Kultura si shprehja më autentike e identitetit kombëtar

Dec 17 • INTERVISTË

Intervistë me shkrimtarin Rudolf Marku

 

Rudolf Marku, ju njohim si shkrimtar, kritik letrar dhe publicist. Si vrojtues i zhvillimeve shoqërore, a mund të na thoni, ku është kombi shqiptar sot?

Vite e vite më par, një grup intelektualësh në mërgimin e detyruar nga Komunizmi, shkruanin një libër me titullin- Nga do ja mbajnë shqiptarët?Libri është shkruar 60 vite më parë dhe është botuar në Wien. Në atë libër thuhet, jo për herë të parë dhe jo për herë të fundit, se kombi shqiptar ndodhet në një udhëkryq mes ngërçit të trashëgimisë turke dhe orientale dhe ecjes drejt Perëndimit, drejt familjes europiane, së cilës duam që të besojmë se i përkasim. Pas 60 viteve të botimit të atij libri, do shtoja dhe një veçori tjetër të shoqërisë shqiptare: inercinë, atë aftësi tragjike qe kemi ne për të qëndruar vendnumëro, atë aftësi të çuditshme që kemi për t’i injoruar shenjat dhe për të mbyllur veshët kur kambanat bien. Pas 60 vitesh të botimit të atij libri, shoqërisë shqiptare prapë mund t’i bësh po atë pyetje: nga do t’ia mbash?Nga Lindja a nga Perëndimi?

Ka një kohë të gjatë, që debatet për identitetin shqiptar nuk pushojnë. Sipas jush,  kanë shqiptarët identitet unik? Për më tepër, a mund të flitet për një kulturë homogjene brenda kombit shqiptar?

Mendoj se problemi kryesor i ne shqiptarëve është kriza e identitetit. Tek ne flitet për identitet, për histori, për lashtësi kombëtare, pa arritur të kuptohet se çfarë është në të vërtetë identiteti kombëtar. Historianët dhe akademikët që duhej të ishin të parët në debatin për identitetin kombëtar janë të parët që e shtojnë konfuzionin dhe keqkuptimin. Na pëlqen të flasim për historinë në një kohë që jemi nxënësit më të këqij të historisë; na pëlqen të flasim për lashtësinë, dhe nuk mbajmë mend ato ngjarje që kanë ndodhur para 30-40 viteve; na pëlqen të flasim për identitet në një kohë që jemi të gatshëm t’i nënvleftësojmë vlerat tona të kulturës dhe simbolet tona të kombit. Ju më pyesni nëse ka një kulturë homogjene brenda kombit shqiptar. Nuk besoj aq shumë te homogjiniteti, i cili mbart brenda vetes rrezikun e armikut më të madh të kulturës, uniformitetin. Besoj te paradoksi se sa më e larmishme të jetë kultura e një vendi, aq më e bashkuar dhe e njëjtë është ajo. Fishta, Noli, Lasgush Poradeci, janë shkrimtarët më të pangjashëm mes tyre. Dhe janë  shkrimtarë të bashkuar si shkrimtarët më përfaqësues të kombit.  

libri, Rudolf Marku

Meqë jemi tek identiteti. Vitin e kaluar, para dy vitesh u festua 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkaq, në anën tjetër, kemi një përpjekje të vazhdueshme për afrim me Turqinë. Në këtë aspekt, ndodhe që qeveritë shqiptare të shfaqin një “vëllazëri” me politikanë turq. Si i vlerësoni ju këto marrëdhënie dhe si shpjegoni marrëdhëniet e turko-shqiptare të viteve të fundit?

100 vjetori i Pavarësisë, ishte ndër ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare. Por e festuar në mënyrën tonë. Me një eufori skenike dhe pompoze. Mendoj se 100 vjetori i Pavarësisë, duhej të qe një çast reflektimi kombëtar. Reflektimi se si ca burra të shquar të kombit shpallen Pavarësinë kombëtare, duke na lënë  pasurinë më  të rrallë e më të çmuar në Bankën e ndërgjegjes tonë. Çfarë kemi bërë ne me këtë pasuri të trashëguar, me këtë llogari bankare të lënë 100 vite më parë? Si e kemi shpenzuar, manexhuar këtë pasuri të lënë me aq amanete?Mendoj se e kemi manexhuar dhe vazhdojmë ta manexhojmë shumë keq. Eshtrat e Skënderbeut, Bogdanit, Budit, Marin Barletit, Naim Frashërit, Fishtës, Konicës, Nolit do të ktheheshin përmbys në varret e tyre po të dëgjonin deklaratat e kryeministrit turk dhe të  kryeministrave shqiptarë për vëllazërinë e gjakut, për fshehjen e bustit të Skënderbeut  në zyrat e Presidencës shqiptare dhe në zyrat e Kryeministrisë e të Ministrisë së Jashtme  sa herë që një delegacion i lartë turk vjen e viziton vendin tonë .Kohët e fundit ndoqa në kanalet televizive angleze një intervistë të gjatë me Kryeministrin turk, zotin Rexhep Ardogan. Ai tha se ‘’ndjen një kënaqësi të rrallë sa herë që viziton vende mysliman, si Egjipti, Kosova,Bosnja dhe Shqipëria. Se si ndjehem, si në shtëpinë time, tha ai. Se ne myslimanët kemi diçka që vendet  e krishtera nuk e kanë, vëllazërimin mysliman, solidaritetin, miqësinë dhe mikpritjen!,, Po qe se ndonjë kryeministër anglez a gjerman a francez do guxonte të thoshte se ndjejnë kënaqësi kur vizitojnë vende të krishtera, deklaratë e tyre do të konsiderohej një skandal i political correctness dhe një shovinizëm i krishterë. Që kur Ahmet Davoutoglu shpalli në Sarajevë ambicien e Turqisë modern për të krijuar një shtet  protektorat për  popujt myslimanë  të Ballkanit e të Kaukazit, do të qe një naivitet për të mos parë përpjekjet ambicioze të Turqisë për t’u bërë një Super-Power. Turqia nuk është e sigurt për anëtarësimin në BE. Asaj i duhet një kartë rezervë, dhe kjo kartë rezervë e saj është rikrijimi në format moderne i shtetit perandorak osman. Marrëdhëniet e Shqipërisë me  Turqinë janë marrëdhëniet e dy vendeve anëtare të Nato-s. Shqipëria ka dhe duhet të ketë marrëdhënie normale me shtetin turk. Por në të njëjtën kohë duke reaguar me forcë dhe dinjitet ndaj çdo reference mohuese të kombit shqiptar. P.sh., kur Dovuglu,duke folur për multi-culturalismin në Ballkanin turk, dhe kur ai thotë se shqiptarët dhe turqit ‘’janë një komb,, nuk ke se si të mos shohësh këtu shtrembërimin me dashje të historisë. Kjo pikëpamje e shtetarëve të Turqisë moderne nuk është gjë tjetër veç një ferexhe që fsheh dëshirën për të krijuar komunitetin islamik të perandorisë osmane (milletin Ottoman apo Umna-në Islamike) si një mjet për të zëvendësuar identitetin modern kombëtar. Sipas konceptit të kombit, Turqit dhe Shqiptarët nuk mund të jenë një komb. Koncepti i Erdoganit  është koncepti i Perandorisë turke sipas të cilit banorët e Perandorisë nuk ndahen e as nuk bashkohen nga etniciteti ,por nga feja. Muslimanë Shqiptarë, myslimanë Çeçenë, Arabë, Boshnjakë, Kirkizianë ,Egjiptianë,Sirianë, janë një etnicitet, ngaqë i përkasin etnicitetit musliman. Ndërsa shqiptarët e krishterë u përkasin një etniciteti tjetër, atij Millet- Rom dhe Latin, së bashku me grekët, serbët, bullgarët, hungarezët…Unë nuk di një tezë më përçarëse dhe më rrënimtare se kjo për ne shqiptarët.

Po tendencën për ndryshimin e historisë, që vjen nga presioni i shtetit turk, sidomos i pjesëve ku bëhet fjalë për pushtimin e perandorisë osmane në tokat shqiptare?

Historiani Luan Malltezi. Drejtor i Muzeumit Kombëtar, Drejtor i atij institucioni kombëtar që kujdeset për ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve, pat thënë se zyrtarët turq janë të pakënaqur me librat e historiografisë shqiptare, kësisoj duhet ta rishkruajmë historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Turqinë. Problemi nuk është nëse duhet a nuk duhet rishkruar Historia, por çfarë kuptojmë  me rishkrim të Historisë.  Argumentimi teorik i rishkrimit të historisë reduktohet që në fillim në “rishikimin e historisë së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane”, – siç shkruan Malltezi. Pozita e historianit nuk është në vartësi të qëndrimit të hënës apo të gjysmë hënës subjektive të historianit si individ. Aq më tepër nuk është një përpjekje për të kënaqur politikanët e ditës. Është një detyrim në radhë të parë ndaj së vërtetës historike. Historiografia si pjesë dhe koncept i kulturës perëndimore në tërësi, mbetet një mishërim i vetë identifikimit të popujve, i kujtesës së kolektivitetit etik, kombëtar, fetar, politik, dhe shoqëror të tyre. Kësisoj historia duhet të rishkruhet me kriteret më rigoroze të shkencës historike, pa u impresionuar apo, aq më pak, pa u ndikuar nga politikanët e ditës, qofshin këta ministra turq a kryeministra shqiptar. Sipas historianëve tanë: “shqiptarë të shumtë kaluan me kohë në besimin osman me qëllim që të ishin të lirë të bënin karrierë ushtarake. Gjenerali Ballaban Pasha që luftoi më Skënderbeun ishte një shqiptar i talentuar ushtarak i kohës. Gjer më sot shqiptarët i kanë dhënë 23 kryeministra (sadrazemë) Perandorisë Osmanë pa numëruar këtu njerëz të tjerë të mëdhenj të administratës së lartë që ishin të shumtë Perandorisë. Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë”.Këtu çdo njeri me mendje të kthjelltë duhet të ndalet e të pyes: Ballaban Pasha me të vërtetë mund të ketë qenë një gjeni ushtarak i kohës – i talentuar – thotë Malltezi (do të isha kurioz të dija burimin historik të këtij epiteti për Pashain që luftoi kundër vendit të vet, veç ndonjë defteri turk që nuk ka se si të merret si dokument i besueshëm kur lavdëron një gjeneral të ushtrisë së Sulltanit), por a e shpëton atë gjenia e tij ushtarake për të mos qenë një renegat që luftoi kundër vendit të vet? Nuk jam i sigurt për ministrat turq, por jam i sigurt se asnjë mendje e kthjelltë  nuk do ta pranonte se Kuislingu qe një Kryeministër i talentuar norvegjez e se Qeveria e Vishisë kishte ministra të talentuar e të virtytshëm! Është e çuditshme kur lexon pohime të tilla të artikuluara jo në klubin e Mamurrasit, por në sallën e Muzeut Kombëtar, madje në zyrën e Drejtorit të saj. Nuk do të çuditeshim poqe se ndonjë ditë mund të shohim një portret të Ballaban Pashës në sallat e Muzeut Kombëtar. Sa për përmendjen e atyre pashallarëve që paskan shkuar “për të shpurë armët e Perandorisë Osmane deri në Austri dhe Rusi”, – do thonim “good for them”. Karriera ushtarake është një çështje personale e tyre dhe nuk kuptohet se çfarë lidhje ka karriera e tyre në dyert e Austrisë e të Rusisë me historinë e Shqipërisë. Nuk besoj se historiani Malltezi ka të njëjtin mendim me Gjeorgjeviqin që thotë se shqiptarët janë një popull renegat dhe mercenarë që kanë luftuar kundër lirisë së popujve të tjerë, dhe kjo shpjegon perse Historia e Shqipërisë ka prodhuar veç tradhtarë të kombit të vet. Të gjithë këta shqiptarë që paskan shkuar “deri në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë” – së bashku me këta 37 kryeministra shqiptarë të Perandorisë osmane, çfarë i dhanë vendit te vet kur ai ishte në Orën e nevojës më të madhe – siç e kish zakon të thoshte Çurçill? Ndihma që ata i paskan dhënë Perandorisë turke duke e shpëtuar atë nga rrënimi, shkon kundër famës së tyre. A nuk do të kishte qene mijëra herë më mirë që të mos e kishin ndihmuar perandorinë turke me gjeninë e tyre, që, duke mos pasur gjeninë e tyre shëruese dhe shpëtuese, perandoria turke të qe shembur e kësisoj të ishte bërë e mundur që Shqipëria të qe bërë shtet i pavarur dy shekuj më parë se 1912? Apo duhet rishkruar dhe riparë dhe vetë pavarësia e Shqipërisë, si një ide e gabuar që vinte nga Perëndimi? Madje, Naim Frashëri duhet t’i rishohë ato vargjet e veta tek shkruan se “Dielli lind nga Perëndimi”.

Një publicist i njohur dhe i respektuar britanik, Jeremy Paxman, para ca vitesh botoi një libër me 300 faqe me titull “The English”, duke u përpjekur të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh anglez. Pas treqind faqesh të shkruara me elokuencë, duke sjellë me qindra referenca  historike, Paxman thotë se përpjekja për të përcaktuar se çdo të thotë të jesh Anglez është një përpjekje absurde. Të njëjtën gjë do thoja dhe për përpjekjen për të përcaktuar se çfarë do të thotë të jesh- Shqiptar. Po qe se do t’ia bënit këtë  pyetje 5 milionë shqiptarëve, jam i bindur se kishit për të marrë 5 milion përgjigje krejt  të ndryshme nga njëra-tjetra.

Çfarë do të thotë sot të jesh shqiptar dhe a është përgjigjja në këtë pyetje homogjene për gjithë shqiptarët?

Meqë kjo intervistë iu dedikohet më shumë lexuesve nga Kosova, si e shihni ju rrugëtimin e Kosovës në këto vite, nga liria, pavarësia deri tek përpjekjet për integrim në BE dhe NATO?

Si çdo shqiptar normalë që interesohet për zhvillimet e kombit të vet, nuk kam se si të mos ndjehem  i lumtur për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe Nato-s. Mos të harrojmë se 20 vite më parë Kosova ishte një vend i pushtuar, dhe më pas, i masakruar. Mos të harrojmë se në Kosovë u bënë krime ndër më monstruozet. Mos të harrojmë ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA-së dhe të vendeve Europiane (dhe jo turke dhe as atyre islamike) për të arritur atë pavarësi që dukej një  utopi e paarritshme. Më duket se ndonjëherë amnistia shqiptare, aftësia jonë për të harruar, prodhon një lloj mosmirënjohje të paqytetërueshme. Nuk duhet harruar për asnjë çast  se ishte Nënë Tereza, dhe jo myftiu i Gjakovës a ai i Prishtinës , që ndërhyri energjikisht te Presidenti Klinton kundër barbarive të Millosheviçit (shih librin autobiografike të B. Klinton). Kur ja them shumë shqiptarëve nga Kosova këtë fakt, më shohin të çuditur, disa herë dhe mosbesues.Marku, të dalim te një temë tjetër. Sipas jush, ku është kultura shqiptare sot?

Është një pyetje që do të kërkonte hapësirën e një interviste më vete. Besoj te kultura si shprehja më autentike e identitetit kombëtar. Veçse duke e parë kulturën në një këndvështrim të gjerë. Duke përfshirë aty jo vetëm krijimtarinë artistike, por dhe historiografinë,religjionin,figurat më të shquara-ata që shërbejnë si modele të ndërgjegjes kombëtare  për t’u ndjekur-, tolerancën dhe vetërespektin, dinjitetin dhe bashkëveprimin me popujt e tjerë pa komplekse megalomane dhe pa inate ballkanike. Kadare është një shkrimtar që provon se kultura është në pararojën e mbrojtjes së identitetit kombëtar shqiptar si pjesë e natyrshme e identitetit europian. Vepra e tij ‘”Mosmarrëveshja” mendoj se duhet konsideruar si një guidë intelektuale, shpirtërore dhe ideologjike e shqiptarisë moderne.

Ju jetoni në Londër dhe nga kjo kryeqendër botërore, si e shihni letërsinë shqipe sot dhe  trendët e zhvillimit të saj?

Nuk mund të them se e njoh deri në fund  zhvillimin e sotëm të letërsisë shqipe.  Me aq sa e njoh,mendoj se është e emancipuar, se ka vepra dhe autorë me dinjitet artistik, se ka individualitet të spikatur krijues. Mendoj se ne ende vuajmë nga komplekse inferioriteti kur vjen puna për të artikuluar vlerat e letërsisë tonë.

 Në këtë kontekst, sipas jush, në çfarë gjendje është kritika letrare?

Do dëshiroja të isha i gabuar nëse them se më duket pothuajse inekzistente. Po të isha cinik, do ju pyesja: Kritika letrare? Çfarë do të thotë kjo?

Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërfetare ndër shqiptarë?

Shpresoj të jenë ashtu siç kanë qenë gjithmonë ndër ne,shqiptarët:tolerante dhe bashkëvepruese.

Marku, cili do të ishte mesazhi i juaj për lexuesit e revistës “Drita”?

I falënderoj dhe i admiroj për durimin që kanë për të lexuar gazeta.

 

Intervistoi: Ndue Ukaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »