HESHTJA – MJET KOMUNIKIMI

Dec 23 • Opinion

Shkruan:

Don Agim QERKINI

Sot flitet thuajse pa pushim, ndaj konsiderohet jo-kohor secili që tenton të mos flas një ditë apo disa orë. Por, ai i cili është i interesuar që fjalët t`i kenë kuptim, gjithsesi do të provojë të mbajë heshtjen në një kohë të caktuar.

Përvoja e heshtjes qoftë në formë të lutjes apo meditimit, qoftë si mënyrën e përgjithshme e komunikimit është e hershme dhe pjesë e të gjitha civilizimeve dhe kulturave botërore. Heshtja njihet si koncept, gjendje, kulturë, por edhe si mënyrë veprimi.

Thuhet se heshtja është ari. Ajo, shpesh na shpëton edhe nga gjuha e shpejtë, por shtrohet pyetja: A heshtim edhe atëherë kur s’kemi për të thënë diçka të mençur? Në këtë kuptim, heshtja na shoqëron gjatë jetës dhe ka peshën e vetë, si pozitive, po ashtu edhe negative- varësisht nga e mira dhe e drejta e përgjithshme. Edhe në këtë aspekt, sigurisht se  është temë interesante, në prag të festës së Krishtlindjes, të themi disa fjalë për këtë argument, marrë para sysh se është mjet komunikimi, formë e lutjes dhe shoqëruese e mirë e jetës në përshpirtëri.

Si mjet komunikimi, heshtja hynë në veprim atëherë kur duam ta dëgjojmë të afërmin, i cili, na flet. Pa heshtur, s’mund të dëgjojmë as të kuptojmë shumë nga mësimet apo porositë që do të na hynin në punë. Prandaj, kur e dëgjojmë tjetrin, lëmë përshtypjen se ne e çmojmë të afërmin, e vlerësojmë dhe e duam atë, ia kushtojmë kohën tonë me duresë. Besoj të gjithë ne ndahemi të kënaqur nga përvoja kur na kushtohet kjo vëmendje nga të tjerët, dhe na dëgjojnë.

Në kontekstin meditativ e shpirtëror, heshtja është edhe formë e lartësuar e lutjes. Është një raport i veçantë ndaj Zotit dhe kusht i një paqeje të thellë shpirtërore, përqendrimi dhe komunikimi. Shpesh është e vështirë të tërhiqemi në vetmi, sikur na pengon heshtja, apo sikur na mungon zhurma e përditshmërisë. Mirëpo, heshtjen mund ta realizojmë më mirë pikërisht atëherë kur jemi vetëm. Edhe Krishti tërhiqej në vetmi dhe lutej (Lk 9 18). Pra, që të mund ta dëgjojmë zërin e Zotit, ne duhet të heshtim dhe atëherë do të mund të përgjigjemi si Samueli: “Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon” (1 Sam 3, 10). Kështu, në heshtje, përvujtëri e qëndresë, me zemër të hapur presim, dëgjojmë. Pra, lutja në këtë rast është një pritje, që ka para sysh personin tjetër që po vjen.

Kush tërhiqet në vetmi, në fillim do ta ketë këtë përvojë, s’ do të gjejë qetësinë, por më tepër zhurmën, e cila, provon të del në sipërfaqe, sepse disi shkohet kundër rrymës. Për këtë arsye, duhet të jemi të qëndrueshëm dhe ta ushtrojmë veten, që atëherë kur heshtim ta përjetojmë komunikimin më të thellë e më të rëndësishëm – komunikimin me Zotin, i cili, na flet edhe atëherë kur ne heshtim.

Shpirti ynë ka gjithmonë nevojë për freski, ndërsa këtë e gjejmë në meditime të ndryshme. Pra, kjo shkëputje nuk ma ndalon kohën, por përkundrazi, është kohë e shfrytëzuar mirë. Në këtë kontekst, heshtjen e përjetojmë si mjet komunikimi, element qetësie, paqeje e harmonie shpirtërore. Për këtë arsye, mendoj se shpesh duhet ta marrim para sysh këtë fakt dhe ta praktikojmë heshtjen, sepse ka një rëndësi të madhe në formimin tone shpirtëror e intelektual.

Kur flasim për heshtjen, nuk mund e të mos bazohemi në shumë ngjarje biblike, të cilat i gjejmë në Shkrimin e Shenjtë e të cilat flasin për heshtjen si mjet që na e mundëson komunikimin me Zotin.

Edhe në kontekstin liturgjik, heshtja ka një rëndësi të veçantë. Një prej kritikave të shpeshta që i drejtohen Koncilit II të Vatikanit ka të bëjë me faktin se gjoja liturgjisë i është marrë heshtja. Mirëpo, kjo s’qëndron, sepse përkundrazi, me reformën e këtij Koncili, për pjesëmarrje më aktive të besimtarëve porositet edhe heshtja e shenjtë, e cila, bëhet pjesë e këtyre kremtimeve (SC 30). Heshtja, si përcjellëse e fjalëve dhe gjesteve, është frymëmarrja e kremtimeve liturgjike.

Në Ungjillin e Shën Lukës, me heshtjen takohemi te Zakaria, kur mbetet i pagojë, siç lexojmë në kapitullin e parë (Lk 1, 20). “Dhe, ja, ti do të mbetesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen.” Fjala është për lajmërimin e lindjes së Gjon Pagëzuesit. Në këtë rast, edhe gruaja e tij heshtë. Pasi mbetet shtatzënë, ajo tërhiqet në vetmi për pesë muaj dhe mendon në vete: “Qe, çka bëri Zoti për mua”! (Lk 1, 25).

Por, kur flasim për Zojën e Bekuar, ajo e cila si gjithmonë shpreh përsosmërinë në çdo gjë, shtrohet pyetja: “Ku është heshtja e Marisë në takim me kushërirën e vet Elizabetën, kur ajo më me dëshirë shpërthen në Himnin e falënderimit e të gëzimit duke thënë: “Shpirti im e madhëron Zotin”? Këtu është shprehur heshtja e vërtetë që buron nga zemra e saj për veprën e mrekullueshme të Zotit. Maria nuk përgjigjet në përshëndetjen e Elizabetës, ajo nuk fillon të bisedoj me të, por, përkundrazi, tërhiqet dhe sikur mbyllet në vetmi absolute në të cilën është vetëm me Zotin. Ajo qetësohet dhe thellohet në shpirt prej së cilit burojnë fjalët: “Shpirti im e madhëron Zotin…, punë të mëdha bëri për mua Hyji i Gjithëpushtetshëm… (Lk 1, 46-55).

Heshtja e Marisë, gjatë këtij himni, është heshtje profetike. Kur një profet flet, ai në të vërtetë heshtë. Heshtë sepse s’ flet ai, por flet Zoti përmes gojës së tij. Maria qëndron tre muaj me Elizabetën, por të vetmet fjalë që i sjell Shkrimi Shenjt gjatë kësaj kohe janë fjalët e himnit të saj.

Kulmi i kësaj heshtje, arrihet në ngjarjen e Krishtlindjes. Krishti lindë në heshtje të thellë. Shën Luka e shpreh në mënyrë të jashtëzakonshme frymën e kësaj heshtje, duke mos e përshkruar heshtjen, por duke e krijuar atë. Ai bën që të heshtin gjërat duke shmangur zërat dhe elementet që nuk kanë rëndësi për tu mbështetur në thjeshtësi, thjeshtësi kjo e cila flet pa fjalë. Ngjarja më e madhe historike shpjegohet në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Në librin e Urtisë lexojmë: “Ndërkohë mbretëronte një paqe e qetë në gjithçka, dhe nata me rrjedhën e vet te shpejtë kishte arritur në gjysmën e udhës, fjala jote e gjithëpushtetshme nga qielli nga froni mbretëror” (Urt 18, 14). Mund të merret me mend se sa gjëra janë lëshuar pa u përshkruar, vetëm e vetëm që të ruhet heshtja. Ndër të tjera, tradita e krishterë e ndien nevojën që ato elemente t`i shtoj si p.sh: se ishte natë, dimër, se Krishti lindi në grazhd, në shpellë, etj.

Profetët apo njerëzit që kanë këtë përvojë komunikimi, “fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon”,  janë në heshtje që ka dy arsye: E para që ta takojnë Zotin, por heshtin edhe për arsye se e kanë takuar Zotin. Nëse dikush heshtë, atij i zbulohet Zoti, thonë filozofët dhe asketët, por në Shkrimin e Shenjtë mund të lexojmë se: kur ndokujt i zbulohet Zoti, ai heshtë.

Edhe për ne, në asnjë mënyrë nuk teprohet kur na porositet heshtja askete, sepse është shumë i vlefshëm praktikimi i saj e sidomos në kohën tonë e cila është e “sëmurë prej zhurmës dhe frikës për të qëndruar vetëm”.

Prandaj, njeriu modern, fillon të ankohet edhe në heshtjen e Zotit, sa që hidhërohet në atë heshtje, duke bërë pyetje të pandërprera: Pse Zoti lejon të ndodhin gjëra të ndryshme, të këqija; ku është Ai tash, në këtë moment kur më duhet më së shumti, e shumë të tjera. Por, të jemi të vetëdijshëm, se Zoti “heshtë” përballë nesh, sepse jemi ne ata që flasim dhe nuk provojmë ta dëgjojmë zërin e tij.

Për një takim të vërtetë me Zotin, padyshim, kisha edhe si objekt është vend i përshtatshëm, sepse sa të hyjmë brenda saj, ndjejmë një “shkëputje nga bota” dhe ndikimet kozmike, ndërsa fillojmë ta ndjejmë afërsinë e Krijuesit që ka në dorë jetën tonë. Sipas traditës së krishterë teksti klasik liturgjik për shugurimin e kishës është “sa i tmerrshëm është ky vend(Quam terribilis est locus iste). Nuk është këtu tjetër, por shtëpia e Zotit e dera e qiellit“ (Zan 28, 17). Fjala « tmerrshëm » nuk do të thotë vend që shkakton frikë, por vend që kërkon nderim, vend që imponom heshtje dhe adhurim. Në kishë, Zoti është me ne, Ai banon ndër ne, prandaj ky vend është i shenjtë. Sa njerëz e kanë takuar Zotin, thjesht, vetëm pse kanë hyrë në kishë, e një ndër ta është edhe P. Claudel, i cili përsëri i`u kthye fesë kur një ditë hyri në Katedralen Notre Dame në Paris. “E gjithë feja e Kishës – thotë ai më vonë – në atë moment hyri në mua”.

Bashkësia e krishterë, e cila pas kungimit, apo gjatë adhurimit para të Shenjtënueshmit Sakrament ndalet për pak kohë në heshtje bën që me të vërtetë të ndihet prania e Krishtit në atë vend.

Në lidhje me heshtjen, Atë Raniero Cantalamessa thotë: “Përveç gëzimit, jetën shpirtërore e karakterizon edhe një element tjetër që është heshtja. Heshtja e vërtetë është ajo që “jetohet”, e jo ajo për të cilën “flitet”.

Pasi ta kemi kuptuar rëndësinë e heshtjes, do ta kemi më lehtë t`i përgjigjemi jetës, në të gjitha vështirësitë që ajo sjell. Të mbushur me energji të reja e të përtërirë shpirtërisht, edhe më mirë do t`i shijojmë të mirat që na dhuron Zoti.

Ta lejojmë Zotin të na flet, Ai ka shumë çka për të na thënë. Njeriu, i cili arrin të heshtë për ta dëgjuar porosinë e mirë të Zotit dhe të afërmit, ia del të bëhet i durueshëm dhe ta krijoj një personalitet që ka çka për të thënë.

Kështu, edhe atëherë kur na shtrohen shumë pyetje, para të cilave mbesim pa fjalë, do të mund t`i përsërisim fjalët e psalmistit, i cili thotë: “S`bëj zë, gojën nuk e çel sepse je ti ai që vepron” (Ps 39, 10).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »