Don Zef Ramaj (1882-1914) – Meshtar dhe mësues. Pagëzuesi i të Lumes Nënë Tereza

Dec 23 • Kulturë

Në 100 vjetorin e vdekjes

Më 20 dhjetor 2014, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, me një Akademi u përkujtua meshtari dhe mësuesi Don Zef Ramaj. Me ligjërues u zbardh sado pak jeta dhe vepra e Don Zefit, e njëkohësisht u promovua edhe libri për të, me autor Albert Ramaj. Për Gazetën “Drita” kemi zgjedhur ligjëratën e Don Lushit që e ka mbajtur në këtë Akademi. Ndërkaq, në orët e pasdites, në Stubëll, në vendlindjen e Don Zefit, u vendos busti në varrin e tij që gjendet në oborrin e Kishës. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në praninë e qindra pjesëmarrësve e bekoi dhe e inauguroi këtë bust, punë e piktorit dhe skulptorit të mirënjohur, Agron Bytyqi.

Shkruan:

Don Lush GJERGJI        

10836627_10152520976420796_403868397_n                

Don Zef Ramaj, lindi në Stubell  më 8 gusht 1882, kurse vdiq në Shkup më 25 dhjetor 1914. Ai kishte  vijuar shkollën fillore në Prizren, të mesmen në Shkodër, teologjinë në Innsbruck, në Austri. Ky “shtegtim” për mësim, dije, edukim, sidomos dëshira e madhe dhe synimin jetësor për të arritur meshtarinë, dëshmon bindshëm karakterin e fortë dhe të vendosur të tij dhe të familjes, si pasardhës i denjë i “Martirëve të Karadakut” apo Anamoravës gjatë viteve 1846-1848,  kujtim ky që asokohe, si dhe sot, është gjithnjë  i gjallë dhe i fresët në Stubëll dhe në rrethinë.

Shërbimin meshtarak e kishte filluar në Selanik, kishte vazhduar në Shkup, në fillim  si ndihmësfamullitar,  pastaj edhe si famullitar, mësues dhe informues apo raportues për gjendjen kishtare dhe kombëtare shqiptare. Këtë e kishte bërë  sidomos në gazeta në gjuhën gjermane dhe shqipe, gjuhë këto që i njihte shumë mirë, në kohë tejet të vështirë dhe sfiduese për popullin Shqiptar dhe më gjerë.

Don Zefi ynë e dinte fare mirë se kjo veprimtari do t’i shkaktonte shumë vështirësi, rreziqe, mirëpo ai tashmë ishte në shërbim të plotë ndaj Zotit, Kishës dhe Popullit; i udhëhequr nga e Vërteta dhe Dashuria, nga dëshira që t’i përngjante Jezusit – Bariut të Mirë. Motoja tashmë e njohur e Imzot Pjetër Bogdanit “Fati im  është fati i Popullit tim”, ishte shkruar dhe vulorur në shpirtin, mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen e klerit katolik shqiptar, që jetonte dhe vepronte për binomi e pandashëm:  “Fe dhe Atdhe”.

Deri me sot, për jetën dhe veprën e Don Zef Ramaj ndër ne, është ditur shumë pak dhe në mënyrë të pjesërishme, më tepër sipas gojëdhënës popullore dhe familjare, gati si ndonjë lloj legjende. Përse? Sipas mendimit time për shkaqe të shumta:

  • harresa, që është lëshim dhe dobësie e jona gati karakteriale shqiptare, shpesh më e keqe dhe më e rrezikshme se vdekja;
  • për rrethana të pavolitshme dhe tejet të koklavitura, sepse ishim të stërngarkuar me vetveten dhe mbijetesën tonë;
  • për mungesë të studjuesve të mirëfillët të kësaj periudhe të historisë dhe figurave tona, sidomos nëpër arkivet e qendrave vendimarrëse,  për njerëz të shquar dhe të dalluar  në lëmin kombëtar dhe fetar.

Njeriu i parë, i cili është marrë pak më hollësisht me jetën dhe veprën e Don Zef Ramaj, është i ndjeri Kristë Ramaj me punimin e tij: Jeta dhe vepra e Don Zef Ramaj . [1]

Nga ky shkrim dhe shënim nxjerrim të dhënat kryesore për të.

Sipas gojëdhënës Don Zef Ramaj kujdesej për ushtarët që asokohe ishin të sëmurë prej lëngimit në Shkup dhe rrethinë, duke ua ndarë ngushëllimin e sakramenteve, pra, duke ua mundësuar shtegtimin në amshim të paisur me sakramentet e rrëfimit, kungimit dhe vajimit.

Mirëpo, ai s’ e kufizonte jetën dhe shërbimin  e tij meshtarak vetëm në jetën shpirtërore dhe sakramentale, por edhe në nevoja të llojllojshme të njerëzve të asaj kohe dhe hapësire. Pati vëmendje të madhe edhe për “Jetimore”  pranë famullisë, pra, për fëmijë të mjerë, të braktisur, bonjakë, pa përkujdesje dhe dashuri, duke u bërë “ati”, mbrojtësi dhe përkrahësi i tyre në jetë.

Një aspekt tjetër që spikaste në jetën dhe shërbimin meshtarak të Don Zef Ramaj ishte kujdesi, përkrahja dhe puna e palodhshme  për shkollën shqipe pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”. Ai e dinte fare mirë se dija  dhe edukimi janë shtylla të nevojshme dhe të domosdoshme për njeriun, familjen dhe shoqërinë tonë, sidomos pas territ shumëshekullor dhe sundimit turko-otoman, i cili na kishte stërlodhur dhe rrezikuar në çdo segment të jetës dhe të verpimeve.

Sipas shkrimit të Kristë Ramaj, Don Zef Ramaj ishte helmuar natën e Kërshëndellave, më 25 dhjetor 1914, dhe kishte vdekur në moshën 32 vjeçare. Ishte varrosur në  katedralen “Zemra e Krishtit” në Shkup. Pas tërmetit të vitit 1963 eshtrat e tij u barten nga Shkupi në Stubëll, ku edhe sot pushojnë.

Sipas informatave që kemi, kuptohet se Don Zef Ramaj kishte një edukim dhe formim të mirëfillët kristian dhe europian, ishte tërësisht në shërbim të Zotit, Kishës dhe Popullit, me jetë, shkrime, veprime, deri edhe me vdekje siç duket martire.

Dy fakte fatlume Don Zef Ramaj e bëjnë të shquar dhe të dalluar:

  • Pagëzimi i Gonxhe Anjeze Bojaxhiu, më vonë të së Lumes Nënës Tereze, më 27 gusht 1910 në katedralen “Zemra e Krishtit” në Shkup. Ja dëshmia e Nënës Tereze: “Kam lindur në natën mes 26 dhe 27 gusht 1910. Para apo pas mesnatës, nuk e di, e as që ka rëndësi. Prindërit e mi fill në mëngjes më kanë sjellë në kishën “Zemra e Krishtit” në Shkup, ku më ka pagëzuar famullitari i atëhershëm Don Zef Ramaj. Prandaj është mirë që të shënohet datëlindja ime më 27 gusht, sepse atë ditë jam pagëzuar, kam lindur për Zotin…”.[2]
  • Fjalimi përshendetës dhe mirëardhës arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda në Shkup në vitin 1909, që është ruajtur dhe botuar në “Elçija e Zemres s’Krishtit” në 1910, f. 8-12, ku mund t’i gjejmë disa elemente baritore, kulturore dhe kombëtare, siç janë:
  • Gëzimi dhe pritjet e klerit dhe të popullit të krishterë;
  • Prania shqiptare katolike në Shkupin e atëhershëm, me 140 shtëpi;
  • Famullia e parë që e vizitonte arqipeshkvi i ri Imzot Lazër Mjeda;
  • Urimi dhe dëshira e Don zef Ramaj me këto fjalë: “Ah! Po me t’sakt, o i Shndritshmi Zotnii qi i Lumi Zot, kur e çove ti doren t’ande me e bekue popullin e Shkupit, edhe Ai i Lumi na ka bekue tui zgiedh Tye për Babë t’on, e lavd e nder i kjoft Zotit t’qiellës qe aq fort n’ket mendyrë na ka gzue, e Zot i qillës t’dhasht jetë t’gjat’ e hire plot, për me kenë gjithmon yrneku i jonë, per me na sundue si asht vullnesa e Zotit e per me na çue te kroni i gjith t’mirave, te Zoti i qiellës e i dheut”.                

                                  Meshtari D. Zef Ramaj, ndihmtaar i Famulliies t’Shkupit  [3]

Don Zef Ramaj jetoi pak dhe shkurt; nuk i arriti as vitet e Jezu Krishtit, por diti përse dhe si të jetonte, dhe si i tillë- meshtar katolik shqiptar- ishte i frymëzuar nga feja dhe dashuria, arriti amshimin e lumtur, duke lanë gjurma të pashlyeshme në histori dhe në ardhmëri.

Ligjeratë në Akademin me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Don Zef Ramaj. Teatri Kombëtar, 20 dhjetor 2014.

[1] Kristë RAMAJ, Jeta dhe vepra e Don Zef Ramaj, në “Takimet e Dom Mikelit”, II, 1993-1994, f. 11-16.

[2] Don Lush GJERGJI, Nëna Tereze Shenjtëresha e Dashurisë, Drita -Velar, 2010, fq. 27.

[3] Albert RAMAJ, Imzot Lazër Mjeda në arqipehkvinë Shkup-Prizren mes 1909-1921, në Imzot Lazër Mjeda mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar, Don Ndue Ballabani ed., Prishtinë – St. Gallen 2011, fq. 90; Lexo, Po aty, fq. 88-97.

10850431_10152520969260796_1097361744_n 10859422_10152520969495796_1580183321_n 10872628_10152520969415796_2146991053_n 10818941_10152520969680796_1239649465_n 10866800_10152520904055796_1851595002_n 10877475_10152520903735796_783868373_n 10877843_10152520969700796_1166977346_n

Shpërndaje

Comments are closed.

« »