KULTURA SHQIPTARE PA ERNEST KOLIQIN

Jan 16 • Kulturë, Letërsi

(Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes)

Shkruan: Dr. Kastriot MARKU

Cilitdo që shfaq dëshirën për të shkruar për Ernest Koliqin, i duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Përballja me një personalitet të tillë të përmasave jashtë të zakonshmes të zë përnjëherë nën vete dhe nuk të mbetet gjë tjetër veçse të braktisësh idenë së bashku me “plaçkat” e mbledhura për të gjetur ndonjë sajesë tjetër justifikuese për moskryerjen e punës anipse rrënoja e lënë aty në krye të herës nga të tjerë pararendës të sfidon njëtrajtshëm të rikthehesh në tavolinë mes dëshirës për të shkruar dhe dyzimit për pamundësinë e rrokjes së subjektit sikurse do ta meritonte. Gjithsesi, sfidat prandaj janë të tilla, ngase me do duhet të përballesh. Koliqi ishte dhe është yni, anipse e mbajmë disi larg. Duke qenë kështu le të jenë edhe këto rreshta si pjesë antologjike e komunikimit të bashkësisë tonë kulturore me Koliqin e madh.

Poeti, prozatori, dramaturgu, profesori, studiuesi, kritiku, esteti, eseisti, përkthyesi, gazetari, publicisti, botuesi dhe politikani Ernest Koliqi, profesor i Universitetit të Romës, lindi në Shkodër më 20 maj 1903 (studiuesi Kolec Çefa e vendos më 20 maj 1901), në një familje tregtare, qytetare dhe aristokratësh të njohur të këtij qyteti me formim kulturor të krishterë, atdhetar dhe evropian njëherësh.

Familja e të atit Shan Koliqi dhe Age Simoni patën, veç Ernestit, edhe 6 fëmijë të tjerë; katër djem (Dom Mikelin, kardinalin e parë shqiptar), Viktorin, Guliemin dhe Lecin si dhe dy motra, Margaritën dhe Terezinën. Mësimet e para fillore Ernesti i mori pranë Kolegjes Saveriane të Jezuitëve, për t’i vijuar më pas prej vitit 1911 nën kujdesin e dajave të tij në kolegjin “Cesare Arici” të Breshas në Itali. Mësimet e mesme në vitet 1918-1921 i kreu në Bergamo po në Itali. Në moshën 17-vjeçare, bashkëthemelon me një grup miqsh italianë revistën studentore “Noi giovani”, në të cilën publikon disa prej soneteve të tij në italisht.

Në vitin 1921, pas dhjetë vitesh kthehet në Shqipëri, ku edhe iu shtrëngua fillimisht mësimit me zell të gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha formimit të tij kulturor, politik e atdhetar falë miqësisë me personalitete të njohura të kohës në Shkodër si At Gjergj Fishta OFM, Dom Lazër Shantoja, At Bernardin Palaj O.F.M. Karl dhe Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi etj., dhe mbi të gjitha me Luigj Gurakuqin, i cili ishte personaliteti politik më i formuar dhe më i rëndësishëm jo vetëm i Shkodrës por edhe i Shqipërisë së asaj kohe. Këtij shkollimi socio-politik të tij rreth çështjes kombëtare shqiptare, i shërbeu edhe përnjohja e drejtpërdrejtë me parinë politike të Kosovës si Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe Isa Buletinin. Fitoi një konkurs për himnin kombëtar, të organizuar nga Ministria e Arsimit, juria e të cilit përbëhej nga At Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Mit’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi.

Në vitin 1923 së bashku me At Anton Harapin dhe Nush Topallin themelon gazetën (fletoren) Ora e maleve, tek e cila mbante funksionin e kryeredaktorit. Kjo gazetë qe një sukses i jashtëzakonshëm i gazetarisë shqiptare të kohës, kjo dhe falë bashkëpunimit me Luigj Gurakuqin, At Anton Harapin, Don Lazër Shantojën, Karl Gurakuqin etj., me të cilët kryen një aktivitet të dendur kulturor dhe politik, konfiguruar ky në radhët e opozitës së kryesuar nga Fan Noli. Këtu duke qenë se ishte kryeredaktor, në drejtimin e Luigj Gurakuqit, hedh edhe hapat e para me rëndësi në publicistikë dhe krijimtarinë letrare veçanërisht në rubrikën satirike “Ora ndër Valle”. Në mjediset e kuvendit Françeskan të Gjuhadolit, ku ishte edhe pikëtakimi i intelektualëve të qytetit, Koliqi zhdërvjelltësoi jo vetëm gjuhën por edhe qëndrimin kulturor, politik dhe atdhetar.

Në dhjetorin e vitin 1924, ndërsa punonte si sekretar i Luigj Gurakuqit, merr pjesë si anëtar efektiv i shoqërisë “Bashkimi”, krijuar nga Avni Rustemi dhe ku bënin pjesë edhe Tajar Zavalani, Sejfulla Malëshova e Llazar Fundo. Pas shuarjes së kësaj ëndrre në projekt për një Shqipëri të vlerave të njëmendta civilizuese perëndimore, për shkak të rrëzimit të dhunshëm të asaj qeveria nga pjesa konservatore post-osmane me mbështetjen serbe, konteksti jo gjithaq i emancipuar politik i kohës e detyroi që Koliqi sikurse pjesa më e madhe e opozitës të emigrojë jashtë vendit, e konkretisht ai në Jugosllavi për pesë vjet (1924-1929), Tuzla (1925-1927). Po këtë vit botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbegut”. Aty mësoi gjuhën serbo-kroate dhe njohu edhe letërsinë gojore dhe autorët më të njohur serbo-kroatë.

Në vitin 1929 kthehet në Shqipëri ku edhe botoi vëllimin me dymbëdhjetë tregime Hija e maleve, (Zara, 1929). Nga viti 1930 deri më 1933 punoi si mësues i letërsisë në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe më pas në gjimnazin e shtetit në Shkodër.

Më 1932 boton vëllimin e parë të përkthimeve Poetët e mëdhenj t’Italis, me poezi nga Dante Alighieri (1265-1321), Francesco Petrarca (1304-1374) Ludovico Ariosto (1474-1533) e Torquato Tasso (1544-1595), shoqëruar me një parathënie të At Gjergj Fishtës, një përballje përkthimore kjo shembullore.

Më 1933, kur edhe nis studimet universitare në Universitetin e Padovës, boton vëllimin poetik Gjurmat e stinëve, ndërsa më 1935 boton poemthin në prozë Quattuor, vëllimin e dytë me gjashtëmbëdhjetë tregime e novela Tregtar flamujsh si dhe vëllimin e dytë me përkthime Poetët e Mëdhaj t’Italis me poezi nga Giuseppe Parini (1729-1799), Vincenzo Monti (1729-1799), Ugo Foscolo (1778-1827), e Alessandro Manzoni (1785-1873), paraprirë nga një parathënie prej albanologut italian Carlo Tagliavini dhe shoqëruar me shënime nga kritiku dhe historiani i mirënjohur i letërsisë italiane Francesco De Sanctis (1817-1883). Vëllimi i tretë, i cili nuk arriti të botohej, përfshinte poezi nga Giacomo Leopardi (1798-1837), Giosue Carducci (1835-1907), Giovanni Pascoli (1855-1912), Gabriele D’Anunzio (1836-1938), të cilat u botuan pjesë-pjesë në revistën Shejzat dhe në veprën e Fulvio Cordignano-s Manuale di Lingua Albanese.

Në mars të vitit 1934, bashkëthemelon me Asim Jakovën, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, Odhise Paskalin, Stefan Shundin, Anton Logorecin dhe Ismet Toton revistën Illyria, e cila për tri vitet e jetës së saj u bë dëshmi e një palestre të risive të letërsisë shqipe. Më 1937 pas katër vitesh studimesh të kryera në Universitetin e Padovës, mbrojti tezën e doktoraturës me temën: Epica popolare albanese (Epika Popullore Shqiptare), nën drejtimin e Carlo Tagliavini-t, e cila u vlerësua mjaft nga albanologët Norbert Jokl-i dhe Maximilian Lambertz dhe të tjerë albanologë të kohës dhe menjëherë pranë atij universiteti filloi punën si lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe.

Më 1940 themelon në Tiranë revistën e përkohshme kulturore Shkëndija, numri i parë i së cilës doli më 15 korrik. Deri në mbyllje të saj (shtator 1943), dolën 27 vëllime të kësaj reviste si dhe një numër voluminoz i posaçëm kushtuar At Gjergj Fishtës. Aty botuan një seri personalitetesh si: Mustafa Kruja, Vangjel Koça, Selaudin Toto, Nexhat Hakiu, Filip Fishta, Pashko Gjeçi, Stefan Shundi, Namik Ressuli, Arshi Pipa, Kolë Ashta, Vedad Kokona, Bernardin Palaj, Gaspër Pali, Jakov Milaj, Nebil Çika, Vasfi Samini, Ali Asllani, Sterio Spasse, Nonda Bulka, Simon Shuteriqi, Rrok Zojzi, Gjush Sheldija, Nikollë Mazrreku etj. Po atë vit Koliqi emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Pas pushtimit fashist të Italisë më 7 prill 1939, në rrethanat gjeopolitike të krijuara, sikurse dihet nga Lufta e Dytë Botërore, opozita e vjetër tradicionale shqiptare u bashkua nën kryesinë e Mustafa Krujës, Ernest Koliqit, Dom Lazër Shandojës, e që pati edhe mbështejen e Terenc Toçit, At Gjergj Fishtës, Dhimitër Beratit, Xhaferr Ypit, Aleksandër Xhuvanit dhe At Bernardin Paljat, dhe bëri çmos të ndërmjetësonte këtë gjendje fatale të parapërcaktuar nga rrethana të jashtme, por edhe të brendshme në mënyrë që të arrihej një lloj marrëveshjeje, e cila të mund të përjashtonte pushtimin dhe kursi oksidental i vendit i mbetur në letër, të zhvillohej sipas mënyrës së duhur.

Mosaprovimi i kësaj strategjie nga ana e palës italiane, e cila çoi në bashkimin e kurorave mbretërore nën të njëjtën perandori, ishte një zhgënjim i madh për palën shqiptare, dhe në kushtet e krijuara kur partneriteti politik nuk funksionoi, nuk mbetej rrugëdalje tjetër; ose t’u lihej në dorë gjithçka italianëve, ose të bëheshin pjesë qeverisëse me ta duke u përpjekur të arrinin atë çfarë mund të shpëtohej. Nëse kjo qe një zgjedhje taktikisht e gabuar, në një moment historik shumë delikat, e cila është diskutuar dhe vlerësuar si një vendimmarrje jo e drejtë politikisht nga historiografia jonë, faktet provojnë të kundërtën. Në rrethana të tilla, një shqiptar, aq me tepër si formati i Ernest Koliqit, mund t’i bënte shërbime vendit, sikurse ndodhi me të vërtetë, bile më mirë se çdo ministër tjetër shqiptar apo i huaj, edhe pse kjo zgjedhje si e tillë nuk duhet të ketë qenë e lehtë për të. Kështu Ernest Koliqi në qeverinë e kryesuar nga Shefqet Vërlaci u emërua në postin e Ministrit të Arsimit, post të cilin e mbajti për rreth dy vjet nga 12 prilli i vitit 1939 deri më 3 dhjetor të vitin 1941, duke krijuar një rrjet administrativ dhe bashkëpunëtorësh të përbërë nga profesionistë, personalitete të arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Filip Fishta, At Giuseppe Valentini S.J., Gaetano Petrotta, Kolë Kamsi etj, duke e mbajtur institucionin të distancuar nga varësia politike e kohës, larg klientelizmit dhe rekrutimit preferencial, duke patur si kriter të vetëm profesionalizmin dhe meritokracinë.

Kjo periudhë e shkurtër qeverisjeje, në të cilën Ernest Koliqi qe anëtar i kabinetit ministerial, në postin e ministrit të Arsimit, na rezulton realisht se është një nga periudhat më te vlerta në historinë e punës së këtij dikasteri në një shekull veprimtari të tij, jo vetëm duke marrë si bazë kohën fizike të punës së tij, por madje duke e krahasuar me shumëfishin e shumë prej veprimtarive të organizuara ministeriale në kushte paqeje e jo në kushte lufte sikurse ndodhej vendi asokohe. Në historinë e shtetit shqiptar, në historinë e arsimit shqip, kulturës dhe shkencës shqiptare, Ernest Koliqi ka lënë gjurmët e një organizatori, administratori dhe nxitësi të pakundshokun jo vetëm për gjetjet, zgjidhjet, projektet dhe realizimin e tyre, por mbi të gjitha për intensitetin, vëllimin dhe cilësinë e realizmit të tyre, duke krijuar kështu një shembull unikal të pakrahasueshëm me asnjë prej paraardhësve dhe pasardhësve të tij deri më sot në atë post.

Pas çlirimit të Kosovës nga serbët në kuadër të dezintegrimit të Jugosllavisë së Karagjergjoviqëve në prillin e vitit 1941, kur për herë të parë Kosova iu bashkëngjit shtetit amë, me nismën dhe përpjekjet e Koliqit u dërguan në “tokat e lirueme”, përmes një studimi të plotë e një plani të përpiktë deri në detaje, rreth 200 mësues, të cilët nën drejtimin e Inspektorëve dhe Drejtorëve të emëruar, hapën një numër të konsiderueshëm shkollash fillore në disa qytete por edhe në shumë fshatra të mëdha të Kosovës. Ministria hapi nji gjimnaz të plotë tetëvjeçar në Prishtinë (Shkolla Normale “Sami Frashëri, u themelua më 12 dhjetor 1941) si dhe tri shkolla të mesme 4-vjeçare në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe një shkollë bujqësore në Tetovë, sikurse dhe një shkolle zanati/profesionale për punime me dorë në Prishtinë.

Drejtimin e gjimnazit të Prishtinës ministri Koliqi ia ofroi prof. Rexhep Krasniqit, i cili do të ruante pozitën si Inspektor Epror në Ministrinë e Arsimit bashkë me Karl Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Anton Dedën, Kolë Kamsin e Kostaq Cipon. Drejtor i Gjimnazit të Prizrenit qe emëruar prof. Kolë Margjini. Kjo ishte një përgjegjësi dhe risk institucional njëherësh, të cilin mund ta merrte vetëm një shtetar dhe intelektual vizionar sikurse ishte Ernest Koliqi, i cili e ndjente thellësisht përgjegjësinë për kombin e tij, duke vënë themelet e arsimit të organizuar modern në pjesën tjetër të trojeve shqiptare.

Jo vetëm kaq. Ai nisi nëpër universitetet italiane me të cilat kishte kontakte intensive, dhjetëra studentë nga Kosova për t’u formuar dhe specializuar në degë të ndryshme, që më pas do të ishin elementi bazik i kulturës në viset e çliruara. Në vitin 1940, Ernest Koliqi organizoi një Kongres të Studimeve Shqiptare, nga nisma e të cilit lindi në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare, e para Akademi Shqiptare e Shkencave. Fillimisht më 8 prill 1940 u miratua krijimi i fondacionit “Skanderbeg” dhe bashkangjitur atij edhe statuti i Institutit të Studimeve Shqiptare i cili kishte për qëllim të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave dhe të arteve duke mbarështuar kështu kulturën kombëtare sipas modeleve më të mira evropiane bazuar në traditën vendase. Punën e vet instituti e kishte organizuar në katër komisione kryesore me disa nënkomisione sipas shkencave përkatëse. Instituti në fillesë të tij kishte 48 anëtarë të përhershëm midis të cilëve Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, At Anton Harapi O.F.M., Karl Gurakuqi, Filip Fishta, At Justin Rrota O.F.M, Anton Paluca, Kolë Kamsi, Don Lazër Shantoja, Lasgush Poradeci, Ilo Milto Qafëzezi, Xhevat Korça, Namik Ressuli, Ekrem Vlora, Sotir Kolea, Vangjel Koça, Dhimitër Berati me kryetar Ernest Koliqin të cilët formonin edhe Këshillin e Përgjithshëm me sekretar të përgjithshëm At Zef Valentinin S.J. Pjesmarrës në këtë Institut ishin edhe intelektualët e njohur si Carlo Tagliavini, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetano Petrotta, etj.

Me organizimin që iu bë Institutit në korrik 1944, krahas riorganizimit të tij, ai e zgjeroi anëtarësinë me të tjerë intelektualë si Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Ali Asllani, Kristo Floqi, Krist Maloki, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi O.F.M, Hasan Dosti, Hamit Kokalari, Spiro Konda, Vafsi Samini, Odise Paskali, Rexhep Krasniqi, Vedat Kokona, Arsi Pipa, Llukë Karafili etj, me të cilët e zë fundi i vitit 1944, kur ai e ndërpret veprimtarinë e tij për t’u riftilluar në vitin 1946 me riorganizimin e Qeverisë Komuniste Shqiptare me emërtimin e ri Instituti i Shkencave.

Nën drejtimin e Koliqit u hartuan dhe u botuan nga ky Institut mjaft libra të rëndësishëm si libri dyvëllimësh Shkrimtarët shqiptarë, (Vëll. I me Namik Resulin) (Vëll. II me Karl Gurakuqin), (Tiranë 1941), Rreze drite, (Tiranë, 1941), përgatitur nga Karl Gurakuqi dhe Kolë Kamsi, Bota shqiptare, (Tiranë, 1943), përgatitur nga Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej, Te praku i jetës (Tiranë, 1941 dhe ribotuar edhe në vitin 1942); katër përmbledhje të nxjerrura nga botimet e kryera përgjatë njëmbëdhjetë vite në të përkohshmen Leka si: Ndër Male Tona, (1940), nga At Gjon Karma S.J.; Goja e popullit t’onë, (proverba) nga Kolë Kamsi, Kangë e vajtime (1940), të mbledhura nga Dom Aleksandër Sirdani, Zakone e doke (1940) dhe përmbledhje të nxjerra nga botimet në të përkohshmen Leka, si dhe vazhdimi i serisë Visaret e Kombit, kur tashmë tre vëllimeve të para, nisur më 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë iu shtuan edhe njëmbëdhjetë të tjera.

Një nga të tjerat akte të rëndësishme humane, qytetare dhe njëherazi kulturore të Koliqit është dhe mbetet përpjekja për shpëtimin e albanologut Norbert Jokl. Në një shkresë ministeriale, me numër protokolli 370/33, e cila mban datën 6 tetor 1941, drejtuar Albanologut të mirënjohur Norbert Jokli, Ernest Koliqi në cilësinë e ministrit të Arsimit i shkruan: “Tue çmuem verprimtarín t’Uej, qi tash sa vjetë keni zhvilluem rreth ditunís gjuhësore shqipe me anë botimesh të randësishme, Këshilli i Ministravet me vendimin e vet Nr. 1128, me 3 Shtatur 1941, pranoi proponimin e Ministri s’Arsimit për të Ju marrun në shërbim me kontratë për nji vjetë kohë, d.m.th. prej 1 Korrikut 1941 deri me 30 Qershuer 1942, si organizatuer të bibljothekavet të Shqipnis me rrogë muejore prej fr.shq. 600 (gjashtëqind). Jemi të sigurtë se prej veprimit t’Uej arsimi i ynë dhe i tanë populli shqiptar do të nxjerrë nji përfitim të madh shkencuer. Ju lutemi qi porsa ta merrni ketë shkresë, të kryeni formalitetet e udhtimit e të niseni sa mâ parë për Tiranë. Ministri. Ernest Koliqi”.

Sa i përket Norbert Joklit duhet theksuar se ai pati bërë disa kurrkënd qeverisë shqiptare nën pushtim, se dëshironte të transferonte në Shqipëri të gjithë bibliotekën dhe shkrimet e tij, e mbas tyre të vinte edhe vetë para se të arrestohej, por edhe dëshira dhe kujdesi i Koliqit nuk mjaftoi. Zhdukja e Norbert Joklit në kampet e përqendrimit ishte një humbje e madhe për albanologjinë, aq me tepër se bashkë me të humbi edhe biblioteka me të gjitha dorëshkrimet e tij.

Në vitin 1941, Ernesti martohet me mësuesen, zonjën e nderuar Vangjelie Vuçani me të cilën patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën dhe vitin mbas (1942) largohet nga Ministria e Arsimit dhe emërohet në krye të Institutit të Sudimeve Shqiptare duke patur bashkëpunimin e At Anton Harapit, Eqrem Çabejt, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Mustafa Krujës, At Giuseppe Valentini-t, Ernesto Cozzi-t, Karl Gurakuqit, Ismet Totos, Lasgush Poradecit, Ali Asllanit etj. Në projektet e shumta të këtij Instituti ishin botimi dhe ribotimi i veprave themelore të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe duke nisur me dorëshkrimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe të Mustafa Krujës, kompletit të veprës së At Gjergj Fishtës, veprat e At Anton Harapit etj.

Në përfundvjeshtën e vitit 1943, për shkaqe të qarta politike, Koliqi familjarisht përudhet nga Mali i Ziu dhe largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Itali pranë Universitetit të Romës “La Sapienza”, si profesor i Albanologjisë, ku punoi deri sa doli në pension, i dënuar dhe i ekskomunikuar nga qeveria e re komuniste e Tiranës, e cila lëshoi kundër tij akuzat më të rënda duke e etiketuar si “trathtar” dhe si përfaqësuesi kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare e fashiste. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse ajo nuk përmbante kurrfarë shenje a parashenje politike, të paktën para vitit 1945. Ajo u ndalua, për shkak të pjesëmarrjes në qeverinë e kohës që e përmendëm më sipër, shkak i mjaftë justifikues ky për të bashkuar me këtë veprim edhe përkatësisë fetare të tij dhe dialektit që përdori. Veprimtaria e tij tashmë do të shfaqte një pjesë tjetër të personalitetit të tij. Ai do të kthehej në një pikë kryesore referimi për emigracionin politik në Itali dhe njëkohësisht si një urë lidhëse për të gjitha qendrat e emigrimit në Europë dhe Amerikë. Profesor Koliqi, jo vetëm e mbajti në këmbë dashurinë për kombin dhe kulturën e tij gjatë kohës së mërgimit, por e vazhdoi punën në përpunimin kultural në dobí të kombit me autoritetin e tij të padiskutueshëm si profesor e si letrar njëherësh, në komunikimet me mjaft prej autoriteteve dhe zërave të njohur të albanologjisë në katedrat universitarë në Romë, Milano, Bari, Palermo, München etj.

Më 1947 nis bashkëpunimin me fletoren e porsadalë L’Albania Libre, ku bie në sy veçanërisht punimi i tij historiko-letrar Dy shkollat letrare shkodrane (E Etënvet jezuitë dhe e Etënvet françeskanë). Në vitin 1957, katedra që drejtonte, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane shpallet Institut i Studimeve Shqiptare dhe po këtë vit nis botimin e revistës Shejzat (Le Pleiadi), e cila për 18 vjet më radhë (1957-1974), do të ishte organi më i rëndësishëm periodik kulturor jashtë kufirit zyrtar shqiptar, falë një vargu bashkëpunëtorësh dhe intelektualësh të tillë si Martin Camaj, Karl Gurakuqi, At Zef Valentini S.J., At Vinçenc Malaj O.F.M, At Luigj Marlekaj O.f.M. Dhimitër Berati, Giuseppe Gradilone, Giuseppe Schiro, Rozolin Petrotta, Papas Ignazio Parrino, Franc Babinger, Peter Bartl, Alois Schmaus, Georg Statmuller, Mustafa Kruja, Eqrem bej Vlora, Nermin Vlora-Falaschi, Mehdi Frashëri, Tahir Kolgjini, Vasil Alarupi, Dushko Vetmo (Papas Francesco Solano), Papas Emanuele Giordano, Papas Matteo Sciambra, Papas Giuseppe Ferrari, Antonio Bellusci, Vorea Ujko (Papas Domenico Bellizzi), Luca Perrone, Angela Cirincione, Arshi e Fehime Pipa, Zef Nekaj, Dom Zef Oroshi, Dom Prekë Ndrevashaj, Anesti Andrea; Nexhat Peshkëpia, Rexhep Bala, e sa e sa të tjerë.

Koleksioni i revistës Shejzat prej 80 vëllimesh (duke përfshirë edhe numrin përkujtimor kushtuar drejtuesit të saj Ernest Koliqit, botuar në vitin 1978, me rastin e 75 vjetorit të lindjes dhe 3-vjetorit të vdekjes) përbën pa dyshim një ndër koleksionet më të rëndësishme të periodikut shqiptar. Po ashtu këtë vit (1957), Koliqi boton në Firence vëllimin: Poesia popolare albanese, me tekstet shqip përballë përkthimit italisht. Krijimi i katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet italiane, si dhe zhvillimi i albanologjisë si lëndë universitare në to i detyrohet nismës dhe kontributit të Ernest Koliqit.

Veçanërisht i jashtëzakonshëm ishte roli i tij në botën arbëreshe, ku koordinimi, mbështetja dhe mbajtja gjallë e projekteve kulturore i dedikohet vetëm atij. Në vitin 1959 boton vëllimin Kangjelet e Rilindjes (me përkthimin në italisht, I canti della Rinascita), kushtuar arbëreshëve të Italisë, ndërsa një vit më pas romanin Shija e bukës mbrueme, në të cilën bën objekt trajtimi dramën shpirtërore të një të riu shqiptar në emigracionin e pasluftës. Dy vjet më pas përkthen dhe pajis me shënime sqaruese Këngën XXVI të Lahutës së Malcis, atë me titull “Koha e re”. Në vitin 1963 boton Antologia della lirica albanese (Antologji e lirikës shqipe), botim në të cilin për herë të parë u paraqitën në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikave të autorëve më të njohur shqiptarë. Po këtë vit riboton të ripunuara Shtatë Pasqyrat e Narçizit. Në vitin 1965 boton në italisht monografinë Albania, (Milano, 1965), si pjesë përbërëse e Enciclopedia dei popoli d’Europa. Ernest Koliqi do të mbesë në historinë kulturore shqiptare me dramën profetike Rrajët lëvizin.-Ngjarje me nji dukë, botuar në revistën Shejzat, (Vjeti IX/1965, nr. 1-2, kallënduer-fruer, f. 38-47), si i pari dhe i vetmi shkrimtar që në mënyrë gjeniale parashikoi rënien e regjimit komunist. Ndonëse teksti i kësaj drame u shkrua në Romë, ngjarja supozohet se ndodh në Shkodrën e tij, në vitet ’70, kur në Shqipëri diktatura kishte arritur rekorde krimi dhe ishte në kulmin e izolimit total të vendit.

Autori i këtij teksti unikal në letrat shqipe për nga gjetja e subjektit dhe kumti që përcjell e shndërroi autorin në një parashikues të rënies së diktaturës vetëm disa vite më pas, me një ekzaktësi mahnitëse, jo si kohë fizike, por si mbërritje shpirti kur në Shkodrën e “Gjurmëve të Stinëve” të atdheut të tij të shtrenjtë, të shndërruar me dhunë në vetmin vend ateist në botë, rinisin të kumbojnë magjishëm “kumbonët e Kishës së Madhe”.

Pas vdekjes së bashkëshortes më 4 maj 1969, vdekje e cila i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij, vitin më pas riboton poemthin Symfonija e Shqipeve (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936. Një vit mbas përkthen në italisht sërish nga Lahuta e Malcis katër këngë; XII-XV dhe në vitin 1972 publikon vëllimin me përmbledhje prej 17 esesh dhe studimesh mbajtur në konferenca të ndryshme me titull: Saggi di Letteratura Albanese. Në vitin 1973 përkthen sërish nga Lahuta e Malcis katër këngë (II-V), si dhe poetë të ndryshëm në faqet e revistës Shejzat si: Diego Valeri, Enrico Grassi, Emil Verhaeren, Charles Baudelaire. Krijimtaria letrare dhe studimore e tij gjendet në mjaft organe shtypi si: Hylli i Dritës, Ora e maleve, Gazeta Shqiptare, Leka, Minerva, Illyrija, Shkëndija, L’Albania Libre, Shejzat etj. Ernest Koliqi ishte padyshim personaliteti më i rëndësishëm i kulturës shqiptare jashtë kufinjve shtetërorë zyrtarë shqiptarë. Instituti i Studimeve Shqiptare si dhe gjashtë katedrat e albanologjisë në Itali: (Romë, Milano, Bari, Palermo, Napoli, Padova) kishin shtysën dhe mbështetjen e tij. Ernest Koliqi vdiq në Romë (Itali) më 15 janar 1975 dhe u varros më 18 janar.

Me vdekjen e tij kultura shqiptare humbi pa asnjë dyshim një ndër figurat më të mëdha dhe më elitare jo vetëm të letërsisë moderne shqiptare, por edhe të komunitetit të albanologjisë në tërësi përgjatë gjithë shekullit XX. Varfëria shpirtërore që la në familje, ndër miq, kolegë dhe ish studentë të tij, e mbi të gjitha në kulturën kombëtare shqiptare ka qenë e vijon të jetë e madhe, ngaqë ai ishte përfaqësuesi më i parë dhe i mbramë i kulturës shqiptare të shekullit të XX, që Shqipëria ia ktheu vendit fqinj Italisë, për kontributin e dhënë në albanologji, veçanërisht në mjediset e bashkësive arbëreshe, për të cilat ai pati meritën të ringjallte letërsine, kulturën, albanologjinë pas Luftës së Dytë Botërore.

Me humbjen e Koliqit qendra albanologjike që ai krijoj në Romë e humbi rëndësinë që kishte, sepse ajo tashmë nuk e kishte më organizatorin dhe jetëdhënësin e saj. Kjo qendër u transferua më pas në Palermo e Kozenca, falë intelektualëve arbëreshë, ngaqë pasuesit e Koliqit nuk patën as shtatin dhe as vizionin e tij. Arkivi i tij personal duhet të ishte përpunuar, sistemuar, kataloguar dhe botuar, por është për të ardhur keq që në epokën dixhitale as periodiku i tij Shejzat, tashmë një raritet albanologjik, nuk ka gjetur ende vëmendjen e katedrës së themeluesit të saj që të konsultohet online. Varri i Ernest Koliqit në varrezën “Prima Porta”, në Romë, duhet të kthehet në një peligrinazh kulturor kombëtar për atë çfarë ka dhënë ky burrë fisnik i kulturës arbërore.

Historiografia jonë e lodhur dhe e ngarkuar me stereotipe të së shkuarës duhet të sqarojë drejt pozicionimin politik dashakeqës e mënjanues ndaj Ernest Koliqit, i cili ende konsiderohet si bashkëpunëtor i fashizmit “kolaboracionist”, ndërkohë që pena e tij nuk ka firmosur asnjë urdhër ekzekutimi vrasjeje në favor as të fashistëve e as të komunistëve “dashamirë” jugosllavë, gjatë kohës që ai ishte zyrtar përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi. Rasti i marrjes nën mbrojtje të dijetarit Norbert Jokl-i, përbën faktin më kuptimplotë që përgënjeshtron heshtjen ndaj tij.

100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti atdheun e Ernest Koliqin pa një shtatore domethënëse dedikuar atij, ndërkohë që ai duhet të ishte mu para dikastereve ku punoi mbi të gjitha para Akademisë së Shkencave e Shqipërisë e cila nuk është kujdesur t’ia botojë së paku veprën e tij të plotë. Heshtja ndaj Koliqit e justifikuar herë si pamundësi financiare dhe herë si padije apo për më tepër edhe si gjithëdije me tagër vlerësimi dhe qëndrimi skajshmërisht ideologjik, në vijim të qëndrimeve të historiografisë zyrtare komuniste të periudhës 1945-1990, rreth figurave të tilla si At Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Anton Harapi, Lef Nosi, Don Lazer Shantoja, At Bernardin Palaj e ndonjë tjetër, nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë sjelljeje dhe qëndrimi konstant aspak dashamirës që mbahet ende sot në fuqi nga mbetjet e kalcifikuara dhimshëm të ideologjisë së asaj periudhe që vegjeton për inerci në traun e ekulibrit në kushte lirie.

Formati intelektual i Mustafa Krujës, Ernest Koliqit, Anton Harapit, Lef Nosit e shumë të tjerëve si ata, nuk mund të përzihet me plehun partizan dhe shkulmin e duhmës lindore të rrasur me përdhunë në strajcën ideologjike të një kohe që iku për lesh e që po përjarget këmbadorazi me mërmërima dëshpëruese për ta vënë vetveten në krye të punëve kundruall varreve dhe gjakut që qelbet në shtëpinë që vetë komunistët rrënuan për gjatë 45 vjetëve. Të gëzuar fort se kemi fituar lirinë, në asnjë mënyrë nuk duhet ta shesim atë mbas 25 vjetëve për hir të injorancës së servilëve dhe shërbestarëve e spiunëve të një kohe që vegjeton në vajin e djegur me të cilin përvëluan dhe poqën për 45 vjet ajkën e kulturës dhe intelektualizmit shqiptar. Nuk duhet të kthehemi mbrapa në një udhë që tashmë e kemi shkelur duke shtuar edhe një tjetër përvojë e një tjetër vizion dhe sigurisht edhe një tjetër formim, anipse me vonesë; atë të shkrimit të historisë duke u qëndruar sa më besnikë historibërësve. Në një letër që Koliqi i dërgon mikut të tij Karl Gurakuqit më 3 dhjetor 1960 shprehet me fjalë testamenti: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët qi më drejton me rasën e 28 nandorit dhe për urimet qi më ban…Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë me mende të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituam, mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna qi kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimi letrar qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindjet breznive t’ardhshme”.

Ky rrëfim i shkurtër për këtë burrë të madh është vetëm një shenjë e vogël përkujtimi në këtë përvjetor të dyzetë të ikjes së tij nga kjo botë, një dëshmi kjo për të kallëzuar se nuk shlyhet fort kollaj ajo çfarë Koliqi bëri për atdheun dhe kombin e tij, të cilët nuk kanë mundur deri më sot t’i jenë mirënjohës ashtu si duhet dhe si e meritonte ai.

Nuk po zgjatem mâ-do të thoshte Koliqi, dhe kësisoj edhe unë po përfundoj këtu, me shpresën që ata që e kanë përgjegjësi institucionale promovimin e vlerave të një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare të shekullit XX, sikurse ishte Ernest Koliqi, ashtu sikundër dhe të gjithë ne të tjerët së bashku, ta kenë dhe ta kemi në vëmendje të shtuar veprën që ai na la. Në këtë kuptim duke përkujtuar atë dhe duke u përkujdesur për veprën e Ernest Koliqit nuk jemi ne që i bëjmë nder atij; përkundrazi, jemi ne përfituesit e hireve të tij.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »