SHKRIMTARËT DHE MESAZHI I PAQES

Jan 26 • Opinion

Prezantimi i Mesazhit të Paqes e Papa Françeskut 2015,  me titullin “Jo më skllevër, por vëllezër”

 Shkruan: Prend BUZHALA

Shkrimtarët e të gjitha letërsive, nga të gjitha anët e rruzullimit tokësor, që krijojnë letërsi të mirëfilltë dhe që kanë formim estetik e etik; padyshim që do ta nënshkruanin pa hezitim këtë mesazh papnor me parafrazën, po ashtu, jashtëzakonisht domethënëse e kuptimplote “Jo më skllevër, por vëllezër”, ani se mesazhi nuk u drejtohet atyre ekskluzivisht (dhe nuk ka nevojë t’u dërgohet, sepse krijuesit letrarë, përgjithësisht artistët, vetvetiu personifikojnë paqen, lirinë dhe drejtësinë njerëzore e shoqërore).

1.

Sigurisht që do ta nënshkruanin njerëzit e të gjitha besimeve dhe të të gjitha kombeve, sepse paqja është aspiratë e amshueshme e tyre, por nuk jam i sigurt se a do ta nënshkruanin edhe krerët e të gjitha qeverive. Do ta nënshkruanin, por ata vihen para një përgjegjësie që vetë Papa Françesku e zbërthen:

“Sot, pas një evolucioni pozitiv të ndërgjegjes së njerëzimit, skllavëria, krim i njerëzimit të cenuar, është shfuqizuar formalisht në botë. E drejta e çdo personi për të mos u mbajtur në gjendje skllavërie apo nënshtrimi është njohur në të drejtën ndërkombëtare si normë kategorike.”

Dhe përse ky paradoks i kohës sonë?

Kjo do të thotë se te vlera që i jep në trajtën e mesazhit ky papë, do të bashkoheshin të gjithë, porse tek fusha e demagogjisë mund të bashkohen vetëm politikanët që përdorin mjete shesh joetike për realizimin e qëllimeve të tyre; sepse janë kompetentë për këtë fushë, për të fituar privilegje të pafund; por te kjo fushë e minuar e vlerave njerëzore nuk mund të bashkohen shkrimtarët, gjithsesi as njerëzit vullnetmirë të besimeve fetare a të paqes.

Nga ana tjetër, magnatët e kapitalit që diktojnë politikën botërore, trafikimin e armëve në masë dhe që shkaktojnë vatra krizash, duke e rrënuar paqen e popujve e të kontinenteve, në bashkëveprim me shumë krerë të politikës konservatore, me interesa të kapitalit, sidomos në SHBA, nuk do ta nënshkruanin, duke e etiketuar, madje, si marksist këtë mesazh të Papa Françeskut, se si marksistët paskan predikuar barazinë sociale, se marksizmi edhe ka predikuar krishterimin si fe të lindur nga skllevërit… … Por ky Papë, duke u shprehur shpesh kundër kapitalizmit të shfrenuar dhe lakmisë së shfrenuar, edhe këtë çështje e ka sqaruar më vonë, kur ka pohuar se lufta për drejtësi sociale dhe për të drejtat e të varfërve, ka qenë gjithmonë mision i Kishës Katolike, shumë kohë përpara se të shpikej komunizmi.

Mbasi unë kam përsëritur disa pjesë të Etërve të parë të Kishës, nga shekulli II ose III, mbi faktin se si duhet të sillemi ndaj të varfërve, atëherë edhe ju mund ta shikoni, kujdesi për të varfrit në Ungjillin, në traditën e Kishës, nuk është një shpikje e komunizmit dhe nuk duhet të shohim ideologjikisht si ka ndodhë në histori.”

2.

Mirë, le ta zbërthejmë pak edhe këtë pikëpamje të Papës. Qe dy vite, kur lexohen me vëmendje mesazhet-letra të Papa Françeskut, ai sikur ndjek një traditë të teologjisë së çlirimit që e kanë praktikuar klerikët katolikë në Amerikën latine, kundër formave të ndryshme të shfrytëzimit, të diskriminimit, të kolonializmit e të diktaturave, nga njëra anë; apo ato të shekujve të parë të krishterimit, kur mbyteshin me gjak kryengritjet e skllevërve, të të varfërve apo popujve të shumtë të asaj periudhe kundër shtypjes së perandorisë romake.

Duke pasur parasysh, se prej vitit 1968, kur Papa Pali VI nisi Ditën Ndërkombëtare dedikuar Paqes, pas tij erdhën edhe tre papë të tjerë, Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti dhe qe dy vite, Papa Françesku, në letrat e tyre drejtuar të gjitha kombeve, krerëve të shteteve dhe qeverive, si dhe udhëheqësve fetarë të botës; ata kanë trajtuar një spektër tejet të pasur, të larmishëm dhe të gjerë të ideve dhe qëndrimeve, kushtuar kryesisht paqes. si kundër janë: Edukimi për paqe, Nëse dëshironi paqe, bëje drejtësinë, Nëse doni paqe, mbroje jetën, Paqja varet nga ju, E vërteta është fuqia e paqes, Paqja është një dhuratë e Hyjit,  Zhvillim është emri i ri i paqes,  Nga familja lind paqja e njerëzimit,  Nëse doni paqe, ndihmoji të varfërit, Nuk ka paqe pa dashuri dhe falje, Liria fetare, rrugë që të çon në paqe … Vitin e kaluar, Papa Françesku mesazhin e tij e titulloi “Vëllazërimi, themel dhe rrugë drejt paqes”, kurse këtë vit mesazhi titullin ëq thotë shumë “Jo më skllevër, por vëllezër.”

Sikundër shihet, që nga viti 1968 e deri më tash, në marrëdhënie e përqasje me paqen, vihen edukimi, drejtësia, mbrojtja e jetës, individi, e vërteta, burimi hyjnor i paqes, zhvillimi, familja, ndihma ndaj të varfërve, dashuria dhe falja, si dhe liria fetare. Te mesazhi i sivjetmë, papa sqaron:

“Tema që kam zgjedhur për këtë mesazh kujton Letrën e shën Palit drejtuar Filemonit, në të cilën Apostulli i kërkon bashkëpunëtorit të vet që ta pranojë Onezimin, që ishte skllav i vetë Filemonit dhe që tani është bërë i krishterë dhe, prandaj, sipas Palit, meriton të konsiderohet vëlla. Kështu shkruan Apostulli i popujve: «Ndoshta pikërisht për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur» (Flm 15-16). Onezimi është bërë vëlla i Filemonit duke u bërë i krishterë. Kështu kthimi nga Krishti, fillimi i një jete dishepullati në Krishtin, përbën një lindje të re (krh. 2 Kor 5,17; 1 Pjt 1,3) që do të krijojë vëllazërinë si lidhje krijuese e jetës familjare dhe bazament i jetës shoqërore.”

Duke e drejtuar gishtin gjithnjë te plaga e shfrytëzimit të përhapur që njeriu ia shkakton njeriut, mesazhi bën thirrje për një jetë në bashkim, për të krijuar marrëdhënie ndërpersonale. Respekti, drejtësia e dashuria, janë tre fjalë-çelësa që shpesh zhdrivillohen brenda letrave, mesazheve, predikimeve dhe paraqitjeve të këtij pape, ashtu sikundër këto postulate marrin formën e thirrmës për jetë të dinjitetshme dhe të lirë edhe te ky mesazh, gjithnjë me kryekërkesën që njerëzit të mos konsiderohen më skllevër, por vëllezër.

Pjesët tjera në vazhdim të këtij teksti papnor të mesazhit: “Në dëgjim të planit të Hyjit në lidhje me njerëzimin”, “Fytyrat e shumta të skllavërisë dje dhe sot”, “Disa shkaqe të thella të skllavërisë”, “Një angazhim i përbashkët për ta mposhtur skllavërinë” dhe “Të globalizohet vëllazëria, jo skllavëria dhe as mospërfillja”, lexojmë shqetësimet e thella të Papës për gjendjen e skllavërisë moderne që mbretëron sot në gjithë rruzullin tokësor, por me theks se si të kapërcehet gjendja e tillë, për t’u realizuar vëllazëria e për t’u mposhtur skllavëria, mbasi askush nuk lind i tepërt në këtë botë, dhe sepse, “si vëllezër e motra, të gjithë personat janë për nga natyra në marrëdhënie me të tjerët”. Realiteti negativ i mëkatit, si përkufizohet biblikisht edhe te ky mesazh, i parë që nga xhelozia e Kainit e deri më sot, i kundërvihet një realitet tjetër shpëtimtar, ai i Jezusit, vdekja e të cilit është shpengim i mëkatit, shlyerje e mëkateve, ashtu si mëson Shën Pali: “Krishti është paqja jonë.” Porse ndryshe edhe nga akuza e marksistëve, që krishterimin e kanë shikuar si opium që kërkuaka shpëtimin në atë botë e jo në këtë botë, megjithatë, vetë mbarështrimi i problematikës së këtij mesazhi, ku spikatet kërkesa për ta kapërcyer të keqen planetare të skllavërimit, e sheh në veprimin konkret të njerëzve e jo tek mbyllja në vetvete; pra, do të thoshim e ai kërkon një vita activa, përpos asaj që quhet vita kontemplativa. Dhe këta shembuj i sheh sidomos te puna e pamasë dhe e heshtur që shumë kongregata rregulltare, sidomos femërore, çojnë përpara prej shumë vitesh në dobi të viktimave, “në reabilitimin e tyre në profilin psikologjik e formues dhe në riintegrimin  e tyre në shoqërinë e destinacionit apo të prejardhjes.”

3.

Të bën përshtypje se Papa Françesku, burimet e rrezikimit të situatës së përgjithshme në botë, i sheh pikërisht tek këta zinxhirë që shtrihen kudo në keqpërdorimin e qenieve njerëzore: te nënshtrimi në sektorë të ndryshëm i punëtorëve dhe të miturve, ku mungojnë edhe normat e standardeve minimale të punëtorëve; te kushtet e jetës së shumë emigrantëve që, në itinerarin e tyre tragjik, vuajnë prej urisë, privohen prej lirisë, zhvishen prej të mirave të tyre dhe keqpërdoren fizikisht e seksualisht; te personat e detyruar të prostituohen, mes të cilëve ka shumë të mitur, si dhe për skllavet e skllevërit seksualë; te gratë që detyrohen të martohen, apo të shiten për martesë; tek të miturit dhe të rriturit, që janë bërë objekt i trafikut dhe i tregtisë për eksploatimin e organeve, për t’u rekrutuar si ushtarë, për të lypur, për veprimtaritë e paligjshme sikurse prodhimi apo shitja e substancave narkotike; te ata të skllavëruar që grabiten dhe mbahen në robëri prej grupeve terroriste, të nënshtruar qëllimeve të tyre si luftëtarë apo, sidomos për sa u përket vajzave e grave, si skllave seksuale etj.

Dhe ku i sheh shkaqet e kësaj skllavërie moderne Papa Françesku? Ja si nënvizon ky mesazh:

“Sot ashtu sikurse dje, në rrënjën e skllavërisë gjendet një konceptim i personit njerëzor që pranon mundësinë që ai të trajtohet si objekt. Kur mëkati e prish zemrën e njeriut dhe e largon prej Krijuesit të vet e prej të ngjashmëve të vet, këta të fundit nuk perceptohen më si qenie me dinjitet të barabartë, si vëllezër e motra në njerëzim, por shihen si objekte.”

Madje, mesazhi që shquan shqetësimet e thella për gjendjen e tillë, nuk lë pa pohuar, mbase me zemërim e pikëllim, se njeriu “me anë të forcës, mashtrimit apo detyrimit fizik ose psikologjik privohet prej lirisë, tregtohet, kthehet në pronë të dikujt; trajtohet si mjet dhe jo si qëllim.”

Më se i vërtetë ky pohim, që diagnostifikon saktë fenomenet dhe problemet. Le ta zbresim në realitetin shoqëror të Kosovës dhe do ta ndiejmë se sa afër na qëndron ky mesazh! Kosova është ende pjesa më e goditur e Evropës në pikëpamje sociale, sado që këmbas plojës së luftës solidariteti ndërkombëtar i fazës së emergjencës, ishte i jashtëzakonshëm. Por problemet nuk zgjidhen me lëmosha rasti. Kosovës i mohohet e drejta të lëvizë lirshëm, rrugët për në Evropë janë vetëm njëkatëshe, por këtu janë të lirë ë parakalojnë brigada të shumta trafikantësh të të gjitha sarafeve e llojeve, nga të gjitha anët e botës, të mbjellin ideologji nga më të çoroditurat në emër të shpëtimit të qenies së tyre ekzistenciale, kombëtare, fetare e shoqërore, duke e rrezikuar rëndë identetin njerëzor, kombëtar e social në nyjat e tij më të ndjeshme. Por, të mos harrojmë, te shqiptarësia, ku bashkohen krahinat, ideologjitë a bindjet e ndryshme politike, burimin e ka te afrimi e toleranca vëllazërore ndërfetare shqiptare, që i përballoi me sukses të gjitha vështirësitë e të qenit komb, çfarëdo sfidash e pengesash që të kenë ndodhur.

Prandaj, gjithnjë sipas konceptit të tij çlirues të vëllazërisë, Papa na sfidon edhe me postulatin filozofiko-teologjik; dhe le ta shtrojmë pyetjen: a thua, a jemi të gatshëm sot, pikërisht sot, tash dhe këtu, që ta pranojmë te tjetri njerëzimin, apo tjetrit t’ia refuzojmë të drejtën të jetë njeri?! E, po qe se këtë njeri, e përjashtojmë nga e drejta në zhvillim, dhe e dërgojmë në vatrat e mjerimit social e të varfërisë, po qe se këtyre të përjashtuarve ua mohojmë të drejtën për edukim, atëherë realiteti i tillë nuk ka se si të mos karakterizohet i dhembshëm, me plagë që godasin jetën. Mashtrimi shtrihet gjithandej planetit, ashtu sikundër na prek edhe neve këtu në Kosovë, kur viktimat e trafikimit e të nënshtrimit, me shpresën për të dalë nga kjo gjendje varfërie, bien në duart e rrjeteve kriminale. Shtoja këtij rrjeti edhe teknologjinë informative të joshjes. Papa pohon:

“Edhe korrupsioni i atyre që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u pasuruar duhet radhitur mes shkaqeve të skllavërisë….Kjo ndodh kur në qendër të një sistemi ekonomik gjendet hyjnia para dhe jo njeriu, personi njerëzor”.

Dhe, për ta mënjanuar jo vetëm formalisht skllavërimin, por konkretisht, ai kërkon angazhimin e trefishtë në nivel institucional: parandalim, mbrojtje të viktimave dhe veprim gjyqësor ndaj përgjegjësve.

4.

Meqenëse e keqja e tillë skllavëruese është planetare, atëherë edhe “veprimi për ta mposhtur këtë dukuri kërkon një përpjekje të përbashkët dhe po aq globale nga ana e aktorëve të ndryshëm që përbëjnë shoqërinë.” Duke iu dalë në krah të emigruarve, punësimit të tyre, adoptimeve, ai kërkon nga shtetet e tilla që këto të rregullohen me legjislacionin përkatës kombëtar, për ta respektuar dinjitetin e njeriut:

“Janë të nevojshme ligjet e drejta, të përqendruara në personin njerëzor, që t’i mbrojnë të drejtat e tij themelore … Organizatat ndërqeveritare, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, janë të thirrura të vënë në jetë nisma të koordinuara për të luftuar rrjetet transkombëtare të krimit të organizuar që drejtojnë tregtinë e personave njerëzorë dhe trafikun e paligjshëm të migrantëve.”

Një trokitje në ndërgjegjen e organizatave të shoqërisë civile, është thirrja e këtij mesazhi për ta kundërshtuar dhe çrrënjosur kulturën e nënshtrimit.

Pra, jo nënshtrim, por zgjim!

Zgjim, në mënyrë “që aktorët e ndryshëm t’i bashkojnë përpjekjet dhe të bashkëveprojnë për t’i dhënë fund kësaj plage.

Dhe ky zgjim a ndërgjegjësim, duhet të ndodhë në zemrën e mendjen tonë, domethënë, “për ta ndryshuar vështrimin drejt të afërmit, për të parë në tjetrin, kushdo qoftë ai, një vëlla dhe një motër në njerëzim, për ta njohur dinjitetin e tij të veçantë në të vërtetën dhe në lirinë...” Dhe shembujt e tillë vetësakrifikues janë të shumtë nëpër botë.

Mund ta shtrojmë pyetjen tjetër: aty ku ka plagë kaq të pezmatueshme shoqërore, a thua, cila qenka vlera e paqes? Mos u dashka blerë vlera e saj me mashtrime, gënjeshtra, trafikime të qenies njerëzore? Jo. Papa na e tërheq vëmendjen me një thirrje dramatike dhe po kaq ndërgjegjësuese:

“Ju drejtoj një thirrje urgjente të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë, si dhe të gjithë atyre që, nga afër apo nga larg, edhe në nivelet më të larta të institucioneve, janë dëshmitarë të plagës së skllavërisë bashkëkohore, që të mos bëhen bashkëpunëtorë të kësaj të keqeje, që të mos e kthejnë kokën nga ana tjetër përballë vuajtjeve të vëllezërve e motrave të tyre në njerëzim… ne që të bëhemi nismëtarë të një globalizimi të solidaritetit dhe të vëllazërisë.. “

Më në fund, do të thosha se ekziston edhe fenomeni shpirtëror universal e që është në natyrën e njeriut që, përpos mirëqenies materiale a drejtësisë shoqërore, të kërkojë edhe një dalje jashtë vetes dhe për të kërkuar një arritje te një fuqi e lartë shpirtërore, qofshin ata besimtarë a ateistë dhe njerëz të t gjitha shtresave shoqërore a ideologjike. Para të pakufishmes në gjithsesi janë përkulë të gjithë. Gjithsesi që Papa, nga ato lartësi të lakmueshme, të mbushura me boshllëkun e qenies sonë (qofshin ata përfaqësues të rrymave filozofike, politike, ideologjike apo dhe letrare e artistike), dëshiron të na zbresë, fillimisht në truallin njerëzor e social,

Sigurisht që shkrimtarët a filozofët kanë të drejtë të jenë skeptikë, dyshues të përhershëm të vlerave mbi tokë. Atëherë vetvetiu shtrohet pyetja: në cilën anë është shkrimtari? Anën e kujt e mban ai? E pra, dikur e tani, shkrimtari ishte në anën e atdhesisë, lirisë, demokracisë, përparimit, PAQES etj etj. Do të thoshim, në anën e Njeriut e të Humanizmit. E, në radhë të parë, ai qëndron në krahun e artit. Te e fundit, krijimtaria artistike, përbën esencën afirmative të të gjitha gjërave. Kurse në anën tjetër të barrikadës do të qëndronin ideologjitë e ndryshme agresive, totalitarizmi, dogmatizmi, absolutizmat e ndryshëm politiko-sistemorë, etj etj. Shkrimtarët e kanë parandjerë gjithnjë se Letërsia e Politika, në kushtet kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit. Kaini u hodh në anën e Politikës, Abeli në anën e Shkrimtarit.

Paqja, pra, ka vlerat e veta thelbësore. Ajo merr kuptimin e saj, kur zhduken format e skllavërimit dhe kur respektohet dinjiteti i njeriut.

Por askund te ky mesazh nuk ka as më e vogla gjurmë ndonjë thirrje për dhunë, sepse do të ndodhte, ashtu si shprehet Mahatma Gandhi: “Të luftojnë njerëzit kundër njërit-tjetrit sy për sy , ata do të përfundojnë duke u bërë të gjithë të verbrit e kësaj bote.” Kurse krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojmë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe politikës; në mes të vizioneve për humanizmin, demokracinë dhe paqen dhe të esencave estetike. Do të thoshim, që, vetëm mënyra krijuese e të të menduarit arrin t’i zbërthejë enigmat dhe t’i zgjidhë problemet e koklavitura që shtrojnë raportet e tilla. Prandaj, në këtë frymë krijuese, thellësisht humaniste, do të na e drejtonte pyetjen e tij, me mbështetje te postulati biblik: “E dimë se Hyji do ta pyesë secilin prej nesh: ‘Çka bëre me vëllain tënd?’ (krh. Zan 4,9-10).

E pra, çka po bëjmë secili prej nesh për VËLLANË TONË AFËR VETES, vëllanë shqiptar dhe vëllanë njeri? A mos po na deformohet e tjetërsohet kjo DASHURI, duke marrë përmasa të urrejtjes? Përgjigjen, për të mos qenë ndryshe, na e jep parafraza lapidare “JO MË SKLLEVËR, POR VËLLEZËR”.

(26 janar 2015)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »