25 vjetori i motrave françeskane në misionin Katolik Shqiptar në Stuttgart

Dec 23 • Kisha ndër Shqiptarë

Sot, është një ditë e rëndësishme për misionin tonë, sepse festojmë 25 vjetorin e pranisë së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer mes nesh, këtu në Stuttgart. Në vitin 1989, me angazhimin e mons. Hil Kabashit, motrat e para erdhën në mision që të kujdesen për imigrantët shqiptarë, që në atë kohë jetonin në kushte shumë të vështira ekonomike, shoqërore, shpirtërore. Motrat me zell të madh apostolik, dhe me shpirt sakrifice bashkëndanin me besimtarët gjendjen e tyre të rëndë, dhe së shpejti fituan besimin dhe u bënë pjesë e kësaj bashkësie. Me kalimin e kohës, situata ka ndryshuar, por ato vazhdojnë të jenë misionare dhe pikë referimi me shembullin dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht ndaj gjeneratave të reja. Prandaj, ndjej kënaqësi që, në emër tim dhe në emër të misionit, ta falënderoj Hyjin për të gjitha motrat të cilat kanë vepruar në mision deri më sot.

Vëllezër e motra të dashura, jemi në kohën e ardhjes, përkatësisht në javën e tretë të ardhjes. Kisha e quan këtë ditë e diela e gëzimit. Nuk mund të ekzistonte një temë më e mirë dhe më domethënëse që ta shoqërojë festën tonë. Të gjithë ne jemi përgjigjur në ftesën e Ungjillit, lajmit të gëzueshëm të Jezu Krishtit dhe pikërisht për këtë jemi sot këtu. Të gjithë ne, me të drejtë, i gëzohemi këtij takimi vëllazëror, por edhe Zoti gëzohet kur fëmijët e tij janë të lumtur. Ai dëshiron për ne që çdo ditë ta pranojmë dhe jetojmë gëzimin e shëlbimit, dhe këtë gëzim ta ndajmë me të tjerët.

Atëherë, mënyra më e mirë për t’i përkujtuar këto 25 vite është që së bashku të vazhdojmë ta shpallim lajmin e gëzueshëm.

Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj dhe ju ftoj që gjatë kësaj Meshe Shenjte t’ia drejtojmë Hyjit lutjet tona për motrat që t’i forcojë në rrugën e thirrjes së tyre në besnikëri ndaj Hyjit dhe dashuri ndaj të afërmit. T’ia drejtojmë lutjet tona Hyjit edhe për këtë bashkësi që të jetë fole e shpresës dhe e gëzimit ungjillor.

Predikimi gjatë meshës i Don Marjan Lorenci me rastin e 25 vjetorit të motrave françeskane në Stuttgart

Shpërndaje

Comments are closed.

« »