Intervista e IMZOT DODË GJERGJIT për Gazetën Express

Dec 22 • INTERVISTË

Mospërfshirja e katolikëve në Qeveri është më shumë një neglizhim dhe përbuzje e kontributit të tyre ndër shekuj. Prezenca e katolikëve në të gjitha poret e jetës shoqërore është e nevojshme dhe e domosdoshme. Zoti nuk e ka krijuar botën vetëm me një shkop magjik dhe se Kisha asnjëherë nuk i ka mohuar proceset natyrore. Na vjen keq që disa nga njerëzit tanë janë vënë në shërbim të gjërave të cilat e dëmtojnë në thelb qenien tonë shqiptare. Kjo po ndodh për shkak të varfërisë së popullatës. Nuk mund t’i kërkohet njohja nga Vatikani përderisa Shteti nuk e njeh me Ligj kishën. Kreu i katolikëve të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, flet për Express.

 

Express: Po nisemi me vizitën e fundit të Papës në Shqipëri. Është komentuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Pothuajse të gjithë shqiptarët i dhanë njëfarë mirëseardhjeje Papës, .. Çka flet kjo, në fakt, për popullin shqiptar së pari?

Dodë Gjergji: Në radhë të parë shkurtimisht të themi, vizita e Papës në Shqipëri ka qenë një dhuratë e madhe e Zotit për popullin tonë. Sigurisht, kjo është një shprehje në kontinuitet e dashurisë së papëve për popullin shqiptar. Është paraprirë, natyrisht kjo vizitë, edhe me shtegtimin tonë gjithëshqiptar në Vatikan një vit përpara. Sepse neve Papa na priti në sheshin e Shën Pjetrit, dhe në fakt na vuri në krye të vendit neve, popullin shqiptar.

Pastaj ai lajmi nga ballkoni i pallatit papnor, që Papa ka vendosur të vijë në Shqipëri, ishte një befasi për krejt botën, ishte një befasi edhe për vetë neve, sepse ishte në të vërtetë vullneti i Papës që ta vizitojë siç ka thënë ai, një popull i cili ka vuajtur shumë, një popull i cili edhe jep dëshmi nëpërmjet tolerancës fetare. Ardhja e Papës në Shqipëri e ka rikthyer edhe njëherë në arenën ndërkombëtare perceptimin ndryshe për shqiptarët, sepse shqiptarët janë një popull i cili, siç ka thënë edhe Papa, mund të jenë shembull për gjithë botën. Kanë në vete aq pasuri dhe pozitivitet që të mund ta dëshmojnënjë dashuri ndërvëllazërore , sepse tek ne e ka hetuar papa, atë që është prania vëllazërore, mikpritja edhe bujaria e shqiptarëve.

 

Express: Njëra prej mesazheve të tij ishte që “mos e harroni të kaluarën por mos u hakmerrni”. A mund të na e sqaroni çfarë ka dashur të thoshte me këtë Papa?

Dodë Gjergji: Po shikoni, një popull që ka vuajtur, padyshim që ka në vete edhe një lloj hidhërimi dhe sigurisht që një formë dëshiron ta shuajë atë dhimbje shekullore, në çfarëdo forme, sepse ne kemi pasur shumë vuajtje. Kemi pasur perandorinë otomane, kemi pasur komunizmin, ish-Jugosllavinë që na kanë shtypur. Kemi arsye të themi ndoshta, për një shprehje të urrejtjes, por, Papa na fton që ne si popull fisnik, siç na quan ai, të dimë dhe të jemi të gatshëm për falje. Të njëjtën ftesë e ka bërë edhe Papa Gjon Pali II, kur ishte në Shqipëri në vitet 1993, këtë ftesë e ka bërë edhe Papa Benedikti, sepse këtë ftesë na e bën edhe Papa Françesku dhe këtë ftesë na e bën edhe Krishti. Ne si të krishterë dhe ne shqiptarët si popull fisnik duhet të jemi popull i paqes, i faljes dhe i pajtimit. Kjo është baza që na çon përpara dhe na jep mundësi që të shkëlqejmë si bashkësi.

 

Express: Sa i përket tolerancës në Kosovë, ka pasur disa veprime, grupime e së fundmi edhe arrestime. Si i keni parë ju këto ngjarje, ka pasur edhe arrestime të imamëve të xhamive, ka pasur akuza për ekstremizëm? Si i keni parë ju gjithë këto lëvizje?

Dodë Gjergji: Neve na vjen keq sepse ka ndodhur diçka që nuk e kemi pritur, që nuk është në natyrën e njeriut tonë, diçka që i përbuz gjithë ato pasuri që ne përpiqemi ndër shekuj por edhe sot t’i demonstrojmë. Na vjen keq që disa nga njerëzit tanë janë vënë në shërbim të gjërave të cilat e dëmtojnë në thelb qenien tonë shqiptare, evropiane, dinjitetin njerëzor, dashurinë vëllazërore, tolerancën ndërfetare dhe kulturën që e kultivojmë ndër shekuj.

 

Express: A ka rrezik apo janë raste të izoluara këto raste të ekstremizmave, qoftë te njëra fe, qoftë te feja tjetër? A po rrezikohet Kosova nga këta ekstremizmi, pavarësisht feve, për shkak se kemi edhe raporte të ndërkombëtare – të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se ka njëfarë rreziku megjithatë për shtetin e Kosovës, nga këta elementë.

Dodë Gjergji: Është një proverb popullor që thotë: “Kur të shohësh se po i digjet shtëpia fqinjit, përgatitu, sepse do të digjet edhe e jotja. Që i bie se një fenomen, një rrezik apo situatë e tillë ekziston dhe prekemi të gjithë, por nuk ka frikëson. As nuk mendojmë që populli jonë do ta përqafojë një filozofi të tillë të urrejtjes dhe nuk besojmë kurrë se njeriu jonë do ta ndjekë një mendim i cili na çon drejt përçarjes dhe ndasive.

 

Express: Është problemi i shtetit apo ku është problemi që janë lejuar këto ekstremizmi?

Dodë Gjergji: Keqpërdorimi i të drejtave dhe sigurisht që deri te kjo situatë çon gjendja e përgjithshme e varfërisë në vend. Kur jemi në këto situata, disa njerëz sigurisht lypin derëdalje dhe atëherë shpeshherë gabojnë dhe kalojnë tek e keqja, sepse e keqja ofrohet më shpejt, e mira vjen shumë ngadalë.

 

Express: Pavarësisht që shteti nuk ju ka krijuar kushte dhe për shkak të varfërisë bëjnë veprime të tilla. Ka njerëz që thonë se po vrasin njerëz me emër të Zotit. Si mundet dikush të vrasë në emër të Zotit?

Dodë Gjergji: Në të vërtetë nuk mundet. S’ka teori që mund ta shpjegojë se e keqja mund të vijë në emër të Zotit. Zoti është burim i dashurisë, i pajtimit, Zoti është paqe dhe nuk mundet kurrë Zoti të dëshirojë të keqen, as prej të bijve të vet e as kundër atyre që e shkaktojnë atë.

 

Express: A është edhe mungesa e ligjit për bashkësitë fetare njëra prej problemeve, shkaktare e krejt këtyre ekstremizmave të izoluar, t’i quajmë ashtu?

Dodë Gjergji: Jo, unë nuk mendoj që mungesa e një ligji të tillë shkakton një lloj ekstremizmi ose që lejon një lloj ekstremizmi, sepse ato janë gjëra me të cilat merren edhe ligjet e tjera. Mungesa e ligjit për bashkësitë fetare na e vështirëson jetën më shumë neve si Kishë, si Bashkësi Islame, si Kishë Ortodokse si bashkësi të tjera që janë në Kosovë, sepse e delegjitimon veprimin tonë. Ndërsa, miratimi i një ligji e legjitimon veprimtarinë tonë dhe na e mundëson të jemi të pranishëm në mënyrë juridike në këto çështje.

 

Si do të kërkoni tash prej këtyre institucioneve të reja, miratimin e Ligjit për Bashkësitë Fetare? Do të thotë a do të kërkoni që të kryhet shpejt kjo punë, që të mos kemi probleme të tilla 15 pas luftës, sa i përket ligjit?

Dodë Gjergji: Do ta kërkojmë ashtu siç kemi kërkuar deri më tani, me këmbëngulje, me duresë dhe me një insistim të pandërprerë që të miratohet ky ligj. Edhe pse shpresoj se do të miratohet shpejt, pasi që draftet e këtij ligji veç janë gati, ndërsa në kemi disa vërejtje për të cilat do t’u drejtohemi zyrtarisht përpiluesve të ligjit.

 

Express: Ka pasur një debat në Kosovë një debat sa i përket ezanit dhe kambanave të kishës, për uljen e volumit të tyre. Deri ku ka arritur dhe a keni qenë edhe ju për zvogëlimin e zhurmës së tyre, siç i ka quajtur fillimisht MMPH’ja?

Dodë Gjergji: Mendoj që këto gjëra po ndodhin në momente euforie dhe me iniciativa individuale. Nuk ka një trajtim shoqëror dhe real të probleme në përgjithësi, kështu edhe këtij problemi që e trajtuat ju. Ne mendojmë se askush nuk ka të drejtë ta pengojë tjetrin, që i bie se duhet të respektohen të drejtat tona për aq sa nuk shkelen të drejtat e tjetrit. Ne duhet të jemi të përmbajtur, të kemi mirëkuptim për të tjerët, por nuk mund ta quajmë zhurmë as lutjen e ezanit e as kambanat e kishës.

 

Express: Megjithëkëtë, do të duhej të ishte një rregull që e ndalon zërin e lartë, qoftë të xhamisë, qoftë edhe të kishës.

Dodë Gjergji: Unë thashë që është më mirë të harmonizohet një qëndrim dhe të krijohet një rregull sesa për disa ndalesa, sepse nuk e teprojmë. Sidomos ne katolikët nuk e teprojmë me këtë gjë. Ne, kambanat prej Europës i morëm, dhe ato janë sigurisht në përputhje me standardet evropiane.

 

Express: Sipas jush, është ngritur një çështje e paqenë…

Dodë Gjergji: Për ne katolikët është e paqenë. Për të tjerët nuk kam përgjegjësi.

 

Express: Qeveria e Kosovës është formuar para disa ditësh. Aty nuk kishte asnjë përfaqësues katolik. Cili është qëndrimi juaj karshi kësaj? Çka flet kjo për Qeverinë e re të Kosovës?

Dodë Gjergji: Unë mendoj që nuk është vetëm kjo qeveri, por mostrajtimi i kësaj çështjeje pas luftës është evident. Jemi duke e shqyrtuar dhe duke e përcjellë këtë situatë. Unë nuk mendoj që ajo vjen si përjashtim i katolikëve prej shoqërisë ose përgjegjësive në shoqëri, por më shumë është një neglizhim dhe përbuzje e kontributit të katolikëve ndër shekuj. Unë mendoj se prezenca e katolikëve në të gjitha poret e jetës shoqërore është e nevojshme dhe e domosdoshme. Kjo, jo vetëm pse njerëzit kanë nevojë për punë dhe përgjegjësi, por ka nevojë edhe Kosova për ta, për praninë dhe frymën e krishterë në institucionet tona.

 

Express: Pse sipas jush, atëherë, po përbuzën katolikët? Pse po vjen deri te kjo përbuzje qoftë edhe përmes mos emërimit të asnjërit prej tyre në Qeverinë e Kosovës?

Dodë Gjergji: Nuk mund ta them sepse duhet të bëjmë një studim dhe analizë të arsyeve, ne vetëm mund të konstatojmë fakte, ndërsa ky fakt është i papranueshëm.

 

Express: Keni diskutuar me ndonjë prej liderëve të Kosovës për këtë problem?

Dodë Gjergji: Në të vërtetë ne kemi diskutuar shumë herë për mospërfshirjen e të krishterëve në jetën shoqërore, por përgjigjja do të ishte atëherë kur t’i shohim ata nëpër institucione, derisa nuk i shohim s’ka përgjigje.

 

Express: Kthehemi edhe një herë te Papës. Ai për herë të parë tha se nuk e ka mohuar teorinë e Darwinit dhe në njëfarë forme ka ngjallur debate shumë të mëdha, se a po përmbyset ajo që është thënë deri tash apo po shkohet më shumë kah shkenca, cila është përgjigjja juaj?

Dodë Gjergji: Unë mendoj që njerëzit duhet ta trajtojnë këtë çështje më me urti dhe nuk ka të bëjë me një konflikt të ri ose me një pajtim në çështje të veçanta. Papa vetëm ka dashur të thotë që Zoti nuk e ka krijuar botën vetëm me një shkop magjik dhe që Kisha asnjëherë nuk i ka mohuar proceset natyrore. Nuk jemi ne për të dhënë përgjigje për teori të Darwinit, por unë them kështu: që kisha gjithmonë është e hapur për të lexuar, sikur zbulimet e reja, ashtu edhe jetën në përgjithësi dhe për t’ju përshtatur rrethanave të cilat na i jep jeta. E kujton të kaluarën, e përjeton të sotmen dhe e pret të ardhmen.

 

Express: E pashmangshme edhe pyetja për çështjen e njohjes së Vatikanit. Keni thënë se shpejt do të njihet. Në fakt kur do të ketë lëvizje të shpejtë dhe pse s’po ka njohje të Vatikanit për Kosovën?

Dodë Gjergji: Ne e thamë në fillim që Papa e ka njohur popullin shqiptar, me dashuri të veçantë edhe me vizitën që e bëri në Shqipëri. Ai tha ju jeni popull i shqiponjave, që fluturoni shumë lart dhe ktheheni prapë në çerdhen e juaj. Sa i përket njohjes, ajo është çështje ndërshtetërore dhe vonesa e njohjes nuk është vetëm si rrjedhojë e mosdëshirës dhe mosgatishmërisë së Vatikanit për njohje, por ka edhe mungesë të komunikimit normal nga pala jonë, sepse nëse shteti i Kosovës akoma nuk e ka njohur bashkësinë fetare, nuk ia ka njohur me ligj kishën, sigurisht që nuk mund të kërkojë nga Vatikani ta njohë shtetin. Pala jonë do të duhej t’i intensifikonte çështjet e bashkëpunimit dhe komunikimit me Vatikanin, sepse selia e shenjtë që në vitin 2011 ka hapur mundësinë e komunikimit nëpërmjet delegatit apostolik që është në Lubjanë, e që është përfaqësues i Papës për Kosovën.

 

Express: Ka pasur një proces gjyqësor për ndërtesën e katedrales. Ku është ky proces dhe cili është qëndrimi juaj për këtë?

Dodë Gjergji: Në të vërtetë neve na vjen keq që kemi ardhur deri në këtë pikë për të diskutuar gjëra të cilat janë shumë të qarta, kanë qenë shumë të qarta si në vullnetin e personave ashtu edhe në pjesën juridike të dokumentacionit që e posedojmë. Pjesa e cila na është dhënë neve na takon me ligj, s’kemi asnjë gjë tjetër.

Na vjen keq që komuna nuk e kupton këtë gjë dhe që kanë vënë interesa të veçanta rreth disa gjërave që ata i dinë.

 

Express: Cila ka qenë përgjigjja e Shpend Ahmetit për këtë çështje?

Dodë Gjergji: Nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje.

 

Express: A keni kërkuar ndihmë diku tjetër përveç që i jeni drejtuar kryetarit?

Dodë Gjergji: Jo, nuk kemi kërkuar ndihmë. Ne i kemi paraqitur këto çështje në adresa të caktuara të cilat i kemi, por nuk kemi kërkuar ndonjë ndihmë të veçantë, sepse shpresojmë që e kemi një shtet ligjor dhe që do të merret një vendim i drejtë.

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »