NJË AUTONOMI E KULTURËS SHQIPTARE

Jan 23 • Recension

Shkruan: Dr. Kastriot MARKI 

Mbi librin e Zef Ahmetit, “Çfarë është kultura shqiptare”. Albanisches Institut, Naimi, Tiranë, 2014 

Duke qenë se kisha lexuar disa artikuj të Zef Ahmetit lidhur me disa çështje të sociologjisë së kulturës, vitin e shkuar bazuar në këndvështrimet e tij origjinale, bashkëndamë idenë që këto dije ai mund t‘i përthellonte më tej në mënyrë që të dilej me një studim tërësor lidhur me këtë trajtesë interesante. Formimi i tij filozofik-sociologjik, duke marrë parasysh edhe librin që kishte botuar më parë, tashmë në kushtet e përafrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve me Europën, ishte një rast i mirë që ky kapërcim socio-kulturor me sfond teknik i karakterit politik të shqyrtohej në një mënyrë dinjitoze si një këndvështrim shqiptar lidhur me fenomenin e evropianizimit ardhur ndërkohë si luhatje historike e jona mes lindjes dhe perëndimit, duke e parë këtë fenomen nën dritën e kulturës shqiptare tradicionale në rrethanat e reja të integrimit europian dhe atij global. Nuk vonoi shumë dhe në krye të vitit Zefi më njoftonte se librin “brengë” për të cilin kishim folur, tashmë e kishte gati.

Përmbajta e studimit bazohet në pyetje e shtruara si vijon: Çfarë është kultura në vetvete e në vijim të saj çfarë është ajo që ne e quajmë kulturë shqiptare? Çfarë e bën shqiptare kulturën shqiptare? Cila kulturë shqiptare duhet ruajtur? Kush e përcakton dhe kush e përkufizon këtë kulturë? Cilat janë vlerat që e (për)bëjnë kulturën e popullit shqiptar dhe si sillem(i) unë (ne) me këto vlera dhe brenda këtyre vlerave? Çfarë provokojnë këto vlera në raport me vlerat e vendeve ku jeton diaspora shqiptare në Evropën politike e cila mëton të bëhet pjesë e saj? Si i shikojmë dhe si i perceptojmë ne këto vlera? A është statike, apo e ndryshueshme kultura shqiptare?

Pra thelbin e studimit e përbën problematika se si e perceptojnë vetë shqiptarët dhe të huajt kulturën shqiptare, përkatësisht cilët janë elementët përbërës që e përcaktojnë kulturën shqiptare si të tillë? Pra kemi një vështrim historiko-sociologjik të kulturës shqiptare si qasje brenda vetvetes dhe në raport me kulturën evropiane; perceptimin e kulturës shqiptare në sferën e rrethanave integruese, globalizmit, përkatësisht me kulturat e tjera rajonale, evropiane dhe globale. Pjesa e parë e librit (pothuajse një e treta e tij) e trajton kulturën në aspektin teorik, referuar konceptualisht dhe kryesisht në kontestin e studimeve gjermane, si përkufizim i cili më pas përqaset dhe bartet në teoritë bashkëkohore anglo-amerikane e më pas edhe në kontekstin shqiptar. Përkufizimit i bashkangjiten edhe debatet lidhur me kushtetutën e BE-së, kulturën hebeaike-greke-latine  si shartim i thalbit perëndimor evropian të ftilluar me të drejtën romake e me doktrinën katolike dhe posaçërisht me doktrinën sociale të kishës, orientuar dhe balancuar në një ekulibër tejet të pranueshëm. Ahmeti e ka cekur mjeshtërisht fenomenin e ndeshjes së kulturave që bien ndesh me disa parime themelore të frymës evropiane të të jetuarit në demokraci liberale. Tradita, sado që në të shumtën e rasteve është keqpërdorur, ka pasur rolin e saj të pazavëndësueshëm në historinë e kulturës.

Si profesionist i fushës, Zef Ahmetit nuk i ka munguar ky trajtim diakronik i cili është përcjellë me një frymë konkrete të realitetit evropian dhe atij shqiptar. Të gjitha humbjet të shqiptarëve  (më shumë se sa fitoret e mundshme), janë bërë e mundur më shumë mbi veten e tyre se sa mbi pushtuesit e njëpasnjëshëm dhe Ahmeti i shikon ato nga një këndvështrim i thukët e gjakftohtë, si shkallare kronologjike e tejmbushur me dëshira të vonuara për shkak të një mendësie orientale që ka qarkulluar historikisht përgjithësisht në administratën e shtetit shqiptar përgjatë një shekulli që nga qeveria e Ismail Qemalit, ajo e Ahmet Zogut, e diktaturës së Enver Hoxhës dhe qeveritë e pasviteve ’90, ardhur kjo si pasojë e funksionimit të gjatë të administratës osmane për afro pesë shekuj. Kultura politike dhe kultura “e lartë” trajtohen në frymën e rrethanave dhe të problematikës në shoqërinë shqiptare në kontekstin e integrimeve të djeshme e të sotme, ardhur kjo përmes debatit intelektual me emra të tillë  At Anton Harapi, Krist Maloki, At Gjergj Fishta, Branko Mexhani e deri tek Ismail Kadare, Aurel Plasari, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Arbër Xhaferri etj. Janë trajtuar në një marrëdhënie ndërkulturore në studim etërit e kulturës shqiptare themelues dhe përvijues të paprerë të identitetit kulturor shqiptar si Shën Jeronimi, Niketë Dardani, “Formula e Pagëzimit” e Pal Engjëllit e mbi të gjitha Marin Barleti, Mikel Maruli, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, Gjergj Kastrioti, Skëndereu , Gjon Buzuku, Lekë Matranga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Jeronim De Rada, Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Pashko Vasa etj., e deri tek ata bashkëkohorë, të cilët përbashkuan traditat e hershme rituale pagane, romake-latine, greke-bizantine të konturuara shenjtërueshëm më pas në gjuhën e arbërve, në gjuhën shqipe. Është kjo kulturë me të cilën nis letërsia ungjillore e kodikëve të Shqipërisë, tradita qytetëse me statutet e qyteteve mesjetare, kodi zakonor (Kanuni i Lekë Dukagjinit), e cila profilohet si e tillë në një vend që me të drejtë sipas Eqrem Çabejt ka qenë dhe është urëlidhës me lindjes dhe perëndimit. Që nga përkufizimi më i hershëm i identitetit kulturor shqiptar i lindur në mjediset e arbëreshëve të Italisë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, me ç’rat ata edhe u bënë nismëtarët e Rilindjes, kultura shqiptare fillon e bëhet e vetëdijshme për veten. Në një farë mënyre me këtë punim i vihen kufijtë të qartë përkufizimve themelore të mirëpërcaktuara ose jo të kulturës shqiptare, përvijuar si të tilla nga studiues, albanologë dhe kulturologë vendas dhe të huaj, tashmë të parë nga një këndvështrim kritik  largvajtës dhe njëherësh  modern.

Studimi vjen jashtëzakonist në kohë, tashmë në kontekstin e sapomarrë të statusit të vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Në këtë kontekst, debati rreth pranimit të vonuar të marrjes së statusit të vendit kandidat në jo pak raste në opinionin popullor folklorik tonin është trajtuar shpesh edhe me paragjykime gjoja të heshtura të vendeve të BE-së kundrejt Shqipërisë, gjasmë të lidhura me të qenit e popullsisë shqiptare me shumicë e besimit islam, apo për të shkuar më tej si një paragjykim historik për më së një shekull mbi aftësitë e dobëta shtetformuese të shqiptarëve, ndaj edhe të gjitha këtyre keqkuptimeve dhe dyshimeve njëherazi, Zef Ahmeti u jep përgjigjen e duhur. Studimi mund të shihet edhe si një një lloj rekomandim sjelljeje për integrimin real të kulturës shqiptare në kulturën evropiane, si qasje integruese gjithpërfshirëse dhe si qasje e individuale; si qasje e politikës dhe shoqërisë përballë rendit juridik, shtetit ligjor, sistemit politik, sjelljes ndaj shtetit dhe mbi të gjitha si qasje e kulturës politike dhe juridike të pushtetarëve shqiptarë në sjelljen e tyre në raport me pushtetin dhe qytetarin.

Të trembëdhjetë kapitujt e librit unifikojnë njëtrajtshëm studimin përmes të cilit profilohet një studiues i ri me të gjithë elementët e domosdoshëm dhe të nevojshëm të formimit që të jep shkolla gjermane klasike dhe moderne njëherësh, në përputhje me formimin dhe kompetencën e tij akademike të shenjuar qartazi përmes akribisë shkencore si dhe përfundimeve të arritura të studimit. Punimi dallohet kryekëput nga shkrimet amatore që shpërfaqen shpesh në shtypin shqiptar dhe në botimet e shumta të ngjashme me kohën e “revolucionit kinez”, të cilat rreken të na e mbushin mendjen me pamflete krenarie për egtnogjenezën e shqiptarëve apo epërsinë racore e kulturore tonën krahasuar me fqinjët tanë ballkanikë dhe popujt e kombet e tjerë europianë. Ahmeti i afrohet me gjykim të akullt problematikës së marrë në shqyrtim duke lënë mënjanë kësisoj çdo lloj emocioni, duke u pranëvënë konstatimeve të tij të përftuara përgjatë hulumtimit, përfundimet dhe citimet e emrave më eminentë të studimeve disiplinare dhe ndërdisiplinare që i kanë kontribuar problematikës së marrë në shqyrtim, duke e bërë kështu punim të “fortifikuar” jo vetëm nga pikëpamja formale konceptuale, por mbi të gjitha nga pikëpamja përmbajtësore dhe nga rezultatet e mbërritura. Punimi në fjalë shpërfaq një përmase krejtësisht të re lidhur me profilimin e kulturës dhe identitetit shqiptar që është marrë nëpër gojë rast pas rasti jo pak kohët e fundit nga zanatçinj rojtarë të ideologjive dhe metodologjive të tejkaluara tashmë si dhe rishtarë zevzkë të pamaturuar që ende flenë nën shpërganjtë e miteve, e që flasin e shkruajnë “korr e mos lidh”. Studimi i Zef Ahmetit i qëndron larg rrënimit provincial dhe nacionalizmit të sëmurë. Autori nuk polemizon dhe nuk hap debate, ai vetëm na bën me dije përqasje dhe këndvështrime meritore që vlejnë të sillen si “dëshmi” studimore serioze në një këndvështrim elitar e të strukturuar me pjekuri gjykimi përmes një teknike shkrimi tërheqëse tërsisht të kuptueshme për intelektualin dhe njeriun e zakonshëm. Në këtë kuptim libri përpos se “është një libër koke“, në pikëpamje formale fizike, është po ashtu një libër lehtësisht i tretshëm në një kohë të shkurtër e që paraqet interes me subjektin e tij aktual për të gjitha kategoritë e lexuesve dhe si i tillë do të shërbejë si lexim i veçantë për këdo që dëshiron të njohë kulturën shqiptare, dhe mbi të gjitha do të jetë një adresim mjaft i dobishëm antropologët dhe sociologët e sidomos për mësuesit dhe pedagogët që ligjërojnë lëndën e “Sociologjisë” dhe jo vetëm atë, në sistemet e edukimit parauniversitar dhe universitar njëherësh në dy shtetet shqiptare. Tema e trajtuar në mënyrë profesionale nën dritën e një burimologjie dokumentare mahnitëse të pakundshoqe në studimet e pakta të derisotme të realizuara në këtë disiplinë, përbën premisën e sigurtë për konturimin e një historie të plotë të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar që shpresojmë ta kemi sa më shpejt në dorë në një të ardhme sa më të afërme. Gjasat shihen se kjo ka marrë udhën e duhur.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »