JO MË SKLLEVËR, POR VËLLEZËR

Jan 28 • Kisha në botë, Uncategorized

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KREMTIMIN E  DITËS XLVIII BOTËRORE TË PAQES,  1 JANAR 2015

 1. Në fillim të një viti të ri, që e presim si një hir dhe një dhuratë të Hyjit ndaj njerëzimit, dëshiroj t’i drejtoj çdo burri e gruaje, ashtu si edhe çdo populli e kombi të botës, krerëve të Shtetit e të Qeverisë dhe përgjegjësve të besimeve të ndryshme, urimet e mia më të përzemërta për paqe, që i shoqëroj me lutjen time, që të reshtin luftërat, konfliktet dhe vuajtjet e shumta të shkaktuara si nga dora e njeriut, si nga epidemitë e vjetra e të reja dhe nga efektet shkatërrimtare të fatkeqësive natyrore. Lutem në mënyrë të veçantë që, duke iu përgjigjur thirrjes sonë të përbashkët për të bashkëpunuar me Hyjin dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë për nxitjen e harmonisë e të paqes në botë, të dimë t’i bëjmë ballë tundimit për t’u sjellë në mënyrë të padenjë për njerëzimin tonë.

Në mesazhin për 1 janarin e kaluar, kam vërejtur se «dëshirës për një jetë të plotë… i përket një aspiratë e pamposhtur për vëllazëri, që nxit drejt bashkimit me të tjerët, në të cilët gjejmë jo armiq apo konkurrentë, por vëllezër që duhen pranuar dhe përqafuar».[1] Meqenëse njeriu është një qenie në marrëdhënie, i destinuar të realizohet në kontekstin e marrëdhënieve ndërpersonale të frymëzuara nga drejtësia e dashuria, është themelore për zhvillimin e tij që të njihen e respektohen dinjiteti, liria dhe autonomia e tij. Mjerisht, plaga gjithmonë e përhapur e shfrytëzimit të njeriut nga ana e njeriut e plagos rëndë jetën e bashkimit dhe thirrjen për të krijuar marrëdhënie ndërpersonale të karakterizuara nga respekti, drejtësia e dashuria. Kjo dukuri e urryeshme, e cila çon në shkeljen e të drejtave themelore të tjetrit dhe në asgjësimin e lirisë e dinjitetit, merr forma të shumëfishta mbi të cilat dëshiroj të reflektoj shkurtimisht, në mënyrë që, në dritën e Fjalës së Hyjit, të mund t’i konsiderojmë të gjithë njerëzit “jo më skllevër, por vëllezër”.

Në dëgjim të planit të Hyjit në lidhje me njerëzimin

2. Tema që kam zgjedhur për këtë mesazh kujton Letrën e shën Palit drejtuar Filemonit, në të cilën Apostulli i kërkon bashkëpunëtorit të vet që ta pranojë Onezimin, që ishte skllav i vetë Filemonit dhe që tani është bërë i krishterë dhe, prandaj, sipas Palit, meriton të konsiderohet vëlla. Kështu shkruan Apostulli i popujve: «Ndoshta pikërisht për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur» (Flm 15-16). Onezimi është bërë vëlla i Filemonit duke u bërë i krishterë. Kështu kthimi nga Krishti, fillimi i një jete dishepullati në Krishtin, përbën një lindje të re (krh. 2 Kor 5,17; 1 Pjt 1,3) që do të krijojë vëllazërinë si lidhje krijuese e jetës familjare dhe bazament i jetës shoqërore.

Në Librin e Zanafillës (krh.1,27-28) lexojmë se Hyji e krijoi njeriun mashkull e femër dhe i bekoi, që të rriteshin e të shumoheshin: Ai i bëri Adamin dhe Evën prindër, të cilët, duke realizuar bekimin e Hyjit për të qenë të frytshëm dhe për t’u shumuar, krijuan vëllazërinë e parë, atë të Kainit dhe Abelit. Kaini dhe Abeli janë vëllezër, sepse vijnë nga i njëjti bark, dhe prandaj kanë të njëjtën prejardhje, natyrë e dinjitet sikurse prindërit e tyre të krijuar në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit.

Por vëllazëria shpreh edhe larminë dhe ndryshimin që ekziston mes vëllezërve, megjithëse ata janë të lidhur prej lindjes së tyre dhe kanë të njëjtën natyrë e të njëjtin dinjitet. Pra, si vëllezër e motra, të gjithë personat janë për nga natyra në marrëdhënie me të tjerët, prej të cilëve ndryshojnë por me të cilët bashkëndajnë të njëjtën prejardhje, natyrë e dinjitet. Nëpërmjet kësaj,vëllazëria përbën rrjetin e marrëdhënieve themelore për ndërtimin e familjes njerëzore të krijuar prej Hyjit.

Mjerisht, mes krijimit të parë të treguar në Librin e Zanafillës dhe lindjes së re në Krishtin, që i bën besimtarët vëllezër e motra të «vëllait të parë në mes të shumë vëllezërve» (Rom 8,29), ekziston realiteti negativ i mëkatit, që herë pas here e ndërpret vëllazërinë krijuese dhe vazhdimisht deformon bukurinë dhe fisnikërinë e të qenurit vëllezër e motra të së njëjtës familje njerëzore. Jo vetëm se Kaini nuk e duron vëllain e vet Abelin, por edhe e vret prej smirës, duke bërë vëllavrasjen e parë. «Vrasja e Abelit nga ana e Kainit vërteton, pohon në mënyrë tragjike mospranimin rrënjësor të thirrjes për të qenë vëllezër. Ngjarja e tyre (krh. Zan 4,1-16) vë në dukje detyrën e vështirë në të cilën të gjithë njerëzit janë të thirrur, që të jetojnë të bashkuar, duke u kujdesur për njëri-tjetrin».[2]

Edhe në historinë e familjes së Noehit dhe të bijve të tij (krh. Zan 9,18-27), është dashakeqësia e Kamit ndaj të atit Noehit ajo që e nxit këtë të fundit ta mallkojë djalin mosrespektues dhe të bekojë të tjerët, ata që e kishin nderuar, duke i dhënë fillesë kështu një mosbarazie mes vëllezërve të lindur prej të njëjtit bark.

Në tregimin e zanafillës së familjes njerëzore, mëkati i largimit prej Hyjit, prej figurës së atit dhe prej vëllait bëhet një shprehje e mospranimit të bashkimit dhe përkthehet në kulturën e nënshtrimit (krh. Zan 9,25-27), me rrjedhojat që kjo sjell dhe që zgjasin nga breznia në brezni: mospranimi i tjetrit, keqtrajtimi i personave, shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave themelore, institucionalizimi i pabarazive. Prej këtu rrjedh nevoja për një kthim të vazhdueshëm nga Besëlidhja, e kryer prej flijimit të Krishtit në kryq, me besimin se «kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri … nëpër Jezu Krishtin»(Rom 5,20.21). Ai, Biri i dashur (krh. Mt 3,17), ka ardhur për të zbuluar dashurinë e Atit për njerëzimin. Kushdo që e dëgjon Ungjillin dhe i përgjigjet thirrjes për kthim bëhet për Jezusin «vëlla, motër e nënë» (Mt 12,50), dhe prandaj bir në shpirt i Atit të tij (krh. Ef 1,5).

Por, njerëzit nuk bëhen të krishterë, bij të Atit dhe vëllezër në Krishtin, me një vendim hyjnor autoritativ, pa ushtrimin e lirisë personale, pra pa u kthyer lirisht nga Krishti. Të qenurit bir i Hyjit ndjek kërkesën për kthim: «Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt» (Vap 2,38). Të gjithë ata që i janë përgjigjur me fe dhe me jetë këtij predikimi të Pjetrit kanë hyrë në vëllazërinë e bashkësisë së parë të krishterë (krh. 1 Pjt 2,17; Vap 1,15.16; 6,3; 15,23): hebrenj dhe grekë, skllevër dhe njerëz të lirë (krh. 1 Kor 12,13; Gal 3,28), ndryshimi i prejardhjes dhe gjendjes shoqërore të të cilëve nuk e pakëson dinjitetin e secilit dhe as nuk përjashton ndonjërin prej përkatësisë në popullin e Hyjit. Bashkësia e krishterë është pra vendi i bashkimit të jetuar në dashurinë mes vëllezërve (krh. Rom 12,10; 1 Sel 4,9; Heb 13,1; 1 Pjt 1,22; 2 Pjt 1,7).

E gjithë kjo tregon se si Lajmi i Mirë i Jezu Krishtit, nëpërmjet të cilit Hyji i bën «të reja të gjitha gjërat» (Zb 21,5)[3], është i aftë edhe t’i lirojë marrëdhëniet mes njerëzve, përfshirë edhe atë mes një skllavi dhe pronarit të tij, duke vënë në dritë atë që të dy kanë të përbashkët: bijësinë adoptive dhe lidhjen e vëllazërisë në Krishtin. Vetë Jezusi u ka thënë nxënësve të vet: «Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim» (Gjn 15,15).

Fytyrat e shumta të skllavërisë dje dhe sot

3. Që prej kohësh shumë të hershme, shoqëritë e ndryshme njerëzore e njohin dukurinë e nënshtrimit të njeriut nga ana e njeriut. Ka pasur epoka në historinë e njerëzimit në të cilat institucioni i skllavërisë ishte përgjithësisht i pranuar dhe i rregulluar prej së drejtës. Kjo caktonte se kush lindte i lirë dhe kush, në të kundërt, lindte skllav, si dhe se në çfarë kushtesh personi, i lindur i lirë, mund ta humbte lirinë e vet, apo ta rifitonte atë. Me fjalë të tjera, vetë e drejta pranonte se disa persona mund ose duhej të konsideroheshin pronë e një personi tjetër, i cili mund t’i përdorte ata lirisht; skllavi mund të shitej dhe të blihej, të jepej dhe të fitohej si të ishte mall.

Sot, pas një evolucioni pozitiv të ndërgjegjes së njerëzimit, skllavëria, krim i njerëzimit të cenuar,[4] është shfuqizuar formalisht në botë. E drejta e çdo personi për të mos u mbajtur në gjendje skllavërie apo nënshtrimi është njohur në të drejtën ndërkombëtare si normë kategorike.

Megjithatë, edhe pse bashkësia ndërkombëtare ka bërë marrëveshje të shumta me qëllim që t’i jepet fund skllavërisë në të gjitha format e saj dhe ka nisur strategji të ndryshme për ta luftuar këtë dukuri, ende sot miliona persona – fëmijë, burra e gra të çdo moshe – privohen prej lirisë dhe detyrohen të jetojnë në kushte të ngjashme me ato të skllavërisë.

Mendoj për shumë punëtorë e punëtore, edhe të mitur, të nënshtruar në sektorë të ndryshëm, në nivel formal dhe informal, prej punës shtëpiake deri te ajo bujqësore, prej asaj në industrinë manifakturore deri te ajo minerare, si në Vendet në të cilat legjislacioni i punës nuk është në përputhje me normat e me standardet minimale ndërkombëtare, ashtu edhe, megjithëse në mënyrë të paligjshme, në ata legjislacioni i të cilëve e mbron punëtorin.

Mendoj edhe për kushtet e jetës së shumë migrantëve që, në itinerarin e tyre tragjik, vuajnë prej urisë, privohen prej lirisë, zhvishen prej të mirave të tyre dhe keqpërdoren fizikisht e seksualisht. Mendoj për ata që kur arrijnë në destinacion pas një udhëtimi shumë të vështirë dhe të zotëruar prej frikës e prej pasigurisë, mbahen në kushte nganjëherë çnjerëzore. Mendoj për ata që rrethanat e ndryshme shoqërore, politike e ekonomike i nxisin në klandestinitet, dhe për ata që, për të qëndruar në legalitet, pranojnë të jetojnë e të punojnë në kushte të padenja, sidomos kur legjislacionet kombëtare krijojnë apo lejojnë një varësi strukturore të punëtorit migrant prej punëdhënësit, për shembull, duke e kushtëzuar legalitetin e qëndrimit me kontratën e punës… Po, mendoj për “punën skllave”.

Mendoj për personat e detyruar të prostituohen, mes të cilëve ka shumë të mitur, si dhe për skllavet e skllevërit seksualë; për gratë e detyruara të martohen, për ato të shitura për martesën apo për ato të përçuara në pasardhësi një familjari pas vdekjes së bashkëshortit pa pasur të drejtën që ta japin apo të mos e japin miratimin e tyre.

Nuk mund të mos mendoj për ata të mitur dhe të rritur, që janë bërë objekt i trafikut dhe i tregtisë për eksplantimin e organeve,për t’u rekrutuar si ushtarë, për të lypur, për veprimtaritë e paligjshme sikurse prodhimi apo shitja e substancave narkotike,ose për forma të maskuara të adoptimit ndërkombëtar.

Së fundi, mendoj për të gjithë ata që grabiten dhe mbahen në robëri prej grupeve terroriste, të nënshtruar qëllimeve të tyre si luftëtarë apo, sidomos për sa u përket vajzave e grave, si skllave seksuale. Shumë prej tyre zhduken, disa shiten disa herë, torturohen, gjymtohen, apo vriten.

Disa shkaqe të thella të skllavërisë

4. Sot ashtu sikurse dje, në rrënjën e skllavërisë gjendet një konceptim i personit njerëzor që pranon mundësinë që ai të trajtohet si objekt. Kur mëkati e prish zemrën e njeriut dhe e largon prej Krijuesit të vet e prej të ngjashmëve të vet, këta të fundit nuk perceptohen më si qenie me dinjitet të barabartë, si vëllezër e motra në njerëzim, por shihen si objekte. Personi njerëzor, i krijuar në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit, me anë të forcës, mashtrimit apo detyrimit fizik ose psikologjik privohet prej lirisë, tregtohet, kthehet në pronë të dikujt; trajtohet si mjet dhe jo si qëllim.

Pranë këtij shkaku ontologjik – refuzimi i njerëzimit në tjetrin –, edhe shkaqe të tjera ndihmojnë për të shpjeguar format bashkëkohore të skllavërisë. Mes këtyre mendoj para së gjithash për varfërinë, për nënzhvillimin dhe për përjashtimin, sidomos kur ata kombinohen me mungesën e edukimit ose me një realitet të karakterizuar nga shanse të pakta, nëse jo inekzistente për punë. Jo rrallë, viktimat e trafikut dhe të nënshtrimit janë persona që kanë kërkuar një mënyrë për të dalë nga një gjendje varfërie të skajshme, shpesh duke u besuar premtimeve të rreme për punë, dhe që në të vërtetë kanë rënë në duart e rrjeteve kriminale, që drejtojnë trafikun e qenieve njerëzore. Këto rrjete përdorin me zotësi teknologjitë moderne informatike për të joshur të rinj dhe shumë të rinj në çdo anë të botës.

Edhe korrupsioni i atyre që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u pasuruar duhet radhitur mes shkaqeve të skllavërisë. Në të vërtetë, nënshtrimi dhe trafiku i personave njerëzorë kërkojnë një bashkëpunim që shpesh kalon nëpërmjet korrupsionit të ndërmjetësve, të disa anëtarëve të forcave të rendit apo të aktorëve të tjerë shtetëtorë apo të institucioneve të ndryshme, civile e ushtarake. «Kjo ndodh kur në qendër të një sistemi ekonomik gjendet hyjnia para dhe jo njeriu, personi njerëzor. Po, në qendrën e çdo sistemi shoqëror apo ekonomik duhet të jetë personi, shëmbëlltyrë e Hyjit, i krijuar që të ishte zotëruesi i gjithësisë. Kur personi zhvendoset dhe arrin hyjnia para prodhohet kjo përmbysje vlerash».[5]

Shkaqe të tjera të skllavërisë janë konfliktet e armatosura, dhunat, kriminaliteti dhe terrorizmi. Shumë persona grabiten për t’u shitur, ose rekrutohen si luftëtarë, ose shfrytëzohen seksualisht, ndërsa të tjerë janë të detyruar të emigrojnë, duke lënë gjithçka që kanë: tokën, shtëpinë, pronën, si dhe familjarët. Këta të fundit janë të nxitur të kërkojnë një alternativë përballë këtyre kushteve të tmerrshme edhe duke rrezikuar dinjitetin dhe mbijetesën e tyre, duke rrezikuar të hyjnë, në këtë mënyrë, në atë rreth vicioz që i bën pre të mjerimit, të korrupsionit dhe të pasojave të tyre të dëmshme.

Një angazhim i përbashkët për ta mposhtur skllavërinë

5. Shpesh, duke vërejtur dukurinë e tregtisë së personave, të trafikut të paligjshëm të migrantëve dhe të fytyrave të tjera të njohura e të panjohura të skllavërisë, kemi përshtypjen se ajo ndodh në mospërfilljen e përgjithshme.

Nëse kjo, mjerisht, është e vërtetë në pjesën më të madhe, do të doja të kujtoja punën e pamasë e të heshtur që shumë kongregata rregulltare, sidomos femërore, çojnë përpara prej shumë vitesh në dobi të viktimave. Këta institute veprojnë në kontekste të vështira, të zotëruara shpesh prej dhunës, duke u përpjekur që t’i këpusin zinxhirët e padukshëm që i mbajnë të lidhura viktimat me trafikantët dhe shfrytëzuesit e tyre; zinxhirë hallkat e të cilëve janë të përbëra prej mekanizmave të hollë psikologjikë, që i bëjnë viktimat të varur prej përndjekësve të tyre, nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit ndaj tyre dhe ndaj njerëzve të tyre të dashur, por edhe nëpërmjet mjeteve materiale, sikurse konfiskimi i dokumenteve të identitetit dhe dhunës fizike. Veprimi i kongregatave rregulltare kryhet kryesisht rreth tri veprave: ndihma ndaj viktimave, reabilitimi i tyre në profilin psikologjik e formues dhe reintegrimi i tyre në shoqërinë e destinacionit apo të prejardhjes.

Kjo punë tejet e madhe, që kërkon guxim, durim dhe qëndresë, meriton vlerësim nga ana e të gjithë Kishës dhe shoqërisë. Por ajo e vetme natyrisht që nuk mund të mjaftojë për t’i dhënë fund plagës së shfrytëzimit të personit njerëzor. Nevojitet edhe një angazhim i trefishtë në nivel institucionalparandalimi, mbrojtjeje të viktimave dhe veprimi gjyqësor ndaj përgjegjësve. Gjithashtu, ashtu sikurse organizatat kriminale përdorin rrjetet globale për të arritur qëllimet e tyre, po ashtu veprimi për ta mposhtur këtë dukuri kërkon një përpjekje të përbashkët dhe po aq globale nga ana e aktorëve të ndryshëm që përbëjnë shoqërinë.

Shtetet do të duhej të vigjilonin në mënyrë që legjislacionet e tyre kombëtare mbi migrimet, mbi punën, mbi adoptimet, mbi delokalizimin e ndërmarrjeve dhe mbi komercializimin e prodhimeve të realizuara nëpërmjet shfrytëzimit të punës ta respektojnë realisht dinjitetin e personit. Janë të nevojshme ligjet e drejta, të përqendruara në personin njerëzor, që t’i mbrojnë të drejtat e tij themelore dhe t’i rivendosin nëse janë cënuar, duke reabilituar atë që është viktimë dhe duke siguruar paprekshmërinë e tij, si dhe mekanizmat efikasë të kontrollit të zbatimit korrekt të këtyre normave, që të mos i lënë hapësirë korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Është e nevojshme edhe që të njihet roli i gruas në shoqëri, duke vepruar edhe në planin kulturor dhe në atë të komunnikimit për të arritur rezultatet e shpresuara.

Organizatat ndërqeveritare, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, janë të thirrura të vënë në jetë nisma të koordinuara për të luftuar rrjetet transkombëtare të krimit të organizuar që drejtojnë tregtinë e personave njerëzorë dhe trafikun e paligjshëm të migrantëve. Bëhet i nevojshëm një bashkëveprim në nivele të ndryshme, pra që përfshin institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe botën e biznesit.

Ndërmarrjet[6], në të vërtetë, kanë detyrën t’u garantojnë të punësuarve të tyre kushte pune dinjitoze dhe rroga të përshtatshme, por edhe të vigjilojnë në mënyrë që format e nënshtrimit apo të trafikut të personave njerëzorë të mos ndodhin në zinxhirët e shpërndarjes. Pastaj, përgjegjësinë shoqërore të ndërmarrjes e shoqëron përgjegjësia shoqërore e konsumatorit. Në të vërtetë, secili person do të duhej të ketë vetëdijen se «blerja është gjithmonë një akt moral, përveçse ekonomik».[7]

Organizatat e shoqërisë civile, nga ana e tyre, kanë detyrën që të sensibilizojnë dhe të nxisin ndërgjegjet në lidhje me hapat e nevojshëm për të kundërshtuar dhe çrrënjosur kulturën e nënshtrimit.

Në vitet e fundit, Selia e Shenjtë, duke dëgjuar britmën e dhimbjes së viktimave të tregtisë dhe zërin e kongregatave rregulltare që i shoqërojnë drejt çlirimit, i ka shumuar thirrjet drejtuar bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që aktorët e ndryshëm t’i bashkojnë përpjekjet dhe të bashkëveprojnë për t’i dhënë fund kësaj plage.[8] Gjithashtu, janë organizuar disa takime me qëllim që t’i jepet dukshmëri dukurisë së tregtisë së personave dhe të lehtësohet bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm, mes të cilëve ekspertët e botës akademike dhe të organizatave ndërkombëtare, forcave të rendit të Vendeve të ndryshme të prejardhjes, të tranzitit dhe të migrantëve, si dhe përfaqësuesve të grupeve kishtarë të angazhuar në dobi të viktimave. Uroj që ky angazhim të vazhdojë dhe të forcohet në vitet e ardhshme.

Të globalizohet vëllazëria, jo skllavëria dhe as mospërfillja

6. Në veprën e vet të «shpalljes së të vërtetës së dashurisë së Krishtit në shoqëri»[9], Kisha angazhohet vazhdimisht në veprimet me karakter bamirës duke nisur prej së vërtetës mbi njeriun. Ajo ka detyrën që t’u tregojë të gjithëve ecjen drejt kthimit, që të nxisë për ta ndryshuar vështrimin drejt të afërmit, për të parë në tjetrin, kushdo qoftë ai, një vëlla dhe një motër në njerëzim, për ta njohur dinjitetin e tij të veçantë në të vërtetën dhe në lirinë, siç na ilustron historia e Xhyzepina Bakhitës, shenjtes me origjinë nga krahina e Darfurit në Sudan, e grabitur nga trafikantët e skllevërve dhe e shitur pronarëve mizorë që në moshën nëntë vjeçare, dhe që pastaj, nëpërmjet ngjarjesh të dhimbshme, u bë “bijë e lirë e Hyjit” me anë të fesë së jetuar në kongregatën rregulltare dhe në shërbimin ndaj të tjerëve, sidomos ndaj të vegjëlve dhe të dobtëve. Kjo Shenjte, që ka jetuar mes shekujve XIX dhe XX, është ende edhe sot dëshmitare shembullore e shpresës[10] për viktimat e shumta të skllavërisë dhe mund të përkrahë përpjekjet e të gjithë atyre që i kushtohen luftës kundër kësaj «plage në trupin e njerëzimit bashkëkohor, një plagë në trupin e Krishtit».[11]

Në këtë perspektivë, dëshiroj të ftoj secilin, në rolin e tij dhe në përgjegjësitë e tija të veçanta, që të bëjë gjeste vëllazërie ndaj atyre që janë të mbajtur në gjendje nënshtrimi. Le të pyesim veten se si ne, si bashkësi apo si individë, ndihemi të thirrur kur, në jetën e përditshme, takojmë apo kemi të bëjmë me persona që mund të jenë viktima të trafikut të qenieve njerëzore, ose kur duhet të zgjedhim nëse të blejmë prodhime që mund të jenë realizuar nëpërmjet shfrytëzimit të personave të tjerë. Disa prej nesh, prej mospërfilljes, ose sepse janë të hutuar prej shqetësimeve të përditshme, ose për arsye ekonomike, mbyllin një sy. Ndërsa të tjerë zgjedhin të bëjnë diçka pozitive, të angazhohen në shoqatat e shoqërisë civile apo të bëjnë gjeste të vogla të përditshme – këta gjeste kanë shumë vlerë! – sikurse të drejtojnë një fjalë, një përshëndetje, një “mirëdita” apo një buzëqeshje, që nuk kushtojnë asgjë por që mund të japin shpresë, të hapin rrugë, t’i ndryshojnë jetën një personi që jeton në padukshmëri, si dhe të ndryshojnë jetën tonë përballë këtij realiteti.

Duhet ta pranojmë se jemi përballë një dukurie botërore që i kapërcen kompetencat e një bashkësie apo kombi të vetëm. Për ta mposhtur atë, duhet një mobilizim me të njëjtat përmasa të vetë dukurisë. Për këtë arsye u drejtoj një thirrje urgjente të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë, si dhe të gjithë atyre që, nga afër apo nga larg, edhe në nivelet më të larta të institucioneve, janë dëshmitarë të plagës së skllavërisë bashkëkohore, që të mos bëhen bashkëpunëtorë të kësaj të keqeje, që të mos e kthejnë kokën nga ana tjetër përballë vuajtjeve të vëllezërve e motrave të tyre në njerëzim, të privuar prej lirisë dhe prej dinjitetit, por të kenë guximin ta prekin trupin e vuajtur të Krishti[12], që bëhet i dukshëm nëpërmjet fytyrave të panumërta të atyre që Ai vetë i quan «këta vëllezër të mi më të vegjël» (Mt 25,40.45).

E dimë se Hyji do ta pyesë secilin prej nesh: “Çka bëre me vëllain tënd?” (krh. Zan 4,9-10). Globalizimi i mospërfilljes, që sot peshon mbi jetët e shumë motrave e shumë vëllezërve, na kërkon të gjithëve ne që të bëhemi nismëtarë të një globalizimi të solidaritetit dhe të vëllazërisë, që mund t’u rijapë atyre shpresë dhe t’i bëjë të rimarrin me guxim ecjen nëpërmjet problemeve të kohës sonë dhe perspektivave të reja që ajo sjell me vete e që Hyji i vë në duart tona.

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2014

FRANCISCUS

[1] Nr. 1.

[2] Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2014, 2.

[3] Krh. Nxit. ap. Evangelii gaudium, 11.

[4] Krh. Fjalimi drejtuar Delegacionit ndërkombëtar të Shoqatës së të Drejtës Penale, 23 tetor 2014: L’Osservatore Romano, 24 tetor 2014, fq. 4.

[5]Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në Takimin botëror të Lëvizjeve popullore, 28 tetor 2014: L’Osservatore Romano, 29 tetor 2014, fq. 7.

[6] Krh. Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe i Paqes, Thirrja e drejtuesve të ndërmarrjeve. Një reflektim, Milano e Romë, 2013.

[7] Benedikti XVI, Let. enc. Caritas in veritate, 66.

[8] Krh. Mesazhi drejtuar Z. Guy Ryder, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, me rastin e seksionit të 103-të të Konferencës së ONP., 22 maj 2014: L’Osservatore Romano, 29 maj 2014, fq. 7.

[9] Benedikti XVI, Let. enc. Caritas in veritate, 5.

[10] «Nëpërmjet njohjes së kësaj shprese ajo ishte “liruar”, nuk ndihej më skllave, por bijë e lirë e Hyjit. Kuptonte atë që Pali donte të thoshte kur u kujtonte Efezianëve se më parë ishin pa shpresë dhe pa Hyjin në botë – pa shpresë sepse pa Hyjin» (Benedikti XVI, Let.enc. Spe salvi, 3).

[11]Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën II Ndërkombëtare Combating Human Trafficking: Church and Laë Enforcement in partnership, 10 prill 2014: L’Osservatore Romano, 11 prill 2014, fq. 7; krh. Nxit. ap. Evangelii gaudium, 270.

[12] Krh. Nxit. ap. Evangelii gaudium, 24; 270

Shpërndaje

Comments are closed.

« »