EKSPOZITË “BALLKANI I VITIT 1917” I ARTISTIT AUSTRIAK, LEOPOLD FORSTNER NË KATEDRALEN “NËNË TEREZA”
Me 19 janar, nën kujdesin e Ambasadës së Austrisë në Kosovë, Katedralja “Nënë Tereza” ishte nikoqire e një ngjarje të rëndësishme politike dhe kulturore.
Në Rezidencën e Ipeshkvit Dodë Gjergji, u mbajt një takim i rëndësishëm mes ministrit të jashtëm të Austrisë, Sebastiano Kurz, krerëve të besimeve fetare në Kosovë dhe institucioneve politike, në krye me presidenten e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ku u bisedua për shumë çështje jetike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Pas këtij takimi të frytshëm në Rezidencën e Ipeshkvt, u hap ekspozita “Ballkani i vitit 1917” i artistit austriak, Leopold Forstner (1878-1936), ku publiku pati rastin të shoh nga afër momente të rëndësishme të kohës dhe ndikimin që pati Austoro-Hungaria në mbrojtjen e kombit shqiptar. Vlen të theksohet se gjatë viteve1917 dhe 1918 Leopold Forstner, koleg i artistëve si Gustav Klimt dhe Kolo Moser, udhëtoi në territoret e sotme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në cilësinë e tij si oficer i Perandorisë Austro-Hungareze, ai vizatoi portretet e banorëve lokalë, bëri foto të veshjeve kombëtare dhe mblodhi artizanatete të shumta. Në mes të Luftës së Parë Botërore, misioni i tij ishte të dokumentoi kulturat e popujve të Ballkanit, gjë që e bëri me shumë sukses.
Ai realizoi shumë vizatime të mëdha, fotografi dhe shumë punime artizanale nga udhëtimet e Forstner-it ruhen edhe sot dhe shumë prej tyre u ekspozuan për herë të parë në Kosovë, në Katedralen ”Nënë Tereza.”
Me rastin e hapjes së ekspozitës, nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, që ishte nikoqir i kësaj ngjarje të madh, theksoi nevojën që të kristalizojmë rrugëtimin tonë kah një e ardhme e prosperuar, duke ruajtur dhe kultivuar vlerat tona të përbashkëta, traditën dhe kulturën.
Ndërkaq, presidentja vuri në theks marrëdhëniet e gjata mes shtetit Austriak dhe shqiptarëve. Ajo theksoi po ashtu se Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë e Europës së vlerave, prosperimit, të dialogut dhe diversitetit.
Ndërkaq, ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz, potencoi ndihmën e pakursyer që jep shteti austriak për Kosovën dhe rrugën e paalternativë europiane. Ai, po ashtu, potencoi nevojën për dialog, prosperitet dhe bashkëjetesë ndërfetare, vlera këto që qëndrojnë në themel të Unionit Europian.
Kjo ekspozitë vazhdon të jetë e hapur për publikun në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë gjatë dy javëve rresht. Orari i hapjes: çdo ditë nga 09:00 deri në 18:00.
Për Dritën: Edita Kuçi Ukaj
« JO MË SKLLEVËR, POR VËLLEZËR KONCERT I MUZIKËS KLASIKE NË KATEDRALEN “NËNË TEREZA” »