Kërshëndellat në Kosovë – festë gëzimi që i bashkon njerëzit rreth dashurisë së Jezusit
Festa e Krishtlindjes në Katedralen Nënë Tereza
Katedrala e Nënë Terezës në Prishtinë ishte përplot me besimtarë dhe njerëz vullnetmirë për ta festuar Lindjen e Krishtit. Atmosfera e qetë, vëllazërore dhe e gëzueshme mbizotëronte gjithandej, duke bërë urimet tradicionale: për shumë mot Kërshëndellat.
Ipeshkvia e Kosovës me rastin e Kërshëndellave, natën e festës, kishte organizuar pritje solemne në ora 18:00 për të gjithë qytetarët. Në Rezidencën e Ipeshkvisë, Imzot Dodë Gjergji me bashkëpunëtorët e tij, i pritnin mysafirët e dashur për të bashkëndarë gëzimin e festës. Pjesëmarrës ishin personalitete të shumta publike, nga skena politike, kulturore dhe fetare, të përcjella me masmediat e vendit tonë, që e pasqyruan në ekranet, portalet, gazetat e veta respekt. Si përherë nuk mungojnë qytetarë të ndryshëm, që të shtyer nga respekti dhe dashuria vëllazërore, vijnë dhe na bashkangjintën në festë. Thënia dhe urimi i tyre ishte: “Krishtlindja është edhe festa e jonë”, “Ju kemi vëllezër dhe festat e vëllaznëve janë edhe të tonat”.
Nata e Kërshëndellave është më e ngjeshura në Katedrale. Pas pritjes solemne që zgjati rreth dy orëve, ka pasur në Katedrale Koncerti i Kërshëndellave, të prirë nga Lyra Kastrati, e të ekzekutuar nga kori i fëmijëve të famullisë së Shën Ndout dhe muzikant të estradës klasike të Kosovës. Besimtarët, në ora 23:30 kur u shfaq koncerti, kishin mbushur katedralen dhe nën tingujt e pianofortes, zërave të engjëjve të vegjël dhe zërave magjik të këngëtareve tona, po përgatiteshin për ta pranuar porosinë e Foshnjes së Betlehemit.
Në mesnatë nisi mesha e mesnatës, e Vigjiljes së Kërshëndellave, që e priu ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, me meshtarët e vet, të ndihmuar nga kandidatët për meshtarë dhe ministranët e katedrales sonë. Edhe në këtë meshë të shenjtë, kishin ardhur pjesëtarë të KFOR-it, personalitete kulturore e tjera, që me gëzim ndanin shenjtërinë e kësaj nate. Besimtarë kishte nga të gjitha pjesët e Kosovës, miq e dashamirë të kishës sonë. Gjithashtu edhe shumë bashkatdhetarë tanë nëpër botë ishin pjesëmarrës të kësaj meshe përmes ekranit të televizionit publik të Kosovës (RTK).
Ipeshkvi në porosinë e kësaj nate të shenjtë, pretkun e rastit, e ndau në dy pjesë, porosia e mesazhit biblik për Lindjen e Krishtit dhe mishërimi i kësaj porosie në jetën e sotme në vend.
Çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dymijë vjet më parë, sa që e ka ndryshuar rrjedhën e historisë së njerëzimit. Ipeshkvi e shpjegoi këstu:
“Çfarë në të vërtetë ndodhi, në këtë natë kaq të madhërishme dhe të mistershme? Ndodhi që Hyji, krijuesi i qiellit dhe i dheut, i madhërishëm, i amshuari, i gjithëpushtetshmi, krijuesi i qiellit dhe i dheut për t’i mbet besnik premtimit të vet dhe i shtytë prej dashurisë së përkryer që ka për ne, u bë Foshnje e pafuqishme, ju dorëzua pushtetit të përkohshëm, vullneti të njerëzve, hyri në vdekje dhe nga atje na thirri në jetë. Isaia profetë thoshte për të, Ai është Princ i Paqes e paqja e tij s’do të ketë mbarim. Psalmisti na tonë duke thën: Këndoni Zotit një këngë të re! Mbarë toka le ti këndoj Zotit, këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij. Sepse, Lindja e Jezus Krishtit është festë e gëzimit dhe e haresë, është festë e paqes dhe dashurisë, është festë e shpresës dhe lumturisë.
Kur Jezusi lindinë Betlehem, kishte shumë njerëz që kishin ardhur për t’u regjistruar. Hanin, pinin dhe argëtoheshin me të vetë. Por, shpëtimtari i botës, i cili vinte në qetësi, nuk gjeti as një vend në bujtinë. Familja e shenjët e Marisë dhe Jozefit, ishin detyruar të strehoheshin në një shpellë që ia ofronin barinjtë e zonës.
Çdo foshnje kurë lindë e përshëndetë boten dhe prindit e vet me vajë e me lot, por Foshnjës, që lindi në këtë natë të shenjët, në Betlehem, i shtohej vaji edhe më shumë sepse lindte në kushte jo normale dhe në një të ftoftë dimri. Pra, në këtë natë gëzimi dhe hare kishte dhe zhgënjim, edhe vajë. Për këtë arsye, nuk mundemi, pa i përfshi në lutjet tona edhe të këqijat e kohës tonë. Sepse dëshirojmë që Zoti, në vajin e foshnjës së Betlehemit, t’i përfshijë të gjithë ata që përjetojnë padrejtësitë e botës dhe të këqijat e mëkatit.”
Por kjo porosi e Hyjit, Mishërimi i tij, çfarë na flet sot, a kemi nevojë ende për këtë dashuri të pamasë të Zotit. Ipeshkvi, pa mëdyshje, se duke e lexuar të tashmen e vendit tonë, Kosovën, ka hetuar një domosdoshmëri të madhe për Dashurin e Jezusit, për Krishtin dhe porosinë e tij. “Si të mos qajë Zoti, kur shef shumë fëmijë që vriten ose bëhen vrasës, si pasoj e urrejtjes dhe luftërave që i shkaktojnë të rriturit. Bile vende vend edhe në emër të Zotit, këndej nuk është keq që në këtë natë të Shenjët të dëgjojnë Zotin, i cili si foshnje e pafajshme, me buzë n’ vaj, dëshiron t’i thotë çdo njeriu në botë, unë jam i pafajshëm unë nuk jam vrasës dhe skam kërkuar kurrë nga askush që të vras në emirin tim. Unë janë dashuri, unë jam paqja, unë jam rruga, unë jam e vërteta, unë jam jeta. Nga ju kërkoj vetëm: që të më doni me gjithë zemër e mbi gjithçka e të doni njëri-tjetrin si vet vetën!”
Situata sot në Kosovë – sipas prekur të ipeshkvit – ka nevojë më tepër se kur për këtë mesazh: “Pse mos të ia bashkëngjisim sot, vajit të kësaj foshnje, lotët e popullit tonë në tersi që shkaktohen nga ngatërresat brenda familjes ose pse kanë shumë ose pse s’kanë hiç, konfliktet për fajde, vetëvrasjet, ikjet masive të të rinjve nga vendi dhe shumë gjëra tjera që shkurajojnë të drejtët, zhgënjejnë entuziastët dhe dëshpërojnë të pambrojturit. Këtë gjendje e rëndon edhe më shumë, siç kam thënë edhe herëve tjera, strukja e të drejtëve, heshtja e të mirëve, lakmia e të diturve dhe korruptimi i të aftëve. E, sigurisht që kjo vjen si pasojë e mohimit të së vërtetës, përbuzjes së vlerave, mungesës së moralit shoqëror, keqmenaxhimit të paqes, paaftësisë kolektive për të respektuar liritë dhe mungesa e përgjegjësisë individuale dhe grupore e bartësve të detyrave shoqërore.
Asnjëherë nuk ka munguar edhe mohimi i të drejtave tona, në kohën e otomaneve na mohonin gjithçka, në kohën e komunizmit, na mohonin lirinë dhe fenë kurse në kohën e sotme na mohohet e drejta për të qenë pjesëmarrës në të mirat e përbashkëta dhe bashkëpërgjegjës në qeverisjen e vendit, nesër do të na mohohet diçka tjetër por, askush ska pas mundësi të na marrë dashurinë për Atdhe e fe, sakrificën tonë për liri dhe paqe, gëzimin tonë që kemi mbet besnikë të parëve. As kush nuk mundë të na mohoj, të drejtën tonë që të jemi shembullëmirë dhe të duam të ardhmen e me drejtësi dhe barazi.“
Ditën e festës së Kërshëndellave, mesha kryesore u kremtua në katedralen e Prizrenit. Ipeshkvi e ripohojë mesazhin e dashurisë së Zotit për njerëzit, sepse duke e parë Jezusin e mishëruar e të lindur në Betlehem, e shohim tërë dashurinë e pamasë që Zoti ka treguar për fëmijët e tij, që jemi të gjithë ne.
Ashtu si në katedrale, edhe në gjitha kishat tona në Kosovë është festuar me një atmosferë gëzimi e dashurie. Kërshëndellat janë festa më e gëzueshme e të krishterëve, por edhe e shqiptarëve, që i bashkon dhe i ngazëllen njerëzit e kësaj hapësire të bukur. Festofshim gjithmonë me zemër të bardhe!
(Dritapress)
« PROGRAMI I KRISHTLINDJES NË KATEDRALEN “NËNË TEREZA” PRISHTINË Mediat e Kosovës për Kërshëndellat »