NJERIU ËSHTË AI QË PRIRET NGA DHUNA

Jan 16 • Opinion

Një Komenti rreth ‘Charlie Hebdo’ 

Shkruan: Christian RUTISHAUSER SJ

Religjionet/fetë ndodhen në bankën e të akuzuarve. Jo se ato do të ishin opium për popullin. Këtë funksion sot e kanë argëtimi dhe konsumi. Religjionet po akuzohen se u prirkan në vetvete nga dhuna dhe kështu nga padrejtësia. Në fakt, të jesh besimtar qenka jo etike. Disa vite më parë, një pretendim i tillë vështirë se do t`i shkonte dikujt në mendje. Besimtari konsiderohej i pandriçuar, por jo si jo etik. Megjithatë, kur ngrihen akuza, ka nevojë për një shqyrtim të ankesës. Pa mbrojtës/avokat s`ka proces ligjor. Nuk është fjala për apologji, por për ndershmëri. Jo vetëm masat i nënshtrohen lehtë mekanizmit të dashit të kurbanit, por edhe të arsimuarit gjithashtu, veçanërisht në qoftë se ata ndjehen parimisht të vënë në dyshim.Fetë për shkak të pretendimit të tyre për të vërtetën po shpallen të dhunshme. Me këtë akuzë e ndjejnë veten të sfiduar veçanërisht Judaizmi, Krishterimi dhe Islami. Përnjëmend s`është lehtë për të përcaktuar raportin e unitetit dhe të shumëllojshmërisë, por, lidhur me këtë ekzistojnë modele konceptuale. Më e vështirë është çështja lidhur me të vërtetën. Kur njerëzit fetarë besojnë se ata e posedojnë atë (të vërtetën), ata vërtetë e kanë gabim. E vërteta s`është një objekt. Ajo është më e madhe se njeriu ose një shfaqje historike-konkrete e një feje. Besimtarët duhet ta dinë këtë, sepse s`mund të bëhen imazhe të Perëndisë dhe ai është në fund të fundit mister, jo enigmë. Njerëzit janë të ekspozuar ndaj së vërtetës. Në judaizmin e rabinëve ajo (e vërteta) është e futur në një interpretim-dialog të gjallë. Në Islam ajo shfaqet tradicionalisht në shkollat ​​juridike (e së drejtës). Në krishterim, e vërteta është e personalizuar. Ajo tregohet në jetën e Jezu Krishtit, i cili thotë për veten e tij se ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14,6). Mirëpo çështja e së vërtetës nuk është vetëm një fenomen fetar. Filozofia merret me të, dhe botëkuptimi laik bazohet në shkencë me pretendimin e saj për të vërtetën. Dhe ky modernizëm ka lënë gjurmë të thella dhune në Evropë dhe në botë.

Udhëheqësit fetarë shpesh po e pohojnë se besimtarët e tyre që kryejnë dhunë s`e kanë kuptuar fenë e tyre siç duhet. Besimi fetar po instrumentalizohet (shfrytëzohet) politikisht. Por ata duhet të pyesin se pse besimi fetar lejon të instrumentalizohet politikisht. Ose a mos është politika në vetvete e prirë nga dhuna? Modernizmi me shtetet e tij nacionale nxori nacionalizmin agresiv dhe luftërat. Për këtë arsye askush s`po kërkon që politika të mposhtet, siç bëhet kjo kur është në pyetje feja. Po matet në mënyrë të pabarabartë. Megjithatë, edhe politika nuk guxon të bëhet dash i kurbanit.

Origjina e dhunës duhet të merret në konsideratë. Asaj i pëlqen të mbulohet: i dhunshëm është njeriu! Ai dëshiron të konkurrojë kundër të tjerëve. Ai ka një potencial agresioni në vetvete, që veçanërisht shpaloset kur ai ndjehet i kërcënuar. Mbrojtja kundër lëndimit dhe frika nga të tjerët, për të mos thënë nga të huajt, janë burim i dhunës. Në kolektiv ajo duhet të zbutet dhe të kanalizohet. Filozofi i religjionit René Girard (René Zhirár) si analist i dhunës mendon se identiteti kolektiv krijohet përmes njësimit nga brenda dhe shmangies së agresionit nga jashtë. Duhet përdorur dhunën ajo instancë që e ka për detyrë të krijojë rend shoqëror dhe identitetin kolektiv. Tradicionalisht, feja e kishte këtë funksion. Ajo kishte për të rregulluar dhunën publike, siç është rasti në shumë pjesë të botës sot e kësaj dite, ku shteti ligjor është zhvilluar dobët.

Në shoqërinë laike, politika e ka marrë përsipër këtë funksion. Shteti me monopolin e tij të pushtetit ka krijuar policinë dhe ushtrinë, ushtron pushtetin/forcën. Në një botë të globalizuar, kontrolli i dhunës zhvendoset edhe në drejtim të ekonomisë. Se rendi social dhe ekonomik perëndimor po e fsheh dhunën e vet dhe po e projekton atë mbi fenë, më duket se është thelbi i nxitjes aktuale kundër Islamit. Pasi Krishterimi dhe Judaizmi janë nanurisur në dekadat e fundit në Evropë dhe janë bërë të dobishme për qëllimet e veta, Islami është armiku i ri. Merreni shembullin e Irakut: Në emër të demokracisë perëndimore dhe të drejtave të njeriut shkatërrohet një sistem politik – që ishte gjithçka tjetër veç jo i drejtë. Lufta shkatërroi një shoqëri të tërë. Megjithatë, varësia nga nafta, që shtetet arabe i ka ngrënë tashmë përbrenda, është arsyeja më e thellë se pse është bërë përpjekje e madhe për të ndihmuar në përcaktimin e politikës në Irak.

Vendosja e ligjit perëndimor ka dështuar. Dhe kur njerëzit në këtë vakum kërkojnë mbështetjen në religjion dhe forcojnë veten në luftë dhe radikalizohen, Islami paraqitet si ende i pandriçuar dhe fundamentalist. Por që fundamentalizëm nuk do të thotë vetëm prapambetje, por se është bashkë-prodhuar nga politika dhe ekonomia perëndimore, anashkalohet. As Islami as fetë nuk janë thjesht të dhunshme. Duke folur me Freud-in, fundamentalizmi është kthimi i fesë së ndrydhur. Islamizmi nuk është për t`u justifikuar, në të kundërtën. Atë mund vetëm ta luftosh. Por t`i karakterizosh Islamin dhe fetë e tjera si të dhunshme në vetvete, do të thotë t`u hedhësh rërë syve.Fetë kanë kontribuar shumë pozitivisht në zhvillimin e kulturave, sikurse politika dhe ekonomia. Në të tri fushat, ka pasur edhe rrëshqitje të papërshkrueshme. Mbi të gjitha, feja duhet të sigurojë atë që është më etike. E megjithatë, ajo nuk guxon të akuzohet më shumë se politika apo ekonomia. Njerëzit duhet ta marrin përgjegjësinë. Faji nuk duhet të hidhet te tjetri. Nëse dikur në pyetjet e teodicesë vihej Perëndia në bankën e të akuzuarve dhe duhej të mbrohej pse bota nuk është më e mirë, sot, pas vdekjes së Perëndisë, fetë po thirren për të dhënë llogari. Por pyetja e antropodicesë duhet të shtrohet: Pse, o njeri, je kaq i dhunshëm? A mund ta marrësh përgjegjësinë? E pra, i vendosur në bankën e të akuzuarve, njeriu domosdo ka nevojë për një mbrojtës. 

Modernizmi me shtetet e tyre nacionale nxori nacionalizmin agresiv dhe luftërat (në foto varret e luftës në Verdon (foto: imago stock&people).

(Burimi: www.nzz.ch – 9 janar 2015; Autori Christian Rutishauser është provincial i Jezuitëve të Zvicrës; Përktheu nga gjermanishtja: Shtjefën Dodes SJ) 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »