsjellë. Dashuria e burrit dhe e gruas na mëson se çdonjëri prej të dyve ka nevojë për tjetrin që të jetë vetvetja, megjithëse, duke mbetur i ndryshëm prej tjetrit në identitetin e vet, që hapet dhe dëftohet në dhurimin e ndërsjellë. Është ajo që shpreh në mënyrë të mrekullueshme gruaja e Këngës së Këngëve: «I dashuri im… më përket mua edhe unë vetëm atij» (Kk 2,16; 6,3).

Itinerari, që ky takim të jetë i njëmendtë, fillon me fejesën, kohë e pritjes dhe e përgatitjes. Aktualizohet plotësisht në sakramentin ku Hyji vë vulën e vet, praninë e vet dhe hirin e vet. Kjo ecje njeh edhe seksualitetin, ëmbëlsinë, bukurinë, që zgjasin edhe përtej fuqisë dhe freskisë rinore. Dashuria për natyrë të veten priret të jetë për gjithmonë, deri sa të japë jetën për personin që njeriu do (khs. Gjn 15,13). Në këtë dritë dashuria bashkëshortore, e vetme dhe e pazgjidhshme, qëndron pavarësisht prej vështirësive të shumta të kufizimit njerëzor; është një prej mrekullive më të bukura, edhe pse është më e zakonshmja.

Kjo dashuri, përhapet nëpërmjet frytshmërisë dhe lindshmërisë, që nuk është vetëm lindje e fëmijëve, por edhe dhurim i jetës hyjnore në pagëzim, edukim dhe katekezë e fëmijëve. Është edhe aftësi për të dhuruar jetën, dashurinë, vlerat- një përvojë e mundshme edhe për atë që s’ka mundur të lindë fëmijë. Familjet që jetojnë këtë aventurë të ndritshme bëhen një dëshmi për të gjithë, në veçanti për të rinjtë.

Gjatë kësaj ecjeje, që nganjëherë është një shteg mali, me mundime e rrëzime, ekziston gjithmonë prania dhe shoqërimi i Hyjit. Familja e përjeton këtë në dashurinë dhe në dialogun mes burrit e gruas, mes prindërve e fëmijëve, mes vëllezërve e motrave. Pastaj e jeton në dëgjimin së bashku të Fjalës së Hyjit dhe në lutjen e përbashkët, një oazë e vogël e shpirtit që duhet krijuar për ndonjë moment çdo ditë. Pastaj është angazhimi i përditshëm i edukimit në fe dhe në jetën e mirë e të bukur të Ungjillit, në shenjtëri. Kjo detyrë shpesh bashkëndahet dhe ushtrohet me dashuri e përkushtim të madh edhe prej gjyshërve e gjysheve. Kështu familja paraqitet si Kishë e njëmendtë shtëpiake, që zgjerohet në familjen e familjeve që është bashkësia kishtare. Bashkëshortët e krishterë pastaj janë të thirrur të bëhen mësues në fe dhe në dashuri edhe për çiftet e reja.

Pastaj, është një shprehje tjetër e bashkimit vëllazëror dhe është ajo e dashurisë, e dhurimit, e afërsisë ndaj të fundmëve, të mënjanuarve, të varfërve, personave të vetmuar, të sëmurë, të huaj, ndaj familjeve të tjera në krizë, të vetëdijshëm për fjalën e Zotit: «Më i lum është ai që jep se ai që merr» (Vap 20,35). Është një dhurim i të mirave, i shoqërisë, i dashurisë dhe i mëshirës, si dhe një dëshmi e së vërtetës, e dritës, e kuptimit të jetës.

Kulmi që mbledh e përmbledh të gjitha fijet e bashkimit me Hyjin dhe me të afërmin është Eukaristia e së dielës, kur bashkë me të gjithë Kishën familja ulet në tryezë me Zotin. Ai, na dhurohet të gjithëve, shtegtarë në histori, drejt cakut të takimit të fundit kur «Krishti është gjithçka në të gjithë» (Kol 3,11). Prandaj, në etapën e parë të ecjes sonë sinodale, kemi reflektuar mbi shoqërimin baritor, dhe mbi marrjen e sakramenteve nga ana e të divorcuarve të rimartuar.

Ne, Etërit Sinodalë, ju kërkojmë të ecni me ne drejt sinodit të ardhshëm. Mbi ju qëndron prania e familjes së Jezusit, Marisë e Jozefit në shtëpinë e tyre modeste. Edhe ne, duke u bashkuar me Familjen e Nazaretit, ia lartësojmë Atit të të gjithëve. lutjen tonë për familjet e tokës:

O Atë, dhuroju të gjitha familjeve praninë e bashkëshortëve të fortë e të urtë,

që janë burim i një familjeje të lirë dhe të bashkuar.

O Atë, dhuroju prindërve të kenë një shtëpi ku të jetojnë në paqe, me familjen e tyre.

O Atë, dhuroju bijve të jenë shenjë e besimit dhe e shpresës, si dhe të rinjve guximin e angazhimit të vazhdueshëm e besnik.

O Atë, dhuroju të gjithëve që të mund ta fitojnë bukën me duart e tyre,

të shijojnë qetësinë e shpirtit dhe ta mbajnë të gjallë flakën e fesë edhe në kohën e errësirës.

O Atë, na dhuro të gjithëve, ne, të shohim, të lulëzojë një Kishë gjithnjë e më besnike dhe e besueshme; një qytet i drejtë e njerëzor; një botë që e do të vërtetën, drejtësinë dhe mëshirën.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »