GJERGJ KASTRIOTI – FRYMËZUES I PËRHERSHËM I KRIJUESVE TANË

Jan 17 • Letërsi

Shkruan: Xhavit BEQIRI

Ky tekst është shkruar me synimin që të rikujtojë se, tërë këta shekuj, figura e Kastriotit ka mbetur më e parapëlqyera për shumë poetë, shkrimtarë e studiues shqiptarë.
Kryeheroi shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405 – 1468) ka qenë një burim i pashtershëm frymëzimi për krijues e studiues të profileve të ndryshme, të cilët kanë shkruar vepra e studime të shumta për këtë figurë madhore të historisë sonë kombëtare. Ndër të parët që shkroi libër për Skënderbeun ishte Marin Barleti. Ai, rreth viteve 1505 – 1510, botoi librin latinisht “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis” (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit). Ky libër është lexuar dhe përkthyer gjerësisht në shekujt XVI dhe XVII dhe përbën një burim themelor të dhënash për Shqipërinë e shekullit XV.

Barleti krijoi kultin e Skënderbeut

“I ndikuar fort në stil e në mendim nga historianët romakë, sidomos na Livi (vitet 59 para Krishtit – 17 pas Krishtit), Barleti e frymëzoi lexuesin e shekullit gjashtëmbëdhjetë, pikërisht kur turqit ishin te portat e Vjenës më 1592 dhe që përherë e më shumë po e zinte ankthi i mundësisë së një pushtimi turk të Evropës Perëndimore”, shkruan Robert Elsie në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare”. Sipas tij, “Barleti gjithashtu hodhi themelet e asaj çka vetëm mund të quhet kult i Skënderbeut për shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë, duke shprehur një nderim të thellë, pothuajse si shenjtor për heroin kombëtar shqiptar, si simbol dhe thelb i qëndresës ndaj sundimit të huaj”. (Po aty, f. 20).
Edhe teksti i “Formulës së pagëzimit”, i vitit 1462, që thotë: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt) është i një miku e këshilltari të ngushtë të Skënderbeut, i Pal Engjëllit (lat. Paulus Angelus, rreth 1417 – 1470), arqipeshkëv i Durrësit.

Frang Bardhi (1606 – 1643), autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 30 maj 1635, ka botuar gjithashtu një traktat shtatëdhjetë e gjashtë faqesh latinisht për Skënderbeun, të titulluar “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeu, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i Epirit, i kthehet popullit dhe vendit të tij”, me të cilin ai hedh poshtë synimin e peshkopit boshnjak Tomeus Marnavitius që heroin kombëtar shqiptar ta nxirrte me origjinë boshnjake.

Jeronim De Rada (1814 – 1903), poet nga fshati arbëresh Maki i Kozencës, i cilësuar si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare, në katër botime nxori veprën “Scanderbeccu i pafaan” (Skënderbeu i pafat). Ndërkaq, poeti tjetër arbëresh Gavril Dara i Ri (1826 – 1885), poemën “Kënga e sprasme e Balës”, e cila u botua e plotë vetëm më 1906, ia dedikon “motit të madh”, pra periudhës së Skënderbeut.

Bernardin Bilota (1843 – 1918), vjershëtor, filolog e mbledhës folklori nga Kalabria e Veriut “lëvroi temën shumë të dashur në letërsinë shqipe, atë të Skënderbeut, me poemën epike popullore më 10.000 vargje “Shpata e Skanderbeut ndë Dibër Poshtë”, botuar e plotë në Tiranë më 1967”. Kjo poemë historike me 13 këngë u nis më 1874 dhe përfundoi më 1890, dhe është me interes të veçantë për shqiptarët në kontekstin e zgjimit kombëtar në gjysmën e shekullit XIX. Megjithatë, do theksuar se kjo është një vepër pak e përpunuar artistikisht.

Vinçenc Dorsa, i lindur në Fransitë të provincës së Kozencës më 1823, botoi librin “Sui gli Albanesi, ricerche pensieri” (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), Napoli 1847. Libri përmban mjaft të dhëna, të para në dritën e shekullit XIX, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë.

 Poemën “Istori’ e Skenderbeut” Naimi e çmonte si kryevepër të tij

 Naim Frashëri (1846 –1900), njëri ndër poetët e intelektualët më të shquar shqiptar të shekullit XIX, botoi më 1898 një poemë epiko-historike me 11.500 vargje me titullin “Istori’ e Skenderbeut”, të cilën ai duhet ta ketë shkruar rreth vitit 1895. Vetë Naimi këtë poemë e çmonte si kryevepër të tij, ndonëse ajo vuan nga “retorika didaktike e moralizuese si dhe nga një ndarje e prerë e bardhë e zi e protagonistëve”. Veprën, si shumicën e krijimeve të këtij autori, e mbyt sentimentalizmi. Sidoqoftë, vlera e poemës “Istori’ e Skenderbeut” e Naimit është mjaft domethënëse, veçanërisht për mesazhet e saj sociopolitike, filozofike, fetare etj.

Jani Vreto (1820 – 1900), nga fshati Postenan afër Leskovikut, të cilin Faik Konica e quante “grekoman”, shkroi më 1847 poemën “Istori e Skënderbeut”, e cila u botua vetëm pas një gjysmëshekulli, më 1897, në organin periodik të Bukureshtit “Shqipëria”. Vretoja, adhurues “i përjetshëm” i kulturës helene, ishte më shumë i njohur si eseist, ndaj poema e tij nuk zgjoi asnjëherë ndonjë interesim te lexuesi e kritika.

Ndre Mjeda (1866 – 1937), poet i njohur nga Shkodra, është autor i vjershës “Vorri i Skanderbeut”, si dhe i odes së shkëlqyer “Shqypes arbnore”, botuar së pari nga Fulvio Kodinjano më 1931, në të cilën, po ashtu, i këndon figurës së Skënderbuet.

Fan S. Noli (1882 – 1965) botoi më 1921 në Boston te “Dielli” studimin historik “Historia e Skënderbeut” (Gjergj Kastriotit), që mbeti për shumë kohë vepra e tij më e popullarizuar.
Mehdi bej Frashëri (1874 – 1963) botoi dramën historike me pesë akte “Tradhëtia”, Tiranë 1926, me subjekt nga koha e Skënderbeut. Kjo dramë është botuar edhe nga ShB “Faik Konica”, Prishtinë 2000.

Prifti jeziut Anton Xanoni (1862 – 1915) botoi dramën “Skënderbegu ose t’liruemit prej zgjedhës së turkut”, Shkodër 1917. Kjo pjesë me pesë akte, e shkruar më 1914 dhe e botuar tre vjet më pas, u ka mbetur besnike fakteve historike të kohës, veçori që e dallon nga veprat e tjera letrare me këtë temë.

 Dramaturgu dhe poeti elbasanas, Etëhem Haxhiademi (1902 – 1965), shkroi pjesën pesaktëshe “Skënderbeu”, të cilën e botoi më 1935. Kjo vepër është një tragjedi, citojmë autorin, “subjekti i të cilës asht heroi kombëtar Skënderbeu; themë e marrun prej historisë s’onë ma të këthjellët”.

Në kohën e Skënderbeut na kthen edhe romani “Kështjella”, Tiranë 1970, i Ismail Kadaresë. Ky roman, me titull simbolik, është njëra ndër realizimet më të dalluara artistike për epokën e heroit tonë kombëtar. Por, duhet rikujtuar se kritika jo pa mbështetje ka tërhequr vërejtjen se kjo vepër “historike” e Kadaresë në fakt është një aluzion i qartë për Shqipërinë politike të viteve ’60 të shekullit XX.

Sabri Godo më 1975 botoi në Tiranë romanin historik “Skënderbeu”, i cili, “me mënyrën e vet të shkrirjes së faktit real me trillimin, bën kontrast interesant me romanin e Ismail Kadaresë me të njëjtën temë, “Kështjella”, botuar pesë vjet më parë”.

Bilal Xhaferri shkroi romanin “Krastakraus” (Ra Berati), i cili gjithashtu temën e merr nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Natyrisht, për Skënderbeun dhe epokën e tij kanë shkruar edhe poetë, shkrimtarë e studiues të tjerë. Në një tekst si ky është e pamundur të përmenden të gjithë. Megjithatë, të gjitha shkrimet letrare që kanë të bëjnë me Skënderbeun kanë një tregues të përbashkët: ato e ngrenë lart këtë figurë madhore të historisë sonë kombëtare, kur e kur duke dhënë edhe vepra me vlerë të qëndrueshme estetike.

(Tekst i botuar në shtypin tone!)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »