MBI NJË MONUMENT ARKEOLOGJIK QË ËSHTË ZBULUA NË KOMUNËN E ISTOGUT

Jan 22 • Histori

Në fshatin Shushicë e Epërme, komuna e Istogut vitin e kaluar është zbulua një gur i rrallë i mermertë me tematikë fetare nga lashtësia e largët me simbole të gdhendura në gur: Pema e jetës, rozeta dhe ylli gjashtëcepësh i Davidit. Një pasuri e çmueshme monumentale dhe shpirtërore me vlera të larta arkeologjike dhe kulturo – historike. Dëshmi e traditës së lashtë nga trevat Iliro – Dardane. Kuptimi i simboleve fetare nga tradita e së kaluarës. Gjuha e simboleve në ritet e lashta. Simboli biblik i pemës – simbol i personit. Kush nuk e kupton gjuhën e simboleve të fesë së vet, nuk e kupton as fenë as librat e shenjta në të cilat thirren.

Shkruan: Dedë PALOKAJ

MBI SIMBOLET DHE GJUHËN E SIMBOLEVE  

Jeta njeriut është e mbushur plotë e përplotë me shprehje simbolike dhe me shenja konvencionale siç janë: simbolet fetare, konfesionale, nacionale, artistike, poetike, simbolet e lirisë, drejtësisë, dashurisë etj. Shenjat personale siç janë: lëvizjet me kokë, me duar, me sy etj. për të shprehur një mendim, një dëshirë apo një gjendje shpirtërore ose kur shprehim mospajtim etj., janë të shumta dhe të pazëvëndësueshme në jetën e njeriut. Një buzëqeshje, një përshëndetje e ngrohtë, një gjest i dashurisë, një përqafim i përzemërt etj. flasin më shumë se një mori fjalësh e fjalimësh të gjata. E vërejmë këtë apo jo, bota e simboleve jeton në personalitetin e secilit njeri. Simbolet jo vetëm se e përcjellin komunikimin me njëri – tjetrin për tu shprehur përmes mendimeve, ndjenjave, fjalëve dhe veprave, por ato e udhëzojnë njeriun njëkohësisht kah mënyra më e thellë në Apsoluten, Transcendeten – Zotin burimin e jetës.  

Ajo që duket e qartë, që mund të shprehet në mënyrë të zakonshme ose qeniet si ekzistencë, ambienti i njeriut, e kaluara, e ardhmja, e pashmja, e papashmja etj., shpeshherë ndërpritën të janë “gjëra konkrete dhe reale për vetveten”, por ekzistojnë simbolet, emblemat ose shënjat tjera me përmbajtje që janë të njohura dhe të përjetuara thellë të cilat për njeriun janë njësojë të rëndësishme.

Atëherë kur mendimet, fjalët, ndjenjat, veprat etj. nuk janë të mjaftueshme, njeriu i përdor simbolet për tu shprehur. Simbolet janë një botë e tërë në vete, fshehin diçka brenda vetes dhe orientojnë në drejtim të duhur, si shenjat e komunikacionit të cilat e rregullojnë qarkullimin e automjeteve në rrugë.

Përpjekjet e njeriut për ta shprehur me gojë ose me shkrim Zotin e papashëm janë të pamundura pa përdorimin e simboleve. Kush s’e ka kuptuar mirë gjuhën e simboleve të fesë së vet, nuk e ka kuptuar as fenë as librat e shenjta në të cilat thirren.

Në shekujt e parë të krishterimit kryesisht përdoreshin simbolet antike të cilave u jepej kuptimi dhe domethënia e krishterë si p.sh: kryqi, peshku, qengji, hardhia e rrushit, spiranca etj. Këto simbole, këtë kulturë dhe këtë besim e pranuan Iliro – Dardanët si dhe popujt tjerë të Europës ku edhe u zhvillua arti Perëndimor i krishterë dhe mënyra perëndimore e jetesës.

foto 1

Istog: Shushicë – Skalitje në guri të mermertë (1m ×30 cm). Traditë e së kaluarës së lashtë me simbolet: Pema e jetës, rozeta dhe ylli i Davidit nga trevat Iliro – Dardane (shk. I – IV pas Krishtit).

Trajtimi i simboleve fetare të monumente arkeologjike ka nxjerr në pah gjuhën e simboleve të fesë e cila është mënyrë e shprehjes së njeriut që u krijua shumë më heret se sa zbulimi i gjuhës së shkrimit. Të dhënat arkeologjike dhe antropologjike dëshmojnë se njeriu qysh në kohën parahistorike orvatej për të gjetur visarin e gërmave dhe të shkrimit për ta hapur derën e madhe të historisë.

Simbolet janë realitete të cilat nuk mundën të definohen as të shpjegohen tërësisht me fjalorin njerëzor. Sepse simbolet kapërcejnë përvojën njerëzore, janë kategori transcendente. Sikur të sqarohej dhe të kuptohej simboli në mënyrë të hollësishme atëherë nuk do të ishte më simbol. Jo vetëm që nuk mund të shpjegohen simbolet por as që është e nevojshme sepse kanë domethënie të dyfishtë në paraqitjen e dukurive të përditshme jetësore dhe në realitetin e jetës shpirtërore. Simbolet janë shumë më tepër se një shenjë dalluese qoftë e mirë apo e keqe.

Përgjithësisht simbolet religjioze tregojnë qartë funksionin shoqëror të ritit religjioz. Analiza e jetës dhe vdekjes, kontrasti i të mirës dhe të keqes, ndjenja e faktorit kohë, kujdesi për të kaluarën dhe të ardhmën etj., paraqesin vetitë dalluese të njeriut religjioz. 

Shpirti i arsyeshëm i njeriut zbuloi gjuhën, shkrimin, zhvilloi kulturën, artin, edukatën, arsimin, njohurinë etj., dhe vazhdoi rrugën e qytetërimit të vet. Monumentet e para të pashkruara dhe të shkruara ndër kulturat e lashta na flasin mbi kultet, bestytnitë dhe religjiozitetin e hershëm primitiv të njeriut i cili kërkonte kuptimin dhe qëllimin përfundimtar të jetës së tij.

Shikuar nga ky aspekt, etnologjia dhe historia e religjioneve nuk njohin ndonjë epokë të njerëzimit pa religjion dhe as një popull areligjioz që së paku nuk e ka një formë të religjiozitetit të vet. Që nga zanafilla e njeriut e deri më sot e kësaj dite, religjioni ishte dhe mbeti i pranishëm në të gjitha periudhat dhe në të gjitha kulturat e qytetërimit njerëzor. Çdo shoqëri dhe çdo epokë e zhvillimit të saj, ka patur dhe ka qenë e “ngjyrosur” dhe e vulosur me religjionin e vet dhe me simbole fetare. Njeriu është religjioz, jo pse këtë e kërkon dikush, por për arsye se në shpirtin e vet është i tillë. Feja është pjesë e formimit të shoqërisë njerëzore. Njerëzit ishin religjioz si në kohërat e hershme parahistorike, ashtu janë sot, gjithashtu do të janë edhe nesër, sepse njeriu është qenie religjioze. Për kah natyra njeriu është i tillë dhe si i tillë do të jetë gjërsa të jetojë në këtë botë.  

Të gjitha ndjenjat dhe vlerat artistike dhe estetike njeriu i vënte në shërbim të hyjnive dhe hyjneshave duke i shprehur përjetimet religjioze në forma dhe mënyra më të ndryshme, qofshin ato përmes ndërtimit të objekteve të kultit, skalitjes në gur, skulpturës, pikturës, muzikës, letërsisë, artit, shkrimit, leximit dhe jetës në përgjithësi.

SIMBOLI BIBLIK I PEMËS – SIMBOL I PERSONIT

Për të analizuar thelbin e simbolizmit në artin e vizatimeve skematike respektivisht të gdhendjes në gur me motive religjioze siç është rasti me gurin e mërmertë i zbuluar në Shushicë të Istogut dhe për të vlerësuar drejtë paraqitjen e tyre, po shqyrtojmë pemën – simbolin e jetës si ndër më të lashtin.

Që nga lashtësia e hershme, në mitologjinë mesopotamiane dhe në shumë kultura, mite dhe religjione botërore, pema ka domëthënie universale që konsiderohet si pemë e gjallërisë, qendrueshmërisë dhe pavdekshmërisë, e njohur si simbol i pemës kozmike, paraqitjes figurative të gjithësisë. Megjithatë simbolin e pemës Bibla e njëjtëson me një pemë tjetër të jashtëzakonshme, e kjo është pema e jetës. Simboli i pemës në Bibël është i njohur mirë si pema e dijës të mirës dhe së keqës, e cila e lidh fillimin dhe mbarimin e Shkrimit të Shenjtë duke përfshirë të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen. Pema e jetës në Bibël përmendet 10 herë me radhë: tri herë tek Zanafilla ku për shkak të mëkatit të vet, njeriu nuk mund t’i afrohej dot kësaj peme; katër herë tek Fjelët e Urta ku ai na paraqet mënyrën e jetesës së atyre që e ndjekin Hyjin dhe tri herë tek Zbulesa ku Druri i Jetës zë përsëri vendin e tij të rëndësishëm në Parajsë.

foto 2

Istog: Shushicë – Pema e jetës. Skalitje në gur të mermertë.

Fillimi i pemës në Bibël përshkruhet kështu: “Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme…e midis parrizit pemën e jetës e pemën e dijes të mirës e të keqes (Zan 2, 9), ndërsa mbarimi: “Të lumët ata që i lajnë petkat e veta për të pasur pjesë në pemën e Jetës” (Zb 22, 14).

Simboli biblik i pemës është një metaforë, që nuk ka të bëjë me pemën e zakonshme apo me simbolin e hapësirës kozmike, por me Figurën, me Personin veprues. Kështu kemi: “Pemën e dijes të mirës e të keqes” që sombolizon Satanin dhe “Pemën e jetës” që simbolizon Krishtin. Nuk është pema pemë në kuptimin tekstual, as molla mollë si dhe as gjarpëri nuk është gjarpër, por janë shprehje metaforike me kuptime figurative. Simbolizmi i pemës në Bibël zhvillohet në tri drejtime: Pema e Jetës, Pema e Mbretërisë së Hyjit dhe Pema e kryqit (Krishti) që u bë ‘Druri’ që shpëton gjithë njerëzimin (khs. Ur 15, 7).

YLLI GJASHTËCEPËSH I DAVIDIT

Simboli i njohur si ylli i Davidit (heb. magen David – mburoja e Davidit) është simbol që ka  formën e figurës gjeometrike i ndërtuar prej dy trekëndëshave të njëjtë të bashkuar ndërmjet veti. Quhet edhe hekzagram (gr. gjashtë shkronjor), vulë e Solomonit (sigillum Solomonis) që ai e kishte skalitur në unazën e vet si simbolin e fuqisë së tij ose ndryshe i njohur përgjithësisht si yll i Davidit. Hekzagramin e hasim pothuajse në të gjitha religjionet popujve të botës. Edhe pse përfaqësohet në hinduizëm, në budizëm etj. por më së shumti është i përfaqësuar në besimin hebraik, krishterë dhe islam. Duke përfshirë të gjitha anët, trekëndëshi simbolizon tërësinë që bashkon kohën dhe hapësirën, të pashmën dhe të papashmën.

 foto 3

 Istog: Shushicë – Ylli gjashtëcepësh i Davidit i skalitur në gur të mermertë.

Simboli i yllit të Davidit ka një shtrirje të gjërë me shumë kuptime, mirëpo dominon përmbajtja religjioze. Studiusit e lidhin me numrin shtatë – gjashtë krahët dhe pjesa qendrore (mesi i fushës) që ka domethënie religjioze (gjashtë ditë të krijimit të botës plus dita e shtatë e pushimit). Gjithashtu simbolizon sundimin e Zotit në tërë gjithësinë në gjashtë drejtime: Veri, Jug, Lindje, Perëndim, lartë dhe poshtë. Ky simbol me përmbajtje të pasur ishte i përhapur në Dardani, në Afrkën Veriore, në Lindjen e Mesme dhe të shumë popuj të kohës së lashtë deri edhe sot e kësaj dite. Në shekullin e 18 bëhët symbol fetar i hebrenjve, ndërsa në shek. 19 shpallet simbol nacional që më vonë zë vend në flamurin e shtetit hebraik.                   

ROZETA – SIMBOL I BESIMIT DARDAN

Rozeta (lat. rosa – trëndafil) bënë pjesë në grupin e simboleve solare i përhapur qysh në lashtësi. Simboli i rozetës identifikohet me shpirtin e njeriut dhe paraqet kultin e diellit, simbolin e lëvizjes dhe të bashkimit, të rrethit të jetës dhe të ciklit jetësor. Duke marrë formën e diellit në rrotullim, rozeta historikisht njihet si kryqi i grremç ose svastika (sskr. svasti – fat, shëndet) simboli i jetës dhe vdekjes. Si element besimi dhe stilizimi artistik, rozetën e hasim në monumentet mbivarrore (stela) të Dardanisë dhe të arkitekturës mesjetare.

foto 4

Istog: Shushicë: Rozeta – simbol i besimt. Skalitje në gur të mermertë.

Simboli i rozetës e ka formën e lules me shumë petla dhe është simbol i besimit të gjallë dhe i jetës pas vdekjes. E hasim në vizatime, në gdhendje në gur, në mozaikët Iliro – Dardane dhe në shumë vepra të arkitekturës dhe të artit popullor ndrërtimi i së cilës kërkon punë të veçantë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »