JU JENI DRITA E BOTËS

Dec 22 • Editorial

SHKRUAN:

Don Fatmir KOLIQI

 

I. DRITA – SI SIMBOL 

Më pëlqen të shkruaj këtë editorial, të parin në cilësinë e kryeredaktorit, mbi kuptimin e Dritës. Emri i kësaj të përmuajshme ka një metaforë të përshtatshme për reflektime të shumanshme. Sa herë merret në përsiatje, mund të kapen horizonte të diskurseve ekzistenciale, estetike, filozofike, teologjike, poetike, madje edhe politike e ekonomike. Mu, për këtë arsye është mirë që metafora për  Dritën të kundrohet në të gjitha horizontet dhe të meditohet për .  

Nga fillimi i saj tek të ‘70-at e shekullit të kaluar, Drita ka shprehur identitetin, dialektikën humane të krishterë, ka grishur e ka përshkuar kujtesën zanafillore si pedagogji e të së përditshmes, ka përditësuar botën e një ecjeje shumëdimensionale, plot metamorfoza, të qenies që e ka lindur.

Në filozofi e teologji natyra e dritës çon te njohja e qartë, te shikimi i pastër, është simbol i së vërtetës. Bibla në dialektikën e saj të shpie te një akt fenomenologjik i shikimit të qartë, të pamjes së përbrendshme të vetvetes, të pamjes nga të tjerët dhe të pamjes mes dyjave. Është veprim, edhe më i fuqishëm, ontologjik i formësuar si vizion transcedendal evokues i Tejetlartit, i njëmendësuar në imanencën e kohës, i mbështjellë me stofin e historisë njerëzore. Evokimi ka tekstin e vet mu aty te burimi: “Hyji tha:“Le të bëhet drita”! Dhe drita u bëHyji pa se drita ishte gjë e mirë […]” (Zan 1,3). Kjo kreatyrë e parë, është njëlloj fare e kozmosit, lulëzim i larushisë së jetës, rrezatim i transparencës absolute në kohë, gurrë e lindjes. Është e Mira që ka puthitur qenien, është prekje e hyjnueshmes që thërret në jetë, është ajo Dritë që vjen e gjallëron gjithçka e njëkohësisht, është rrjedhë e përhershme, e cila bartë të gjitha gjërat kah e amshueshmja.

S’është e çuditshme që Psalmisti kahmoti ka thurur këngën duke e parë te ajo Krijuesin: “Zoti është drita ime dhe shëlbimi im” (Ps 27). E Gjoni, që ka prekur të rrahurat e kësaj Drite, klith: “Hyji është Dritë” (1 Gjn 1, 5).

Jezusi e zgjat këtë prekje hyjnore dhe ia dhuron njeriut, e lidh me origjinën e tij duke e bërë kështu pjesë të Dritës, bartës të saj, dhurues e promovues të saj: “Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” (Mt 5, 14-16). Diskursi simbolik i Mësuesit evokon mision antropologjik, teologjik dhe fenomenologjik. Apostujt do e bëjnë këto fjalë imperativ të jetës personale dhe bashkësiore, “t’i flakim veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës.” (Rom 13, 12). Kështu, këta rreshta bëhen nisja dhe qëllimi i Dritës, apo thënë ndryshe, puna dhe jeta e saj e përditshme.

Tekefundit, për të krishterët, të qenët dritë në botë, s’është vepër e tyre, por vepër e Zotit. Jezusi thotë ju jeni, jo ju do të jeni! Kush e ndez këtë dritë? Është Zoti ai që ndez, Ai na bën dritë e na vë në botë për t’i dhuruar asaj dritën, na vë mbi pishtar për të ndriçuar horizonte e horizonte.  

Drita vihet në lartësi – Zoti neve na lartëson, na ngrit, që veprat tona të shndërrohen në mal të lartësuar për ta parë njerëzit, për të rrezatuar dritën e mirësisë dhe dashurisë.

Ne jemi të lartësuar dhe shikimi ynë hidhet larg “jo për shkak të mendjemprehtësisë së jetës sonë apo lartësisë së trupit tonë, por sepse jemi të bartur në lartësi nga madhëria e të mëdhenjve.” (Bernard de Chartres dhe Jean de Salisbury).

 

II. DRITA – SI KOMUNIKIM DHE SI MISION

Kush nuk aspiron për ta kapur Dritën. Është gjakim që në fillimet e njerëzimit, sa s’mbahet mend. Sot, a nuk thuhet se fjala po qarkullon me shpejtësinë e dritës?! Jemi gjeneratat e shpejtësisë së dritës, dhe kjo ajo na magjeps e na tërheq për vete; dëshirojmë të jemi si drita. Por, të kesh komunikim në shpejtësinë e dritës a nënkupton edhe të kesh komunikimin e së vërtetës?! Është një fushë në vete për meditim e shkrim, e do të ketë vendin e vet në një kohë tjetër.

Të flasështë komunikosh s’është e barasvlershme me të shikoshtë kuptosh atë që po ndodh. Të arrish shikimin e thellë e të kuptosh, si pasojë e këtij shikimi, lypet prania e dritës, fuqia e saj që përshkon menjëherë, që futet aty ku mosprania e saj të lë jashtë, pa kontakt, pa prekje e pa kuptim. Shikimi, në kuptimin e dritës, është një kapje e të përbashkëtave në një horizont të tërë. Nuk mund të flasim e të komunikojmë pa përshkuar shikimin apo pa u shfaqur drita që e mundëson pamjen, apo e mundëson heqjen e vellos së territ.  

Ky përshkim të çon te njohja, me intencën e kapjes të së vërtetës, si fuqi e subjektit për ta parë të njëmendën pa e tkurrur në komprometim në raport me historinë, me të përditshmen që jemi në kontakt.

Drita mundëson ta shohim vetveten dhe gjësendet ashtu si janë, në qenësinë më të thellë, atë që në sipërfaqen e së përditshmes ik shpeshherë. Drita rrezaton në qenësinë e sendeve, deri te pamja ashtu si është e, njëkohësisht, hap horizonte të qartësisë, transparencës.

Ndaj, pa dritë, ngadhënjen errësira. Në këtë kontekst, s’mund të mos jemi pjesë e misionit për t’i dhënë dritë botës. Të mjerët ne, nëse nuk përçojmë dritë, nëse nuk jemi apostuj të dritës, nëse na mungon vetëdija e të qenit kasnec i së vërtetës. Në anën tjetër, s’do të mund të përçojmë dritë pa qenë të mbushur me dritë, pa qenë vetë jeta jonë dritë – është mision i pamundur. Mosprania e saj bën të tkurremi në dritëhije, në ambiguitet individual dhe shoqëror që e mbyt zhvillimin e mendjes dhe shpirtit, vret gjallërinë, kreativitetin, shuan vullnetin për të ardhmen.

Të jesh dritë në botë, rrezatim ungjillor, do të thotë të jesh pranì, pranì në kuptimin biblik “ja ku jam”, kredibil, transparent, jo simulues e i dykuptimtë. Angazhimi i të krishterëve bën të njihet ungjilli përmes rrezatimit të tyre. Forca e rrezatimit ungjillor s’e shfaq fuqinë e vetë në madhësi por në dendësi

Si reflektim i gjithë kësaj që tham, e përmuajshmja e Kishës sonë – Drita – dëshiron të jetë pjesë e këtij misioni: për ta ndriçuar të errtën, për të çelur rrugë drejt së vërtetës e për të jetuar me të vërtetën, sepse “në errësirë edhe pak dritë vlen e premton shumë.” (Frang Bardhi).

Drita jonë është si një pikturë, të cilën piktori ua tregon të tjerëve, atë që e mban si “pronë” të veten, një lloj identiteti. Tekefundit, piktori nëpërmjet shenjave e simboleve, përçon mesazhe dhe i pëlqen ta bashkëndajë vetveten duke e bërë atelienë e vet një rrjet marrëdhëniesh e raportesh. Kështu e bart vizionin e vet jashtë vetes tu e bâ të përbashkët.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »