SKENDERBEU, DY TINGELLIMA TE PANJOHURA NE 541 VJETORIN E VDEKJES

Jan 18 • Letërsi

Shkruan:  Ledi SHAMKU SHKRELI 

Ka një debat të rëndësishëm mbi Gjergj Kastriotin këtë periudhë në Shqipëri. Por duket se edhe jashtë saj. Në t’vërtetë ky debat nuk është aspak i ri, ka mbi pesë shekuj e gjysëm që mbahet i ndezur. Nëse do rreshtoheshin këtu emrat e atyre që shkruan mbi këtë hero të Europës, nuk di kush do të mbetej jashtë. 
E në fakt Skënderbeu i vërtetë nuk është tjetër pos asaj miksture që ka mbetur gjallë në imagjinatën e njerëzve, në shkrimet e humanistëve të Rilindjes Europiane, në legjendat e maleve dhe kullat e Macukullit, në shkrimet kritike bashkëkohore e në ëndrrat e fëmijëve tanë; është njeriu që e futi vrullshën popullin shqiptar në historinë e popujve modernë; është ati ynë i përbashkët tokësor. 

Këtë përkatësi atnore do të ketë ndjerë edhe bujari Lek Pervizi kur është ulë për të përkthyer shkrimin madhor të Dhimitër Frangut “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” (Arbëria 2007), sipas ribotimit të 1584-ës me titull “Gli illustri et gloriosi gesti, et vittoriose imprese, fatte contra Turchi dal sign. D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epiro”. Botesa e librit u nxit prej Girolamo Angelo Flavios, pinjoll i Engjëlloreve (Êjllorve) të Drishtit dhe siç deklaronte ai vetë, stërnip i Kastriotit të Madh. Por nuk do të flas këtu mbi këtë përkthim të vyer, për të cilin Shqipëria ruante prej shekujsh një borxh të dyfishtë (ndaj Heroit dhe ndaj At Dhimiter Frangut që e shkroi); në këtë përvjetor të 451-të të vdekjes së Kastriotit dua ti sjell lexuesit tonë dy tingllima, a sonete, që ndodhen në botimin shqiptar e që i kushtohen pikërisht atij. 

Në shenjë falenderimi ndaj përkthimit të Pervizit, por edhe për shkak të dimensionit veçanërisht epik të poezive, shqipërimet e këtyre tingllimave vendova ti bëj në koinenë gege (tjetër borxh ky ndaj “gjuhës sonë shqyptare”). Tingllima e parë titullohet “Skanderbegut të pamposhtun” dhe është shkruar nga Luigi Groto (1541-1585) njohur si i verbti i Adries; ndërsa tingllima e dytë quhet “Mbi vorr të Skanderbegut”, dhe është konceptuar në latinisht nga Gabriele Faerno (1510-1561). 
Vargnimet e kësaj natyre hasen rëndom në poezinë e Rilindjes Italiane dhe ndryshojnë nga tingllimet (sonetet) klasike. Kjo ka qenë edhe një nga sfidat në shqipërimin e këtyre dy soneteve, të papërkthyera më parë ndër ne. Shqipërim i cili përveç aspektit teknik, paraqiste edhe vështirësi të karakterit historiko-gjuhësor, pasi një pjesë e fjalëve të italishtes, në mënyrë të veçantë në poezinë e Groto-s, ka ndërruar kuptimësi në këto katër shekuj e gjysëm. Kështu fjalët novo, invitto, fero, par, opri etj. në italishten e sotme, kanë ndryshuar formë (psh. invitto, sot: invincibile), por kanë ndryshuar edhe hierarkinë e kuptimësisë (psh. opri, sot apri, dikur përdorej në kuptimin zbuloj). E gjithaq vërehen edhe forma rudimentale të latinishtes vulgare që asokohe gëlonin në italishten e Pesëqindës (ad huom non lice). 

Tingllimi “Dell’Invittissimo Scanderbeg” (“Skanderbegut të pamposhtun”) ndjek në pikëpamje prozodike, por edhe në atë poetike, modelin e konsoliduar të një tradite apologjike, e cila është dhe karakteristikë e rimatorit të njohur venedikas Luigi Groto. Tingllima këtu i përmbahet vargëzimit me dy korpuse: nistori duket si një strofë tetëvargëshe, por në fakt është i përbërë nga dy strofa katërshe të tipit a/b/b/a. Nga ana tjetër, këto strofa lidhen së bashku pasi a-ja dhe b-ja e katërshes së dytë rimojnë me të njëjtin tingull e kadencë me katërshen e parë. Ndërsa korpusi i dytë ndryshon nga i pari pasi nuk ndahet aq thjeshtë në dy grupime (3+3), pasi këtu kemi një thyerje të strukturës së korpusit nistor, duke kaluar në një vargnim të tipit a/b/c+a/b/c. Në këtë rast a-të dhe b-të nuk rimojnë me ato të korpusit të parë. 
Groto e përmbyll këtë sonet me një lojë të hollë e të këndshme fjalësh ndaj emrit Angelo-Engjell, me të cilin ka njiherit parasysh qoftë nxitësin e botesës, Angelo Flavion, stërnip i Skanderbegut, qofte edhe engjellin si banor të Qiellës e t’amshimit, që ndryshe ka ne, banorët e tokës, ka fuqinë t’i rrokë ngjarjet e figurat prej së larti e të përshkruajë kësisoj ç’përmasa të përbotshme ato kanë.

Sa i takon tingllimit të dytë, duhet theksuar që në krye se këtë nuk e kemi sjellë në shqip nga origjinali, i cili është shkruar në latinisht dhe përshfaqe që në motin 1531, por nga përkthimi italisht i Anonimit të Palermos të një libri mbi historinë e Gjergj Kastriotit, përshfaqur më 1845 në Siqeli. 
Dëshprimi për grabitjen e eshtrave të Skanderbegut dhe humbja e mundësisë për ta kthyer mauzoleun e tij në një altar të frymëzimit për luftë ndaj turqve, i dha shkas autorit më të madh neo-latin të kohës, poetit nga Kremona, Gabriele Faerno t’i kushtojë këtë tingllim fatosit shqiptar. Poezia përzgjidhet me kast nga humanisti i shquar italian Paolo Giovio, si një paradigmë e Feniksit që rilind nga vdekja e vet, me rasën e ribotimit të veprës “Jeta e njerzve të shquem”, në vjetin 1577. 

Sikurse shihet, “Mbi vorr të Skanderbegut”, nuk përman elemente të italishtes së vjeter duke dëshmuar një moshë më të pjekur të gjuhës dhe ndonëse i sjellë në italishten e shek. XIX, tingllimi i përshtatet bukur mirë në strukturë formës së Rilindjes. Tingllimi në origjinalin latin del të ketë pasur pesë radhë më tepër dhe një metrikë të ngjashme, ndonëse me trok të ndryshëm, ndërsa sa i përket kuptimit shmangiet janë thuajse vetëm të natyrës stilistikore. 
Por kush ishin këta dy autore, poete të Rilindjes Italiane? 
Luigi Groto apo siç njihej në rrethet letrare të kohës, i Verbëti i Adries (il Cieco d’Adria) ishte letrar, tragjediograf dhe rimator italian (lind në Adrie 1541 – vdes në Venecje 1585). Që fëmijë humbet të parit e për këtë do quhej dhe i Verbëti i Adries, por pavarsisht nga kjo, ja del të bëhet njeri me kulturë të gjerë humaniste e të zhvillojë një aktivitet të gjerë letrar (ndonese do vdiste i ri). 

Shkroi tragjedi, komedi, drama baritore, poema latine dhe rima të ndryshme, por thjeshtëzoi për gjindjen e thjeshtë edhe vepra të antikitetit. Në tragjedinë e tij të parë, Dalida, përshfaqë më 1572, por shkruar shumë më parë, Grotto shfaq një talent të padyshimtë dramatik dhe abuzon më pak se bashkëkohësit me sentenca dhe retorikë. Ndërsa nisur nga tragjedia e dytë e tij, Adriana (botuar ne vjetin 1578), e që ka për subjekt historine e dy të rinjve fatkeq në dashuri, Latino e Adriana, Shekspiri kohë më vonë do të krijonte Romeo e Xhuljetën. Në një prej komedive, Emilia (1579), Groto zgjeron Epidicusin e Plautit, por veç komedive e dramave të tjera, vepër tjetër e rëndësishme e tij janë Ligjeratat Popullore (le Orationi volgari) të botuara në Venedik më 1589. Trupi i tij sot pushon në katedralen e Adries (Itali). 
Gabriele Faerno, poet latin i shek. XVI, lindi në Kremone në Lombardi, aty nga viti 1510. Pati për mbrojtës dhe mecenat Papa Piun VI, i cili do ta tërhiqte atë në Romë pranë tij, duke i hapur kështu rrugën e suksesit. Faerno ka hyrë në historinë e letrave europiane si fabulist, poet dhe kritik i Pesqindës dhe është konsideruar nga pasardhësit si “humanista proper”. 
Vepra që i dha famë ishte “Përmbledhje Fabulash” (Centum Fabulae ex antiquis scriptoribus delectae) shkruar me një stil tepër elegant, që u botua së pari në Romë më 1564, pasi ai kish vdekur. “Përmbledhja” njohu një sërë botimesh luksoze dhe kohët e fundit edhe disa botime kritike. Vlen të përmendet se kur Faerno kompozoi fabulat e tij, s’qenë zbuluar ende ato të Fedrit, ndonëse më pas u pretendua se ai i kish njohur që më parë ato, por pretendimi nuk u provua kurrë. 
Shkroi dhe një sërë vargnimesh në latinisht për njerëz të shquar dhe në përgjithësi konsiderohet si autori më i madh neo-latin i Papa Piut IV (1559-1565). Faerno vdiq në Romë më 1561, ku dhe u varros.

Dy tingëllima për Skenderbeun

LUIGI GROTO (1541-1585)

Tingellima I

Skanderbegut te pamposhtur

O Lekë i përtrimë, ty jo Orienti sall 
Po vetë hijerandi Sundimtar’ i tij 
Ta sdriti aj ngadhnjimin e dha deshmi 
Mbi qendresë tanden e zulmen qi s’tu ndal 
Tjetri Aleksandër, qi flakcat i janë shgalë 
Shkrimtarin e lakmoi, po Grekun delì 
Ti s’kishe me e resue, sikur n’mjeshtrì 
Homerit pos verbnisë t’i gjitsha, edhe n’fjalë

Po meqë s’i lejohet t’gjallit me’j permendë 
Bâmat e tua t’nalta, e t’shêjten lavdi 
Nji Engjëll, veç ai mund ta rrëfejë 
Lum ti Engjëll, qe zbulove se ke mbrendë 
T’tillë Fatos mes Etënve tij; e lum ai 
Se ka ndër nipa nji bisk t’ndert e t’dêjë

Dell’Invittissimo Scanderbeg

Novo Alessandro, à cui non l’Oriente 
Ma il Regnator dell’Oriente altero 
Chiarì di se trionfi, e vanto vero 
D’un’invitto valor diede sovente 
L’altro Alessandro àlle faville spente 
Lo scrittore invidiò, ma al Greco fero 
Tu non invidieresti, se ad Homero 
Qual d’occhi par, di stil fos’io, e di mente

Ma poi che’l rinovar gli alti tuoi gesti. 
E le tue sacre palme ad huom non lice; 
Il rinovarli a un’Angelo e prestato. 
Felice Angel chel’opri, e che vedesti 
Tale heroe tra suoi Avi: e lui felice, 
Che fra i nipoti un n’ha si illustre, e grato

Tingëllima II

GABRIELE FAERNO (1510-1561)

Mbi vorrin e Skanderbegut

N’vorr tand o Gjergj, u shqymb e ra 
Rrenim’ i Turqve, i Epirit rojë 
Eshtënat tua mbetun pa mprojë 
Viseve u shperndanë gjithkaa 
Skurrjala që n’dhè duhej me prâ 
E prej anmiqsh mos t’kish cenojë; 
Aq emni yt lavdinë naltoi, 
Sa n’mija grima u thy e u nda.

Se kur ti botën e t’gjallëve le, 
Hyjnor at korp hasmi e kujtoi, 
Që mund t’i yshtte vloj’ e guxim. 
E fama, që tjerëvet mauzolé 
Grish me ju ngrehë, ty ta mohoi; 
Dhe po prej tyne bujë t’dha e nderim.

 Sul sepolcro di Scanderbeg

Dentro il sepolcro tuo Giorgio, si chiuse 
La ruina de’ Turchi, e la difesa 
D’Epiro; e l’ossa tua senza contesa, 
In molti luoghi fur sparse e diffuse. 
Le membra, che dovean riposar rinchiuse 
E non sentir più del nemico offesa; 
Tal del tuo nome fu la gloria accesa, 
Che in mille fur rotte e confuse.

Perche lasciando il mondo con la vita 
Il corpo tuo, fu dai nemici tuoi 
Divino, come per pigliar valore. 
E la virtu, che a dar sepolcro invita 
Agli altri, a te la tolse; ed ella poi 
Coi medesimi ti dié fama ed onore.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »