GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU, HEROI YNË KOMBËTAR

Jan 17 • Histori, Kulturë

Në 547 përvjetorin e vdekjes

Sot, përkujtojmë Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në 547-vjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Europës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti ishte i pari që realizoi bashkimin e shqiptarëve në Lidhjen e Lezhës, guri i parë drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Kësaj radhe, duam ta kujtojmë me një fjalim të Papës Pali VI, i cili më 25 prill 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, u fliste atdhetarëve të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist e shqiptarët në përgjithësi ishin të shpërndarë gjithandej botës, kurse trojet shqiptare (Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni etj.) përjetonin padrejtësi e trysni. Shembull i gjallë, që tregon se Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar.

Ja ç’pati thënë Papa Pali VI:

Të dashur bij të Shqipërisë,
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë dëshirë: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore.

Teksti: www.radiovaticana.va në gjuhën shqipe

Shpërndaje

Comments are closed.

« »