E diela e III gjatë vititi /B/

Jan 24 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Jon 3,1-5.10)

Lexim prej Librit të Jonës profetë

Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha:

“Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!”  Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit.

E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!”

Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin.

Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi.

Fjala e Zotit

Psalmi 25(24)

Ref. M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua.

——————————————-

Me drejto me të vërteten tënde dhe me mëso,

Sepse ti je Hyji im, Shëbuesi im,

në ty shpresoj gjithmonë.

——————————————–

Të të bien në mend mëshira jote, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e paudhësitë e rinisë sime:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate-

për hir të mirësisë sate, o Zot.

———————————————

I ëmbël e i dretjë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prinë në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.


 

Leximi dytë (1 Kor 7,29-31)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Ja, ç’ dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim, ata që blejnë, skurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, t’ ju jap syve të zemrës suaj dritë, që të mund të kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja!

+ Ungjilli (Mk 1,14-20)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë.  Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”  Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat.  Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

Fjala e Zotit

 

Porosia 

Në leximin e parë dëgjojmë profetizimin e Jones për Niniven, i cili nuk ishte aspak i mirë. Edhe dyzetë ditë e Niniva do të rroposet si ndëshkim për mëkatet e bëra. Por populli e kupton gabimin dhe fajet e veta: nga mbreti e deri tek më i vogli bëjnë pendesë dhe Hyji i fal.

Nga kjo mësojmë që njeriu nuk guxon të qëndrojë në gabim por të përmirësohet dhe të luftoj me vetveten për të qenë i mirë. Një fjalë popullore thotë: “të gabosh është njerëzore, por të qëndrosh në gabim është djallëzore“.

Çfarë jemi ne në përditshmëri, luftojmë kundër mëkatit dhe të keqes, apo dorëzohemi dhe robërohemi për të mos pasur lidhje, qasje në hire, dashuri, mëshirë dhe kujdesin e Zotit që ka për ne. Pa Zotin jeta nuk ka kuptim.

Shën Pali në letrën e vet drejtuar korintasve fton që mos të jemi shumë të lidhur me gjëra tokësore, sepse ato kalojnë shpejt, por më tepër t‘u japim rëndësi gjërave qiellore, gjërave që na mundësojnë bashkimin me Hyjin. I krishteri duhet t’u bie mohit gjërave dhe të flijohet për diçka më të mirë, e ky është Zoti që shpërblen me të mira të veta.

Në Ungjill Jezusi predikonte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besoni Ungjillit!“

Kjo do të thotë të bëjmë një reformë të re shpirtërore duke besuar në Ungjill, duke besuar në amshim. Mbretëria e Hyjit është shprehje biblike që do të thotë pushteti suprem i Hyjit mbi të gjitha krijesat dhe mbi të gjithë njerëzit dhe jetën e tyre. Me që Ai është Krijues, kuptojmë që Ai është Mbret.

Mbretëria e Hyjit vjen tek ata njerëz dhe në çdo kohë kur e pranojmë Hyjin në jetën tonë, në familje tona. E kjo Mbretëri do të thotë paqe, dashuri, jetë në vlera shpirtërore, jetë si na mëson dhe kërkon Zoti nga ne.

Ty dhe mua, sikurse apostujve, na thotë Jezusi: Eja pas meje.

Eja pas meje do të thotë se je me Jezusin në rrugën e jetës, Ai të prinë, Ai të udhëheq dhe rruga jote është e sigurt.

Të shkosh pas Jezusit do të thotë t’ia besosh jetën Atij dhe të lëshohesh në duar të Tij. Të pyesim a jemi afër apo larg Mbretërisë së Hyjit?

Lutjet e besimtarëve 

O Zot, ti na fton në kthim dhe pendim, na fton që të të ndjekim ty me zemra të pastra dhe të drejta. Sot  jemi tubuar këtu në praninë tënde e dëshirojmë t’i paraqesim lutjet tona, prandaj pot ë lutemi:

O Zot, na dëgjo!

Për Kshën e shenjtë, në krye me Papën Françesskun, ipeshkvin tonë Dodën, meshtar ët e rregulltarët, frymëzoj dhe përkrahi që gjithnjë të punojnë për përhapjen e Mbretërisë sate, të lutemi:

Për të gjithë njerëzit, që të kenë vullnet të përhapin dashurinë dhe paqen në mes vete, bën që të ndjehen si vëllezër dhe motra, si bijë dhe bija të tua, të lutemi:

Për ne këtu të pranishëm, që të dimë të kërkojmë dhe zbulojmë ftesën tënde për të ecur pas teje dhe me Ty të ndërtojmë të ardhmen tonë, të lutemi:

Për të gjithë ata që vuajnë për shkak të sprovave të ndryshme të jetës, që të qëndrosh pranë tyre për t’i ngushëlluar dhe forcuar në fe, të lutemi:

Për të gjithë mëkataret, që Shpirti yt i mirë t’i frymëzoj të kthehen dhe të bëjnë pendesë, kështu që t’i bashkohen grigjës sate duke jetuar një jetë çfarë të pëlqen Ty, të lutemi:

Për të gjithë të vdekurit tanë dhe për ata shpirtra që nuk lutet askush, bëj që të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

O Zot, Ti je i mëshirshëm dhe bujar, prano lutjet tona dhe na ndihmo të jetojmë prej hireve tua, nëpër Krishtin Zotin tonë.

Përgatiti: Don Marjan DEMAJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »