JO MË SKLLEVËR, POR VËLLEZËR

Jan 23 • Kisha ndër Shqiptarë

Shkruan: Imzot George FRENDO*

Mund të themi se argumenti i mesazhit të Papës për këtë vit, me rastin e Ditës së Paqes më 1 janar, është si shtojcë e mesazhit të vjetshëm. Tema për Ditën e Paqes vjet ishte “Vëllazëria, Themel dhe Rrugë për Paqen”. Sivjet, tema është “Jo më Skllevër, por Vëllezër”. Domethënë ajo vëllazëri që është themeli dhe rruga për paqen përjashton çdo formë skllavërie.

 Në fillim të mesazhit, të frymëzuar ndoshta nga filozofia e Martin Buber-it, Papa Françesk pohon se “njeriu është një qenie në marrëdhënie, i destinuar të realizohet në kontekstin e marrëdhënieve ndërpersonale të frymëzuara nga drejtësia e dashuria”. Këto fjalë të fundit janë shumë të rëndësishme, sepse cilësojnë marrëdhëniet ndërpersonale.

Jo çdo marrëdhënie mes dy personash meriton të quhet “marrëdhënie ndërpersonale”, por vetëm ajo marrëdhënie që vlerëson tjetrin si “person”, si njeri, që nuk është thjesht një kafshë e zhvilluar, por një qenie e veçantë, që, sipas tregimit të krijimit në librin e Zanafillës, është krijuar në përngjasimin e Hyjit. Prandaj Papa Françesk specifikon se këto marrëdhënie duhet të jenë “të frymëzuara nga drejtësia e dashuria”. Për këtë arsye, Papa vazhdon duke thënë se zhvillimi i njeriut kërkon që “të njihen e respektohen dinjiteti, liria dhe autonomia e tij”. Kështu, zhvillimit të marrëdhënieve me të vërtetë ndërpersonale i kundërvihet “plaga gjithmonë e përhapur e shfrytëzimit të njeriut nga ana e njeriut” (n. 1).

Titulli i Mesazhit

Titulli i këtij mesazhi është frymëzuar nga fjalët e Shën Palit në letrën e tij drejtuar Filemonit. Filemoni kishte një skllav me emër Onezim, i cili u arratis nga pronari i tij. Onezimi u takua me Shën Pali dhe u pagëzua nga ai. Atëherë Pali i shkruan bashkëpunëtorit të vet Filemonit duke e nxitur ta pranojë Onezimin “jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur” (Flm 16). Por para se të flasë shprehimisht për skllavërinë dhe për format e ndryshme të skllavërisë, Papa Françesk tërheq vëmendjen mbi kontrastin e madh mes situatës origjinale të njeriut, të krijuar mashkull dhe femër, me të njëjtën natyrë dhe dinjitet dhe të bekuar prej Zotit, dhe situatës së mëvonshme, kur mëkati ndërpreu vëllazërinë dhe “vazhdimisht deformon bukurinë dhe fisnikërinë e të qenurit vëllezër e motra të së njëjtës familje njerëzore”. Këtu Papa përmend shembullin e Kainit, i cili prej smirës vrau vëllanë e vet Abelin. Përmend gjithashtu historinë e familjes së Noehut dhe të bijve të tij, kur dashakeqësia e Kamit, një nga djemtë e Noehut, e nxiti Noehun ta mallkojë djalin mosrespektues (2). 

Dhe mund të shtoj se njeriu vazhdon të përjetojë pasojat e mëkatit origjinal, siç janë: egoizmi, krenaria, xhelozia. Këto janë pengesë për ndërtimin e paqes, dhe njeriu, shoqëria, shtetet duhet t’i luftojnë në qoftë se duan të angazhohen seriozisht për të ndërtuar paqen. Papa Françesk, në mëkatin, që është largimi prej Hyjit dhe prej vëllezërve, sheh shprehjen “e mospranimit të bashkimit” e cila “përkthehet në kulturën e nënshtrimit”. Dhe këtu përmend “rrjedhojat që kjo sjell dhe që zgjasin nga breznia në brezni: mospranimi i tjetrit, keqtrajtimi i personave, shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave themelore, institucionalizimi i pabarazive”.

Këto që ka përmendur Papa Françesk janë mëkate që kanë ekzistuar në çdo periudhë të historisë njerëzore. Ajo që na çudit është fakti që, pas shumë vitesh pas shpalljes së të drejtave të njeriut, në dhjetor 1948, të drejtat më themelore të njeriut janë të shkelura haptazi në shumë vende të botës. Ajo që na çudit është fakti se, ndërsa krenohemi për pluralizmin që, veçanërisht pas rënies së komunizmit, është përhapur në shumicën e vendeve të botës, dhe ndërsa pluralizmi parimisht duhet të krijojë një atmosferë më tolerante, në fakt ka hapur dyert për forma të reja intolerance raciale dhe fetare dhe anti-semitizmi, si kemi parë edhe në vende Ballkanike, shumë afër nesh. Në vitin 1989 Francis Fukuyama botoi esenë The End of History? në të cilin shprehu mendimin e tij se pas rënies së ideologjive bota do të përjetojë një periudhë paqësore. Por sigurisht Fukuyama u zhgënjye duke parë se faktet e kundërshtonin “profecinë” e tij. Në 1995 Fukuyama botoi librin me titul Trust, që si nën-titull kishte The Social Virtues and the Creation of Prosperity. Në këtë libër ai ka qenë shumë më pesimist (ose më mirë të themi se ishte realist), dhe ka theksuar nevojën për ato social virtues që e bën të mundshme të jetojmë në një shoqëri më të denjë për njeriun: virtues that make communities livable.

Fytyrat e Ndryshme të Skllavërisë

Në fund të n. 2, para se të flasë për “fytyrat e ndryshme të skllavërisë dje dhe sot ”Papa ka cituar fjalët e Jezusit në darkën e tij të fundit: “Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim”.

Pastaj, në n. 3, vijon pjesa më interesante e mesazhit, ku Papa Françesk flet për format e ndryshme të skllavërisë. Së pari Papa flet për institucionin e skllavërisë, një institucion shumë i lashtë, dhe që ishte pranuar dhe miratuar në shumë kultura, i rregulluar nga ligji. Ky ligj “caktonte se kush lindte i lirë dhe kush, në të kundërt, lindte skllav, si dhe se në çfarë kushtesh personi, i lindur i lirë, mund ta humbte lirinë e vet, apo ta rifitonte atë”. Natyrisht, një institucion i tillë kundërshton jo vetëm Shkrimin e Shenjtë, që tregon një dinjitet shume të veçantë për njeriun, por edhe ligjit natyror, që tregon natyrën e veçantë të njeriut, i cili nuk mund të çmohet si një objekt pronësie. Dhe çuditërisht institucioni i skllavërisë ka vazhduar të ekzistojë edhe në kohë moderne. Madje zbulimi i kontinentit amerikan e forcoi dhe është përpjekur të justifikojë këtë institucion. Mjaft të përmend këtu fjalët e një shkrimtari spanjoll të shekullit 16, Sepulveda, i cili, në një latinishte shumë elegante dhe në stilin e Dialogëve të Platonit, shkroi: “Duhet të pranojmë se njerëz të urtë dhe të aftë kanë autoritet të drejtë dhe natyror të sundojnë mbi njerëz më të ulët se vetja. Spanjollët kanë çdo të drejtë të sundojnë mbi barbarët e botës së re, sepse këta barbarë, për sa i përket urtisë, mençurisë, fuqisë dhe njerëzores janë aq inferiorë ndaj spanjollëve, sa fëmijët janë inferiorë ndaj të rriturve, gratë ndaj burrave, të paqytetëruarit ndaj të qytetëruarve, majmunët ndaj njerëzve”.

Papa Françesk vëren se “sot, pas një evolucioni pozitiv të ndërgjegjes së njerëzimit, skllavëria, krim i njerëzimit të cënuar, është shfuqizuar formalisht në botë”. Megjithatë Papa vazhdon të ankohet se, mjerisht, edhe sot, “miliona persona – fëmijë, burra e gra të çdo moshe – privohen prej lirisë dhe detyrohen të jetojnë në kushte të ngjashme me ato të skllavërisë”.

Cilat janë këto forma të reja skllavërie? Papa përmend, në vendin e parë, punëtorët, në vende ku “legjislacioni i punës nuk është në përputhje me normat e me standardet minimale ndërkombëtare”, domethënë në ato vende ku nuk janë njohur të drejtat e punëtorëve, e prandaj punëtori nuk është i mbrojtur, dhe më lehtësisht mund të shfrytëzohet. Por edhe në vendet ku legjislacioni e mbron punëtorin, ekzistojnë shumë raste ku të drejtat e tij janë shkelur. Para pak kohe kam pasur rast të shkruaj për gjendjen e mjerë të shumë punëtorëve. Kam shkruar se edhe pse ekzistojnë ligje shumë të drejta për t’i mbrojtur punëtorët, megjithatë në praktikë “s’ka kontroll mbi rrogën që marrin punëtorët… s’ka kontroll as mbi orët e punës… s’ka kontroll as për shkarkimin nga puna… Teorikisht po, flitet në ligjin për të drejtat e tyre dhe detyrat e punëdhënësve, por në fakt situata është shumë e ndryshme. Shume punëdhënës përfitojnë nga fakti se punëtorët janë të pambrojtur…. përfitojnë nga numri i lartë i papunësisë… punëtori nuk do të protestojë, nga frika se do te shkarkohet, ose nga frika se nuk do të gjejë një punë tjetër. Sa shumë punëtorë të shkretë kënaqen me një rrogë shumë të ulët, vetëm sepse, thonë, ‘më mirë kaq sesa hiq!’”

Pastaj Papa flet për kushtet e jetës së shumë migrantëve. Përmend itinerarin e tyre, shumë të rrezikshëm, gjatë të cilit “vuajnë prej urisë, privohen prej lirisë, zhvishen prej të mirave të tyre dhe keqpërdoren fizikisht dhe seksualisht”. Dhe çfarë gjejnë pas këtij udhëtimi aq të tmerrshëm? Shpeshherë mbahen “në kushte çnjerëzore”, “pranojnë të jetojnë e të punojnë në kushte të padenja”. Mund të shtoj edhe përuljet që shumë e shumë herë duhet të përjetojnë, për shkak të paragjykimeve dhe urrejtjes që ekzistojnë në shumë vende kundër migrantëve, që konsiderohen si uzurpues e vendit të destinacionit.

Forma e tretë e skllavërisë për të cilën flet Papa Françesk është e personave që janë “të detyruar të prostituohen, mes të cilëve ka shumë të mitur”, “skllavet e skllevërit seksualë”, “gratë e detyruara të martohen”, gratë “e shitura për martesë” ose “e përçuara në pasardhësi një familjari pas vdekjes së bashkëshortit” ndoshta pa pëlqimin e saj. Edhe pse raste të tilla mund të jenë të rralla në Shqipërinë e sotme, megjithatë ende ekzistojnë shumë raste, veçanërisht në shumë fshatra, kur me martesë vajza bëhet si skllave e familjes së bashkëshortit. Në vitin 2002 Diana Çuli ka shkruar: “Shoqëria shqiptare është e tronditur nga dhuna e egër e ushtruar mbi gratë, dhunë që nuk shfaqet vetëm në vajzat e trafikuara, por është e pranishme brenda familjes deri në ekstreme të frikshme, veçanërisht në zonat rurale”. Dhe Sevim Arbana ka shkruar: “Shumica e grave në Shqipëri ende s’kanë zërin e tyre. Ato drejtohen dhe manaxhohen, në mënyrën më patriarkale nga bota mashkullore (burri, babai, vëllai) dhe e kanë të vështirë për të shkuar përpara, për të luftuar apo për të ndryshuar situatën ku ato ndodhen. Shpesh ato janë pa shpresë, pa fuqi, pa zë”. Sigurisht, në këto 12 vitet e fundit situata e gruas ka përmirësuar, por mendoj se duhet të angazhohemi më shumë për emancipimin e saj.

Pastaj përmenden personat që janë bërë “objekt i trafikut dhe i tregtisë për eksplantimin e organeve, për t’u rekrutuar si ushtarë, për të lypur, për veprimtaritë e paligjshme sikurse prodhimi apo shitja e substancave narkotike, ose për forma të maskuara të birësimit ndërkombëtar”. Besoj se këto situata nuk ekzistojnë në Shqipëri, përveç rasteve kur përdoren fëmijët ose të rinjtë për të lypur apo për të shitur drogë.

Më në fund Papa përmend viktimat e terroristëve, që grabiten dhe mbahen në robëri si luftëtarë ose, në rast të vajzave dhe grave, si skllave seksuale. “Disa prej tyre zhduken, disa shiten disa herë, torturohen, gjymtohen, apo vriten”. Këtu nuk mund të mungoj të përmend ato më shumë se dyqind vajza nga Chibok në Nigeri të grabitur para 10 muajsh, si edhe mijëra të vrarë në atë vend nga Boko Haram. Pse asnjë vend nuk ka bërë asnjë protestë kundër terroristëve Boko Haram si është bërë kundër terroristëve në Paris? Pse asnjë President ose Kryeministër nuk ka derdhur lot për këto vajza ose për viktimat e tjera në Nigeri si kanë derdhur lot për Charlie Hebdo. Pse asnjë person nuk ka ngritur tabelë me fjalë “Unë jam vajza nga Chibok”, si kanë ngritur tabelë me fjalë “Unë jam Charlie”? Ndoshta sepse Afrika nuk është Evropa, dhe Nigeria nuk është Franca.

Disa Shkaqe të Thella të Skllavërisë

Sipas Papë Françeskut, “në rrënjën e skllavërisë gjendet një konceptim i personit njerëzor që pranon mundësinë që ai të trajtohet si objekt”. Dhe vazhdon duke thënë: “Kur mëkati e prish zemrën e njeriut dhe e largon prej Krijuesit të vet e prej të ngjashmëve të vet, këta të fundit nuk perceptohen më si qenie me dinjitet të barabartë, por shihen si objekte”, dhe kështu “privohet prej lirisë, tregtohet, kthehet në pronë të dikujt” dhe “trajtohet si mjet dhe jo si qëllim”. Këto janë pohime shumë serioze, së pari sepse tregojnë dekadencën e kulturës së sotme që, me gjithë përparime që ka bërë shoqëria në fushën shkencore, nuk arriti ta bindë njeriun se çdo person njerëzor ka një dinjitet dhe të drejta të pazëvendësueshme dhe që duhet të respektohet si person dhe kurrë si objekt. Së dyti, sepse tërheqin vëmendjen tonë të kuptojmë se vetëm besimi në Zotin krijues mund të shtrojë themelet për një etikë për rendin në shoqëri.

Pastaj Papa përmend varfërinë, nënzhvillimin, dhe përjashtimin, sidomos kur këto shoqërohen nga mungesa e edukimit dhe nga papunësia. Sepse, si thotë Papa, shpeshherë viktimat e trafikut dhe të nënshtrimit janë njerëz të varfër që besojnë ata persona mashtrues dhe pa shpirt që u premtojnë punë jashtë shtetit. Kjo, mjerisht, ka ndodhur me shumë vajza shqiptare, të cilëve u premtuan punë të ndershme në ndonjë vend në Evropë ndërsa pastaj ishin të detyruar të shesin trupat e tyre në prostitucion.

Papa përmend gjithashtu korrupsionin si shkak skllavërie. Ka njerëz “që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u pasuruar”. Fabrikantët e shumë formave të ndryshme të skllavërisë janë njerëz të pandërgjegjshëm dhe mizorë, personifikimet e shprehjes së Thomas Hobbes-it homo homini lupus – njeriu që bëhet ujk për njeriun. Këtu Papa përmend një parim që është përmendur qindra herë në doktrinën shoqërore të Kishës Katolike: “Në qendrën e çdo sistemi shoqëror apo ekonomik duhet të jetë personi”, dhe jo pasuria.

Si shkaqe të tjera skllavërie Papa përmend konfliktet e armatosura, dhunat, kriminaliteti dhe terrorizmi”. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment mbi këto shkaqe, sepse jetojmë në një botë të mbajtur peng nga terroristët. Ndoshta kurrë në terë historinë e tij njeriu nuk ka përjetuar aq shumë frikë ku nuk ndihet asgjëkund i sigurt.

Një Angazhim i Përbashkët

Këtu Papa thotë se duke vërejtur tregtinë e personave, trafikun e paligjshëm të migrantëve dhe format e tjera të skllavërisë, ka përshtypje se shkaku është mospërfillja e përgjithshme. Kur në korrik 2013 Papa shkoi në ishull Lampedusa, në atë det që është bërë varrezë për mijëra migrantësh nga Afrika, ai ka përdorur shprehjen “globalizimi i indiferencës”. Bota shikon, por pa marrë masat, pa marrë përsipër përgjegjësi.

Por njëkohësisht Papa përmend “punën e pamasë e të heshtur që shumë Kongregata rregulltare, sidomos femërore, çojnë përpara në dobi të viktimash”. Dhe këtu dëshiroj të shprehë kënaqësinë time e atyre Kongregatave të Motrave që janë shumë të angazhuara në punë për shpëtimin e shumë grave që në një mënyrë ose tjetër janë viktima të personave pa shpirt që përpiqen t’i shfrytëzojnë. Gjithashtu përmend institucione katolike si Fondacioni Mary Ward Loreto dhe sidomos Caritas Shqiptar me sektorin e antitrafikimit. Papa përmend veprimin e kongregatave rregulltare, që janë kryesisht: ndihma ndaj viktimave, rehabilitimi i tyre në profilin psikologjik, dhe reintegrimin e tyre në shoqëri. Por thotë se nevojitet edhe një angazhim i trefishtë në nivel institucional, domethënë parandalim, mbrojtja e viktimave, dhe veprimi gjyqësor ndaj përgjegjësve.

Dhe këtu Papa flet për detyrat e autoriteteve civile. Shtetet duhet të hartojnë ligje që garantojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe të krijojnë mekanizma që sigurojnë zbatimin e këtyre normave që të mos i lënë hapësirë korrupsionit. Të gjithë e dimë se viktima më të prekshme në një shoqëri të korruptuar janë njerëzit më të dobët dhe më të varfër: i pasuri ka mjetet për të korruptuar e kështu mund të fitojë çdo gjë.

Organizatat ndërqeveritare duhet të bashkëpunojnë për të luftuar rrjetet transkombëtare të krimit të organizuar. Ndërmarrjet duhet t’u garantojnë të punësuarve kushte pune të denja dhe rroga të përshtatshme. Ndërsa organizatat e shoqërisë civile duhet “të sensibilizojnë dhe të nxisin ndërgjegjet” për të çrrënjosur “kulturën e nënshtrimit”. Por këtu mendoj se kanë një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishme besimet e ndryshme. Sepse besimet mund të krijojnë strukturat, mund të ndryshojnë strukturat, por mbi të gjitha kërkohet ndryshimi i zemrës, dhe vetëm besimi mund të ndryshojë zemrën.

Afër fundit të mesazhit Papa Françesk përmend shembullin e një shenjtëreshe, Jozefina Bakhita, nga krahina e Darfurit në Sudan. Kur ishte 9-vjeçare u grabit nga trafikantët e skllevërve dhe iu shit pronarëve mizorë. Pastaj pati fat të lirohej dhe u bë murgeshë Kanosiane. Kjo shenjte, thotë Papa, është shembull shprese për viktimat e shumta të skllavërisë.

Mesazhi mbaron me një thirrje: që të gjithë ne të bëjmë “gjeste vëllazërore ndaj atyre që janë të mbajtur në gjendje nënshtrimi”. Të gjithë njerëzit vullnetmirë që janë dëshmitarë të plagës së skllavërisë bashkëkohore janë të thirrur “të mos bëhen bashkëpunëtorë të kësaj të keqeje” as të mbeten indiferentë, por të bëjnë çmos që t’u jepet viktimave dinjitetin e duhur, për të cilin kanë të drejtë. Dhe citoj fjalët e fundit të mesazhit: “Globalizimi i mospërfilljes, që sot peshon mbi jetët e shumë motrave e shumë vëllezërve, na kërkon të gjithëve ne që të bëhemi nismëtarë të një globalizimi të solidaritetit dhe të vëllazërisë, që mund t’u rihapë atyre shpresë dhe t’i bëjë të rimarrin me guxim ecjen nëpërmjet problemeve të kohës sonë dhe perspektivave të reja që ajo sjell me vete e që Hyji vë në duart tona.”

Nga: www.peregrinus.al

*  Ipeshkëv Ndihmës i Argjipeshkvisë së Tiranës

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »