Rendi global, kombet dhe roli i Kishës

Jan 27 • Res socialis

Shkruan: Pierre MANENT

Globalizimi paraqitet si një religjion shekullarë i cili është një imitim i çoroditur i krishtërimit.  Por, kriza e hegjemonisë së SHBA-ës dhe lindja e Kinës, Indisë e Botës Arabe e bëjnë katolicizmin një ndërmjetës universal të ri.

Çdo epokë e ka religjonin shekullarë të vet, atë imitim të çoroditur të krishtërimit që përqendron drejt kësaj bote një pjesë apo një tjetër të propozimit të krishterë.

Pastaj, nuk ka kaluar shumë kohë që kur komunizmi tjetërsonte dashurinë bamirëse për të varfërit në urrejtje ndaj shoqërisë kapitaliste, e në fund, ndaj çdo lloj shoqërie që njihte të drejtat e “përsonit njerëzor”. Sot, një farë “religjion i njerëzisë” e ka futur në thes opinionin e ashtuquajtur të iluminuar, dhe udhëheq gjithmonë e më tepër vlerësimet e veprimet, private apo publike, në Perëndim e posaçërisht në Europë. Nuk bëhet fjalë thjeshtë për një modë apo një tendencë e opinionit publik; bëhet fjalë për një nismë në fuqi e me rreze të gjërë veprimi me qëllim që të rregullojë botën njerëzore nëpërmjet normash e institucionesh ndërkombëtare, në mënyrë që kombet, duke humbur karakterin e tyre si njësi politike sovrane janë tashmë asgjë më shumë se sa  “rajone” të një bote drejt grobalizimit, domethënë drejt njësimit. Ashtu sikur në konceptin komunist të historisë,  besohet se “të jesh” e “duhet të jesh” janë e njëjta gjë: nëse dyshoni që globalizimi është i dëshirueshëm, do u thuhet që ai është i parrezistueshem dhe se refuzoni që të shihni realitetin; nësë dyshoni se është i parrezistueshëm, do u thuhet që ai është i dëshirueshëm  dhe se refuzoni dukjen e qartë të së Mirës. Me pak fjalë, “bota” na ofrohet si objekti më legjitim i dëshirës sonë.

Një pohim i tillë kërkon një sforcim serioz shqyrtimi, në të cilin janë të ftuar të gjithë, por posaçërisht të krishterët. Në fakt, të krishterët janë të prirur ta mirëpresin tendencën aktuale të gjërave dhe të shohin në të një shenjë fatlume të kohërave, pasi globalizimi sulmon realitetin e legjitimitetin, faktin dhe të drejtën e kombeve sovrane që Kisha i ka parë gjithmonë të paktën me mosbesim e mbi të cilat ndonjëherë ka shprehur dënime e qortime haptazi. Armiqësia e Kishës nuk është pa arsye, pasi njësitë politike sovrane janë të pandashme nga një vullnet pushteti  apo nga një dëshirë sundimi e cila i shtyn princër e të nënshtruar, njerëz të Shtetit e qytetarë, që të orientojnë dëshirat e tyre drejt “qytetit tokësorë” e të pretendojnë një “pavarësi” e cila dëmton madhështinë hyjnore dhe falsifikon vokacionin njerëzorë. Faktikisht, konsolidimi i kombeve në Europë ka qënë i pandashëm nga një  nënshtrim i Kishës, i cili nga njëherë ka arritur shumë afër përjashtimit të saj nga hapsira publike. Pa dashur këtu të rimarrim historinë moderne të Europës, do të mjaftohemi duke vënë në dukje që Reforma ka pasur si rrjellojë “nacionalizimin” e Kishës universale e për pasojë kombi, e jo më Kisha, është bërë bashkësia ekzemplare në Europë. Kisha ka përfunduar duke kontrubuar gjithmonë e më pak në përcaktimin e konfigurimit politik e shpirtërorë  të Europës, ashtu siç dëshmojnë përpjekjet e admirueshme e të parezultat të Benediktit XV për të moderuar tërbimet nazionaliste.

Nën vështrimin e krishterë, kombet mund të duken si idhuj të prodhuar e të nxitur nga krenaria (mendjemadhsia). Prandaj, nuk është e rastësishme që impulset e para e vendimtare për ndërtimin europian u dhanë nga burra Shteti katolikë. Edhe sot, për shumë katolikë, hapat e bërë nga Robert Schuman, Konrad Adenauer e Alcide De Gasperim, kanë jo vetëm karakterin e një zgjedhjeje të guximshme e të urtë politike, por edhe të një farë transformimi (kthimi) kolektiv i cili vulos kalimin nga rendi politik i pushtetit në rendin e ri të bashkëpunimit të painteres.

Pavarësisht sa mund të na duket tërheqës e bindës tregimi i madh që shoqëron e justifikon ndërtimin europian, nuk mundemi të mos vëmë re që ai bazohet mbi një lexim shumë të njëanshëm të historisë së kontinentit dhe mbi një vlerësim shumë të pjesshëm të asaj forme politike tipike europiane që është kombi; parcialitet ky që nga ana tjetër na tregon se si nuk është e lehtë aq sa do të dëshirohej, të lihen pas krahëve pasionet politike. Për më tepër, ai tregim varet simetrikisht nga një kuptim sipërfaqsorë i asaj që kërkon themelimi i një shoqërizimi njerëzorë me efekt universal. Padrejtësia ndaj kombit dhe keqkuptimi i “njerëzimit universal” lënë të kuptojnë njëra-tjetrin dhe forcohen reciprokisht.  Kombi nuk i ikën ambivalencës së veprave njerëzore. I përftuar nga njeriu mëkatar, tregon në të njëjtën kohë madhështinë dhe mjerimin e vetë njeriut.

Kemi parashtruar shkurtimisht të metat e formës “komb”, të cilat janë vijimësisht të pranishme në mendjen e bashkëkohësve tanë dhe kujtimi i të cilave kontrubuon për t’i dhënë ngjyrë e amështi jetës politike e morale europiane. Tani është e rëndësishme që të kujtohen edhe meritat e kësaj forme. Nëse Hyji, duke e krijuar njeriun, e ka lënë atë në mëshirën e urtisë së vet, atëherë kombi është pjesë e të mirës së krijimit sepse ka qënë korniza dhe rezultati i përpjekjes më të qëndrueshme e më të larmishme e shoqërizimit njerëzorë për të organizuar vetqeverisjen.

Shpikësit më të parë i takon merita, kështu që Athinës nuk do i hiqet nderi, por nuk ishin parë kurrë më parë jashtë Europës së krishterë njësi politike  aq të shtrira e aq të qëndrueshme në të cilat kaq shumë njerëz gjendnin kushtet e një jete të nderueshme  e me kritere.

Nga ana tjetër, edhe pse kombet janë të prirura drejt sundimit, ashtu si edhe qytetet apo perandoritë ndër të tjera, është e nevojshme të vëmë në dukje që ndarja e Europës në kombe rivale e ka penguar ngurtësimin perandorak dhe se pjelloria e historisë europiane vjen falë lojës së pandalshme mes kombeve të ndryshme të saj.

Mendimi politik katolik, shpesh është shumë i rrebtë, jo pa arsye, ndaj nocionit të sovranitetit. Megjithatë, duhet vënë në dukje që falë këtij sovraniteti dhe njohjes së sovranitetit të të tjerëve nga ana e secilit komb, ka qënë e mundur bashkëjetesa e për më tëpër edhe rivaliteti mes kombeve me fuqi shumë të pabarabartë mes tyre. Njohja e sovranitetit të barabartë të kombeve të vogla – që kuptohet, ka pasur të metat e veta! – është një ndër realizimet më të mëdha të së drejtës publike europiane. Duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtij aspekti të gjërave, sot kur vënia nën mbrojtje e Vendeve të vogla europiane, me motivin apo pretekstin e krizës finanziare, jep idenë e një pabarazie të thellë e cila kërcënon jetën e europianëve nga momenti që disa vënë re se u hiqet e drejta të jenë të pavarur.

Pa dashur të rishikojmë arritjet e kombit, duhet nënvizuar kontributi i tij në jetën morale. Këtu, nuk e kam fort fjalën për edukimin nëpërmjet gjuhës dhe letërsisë kombëtare e cila, gjithnjë e më shumë sot ka vështirësi që të ruajë legjitimitetin e saj përballë një qarkullimi botërorë të informacionit i cili i drejtohet një “njeriu të përgjithshëm”. E kam fjalën më shumë për këtë: nuk ekziston një shtytje më e fuqishme e zhvillimit moral të secilit, se sa kujdesi për të mirën e përbashkët apo të gjësë së përbashkët. Këtu nuk është fjala që të përgjithsojmë aksiomën e veprimit e cila do të prodhonte vetëm një moralitet mekanik e të gjymtuar, por që të zgjerojmë qënjen tonë për të marrë në konsideratë me zgjuarsi e vullnet këtë “qënje” më të madhe të çdo njërit, së cilës  të gjithë ne i japim formë sëbashku. Me pak fjalë, edukimi dhe realizimi i plotë i virtyteve njerëzore kerkojnë pjesëmarrjen në një njesi veprimi përballë pjesëtarëve të së cilës ndihemi përgjegjës, marrim lëvdata ose fajsohemi. Nëse nuk e mbajmë parasysh këtë, do të kemi vetëm një ide të përgjithshme njerëzie  për t’u orjentuar, e cila nuk do të ketë fuqi të na shkëpusë nga pasiviteti i jetës private.

Natyrisht, do të më kundërshtohet se fshirja e kombeve është e barazvlefshme me tejkalimin e të së veçantes dhe kështu na premton futjen në një prospektivë vërtetë universale e cila merr në konsideratë jo “këtë” grup të caktuar por të gjithë njerëzit, e thënë ndryshe krejt njerëzimin. Këtu qëndron jo vetëm iluzioni më i përhapur e më i besuar në Europë apo Perëndim, por edhe iluzioni në emër të të cilit dhe nëpërmjet të cilit, forca shumë të fuqishme kanë si qëllim të na largojnë nga kujdesi aktiv për të mirën e përbashkët, e cila në përvojën politike quhet ‘miqësi’ e në përvojën religjoze quhet ‘dashuri’.

Natyrisht që mund të flasim për një të mirë të përbashkët të njerëzimit. Ruajtja e ajrit të pastër, për shembull, është pjesë e të mirës së përbashkët të ketij lloji. Por është jë e mirë e përbashkët e jashtme, pasi njerëzimi nuk përbën një komunitet real veprimi. Një e mirë e përbashkët e këtij lloji mund të ruhet vetëm falë veprimit të secilës bashkësi politike reale, domethënë falë çdo kombi, veprim që kërkon bashkëpunimin me kombet e tjera. Natyra nuk ruhet nga njerëzimi i cili nuk ekziston politikisht. Kuk ekziston një pikëpamje e njerëzimit mbi njerëzimin, pavarësisht se mjetet moderne të komunikimit mund të japin përshtypjen e një pranie të njerëzimit tek vetvetja. Ne jetojmë me të vërtetë vetëm aty ku veprojmë, e veprojmë me të vërtetë vetëm në bashkësinë e veprimit që formojmë më bashkëqytetarët dhe të afërmit tanë. Institucionet ndërkombëtare janë e mund të jenë, mjete të dobishme për bashkëpunimin mes kombeve, por nuk e bëjnë njerëzimin një bashkësi. Sigurisht, ekziston një specie njerëzore, por ajo konkretizohet vetëm në shumëllojshmërinë e bashkësive njerëzore.

Pak më lart kam folur për forca të fuqishme që kanë si qëllim të na largojnë nga kujdesi aktiv për të mirën e përbashkët. Sigurisht që nuk kisha në mend të zbuloja një komplot! Por të krishterët duhet të jenë të shqetësuar nga përdorimi që i bëhet nocionit “njerëzi”. Mund ta marr me mend përgjigjen e ‘europianit të ndritur’ ndaj kësaj vërejtjeje. Në fund të fundit, në epokat kur Kisha është përpjekur në të gjitha mënyrat që të bashkojë njerëzit për të formuar trupin e krishtërimit, ajo ka qënë e prirur të bëjë apo të tolerojë veprime për të cilat akoma nuk është falur nga opinioni publik, përfshirë këtu edhe vetë katolikët. E, përsa u përket kombeve, pa dashur t’ua lëmë atyre përgjegjësinë ekskluzive të fatkeqsive të shek. XX, duket qartazi sot se të paktën në Europë e kanë humbur aftësinë, nëse jo vullnetin, për të parë në horizont e për të mbushur zemrat e qytetarëve të tyre. Më së shumti, ato (kombet) ofrohen për t’i mbrojtur nga stuhitë e globalizimit dhe qytetarët, përtej se çfarë thonë, në realitet nuk kërkojnë më tepër. Për rrjellojë, vazhdon më tej ‘europiani i ndritur’ të cilit i kam dhënë fjalën, bota njerëzore duhet organizuar mbi baza të ndryshme nga veprimet e përbashkëta të kristalizuara në kombe e Kisha. Këtë mënyrë të re nuk duhet ta kërkojmë: e kemi gjetur! Gjindet në rregullar e përbashkëta të cilat organizimi i vartësisë së ndërsjelltë mes qënjeve njerëzore – organizimi I tregtisë – na fton, ose më mirë na detyron që të përsosim çdo ditë. Në vend që të bazohet mbi rivalitetin e rezikshëm të trupave kolektivë, bota e re rrotullohet rreth vartësisë reciproke mes punëtorit kinez dhe konsumatorit amerikan; një vartësi reciproke që na premton një njerëzim ndoshta më pak të lavdishëm por sigurisht më të qetë e (më në fund) më të njerëzishëm se sa ai i etërve tanë.

Këtij argument, sigurisht që nuk I mungon aftësia bindëse, e kjo përbën edhe forcën e opinionit publik që udhëheq (nëse mund të shprehemi kështu) pothuajse tërësinë e ‘vendimarrësve’ europianë. Ky argument meriton një përgjigje.

Së pari, duhet vënë në dukje se argumenti i efekteve paqëtuese e qytetëruese të tregtisë, është një locus classicus i historisë së Europës moderne dhe se, fatkeqësisht, faktet e kanë hedhur poshtë me po të njëjtën përpikmëri me të cilën e kanë pohuar. Voltaire përshkruan me hove entusiazmi Bursën e Londrës, ku të gjitha religjonet e sektet gjinden e punojnë më mirëkuptim e ku I vetmi heretic – thotë ai – është ai që falimenton. Shpresat e të “Ndriturve” nuk I përgatitën aspak të parët tanë për çerekshekullin e luftërave të Revolucionit e të Perandorisë. Por ato nuk u shuan, e u ringjallën edhe më të zjarrta në shek. XIX. August Comte siguronte që ne kishim dalur tashmë domosdoshmërisht nga epoka «teologjike e luftarake». E dimë se çfarë ndodhi, e kotë të zgjatemi me tej. Nuk kam ndërmend të lë të kuptohet që faza e tanishme e globalizimit është e dënuar të njohë të njëjtin përfundim të dy fazave pararendëse, por dua të kujtoj se të tjerë para nesh, as më pak të kthjellët e as më pak guximtarë sesa ne, kanë ushqyer të njëjtat shpresa si ne; kjo do të duhej të na shtynte drejt përkormërisë.

Të përgjumur nga kjo papërgjegjshmëri, europianët ëndërrojnë një njerëzim të bashkuar në paqe falë rregullave të tregtisë dhe infektimit të “ndjenjës së të ngjashmit”. Për ta ndjerë boshllëkun logjik e moral të një bindjeje të tillë, do të mjaftonte të bëheshin disa pyetje. Si do t’ia arrijnë – me çfarë inteligjence e kujdesi – Shtetet e Bashkuara të negociojnë rënjen e padyshimtë të aftësisë së tyre për të garantuar udhëheqjen politike të botës? Si do t’ia arrijë – me çfarë inteligjence e kujdesi – Kina të negociojë rritjen e papritur të resurseve dhe të pushtetit të saj në Azi e në pjesën tjetër të botës? Si do t’ia arrijnë – me çfarë inteligjence e kujdesi – europianët të organizojnë mardhënjet e tyre me botën islame, në situatën e re të krijuar nga vendosja e shumë myslimanëve në Vendet e Europës? Si do t’ia arrijnë – me çfarë inteligjence e kujdesi – myslimanët të organizojnë bashkësinë e besimtarëve në rrethanat e reja? Siç shihet, asnjëra nga këto pyetje nuk mundet të marrë një përgjigje; secila prej tyre vetëm sa preket nga rregullat e tregtisë e nga infektimi i “ndjenjës së të ngjashmit”. Pavarësisht se sa të dëshirueshme janë këto gjëra, ato vetëm sa i prekin faktorët që kam kujtuar pak më lart, pasi këta faktorë i përkasin drejtimit të veprimeve të kryesuara prej atyre gjërave të zakonshme që janë “njësitë politike e religjoze”.

Tani për tani, europianët refuzojnë të masin peshën e këtyre faktorëve, sepse mendojnë se shohin –nën ndarjet e dukshme, kuptohet – një njerëzim tendencialisht tashmë të bashkuar. E kam argumentuar se si “religjoni i njerëzisë”, ndër të gjitha religjonet, është më i lehti të tregohet se bazohet mbi një iluzion. Prandaj, bota nuk do e gjejë formën dhe qetësinë e vet në shumimin e besimtarëve të një religjoni si ky. Kjo është një çështje ngushtësisht europiane dhe është e destinuar të mbetet e tillë. Si gjithmonë, bota do të bazohet mbi ekuilibrin e dobët që përcaktohet nga vendimet politike e shpirtërore që bashkësitë e njerëzve do të marrin e që mund të përshkruhen vetëm prej katalogut të  virtyteve kardinale e teologale.

Megjithatë, ka një kusht paraprak në ushtrimin e virtyteve në rendin politik e atë shpirtërorë. Është arritja në një vizion të saktë të konfigurimit aktual të gjërave. E kam thënë tashmë, sot, faktori kryesorë është dobësimi i aftësisë drejtuese të Perëndimit, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara mbeten aktori individual më i fuqishëm. Ky dobësim relativ, bashkangjitur për rrjellojë me forcimin e fuqive deri tani periferike, ka prodhuar një botë shumëpolëshe për të cilën shumëkush shpreson që do e nxjerrë ekuilibrin e saj pikërisht falë këtij pluraliteti. Nga ana ime, mendoj se rendi ndërkombëtarë vështirë se mundet t’ia dalë pa një fuqi mbizotëruese dhe se dobësimi amerikan është i mbarsur me kërcënime.  Por nuk eshte ky vendi për të thelluar hamendësime të tilla. Ajo që duhet theksuar është se sot i zbulohen botës së përbashkët ngërçet e mëdha që deri tani monopoli perëndimorë i “progresit” i kishte lënë nën hije. Aty ku gjindej vetëm Perëndimi, sot gjinden, përveç perëndimit, edhe Kina, India, bota islame, etj. Tani, ashtu sikurse e kam nënvizuar, njerëzimi nuk do të duhej të ngatërrohej me idhullin e fabrikuar nga “ndjenja e të ngjashmit”. Njerëzimi i vërtetë është i bërë nga bashkëjetesa dhe tensioni ndërmjet propozimesh njerëzimi të cilat nuk mund të shkrihen në njerëzimin e ëndërruar nga humanitarët. Kina, Islami, populli hebre, bota e krishterë nuk janë ngjyra të ndryshme të një njerëzimi-ylber, ato janë  entitete politike e shpirtërore, të cilat ngrihen si propozime dhe konfirmime “njerëzimi” e që duhet të bëhen të përputhshme ndërmjet njëri-tjetrit. Nuk është e mjaftueshme të themi e të mendojmë sinqerisht që jemi të gjithë njerëz. Është e rëndësishme të gjinden rrugët e një ndërmjetësie politike e shpirtërore mes këtyre propozimeve pasi shpejt, Perëndimi nuk do të jetë më I fortë mjaftueshmë për ta mbajtur botën të bashkuar. Përpjekja e ndërmjetësimit është sa politik aq edhe shpirtërorë. Kam përshtypjen se në këtë pikë Kisha Katolike është e thirrur të luaj një rol vendimtarë. Them është e thirrur të luaj këtë rol, nuk them se do e luaj: kjo do të varet nga virtytet e të krishterëve.

Cilin rol? Nëse hedhi një sy vazhdës së gjërave të tanishme, një gjë më spikat. Pjesa më e madhe e bashkësive të mëdha religjoze e politike të botës, njeh në vete një tundim ekstremizmi: ekziston “zelotizmi” hebre, fort mirë i njohur në kolonizimin e Judesë e të Samarisë; ekziston fundamentalizmi apo “leteralizimi” protestant i cili ngjall në botën e krishterë një hov misionarë të përzier me pasione të forta politike e sociale; ekziston Kisha Ortodokse ruse, e cila, e çliruar nga servilizmi komunist, i bëhet mbështetje botërisht pushtetit pasardhës e i jep zemër nacionalizmit; e natyrisht, ekziston islamizmi. E sa i takon “religjionit të njerëzisë“, e kam përmendur tashmë fanatizmin e tij.

Kisha Katolike nuk njeh hove të tilla. Pa e tepruar mund të themi se ajo nuk e njeh njëanshmërinë apo pasionin politik. Ndoshta kjo paanshmëri e lavdërueshme është rezultati i dobësive aq sa edhe i virtyteve të saj. Ndoshta, pjesërisht është rrjellojë e faktit që çdo gjest i pakujdesshëm i saj kritikohet ashpër nga një palë ose një tjetër, kështu që ajo i bën sytë katër. Gjithsesi… vetëm Kisha Katolike është në gjëndje të hyjë në një dialog serioz me ‘të gjithë’ e me ‘secilin’ prej realiteteve të mëdha të sapo përmendura. Meqënëse ajo është e vetmja bashkësi universale reale krejtësisht e ligjëruar, mundet t’u drejtohet të gjitha bashkësive të tjera të cilat kërkojnë një mbështetje në shoqërimin politik dhe në një farë ngatërrimi të rendit shpirtërorë e atij politik. Mund t’i drejtohet edhe asaj perandorie pagane që është Kina. Shkurt, ajo është qëndra nga e cila e drejt së cilës renditet mozaiku shpirtërorë i njerëzimit.

Veçanarisht, një situatë aktuale imponon një sfidë duke kërkuar me ngulm një ndërmjetësi urgjente pasi në të duket i pamundur një ambient paanshmërie. Bëhet fjalë për raportin mes Israelit dhe “kombeve”. Në kohët e fundit, Izraeli ka njohur një humbje shqetësuese legjitimiteti. Jo vetëm që bota islame vijon ta refuzojë, për arsye (religjoze e politike, të pandashme) që dihen, por universalizmi bashkëkohorë, “religjioni i njerëzisë” aq i fuqishëm në Europë, nuk ka më asnjë mirëkuptim për një komb që e ka në mend të ruaj qënjen dhe sovranitetin e tij edhe me forcën e armëve. Po në të njëjtën kohë dhe si përgjigje e humbjes së legjitimitetit, Izraeli ka kërkuar gjithmonë e më tepër të bazojë të drejtën e vet mbi referimin ndaj Shoah-së. Veprimet që kryen, e ato që lajmëron, janë shprehimisht të destinuara që të parandalojnë një shfarosje tjetër. Pa hyrë në detaje politike a morale të një impostimi të tillë, do të dëshiroja të nënvizoja se ky prek pikërisht kuptimin e hebraizmit. Vokacioni fillestarë i popullit hebre qe të ishte dëshmitari dhe mjeti i Besëlidhjes mes njerëzimit dhe një Hyji mik i njerëzve. Nëse Izraeli tashmë, e merr legjitimitetin e vet nga Shoah, përfundon për t’u varur shpirtërisht  prej armiqve të tij më të egër dhe për të marr legjitimitetin e tij në atë “mungesë” apo “heshtje të Hyjit” të përmbledhura në emrin “Auschëitz”. Vetëm një Kishë Katolike i cila e mat borxhin dhe vartësinë e saj përballë popullit hebre dhe vokacionit të Izraelit, do të jetë e aftë të dëshmojë miqësinë hyjnore. “Religjioni i njerëzisë” dhe “religjioni i Shoah-së” janë dy versionet, armike dhe solidare, të një “religjioni të  mungesës së Hyjit” që po e shkërmoq e demoralizon Perëndimin. Ky i fundit do të rimarrë kurajon vetëm pasi të gjejë besimin në miqësinë e Hyjit.

Kisha Katolike, ndërmjetësuese dhe bartëse e Ndërmjetësit, nuk ka detyrë tjetër politike – por është një detyrë urgjente – përveç se të jetë dëshmitare bindëse e mirësisë së Hyjit.

(Burimi: Vita e Pensiero, Milano 2013, n. 4, përkthimi shqip: www.peregrinus.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »