LEADER TË VËRTETË DHE ATA FALS

Jan 21 • Res socialis

Shkruan: Rocco D’AMBROSIO* 

A ekzistojnë leader të vërtetë? Si mund t’i dallojmë nga të pavërtetët apo leader-ët fals?

Mund të quhet leader, kryetar, mjeshtër, përgjegjës, dëshmitar, personalitet, bari, udhëheqës e kështu me radhë; varësisht prej rasteve, ai person i cili ka aftësi tërheqëse, dhe që ka ithtarë, duke përdorur aftësitë e tij fizike, intelektuale, emotive, apo përgjithësitë, në kombinime të ndryshme, të tria bashkë. Leadershipi është një tematikë jo e lehtë, që paraqet shumë aspekte dhe, për të bërë një sintezë, do të duhej një ndërmarrje e madhe. Në fakt, këtu s’më intereson shumë kjo sintezë. Ajo që më intereson është Jezusi.

A ishte Jezusi një leader? Sigurisht se po. Por çfarë tipi i liderit ishte ai? Për ata që besojnë: më i miri që ka ekzistuar ndonjëherë, është ai që ka sintetizuar më të mirën njerëzisht të mundshme.

“Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën:“Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?” “Ejani e shihni!” – u përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës katër pasdite. Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!” Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb).” ( Gjn 1, 35-42).

Nga ky fragment i Ungjillit të Gjonit, mësojmë për leadership-in e Jezusit. Kjo pjesë, ka një element fundamental: shikimin. Janë shikimet e Gjonit, të apostujve, të Jezusit, të Andresë, të Simonit. Të gjithë janë të përqendruar, kureshtarë, të interesuar, plotë emocione, të përcaktuar për Jezusin apo të provokuar prej tij.

Ndoshta këto shikime japin shumë për të mësuar, qoftë për atë që tashmë është një leader; qoftë për atë që dëshiron të bëhet; qoftë për atë që është në kërkim të leader-ëve të vërtetë, sepse është i lodhur nga nëpërkëmbja e gjysmë-figurave, shitës stofash e premtimesh.

Të fillojmë nga shikimi. Një leader shikon në sy. Nuk ju ikën, por i kërkon për të komunikuar në mënyrë të thellë. Papa Françesku ka thënë për Revistën “La Civiltà Cattolica”  (Qytetërimi katolik): “Unë mund të shoh individët, njëri pas tjetrit, dhe të hyj në kontakt në mënyrë personale me atë që e kam para vetes. Nuk jam i mësuar me masat.”

Leader-i kërkon zemrën e personave nëpërmjet syve. Sepse, ashtu siç thoshte Kardinali Newman, cor ad cor loquitur, zemra i flet zemrës. Jezusi ju flet zemrave. Ai, ju fjet zemrave, sepse s’është shitës i gënjeshtrave apo zgjidhjeve të lehta, por grish në hulumtim: Ejani e shikoni. Jezusi ju flet zemrave, sepse Ai e ka në mendje çdonjërin dhe ka një projekt me secilin prej nesh. Takimi me të s’është një ngjarje, në kuptimin mediatik, por përcakton një ngjarje, sepse e çel jetën tonë të vobektë për horizonte të reja.

Rileximi i faqeve të Ungjillit do të duhej të na rritte mallin për të arritur një leadership të vërtetë. Jo vetëm të na shpie për ta dashur më tepër Krishtin, por, të na ndihmojë të bëhemi të shkathtë në këtë botë. Leader të vërtetë, sot, si në të kaluarën, ka pak. Shumë që e hamendësojnë vetën të tillë, jo vetëm se nuk shikojnë në sy, as nuk ju flasin zemrave, por e kanë kokën dhe zemrën e tyre plotë vetvete, aq sa s’mund të prijnë askënd, në këtë jetë, kah e bukura, e mira dhe kah drejtësia. Kjo për faktin e thjeshtë, sepse kurrë s’i kanë zbuluar ato, nuk dinë ku banojnë, e janë të aftë t’i prijnë të tjerët vetëm kah vetvetja. Jezusi, nuk është i tillë, dhe shumë pak leader nuk janë të tillë. Faleminderit Zotit që ka ende prej atyre që shikimin e tyre e drejtojnë kah ne dhe dhurojnë horizonte të reja: të së bukurës, të së mirës e të drejtësisë.

Përktheu nga italishtja: Don Fatmir Koliqi 

Prift Italian, profesor i shkencave sociale në Universitetin Papnor Gregoriana, udhëheqës i disa shkollave të formimit social dhe politik në Itali.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »