Vatikani, faktor i mbijetesës së shqiptarëve

Jan 6 • Recension

Shkruan: Lazër STANI

Vizita e paralajmëruar e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, të dielën e 21 Shtatorit, për të gjithë ne shqiptarët, përbënte një lajm të jashtëzakonshëm. Pas territ gjysmëshekullor të sundimit komunist, për herë të dytë në harkun kohor të njëzet e katër viteve, një Atë i Shenjtë vizitonte Shqipërinë e vuajtur në tmerret e historisë, por që edhe ka mundur nëpërmjet akteve të larta të sakrificës e flijimit, të ruajë identitetin dhe vlerat e saj, të krijojë vlera të reja të çmueshme për njeriun, për kombin dhe njerëzimin mbarë. Paralajmërimi i vizitës së Atit të Shenjtë, Papa Françeskut përbënte në vetevete një akt njohjeje dhe nderimi të këtyre vuajtjeve, sakrificave dhe flijimeve, por edhe një akt respekti dhe vlerësimi të lartë për vlerat që shqiptarët kanë krijuar në historinë e vështirë të mbijetesës së tyre, vlera që me vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë, u shndërruan në vlera të përbotshme.

vatikani

Me emocionet e jashtëzakonshme që ngjalli paralajmërimi i kësaj vizite, në biseda me miqtë e mi, historianë, shkrimtarë, poetë, profesorë universitetesh, klerikë, besimtarë dhe bashkëpunëtorë të mi në Senatin Demokristian, lindi ideja e organizimit të një konference shkencore lidhur me historinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me Shtetin e Vatikanit nga mesjeta deri në kohët moderne, duke bërë kështu një përpjekje modeste, një hap të vogël, në zbardhjen e të vërtetës historike të këtyre marrëdhënieve, që për shqiptarët kanë rëndësinë e padiskutueshme të garantimit të mbijetesës së tyre në histori, sidomos në përiudhën më të errët të pushtimit osman, kur ekzistencae e shqiptarëve kërcënohej nga zhdukja, se e tillë kish qenë dhe strategjia e pushtuesit. 

Eshtë fakt i njohur se historia e Shqipërisë ngjan me një galeri pikturash të fallsifikuara, ku kopja origjinale është tjetërsuar aq shumë, sa edhe me imagjinatën me të fuqishme e ke të vështirë ta përfytyrosh. Dhe një ndër kapitujt më të manipuluar të kësaj historie është ai i marrëdhënieve të shqiptarëve me Vatikanin. Manipulimi më i madh i fakteve, dokumenteve dhe dëshmive historike të marrëdhënieve të shqiptarëve me Vatikanin është bërë nga historiografia komuniste për arsye të pastra ideologjike. Regjimi diktatorial stalinist e konsideronte Vatikanin si qendrën e reaksionit botëror dhe vetë komuniteti katolik një kontingjent i vazhduar “armiqsh”. Për të argumentuar këtë historianët e oborrit shkruan pseudohistorinë, duke e paraqitur Vatikanin si armik të shqiptarëve, si sabotues të përpjekjeve të tyre për liri dhe pavarësi, si bartës të regresit dhe të errësirës shekullore.

Një faktor i dytë, por jo pak i rëndësishëm, në fallsifikimin dhe manipulimin e këtyre marrdhënieve, është otomanizmi, i pranishëm edhe sot e kësaj dite në variantin neo-otomanist me jo pak ndikim tek një numër historianësh dhe studiuesish. Të dy këta faktorë, të ndërthurur e në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndikur që edhe në këto vite të tranzicionit politik, kërkimet historike të mbetën të keqorientuara dhe e vërteta historike të mbetët e pjesërisht e zbardhur. Aleanca e komunistëve me neo-otomanistët (të dy grupet bashkohen dhe bashkëpunojnë në  anti-europianizmin e tyre) vazhdon të ketë ndikim të ndjeshëm në historiografi, duke ricikluar parreshtur procesin manipulues të historisë. Ky manipulim qëndron pikësëpari në mosnjohjen dhe mosprnaimin e rolit që ka luajtur komuniteti katolik në historinë e krijimit të kombit shqiptar dhe, së dyti, në anashkalimin e marrëdhënieve që ky komunitet dhe shqiptarët në tërësi kanë patur me Selinë e Shenjtë përgjatë shekujve. Askush, përveç historiografisë tonë të ideoligjizuar, nuk e vë në dyshim faktin se katolikët shqiptarë, pavarësisht se janë të pakët në numër, siç shkruan shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, përfaqësojnë fenë e parë të shqiptarëve. Ata, vazhdon Ismail Kadare, kanë një zbritje vertikale në historinë dhe kulturën shqiptare të pashembullt. Ata i kanë dhënë kombit shqiptar simbole dhe shenja themelore nga Gjergj Kastrioti te Nënë Tereza. Ata janë ura më e vjetër dhe asnjëherë e shembur që lidh Shqipërinë me Europën. Është kjo arsyeja, që antieuropianistët dhe gjithë dashakeqinjtë që tmerrohen nga një komb dhe një Shqipëri europiane, kanë vënë në shënjestër emblemat e  kombit shqiptar si Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza, madje shkohet deri atje sa mohohet pushtimi Osman dhe fjala pushtim përpiqet të zevëndësohet me fjalën bashkëjetësë. Sidoqoftë, asnjë manipulim dhe asnjë term i komprometuar nuk mund ta tjetërsojë faktin tragjik të pushtimit, terrorin dhe masakrat që u kryen mbi shqiptarët gjatë pushtimit osman, dhunën e vazhdueshme, ndalimin e shkrimit të gjuhës shqipe, strategjinë asgjësuese të ndjekur ndaj shqiptarëve nga mesjeta deri në fillimet e shekullit të njëzetë. Fakti që shqiptarët mbijetuan në Ballkanin me histori tragjike, pas atij terrori asgjësues dhe pushtimit që zgjati jo me vite, por me shekuj, në vështrim të parë ngjan si një çudi e historisë, si një absurd që nuk mund të argumentohet nëpërmjet faktografisë historike.  Megjithatë, sikurse shkruan Ernesto Sabato “në politikë rastësi nuk ka”.  E vërteta është se kjo mbijetesë nuk ishte “një rast fatlum i historisë”, se kjo mbijetesë u sigurua së pari nga rezistenca e vetë shqiptarëve, por edhe nga mbështetja e vazhdueshme e Vatikanit për këtë komb martirësh, që i kishte dhënë krishterimit dhe Europës figura të shquara të historisë dhe identitetit të saj. Kjo mbështetje ka qenë faktor vendimtar në mbijetesën tonë, në momentet më të vështira të historisë. Këtë e dëshmojnë të gjitha faktet e sjella në konferencë, fakte që historiografia komuniste i ka manipuluar dhe keqinterpretuar. Shqiptarët duke qenë një popull me krishtërim të hershëm apostolik, kishin lidhje të konsoliduara më Selinë e shenjtë, lidhje që u faktorizuan sidomos gjatë qëndresës anti-osmane  të Gjergj Kastriotit në  një nga momentet më të vëshira të historisë së qytetrimit europian dhe të krishterimit. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu gjeti tek Selia e Shenjtë aleatin dhe partnerin e tij më të besuar, përkrahjen e pakursyer dhe solidaritetin e përhershëm në përpjekjet e tij për të frenuar dhe kthyer mbrapsht ushtritë pushtuese më të fuqishme të kohës. Kjo aleancë midis Vatikanit dhe shqiptarëve nuk u dobësua as në vitet e pushtimit osman, përkundrazi ka qenë vendimtare në mbijetesën dhe rilindjen e kombit shqiptar. Shkrimi i gjuhës shqipe, shkollat e para shqipe dhe Kuvendi i Arbërit, që shënon fillimin e procesit të Rilindjes Kombëtare me protagonist klerin katolik shqiptar, është bërë me mbështetjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, Vatikanit.

Pikërisht për këtë, në Konferencën Shkencore “Vatikani dhe Shqiptarët”, të organizuar nga Senati Demokristian, nëpërmjet punimeve shkencore të historianëve dhe studiuesve të mirënjohur, ne bëmë një përpjekje për të sjellë në vëmendje të publikut kontributin e Vatikanit në mbijetesën e Shqiptarëve dhe kontributin e klerit dhe të komunitetit katolik në kulturën, arsimin shqip dhe në Rilindjen Kombëtare që i sollën shqiptarët në momentin më të rëndësishëm të historisë së tyre, Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar me 28 nëntor 1912.

Në këtë botim, përveç kumtesave të referuara në konferencë nga historianët studiuesit dhe shkrimtarët, janë përfshirë një studim i Akademikut Neritan Ceka “Shqiptarët dhe krishtërimi i hershëm” si dhe mesazhet e Atit të Shenjtë dhe Presidentit te Republikës, z. Bujar Nishani me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.

Libri “Vatikani dhe shqiptarët”, në tërësinë e vet, është një dëshmi e lidhjeve të hershme midis Selisë së Shenjtë dhe shqiptarëve, por njëkohësisht edhe një dëshmi e  indentitetit tonë të patjetërsueshëm shqiptar dhe perëndimor, e të vërtetave tona historike, shkencore dhe kulturore, që na rendisin denjësisht në familjen e popujve të qytetëruar europianë.

Shenim: Teksti është shkruar si parathënie për librin “Vatikani dhe shqiptarët” që sapo ka dalë nga shtypi. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »