POETJA TUA FORSSTRÖM BOTOHET NË SHQIP

Feb 2 • Recension

Shtëpia botuese “ADA” ka botuar librin me poezi “Unë studiova një herë në një fakultet të mrekullueshëm” të poetes Tua Forsström me përkthim nga suedishtja nga Edita Kuçi Ukaj. Tua Forsström është poete shumë e vlerësuar finlando-suedeze dhe ka fituar shpërblime të mëdha letrare në Suedi, në Finlandë dhe në terë Skandinavin. Vlerësohet si njëra nga poetët më të rëndësishme skandinave. Vepra e saj përbëhet nga përmbledhje me poezi. Ajo ka fituar të gjitha çmimet e rëndësishme poetike në vendlindjen e saj dhe vepra e saj u përkthye në danisht, gjermanisht, anglisht, italisht, finlandisht, frëngjisht, shqip dhe holandisht. Depërtimi i saj në letërsi erdhi kur ishte vetëm 30 vjeçe. Përmbledhja e saj e parë, “En dikt om kärlek och annat” (Një poezi për dashuri dhe gjëra të tjera) doli më 1972. Me përmbledhjen e saj të gjashtë, Leopard dëbore, libër ky që i solli pranim në nivel ndërkombëtar, kurse përkthimi i tij anglisht nga David McDuff fitoi një Çmim për Librin me Poezi të Përkthyer. Ndër veprat e saj janë “Snöleopard”, (Leopard dëbore) “Tallört” (Foleja e verdhë e zogut, 1979), “September” (Shtatori, 1983) dhe „Marianergraven“ (Hendeku i Marianëve, 1990) si dhe “Parkerna” (Parqe, 1992), libri i cili fitoi Çmimin e Akademisë Finlando-Suedeze. Përmbledhja “Efter att ha tillbringat en natt bland hästar” (1997) (“Pas kalimit të një nate mes kuajve”) fitoi çmimin më prestigjioz letrar skandinav të Këshillit Nordik (1998). Ndërkaq, në vitin 2003 mori çmim letrar të Akademisë Suedeze . Ajo po ashtu fitoi çmimet Edith Södergran (1998), Medaljen Pro Finlandia (1991), Çmimi lirik i Göteborgsposten (1992), Çmimi Tollander(1998), Çmimi lirik Gerard Bonniers (1993) Ajo botoi edhe disa drama dhe punime muzikore. Po ashtu, është laureate e çmimit “Naim Frashëri” në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit.” Poezia e Tua Forsström-së është një luftë melankolik dhe e pasionuar kundër kotësisë, prishjes, shkatërrimit – kundër vdekjes në jetë. Teknika e saj, është shumë e sofistikuar, rigoroze dhe melodike, ku “mjeshtëria”-thuhet në arsyetimin për Emërimin e Çmimit August Stritberg, 1992), ndërsa Adam Thorpe nga “The Observer” thekson se poezia e Tuas ka intensitetin e akullt e të madhes Edith Södergran dhe aforizmat si dhe cilësitë mistike të traditës finlando-suedeze … edhe një brishtësi që është plotësisht e saj. Poezia e saj është vlerësuar edhe nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, ndërkaq juria e festivalit ka dhënë këtë vlerësim për të. Në krijimtarinë poetike të poeteshës Forsstrôm, ndihet një kolazh intensiv figurash e domethëniesh të natyrave filozofike e metafizike, që përcjellin tek lexuesi një kërleshje ndjesish mes humorit e hutimit naiv dhe çekuilibreve prej maktheve ekzistenciale, të njeriut të ditëve të sotme. Pjesë e këtij kolazhi, i projektuar me një strategji te dukshme estetike, janë dhe citate e fragmente veprash të njohura filozofike, krijuar nëpër shekuj nga filozofë me emër, të cilat, më shumë se shpjegojnë apo ndihmojnë të zbërthejnë enigma, krijojnë të tjera më shumë, për ta fiksuar kësisoj lexuesin në raporte të ngulura me tekstet e poezive.”

Shpërndaje

Comments are closed.

« »