Krishterimi dhe Shqiptarët

Dec 22 • Kisha në Kosovë

Tribuna e kartë e organizuar nga Forndacioni “Drita” Prishtinë

Tribuna “I Krishteri dhe Shoqëria” organizohet nga Fondacioni “Drita”, dhe tanimë ka marrë formën e vetë, dhe dita ditës po konsolidohet, duke u bërë një traditë e shkëlqyeshme, për të reflektuar mbi temat që kanë të bëjnë me jetën e të krishterëve dhe shoqërinë në përgjithësi.

Tribuna “I Krishteri dhe Shoqëria”, ka filluar me paraqitjen e parë të Ipeshkvit tonë Mons. Dodë Gjergjit, pastaj të don Fatmir Koliqit, të parlamentarit gjerman Bernd Posselt, dhe me paraqitjen e fundit për këtë vit, të don Lush Gjergjit.

DSC_6862

Tribuna e fundit për këtë vit, u mbajt më 11 dhjetor, në ora 19:00, në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, me temën “Krishterimi dhe Shqiptarët”. Temën e paraqiti vikari gjeneral don Lush Gjergji. Në këtë takim, të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm të intelektualëve të ardhur nga të gjitha viset e Kosovës. Vlen të përmendet se interesimi ishte shumë i madh, dhe ky u vërejt në fund nga pyetjet e shumta dhe debati që u zhvillua.

Don Lushi, i njohur tashmë për publikun kosovar dhe me gjerë, me përkushtimin e tij të pa shoq, u munda të shkoqit aspektet kryesore që e kanë karakterizuar Krishterimin dhe Shqiptarët për njëzet shekuj më radhë. Ai, duke qenë i vetëdijshëm që behët fjalë për një periudhë të gjatë historike dhe për kompleksitetin e argumentit në fjalë, me modestinë e tij foli edhe për vështirësitë në paraqitjen e kësaj teme.

Një gjë është mesë e sigurt, se, Krishterimi është pjesë e pashmangshme, për mos me thanë shtylla kryesore e traditës, kulturës, gjuhës dhe civilizimit tek shqiptarët. Sikur Europa nuk mund të kuptohet pa krishterimin dhe kulturën e formësuar prej saj, ashtu edhe shqiptarët, kultura dhe historia e tyre, nuk mund të kuptohen pa krishterimin. Ligjëruesi, në këtë rast ndërlidhi në mënyrë të shkëlqyeshme këto dy entitete, që gjatë historisë janë gërshetuar natyrshëm dhe kanë jetuar në harmoni.

Aspekti i parë që u potencua nga ligjëruesi ishte martirizimi. Martirizimi i të krishterëve ishte po thuajse i vazhdueshëm gjatë historisë dy mijë vjeçare. Duke filluar nga epoka post-apostolike që përfundon me Ediktin e Kostantinit të vitit 313, pastaj, pas invazioni barbar- sllav; pushtimi turko-otoman e deri tek 50 vjetet famëkeq të regjimit komunist-ateist. Të krishterët ndër shqiptar, përjetuan martirizimin, ashtu sikurse e përjetuan edhe në shumë vende të tjera të botës. Mjerisht ky fenomen s’pushon së ndaluri edhe në ditët e sotme.

Aspekti tjetër me rëndësi i ligjëratës, pa dyshim ishte fokusi te ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar.  Këtu u përmenden figurat me të ndritshme të Kishës Universale dhe më gjerë, siç janë Papa Gjoni XXIII, Papa Pali VI dhe Patriku i Konstantinopojes Atenagora I (1886-1972). Ishin këto figura, që mbështetën lëvizjet ekumenike, dhe përherë të parë mundësuan takimin ndërmjet dy prijësve të Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa në anën tjetër, te shqiptarët u cekën synimet e Fan Stilian Nolit për një dialog të sinqertë mes Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike.

S’mungoi as fokusi te aspekti arkeologjik, sidomos te zbulimet që po realizohet në trojet shqiptare. U theksua, se, me këto zbulime, po vërtetohet edhe njëherë, prania e hershme dhe e vazhdueshme e jetës së krishterë, më të gjitha strukturat e saja hierarkike në këto troje.

Një rëndësie të veçantë ju kushtua edhe aspektit të bamirësisë, si një karakteristikë shumë vitale e popullit shqiptar dhe e krishterimit në këto treva. Këtu s’mund të mos përmendet figura madhështore, ambasadorja e jonë në botë, nëna të varfërve, pra e Lumtura Nënë Tereza. Këtë virtyt, ajo e mori nga familja dhe nga ambienti i famullisë me të cilën ishte ngushtë e lidhur qysh në moshën e saj të njomë.

Këto dhe shumë argumente të tjera, u theksuan në këtë tribunë, por sigurisht s’ishte e mundur të përmblidhen të gjitha, pasi që tema dhe periudha në fjalë ishin të një horizonti shumë të gjerë. Me gjithë atë u arrit që të sjellët pakëz dritë mbi këtë argument dhe periudhë historike të popullit tonë shqiptar.

(Përgatiti për Dritën: Don Jeton Thaqi)

DSC_6827

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »