DHURATA E LIRISË – ARSYEJA KRYESORE E TOLERANCËS!

Jan 16 • Opinion

Shkruan: Don Jeton THAQI

Është më së e sigurt që, me sulmin tragjik të 11 shtatorit 2001 mbi kullat binjake, atentatet tjera vetëvrasëse, deri tek sulmi i fundit në Francë, bota ka ndryshuar rrjedhën e vet historike. Besoj që lirisht mund të themi që kemi hyrë në një “epokë të re”. Se si do të quhet pastaj kjo “epokë” ka pak rëndësi. Kohëve të fundit këtë ndryshim të situatave dikush e ka interpretuar si një përplasje mes qytetërimeve. Kjo mund edhe të ndodhë, pasi që sot Bota është shndërruar në një “fshat” të vogël virtual. Prandaj mosdurimi i mendësive të ndryshme, kulturave, botëkuptimeve, mund të prodhojë edhe këtë lloj përplasjeje.

1.

Mendoj se problemi i këtyre dukurive qëndron pakëz më thellë. Nuk është thjesht vetëm një përplasje midis qytetërimeve, mendësive apo kulturave të ndryshme. Problemi është tejet i hershëm. Ndoshta edhe qysh nga zanafilla. Problemi është më shumë një çështje e sundimit. Është çështje e “tatimit të Cezarit”. Është problemi i primatit në rruzullin tokësor. Është argumenti që ka të bëjë me shtetet dhe me disa religjione që ende s’e kanë zgjidhur në mënyrë definitive problemin ndaj fushës shpirtërore, të amshueshme, hyjnore dhe asaj të përkohshme, tokësore. Kur Krishtin e pyesin se a do të duhej t’i paguhet tatimi Cezarit, Ai u përgjigj duke thënë se çka i takon Cezarit jepjani Cezarit dhe çka i takon Hyjit jepjani Hyjit. Ky është parimi, baza, themeli, prej të cilit krishterimi dhe asnjë religjion tjetër nuk mund të largohet po qe se dëshiron të jetë vetvetja. Nuk po them se gjatë historisë gjithmonë është respektuar dhe zbatuar me përpikëri ky parim, por parimisht Kisha e ka të qartë vizionin e Krishtit. Pas Koncilit të Dytë të Vatikanit Kisha katolike e ka mishëruar këtë parim dhe e ruan si një visar të çmueshëm. Në fakt, në Kushtetutën Dogmatike “Gaudium et Spes”, numër 76, që mban titullin Bashkësia Politike dhe Kisha, shkruan kështu: “Bashkësia politike dhe Kisha janë të pavarura e autonome prej njëra-tjetrës në fushën e tyre. Por të dyja, edhe pse me titull të ndryshëm, janë në shërbim të thirrjes personale e shoqërore të vetë njerëzve”.

Këtë problem të primatit apo të sundimit apo si do që të jetë emërtimi, nuk e kanë vetëm disa religjione apo ata që po veprojnë në emër të religjioneve, por e kanë edhe vetë shtetet. Shtetet ose pushtetet në shumë raste tejkalojnë kompetencat e fushëveprimit të tyre dhe në mënyrë të tmerrshme paraqiten si të gjithëpushtetshme duke simuluar si “shpëtimtarë” të njerëzimit. Në këtë mënyrë ato shpesh herë injorojnë fushat e “huaja” dhe paraqiten si religjion. Kjo përpjekje e tyre është qëllim i keq që të vënë nën hije religjionet dhe të marrin në duar edhe ato kompetenca që nuk u takojnë. Pra, veprojnë kështu gabimisht duke mos respektuar atë autonomi që ndër të tjera e kërkon edhe vetë kushtetuta dogmatike e Koncilit të dytë të Vatikanit. Në tjetrën anë, edhe religjioni shpesh herë rrezikon ta ngatërrojë sferën e veprimit, duke harruar arsyen kryesore të ekzistencës së vet. E kur këto dy fusha ngatërrohen, atëherë ngatërrohet edhe vetë roli i drejtë i ekzistencës së tyre. Unë nuk mendoj se problemi është i njëanshëm. Por sigurisht që problemi i ka rrënjët shumë thellë. E mu për këtë arsye edhe shërimi apo zgjidhja e këtij problemi do duhej të bëhej nga rrënjët. Do të duhej që në këto fusha të ketë respekt reciprok dhe jo vetëm kaq. Respektimi i të drejtave do të duhej të jetë universal. Deri sa në këtë rruzull tokësor do të ketë padrejtësi, do të ketë diskriminim në qasjen e të mirave të kësaj bote, sigurisht që nuk do të ketë as paqe. Paqja arrihet vetëm kur ka drejtësi. Drejtësi jo vetëm për një kontinent, por për të gjitha krijesat, për mbarë njerëzimin. Edhe një gjë: nuk mjafton të thirremi në vlera, nuk mjafton të kemi një lloj përkatësie, nuk mjafton të thuash që krishterimi është dashuri, nuk mjafton të thuash që islami është paqe, nuk mjafton të thuash që perëndimi prin me qytetërim dhe barazi, por kjo duhet të dëshmohet me vepra konkrete, duhet të dëshmohet në fakte, duhet të dëshmohet me jetë. E kjo nuk duhet të jetë vetëm për një grusht njerëzish, por duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe pa përjashtime.

Nga këtu dëshiroj të lidhem me një argument tjetër që na bënë të kalojmë nga universalja në lokalen. Por që na bënë të kuptojmë se edhe lokalja s’mund të ekzistojë pa universalen. Këto të dyja janë të lidhura shumë ngushtë njëra me tjetrën.

2.

Kohëve të fundit shumë po shkruhet, po flitet, po diskutohet për tolerancën fetare ndër shqiptarë. E, në të shumtën e rasteve, kjo tolerancë arsyetohet me faktin që ne jemi shqiptarë, jemi vëllezër, jemi të një gjaku, kemi një flamur, kemi një besë, kemi një diell që na ngroh, deri tek fjalitë më patriotike që mund të shqiptohen e shkruhen. Por, a është e mjaftueshme që toleranca të mbështetet vetëm në këto fakte? A nuk ekzistojnë fakte tjera më të mëdha në librat fetarë? A është e mundur që Bibla dhe Kurani na mësojnë që duhet të jemi tolerantë vetëm pse ne jemi shqiptarë? A mos është pakëz i cekët definicioni i tillë mbi tolerancën? Nëse do të ishte kështu, si do të duhej të sillemi ndaj nacionaliteteve tjera që janë këtu, dhe që kanë fenë dhe kombin ndryshe nga ne? Si të sillemi ndaj kroatëve, ndaj malazezëve, ndaj serbëve, ndaj turqve, ndaj romëve, ashkalive, egjiptasve? Edhe jo vetëm kaq, si të jemi tolerantë ndaj ndërkombëtarëve që janë bukur shumë në mesin tonë e që nuk qenkan vëllezërit tanë? A thua, mjafton të themi që me ata s’kemi të bëjmë edhe aq?!!! Atëherë, nëse edhe ju jeni dakord me mua, a mund të themi se mënyra se si e arsyetojmë tolerancën, është e pjesshme dhe shumë e limituar, përveç tjerash, nuk e di edhe sa janë të sinqerta pohimet tona mbi tolerancën. Por ky është një argument tjetër që do të duhej të trajtohej veçmas.

Si konkluzion, çka mund të thuhet rreth arsyes së drejtë të tolerancës? Pse duhet të jemi vërtetë tolerantë ndaj bindjeve të tjetrit? Sepse thjesht qëndron një ligj universal që karakterizon dhe përfshin të gjithë njerëzit: të gjithë jemi vëllezër e motra, të gjithë jemi të barabartë dhe të dashur prej një Zoti, pavarësisht se si e njohim apo si e pranojmë. E, madje, baza apo arsyeja e tolerancës do të duhej të qëndrojë në dhuratën e lirisë që Zoti ia ka dhënë njeriut. Pra njeriu është i lirë të besojë apo të mos besojë. Të jetë pjesëtar i një religjioni apo i një religjioni tjetër. Liria e besimit apo e mosbesimit, duhet të jetë baza e tolerancës ndërfetare dhe e çdo lloji tolerance tjetër. Të gjitha institucionet nuk kanë tjetër detyrë, përveçse ta mbrojnë këtë liri të individit dhe të shoqërisë. Mos të harrojmë, se jemi të krijuar të lirë dhe kjo është dhurata më e madhe që Zoti na ka bërë pas asaj të jetës. Edhe unë i dua shqiptarët e lirë, ashtu sikurse i ka falur Zoti. Të lirë në përcaktim, të lirë në vendimmarrje, të lirë në besim, të lirë në jetën e tyre qoftë individuale, qoftë në atë kolektive.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »