RËNDËSIA E MIQËSISË NË JETË 

Feb 2 • Teologji

“Miqësia është si një kështjellë rëre, e vështirë ta ndërtosh e thjeshtë ta shkatërrosh shumë e bukur ta rindërtosh…..”

Shkruan: M. Franciska (Suzana) LEKAJ

Para se të diskutojmë për miqësinë është mirë të shohim dallimin mes miqësisë dhe shoqërimit. Lind pyetja, çfarë është shoqërimi? Shoqërimi është stadi i parë që vjen mbas njohjes, i krijimit të marrëdhënieve. Pa kalimin e këtij stadi, ne nuk mund të arrim tek miqësia apo nuk mund të krijojmë miqësi. Ne këtë e dimë, se jo me të gjithë që shoqërohemi miqësohemi. Shoqëri krijojmë me shumë njerëz për arsye të ndryshme dhe vende të ndryshme (p.sh. për arsye pune, lagje, udhëtimi, shkolle etj). Kurse miqësohemi me ata persona që krijojmë një lidhje me të ngushtë dhe që njohim më mirë njëri-tjetrin.

Çfarë është miqësia?

Miqësia është një lloj  lidhjeje sociale e shoqëruar nga një ndjenjë dashurie e ndërsjellët që jetohet në mes dy ose më shumë personave. Tema e miqësisë është në qendër të veprave të panumërta të artit; është një temë që është trajtuar shumë nga Aristoteli[1] dhe Ciceroni[2], është subjekt i këngëve, letërsisë, veprave filmike e kështu me radhë.

Miqësia është konsideruar në çdo moshë një ndjenjë themelore për jetën sociale, është lidhja më e gjatë dhe më e rëndësishme me tjetrin. Është lidhja më e thellë e jetës së jetuar si shokë, që nga e shkuara e largët apo e afërt. Kur flitet për miqësinë, flitet për një miqësi të vërtetë jo miqësi interesi. Cicirone e thotë shumë bukur:” –Duhet të kemi brenda qenies tonë pikësëpari virtytin, që më pas të kemi mundësinë të realizojmë miqësinë e vërtetë”

Pra, miqësia është një nga vlerat morale themelore të njeriut, e cila na vë përpara disa detyra ndaj të tjerëve. Mund të lind pyetja: Pse miqësia është vlerë, virtyt? Miqësia është vlerë, virtyt sepse nuk i lë vend interesit, hipokrizisë, farezeizmit, mashtrimit, tradhëtisë, thashethemeve, kushtëzimit, imponimit etj. Nuk është thjesht diçka që lind pa shkak, por është një marrëdhënie që dhuron dhe merr. Është një lidhje e fortë shoqërore e ndërthurur me një ndjenjë të fortë dashurie dhe respekti mes dy ose më shumë personave të së njëjtës gjini ose e gjinisë së kundërt. Miqësia është si puna e verës. Sa më e vjetër të jetë aq më e fortë është.

Miqësia është konsideruar dhe konsiderohet eksperienca më e rëndësishme njerëzore, një pasuri e shenjtë. Aristoteli për miqësinë thotë: “-Askush nuk do të dëshiron të jetonte pa miqë edhe sikur të kishte të gjitha të mirat e botës”. Sipas Aristotelit, njeriu mund të ketë gjithçka por nëse nuk ka miqësinë gjithçka është e kotë. Miqtë shumë herë mund t’i zëvendësojnë dhe personat e familjes, shumë prej nesh kanë nevojë që përvojat jetësore t’i ndajnë me të tjerët e ata të tjerë janë miqtë. Miqësia nuk ka nevojë për fjalë, është ajo që flet me veprime miqësore e me sy miqësorë, nuk ka sy kurreshtar, sy dinakë, sy hulumtues, por ka sy që përçojnë tek tjetri dashurinë, besueshmërinë, mbështetjen dhe respektin.  Vlera që janë shumë të rëndësishme.

Në një kuptim të ngushtë të fjalës, miqësia është kulmi i pjekurisë afektive që dallohet nga shoqëria, nga komunikimi dhe bujaria reciproke.

Vlera e rëndësishme e miqësisë

Aristoteli thotë: “- Miqësia është një vlerë, virtyt, e përveç kësaj është gjëja më e nevojshme në jetën sociale”. Edhe në Shkrimin e Shenjtë tek libri Siracidit flitet” për rëndësinë dhe vlerën që ka miqësia. Thuhet: “-Miku besnik mbrojtje e fortë:  kush e gjen, gjen visar. Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij. Miku besnik është barë shërues jete”.(Sir;6,14-16) Kurdo që miqësia zhvillohet është shumë e rëndësishme për rritjen dhe pjekurinë e personit. Prapë citoj Aristotelin që thotë:”- Miqësia është një zemër që jeton në dy trupa të ndryshëm”.

Gjithashtu, edhe nga  studimet e bëra, del si përfundim se miqësia ndihmon edhe në uljen e depresionit, e ndihmon njerëzit të jetojnë një jetë më të qetë. Është një zjarr që nuk shuhet kurrë, por që mbanë të ndezur shumë vlera dhe virtyte. Cilat janë ato vlera?  Vlerat që mbajnë gjallë dhe të vazhdueshme miqësinë janë: dashuria, besimi, ndershmëria, respekti. Derisa dikush na zgjedh si mik/e ka një arsye pasi beson në  ndershmërinë tënde.

Miqësia është një nga eksperiencat më të bukura që ofron jeta, është ajo që lind nga zemra e nuk njeh zili, është një marrëdhënie që plotëson, jep vlerë dhe mbi të gjitha  jep shpresë e mbështetje në momente gëzimi e trishtimi. Miqësia është rritje. E që kjo të qëndrojë në rritje të vazhdueshme është e nevojshme të ushqehet me respekt reciprok. Kur krijojmë miqësi jo vetëm që mësojmë më tepër për të tjerët, por mund të mësojmë më shumë edhe për veten.

 Respekti dhe konfidenca (besueshmëria) në miqësi

Në miqësi një pikë të rëndësishme e zë respekti reciprok. Miqësia nuk pretendohet por ndërtohet me kohën mbi të njëjta themele të besnikërisë dhe respektit. Të respektosh do të thotë të bashkëjetosh me mendimin e tjetrit, të lësh tjetrin të flasë e të shprehet pa limit. Të dish të dëgjosh pa paragjykuar, të pranosh tjetrin ashtu si është pa kusht.

Të respektosh do të thotë të dish të flasësh dhe të  dëgjosh. Të përdorësh një fjalor të matur dhe jo fyes. Gandi thotë: “-Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë. Bëhu miku që dëshiron të kesh”.

Mjerisht në miqësi shpesh herë respekti duket se nuk ka vend, sepse krijohet një ide e gabuar, se para një miku nuk është i nevojshëm respekti e përdoret një fjalor shume i ulët. Nuk duhet harruar se respekti është ai që mban dhe ruan miqësinë e kjo fillon nga vetvetja. Respekti është çelësi i çdo marrëdhënie e aq më tepër në marrëdhëniet miqësore. Është nderimi që kemi për veten dhe tjetrin.

Konfidenca (Besueshmëria)

Besueshmëria është shtylla e miqësisë. Kërkon ta pyesim veten: Sa jam në gjendje t’i besoj tjetrit dhe sa lejoj e angazhohem që tjetri të jetë i besueshëm ndaj meje? Në këto ditë shpesh dëgjohet të thuhet: nuk ka miq. Cila është arsyeja që kjo tingëllon në këtë kohë? Kjo vjen për shkak të mungesës së respektit dhe besueshmërisë.

 Mos të harrojmë se edhe sot ka miq e miqësia ndërtohet vetëm në bazë të këtyre dy shtyllave respektit dhe besueshmërisë. Besimi është një vlerë thelbësore në historinë e njeriut. Nëse nuk edukojmë respektin, besueshmërinë dashurinë, do të jetë e vështirë të jemi miq e të krijojmë miq. Të jesh i besueshëm është ta pranosh, ta dëgjosh tjetrin pa e paragjykuar dhe që tjetri të ndjehet i lirë për t’u shprehur pa e ndjerë frikën, se çfarë po mendon për atë që them dhe ku përfundojnë fjalët. Kërkohet që edhe nëse miqësia nuk funksionon më, besueshmëria mbetet e pa prekur.( Them këtë sepse ndodh, kur diçka nuk funksionon harrojmë besueshmërinë dhe i flasim gjërat që na janë besuar). Nuk ka gjë më fisnike dhe më të admirueshme se besnikëria. Besnikëria e plotë dhe e vërtet janë shkëlqimet më të shenjta dhe stoli të mendjes njerëzore.

 Mund të lind pyetja: A mund të thyhet besueshmëria?

Besueshmëria thyhet vetëm atëherë kur  vërehet se miku\ mikja dëmton veten dhe tjetrin (p.sh. tenton për vetëvrasje ose për të vrarë dikë) atëherë mund t’i thuhet dikujt që mund të ndikojë tek personi por jo që të përflitet për të.

Kur të besohet diçka do të thotë se je përgjegjës për këtë. E aq më tepër nëse dikush t’i beson mendimet, emocionet, ndjenjat më të thella mendo sa përgjegjës je për këtë. Të pyesim veten: Pse m’i beson mua këto? Çfarë e nxit? Çfarë e shtyn? Sa jam në gjendje ta ruaj këtë? E shumë pyetje të tjera mund të lindin. Por kërkohet që të pranohet se jo të gjithë e kanë këtë dhuratë që të dinë të jenë të besueshëm, besnik por nëse e keni zbuluar se e keni këtë virtyt mos e humbisni por angazhohuni që ta ruani me përkushtim.

Miqësia na bën të ndjehemi, na bënë më të fortë fal sigurisë dhe besimit në vetvete që rrjedh prej besimit që na fal dikush tjetër të cilin e respektojmë me të cilin kemi mundësi të bisedojmë gjithçka, madje edhe çështje për të cilat mund të mos jemi edhe aq krenar, duke ditur se miku do t’i pres me tolerancë pa qenë paragjykues. Miqësia është ajo që flet me veprime miqësore, me sy miqësorë që përcjell tek miku dashuri, besim, mirëkuptim, paqe. Miqësia e vërtetë, ajo që zgjat, nis kur ti mund t’i thuash tjetrit “ti nuk je si unë, bën mirë që je kështu siç je, sepse më pëlqen shumë që je ndryshe nga unë”.

Marrëdhënia e miqësisë është pasqyrë e vetëvlerësimit dhe e respektit. Na jep mundësinë ta shohim veten dhe fushat në të cilat kemi nevojë të zhvillohemi e të  edukohemi. Prandaj edukimi që duhet të kemi me miqësinë, mund të bëhet një faktor i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm për ndërtimin e personalitetit. Miqësia e vërtet të jep krahët për të çarë përpara, për të menduar për të ardhmen, e për t’iu përkushtuar diçkaje.

Çfarë e bën një mik të denjë, që të quhet i tillë?

Çfarë është një mik? Është një individ me të cilin keni guxim të jeni vetja juaj. Një mik është dikush që kupton të shkuarën tënde… beson në të ardhmen tënde dhe të pranon ashtu siç je!

“-Një mik është dikush që di të gjitha për ju dhe Ai ende ju do.”

Miku i vërtetë është i pamëshirshëm për të t’ju korrigjuar kur gaboni. Një mik i vërtetë përballet me problemet tuaja që t’ju informojë sa më shpejt në lidhje me atë që nuk mund ta shihni vetë.

Një mik i vërtetë, nuk kërkon që të bëni kompromis me parimet tuaja në emër të miqësisë ose ndonjë gjë tjetër. Kurrë. Një mik i vërtetë, ju frymëzon të jetoni potencialin tuaj më të mirë, e nuk ju shtyn drejt gjërave të pavlera e të rrezikshme.

A mund të ketë miqësi mes meshkujve dhe femrave? 

Miqësinë mes meshkujve dhe femrave do ta përkufizoj me një thënie:

Miqësia me gjininë e kundërt është si të ecësh mbi akull të hollë.

Janë të shumtë ata që thonë se meshkujt dhe femrat nuk mund të jenë vetëm “miq”. Por, disa të tjerë insistojnë në të kundërtën. Kufiri midis miqësisë dhe “diçkaje më shumë” është shumë i hollë. Në çdo moment mund të lindë dashuria, apo epshi midis miqve të tillë.

Për të parë se, a është vërtet vetëm miqësi, duhet të shqyrtohen disa çështje:

Vërtetoni a gjendeni me të vërtetë në “zonën e miqësisë”! Nëse midis jush dhe mikut tuaj nuk ka “kimi”, atëherë nuk ka rrezik. Këtë e pohon edhe terapeutja seksuale, Liza Paz, e cila thotë: “- Mosekzistimi i atraktivitetit (tërheqjes)  është treguesi më i mirë se midis femrës dhe mashkullit mund të ketë miqësi. Por, nëse krijoni miqësi me personin që ju pëlqen në aspektin seksual, atëherë ruajtja e miqësisë do të bëhet sfidë e madhe”. Çka do të thotë se nuk mund të thuhet se nuk ka miqësi midis femrave dhe meshkujve, por është një sfidë që kërkohet për ta mbajtur.

Kur femrat lidhin miqësi?

Ekspertët thonë, se femrat vendosin që të krijojnë miqësi me meshkujt më së shpeshti në momentet kur kanë ndonjë pakënaqësi me lidhjen aktuale, apo me statusin e tyre emocional. Varësisht nga shkalla e pakënaqësisë, luhatet edhe niveli i miqësisë.

Kur meshkujt lidhin miqësi?

Meshkujt nuk lidhin lehtë miqësi me femrat. Shpesh, një miqësi të tillë e hasim kur femrës i pëlqen seksualisht mashkulli, por këtij të fundit jo. Por, në fund megjithatë kanë parë se kanë shumëçka të përbashkët, që mjafton për ta filluar miqësinë. Nënkuptohet, të paktën sipas “rregullave të miqësisë”, epshi i njërës palë do të duhej të shuhej.

Kur kërkohet të vendosim kufi për të ruajtur miqësinë?

Në gjithçka duhet ta kemi një kufi të caktuar, duke përfshirë edhe daljet me mikun/mikeshën tuaj. Ju më së miri do ta vëreni kur daljet tuaja në kafene, apo këmbimi i sms-ve e kanë kaluar kufirin e miqësisë. Në një rast të tillë, duhet ta pyesni veten, çka doni në të vërtetë?

Miqtë e vërtet janë ata që shkëmbejnë reciprokishtt besimin, ëndrrat, mendimet, virtytet, gëzimet dhe dhimbjet, pa u ndarë kurrë!

E mbyllim me një thënie të Arsitotelit: Dëshira për të bërë miq, është një punë e thjeshtë por miqësia është një fryt që rritet dhe piqet ngadalë.

[1] Aristoteli  filozof i Greqis së lashtë lindi në  Stragira, të Trakisë , rrjedh nga një familje e arsimuar, në të cilën tradicionalisht kultivoheshin shkencat natyrore dhe mjekësia.

[2] Ciceroni( Mark Tul Cicero) historian dhe filozof i Romës antike i lindur pranë Aripinit Studioi në Romë për drejtësinë dhe retorikën.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »