E diela e IV gjatë vitit 

Jan 31 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Lp 18,15-20) 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë 

Moisiu foli e tha: Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjoje!  Mu ashtu siç kërkove prej Zotit, Hyjit tënd, në malin Horeb, kur qe bërë tubimi i përgjithshëm e kur the: ‘Nuk dua më ta dëgjoj zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.’ Atëherë Zoti më tha: ‘Folën krejtësisht me vend. Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij.  Ai që s’ka për t’i dëgjuar fjalët e mia që ai do t’i flasë në emrin tim, atë do ta ndëshkoj.  Kurse profeti që do të kishte guximin të fliste, i tradhtuar prej pacipjes, në emrin tim, çka unë nuk i urdhërova të flasë, ose flet në emër të hyjnive të huaja, le të vritet.’

 Fjala e Zotit

 Psalmi 95(94)

 Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd.

———————————————–

Ejani t’ këndojmë Zotit,

t’ i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’ i dalim para me falënderje,

t’ i këndojmë këngë hareje.

————————————————-

Ejani ta adhurojmë, të biem  përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

—————————————————-

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj me vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.”

———————————————

Leximi dytë (1 Kor 7,32-35)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit. Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, si t’i pëlqejë gruas dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit: si t’i pëlqejë burrit.  Këto po jua them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrën më të përshtatshme ‑ krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Profetë i madh u duk ndër ne!

Hyji e pa popullin e vet

Aleluja!

+ Ungjilli (Mk 1, 21-28)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut 

Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë.  Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

“Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë. 

Fjala e Zotit

 

Porosia

Në leximin e parë, dëgjojmë se si Moisiu, paralajmëron dhe shpallë atë që thotë Zoti: profetët që do të flasin në emër të tij. Në popullin hebre, gjatë historisë, radhiten shumë profetë, njëri pas tjetrit që kanë një mision, një detyrë: ta ruajnë fenë në një Hyj të vetëm dhe të zgjojnë besimin dhe shpresën në ta për ardhjen e Shëlbuesit, Shpëtimtarit. Kur të vij i premtuari ai do të flas gjithçka ka urdhëruar Hyji, ndërsa populli ato porosi do t’ i zbatoj nëse dëshiron të shëlbohet.

Erdhi Jezusi në botë, por të vetët s’e pranuan e ata që e pranuan, u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit.

E ne a jemi ata që e dëgjojmë apo jo mësimin e Hyjit, i cili na mundëson bashkimin me Të dhe gëzimin e pasosur?

Psalmisti gëzon në Zotin, sepse duke dëgjuar zërin e Tij, krijon në vete gëzim dhe lumturi. Ai jo vetëm dëgjon por zbaton atë që thotë Hyji.

Në leximin e dytë, dëgjojmë shën Palin, i cili, na flet për ata që nuk martohen dhe të martuarit. Apostulli, dëshiron që të bëjë një rregull në shoqëri, duke dashur që të mbjell në zemrën e tyre obligimet që duhet pasur çdo njeri. Kjo në veçanti ishte vështirë për Korinitin, qytet, metropol bregdetar, i cili lidhte lindjen dhe perëndimin dhe që mëkati i fëlligështisë ishte shumë i pranishëm.

Shën Pali, pra, dëshironte t’ i bind të pagëzuarit në shenjtëri të trupit dhe të shpirtit dhe përkushtim të plot në vlera shpirtërore.

Në Ungjill Jezusi, sikurse çdo herë, takohet në Tempull në lutje, është në mesin e njerëzve dhe është me njerëz. Nder ta kishte njerëz të llojllojshëm, të drejtë e mëkatar, por që duan të jenë  në praninë e Tij, sepse ndjejnë se kanë nevojë për Të. Jezusi përkujdeset për të gjithë, sepse Ai erdhi për ne, për shëlbimin tonë. Ai na ndihmon dhe aftëson në dashuri dhe na liron nga pushteti i mëkatit dhe të keqes, në praninë e Jezusit nuk mund të jemi të pa papastër, sepse duke qenë në pranin e Shenjtit edhe ne shenjtrohemi dhe pastrohemi.

Ne, pra, çdo të diele apo edhe gjatë ditëve të rëndomta, marrim pjesë në meshën shenjte; jemi në praninë e Krishtit, por shtrohet pyetja: sa jemi të vetëdijshëm për këtë dhuratë që na jep Zoti? Sa jemi të sinqertë ndaj Zotit dhe ndaj vetvetes? Sa jemi të vëmendshëm që të shkojmë me një qëllim në meshë, për t’ u takuar me Zotin. Sa jemi të gatshëm që të pendohemi në fillim të meshës me gjithë zemër, me gjithë shpirt për të kremtuar Eukaristinë?

Sa jemi të vetëdijshëm që pas Meshës të jemi të gëzuar  sepse kemi marrë Krishtin në zemër dhe jetojmë me Krishtin?

Le të ndodh diçka e bukur në jetën tonë, në shpirtin tonë-kthimi kah Zoti; bashkimi dhe bashkëpunimi me Të dhe kështu në praninë e Tij çdo ditë të shenjtërohemi dhe një ditë të shëlbohemi. Amen

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, t’ ia  drejtojmë Jezusit Zot lutjet tona duke besuar që në praninë e Tij të gjejmë siguri për jetë me Të dhe në mes vete:

Të themi së bashku:

Qëndro me ne o Zot!

–         O Zot Jezu Krisht, sot, në botë shohim shumë padrejtësi dhe dhunë, bëj që me fuqinë e fjalës sate, të largohet i keqi dhe e keqja që njerëzit të jetojnë të lirë në të vërteten Tënde,  të lutemi:

–         Pa ty, jeta është e zbehtë dhe e pa kuptimtë, qëndro pranë nesh dhe në praninë tënde të jemi të sigurt në rrugën që na e tregon Ti, të lutemi:

–         Në Ungjill dëgjojmë se si shpirti i ndytë ka frikë nga Ti; largoje frikën dhe liroj njerëzit nga robëria e mëkatit dhe të keqes, të lutemi:

–         Mesha shenjte, kulmi i dashurisë sate për ne: ku ti na dhurohesh në fjalë dhe Kungim shenjtë, le të na forcojnë në fe, që të mundemi t’ u bëjmë ballë pritave të armikut, të lutemi:

–         Mos lejo o Zot Jezu, që fara e mbjellë në shpirtin tonë, të jetë e pa fryt, por le të dëshmojmë dashurinë dhe pranishmërinë tënde tek njerëzit që i takojmë, të lutemi:

Të falënderojmë o Zot Jezu Krishti për praninë tënde në mesin tonë dhe të lutemi na ndihmo që të kuptojmë dhe zbatojmë urdhërimet tua dhe të lirë të shërbejmë Ty në vëllain njeri, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »