SI MUND TË REAGOJNË TË KRISHTERËT NDAJ DHUNËS?

Feb 3 • Opinion

Shkruan: Franz-Xaver HIESTAND SJ

Kur e keqja bën presion, kur dikush, për shembull, na godet, ne mund të reagojmë instinktivisht në dy mënyra: ose tërhiqemi prapa, ose ia kthejmë me goditje. Të dy herët e keqja vazhdon së vepruari. Jezusi zgjodhi një rrugë të tretë: ai as s’u tërhoq prapa as s’e ktheu goditjen me goditje.

Në fjalimet e tij ai e demaskoi të keqen dhe vuri në dukje pasojat e saja. Kur vetë qe sulmuar për këtë shkak, ai s’iu përgjigj dhunës me dhunë, por i qëndroi besnik mesazhit të vet. Ai lutej për armiqtë e tij dhe lejoi më mirë të vritej se sa të bëhet vetë i dhunshëm. Zëri i brendshëm i Hyjit, që e udhëhiqte, ishte aq i qartë, sa që ai s`lejoi t`i prishej mendja për të ikur apo për të ushtruar forcë. Ai madje pranoi të dënohet si vetë kriminelët. Në mes të zërave që e akuzonin, aindoqi rrugën e vet: dashurinë ndaj armiqve. Fuqia e tij erdhi nga brenda. Ishte fuqia e të Kryqëzuarit, i cili për nga pamja e jashtme qe shkatërruar nga dhuna, por që me besimin e vet personal e mundi atë përbrenda.

Dhuna të bën të verbër. Ajo forcon në ne një dinamikë që thellësisht na trondit. Ajo zgjon forca që na pëlqen t’i mbulojmë dhe që shtrembërojnë pikëpamjet tona. Rezultati është se mendojmë që saktë po e shohim të keqen te të tjerët, mirëpo atë te vetja gati aspak se vërejmë. E keqja e vërtetë zakonisht nuk është kur mendojmë s’e duhet dalluar atë. Ajo fshehet më thellë dhe ndikon që ne në luftën kundër së keqes vetë ta rikrijojmë të keqen. Ne të keqen, dhunën s’jemi në gjendje ta tejkalojmë me fuqitë tona. Vetëm kur hasim një dashuri që na pranon përkundër anëve tona të errëta, mund të lirohemi ngadalë nga kthetrat e dinamikës shkatërruese, në të cilën edhe vetë jemi të ngatërruar.

Dashuria e Jezusit, i cili e dha vetveten për armiqtë e vet të dhunshëm është një dashuri e tillë. Kur ajo na përshkon, bëhemi njerëz më të lirë. Dashuria e të Kryqëzuarit ka provuar se ajo është më e fortë se vdekja. T’i dhashë zemër njëri-tjetrit për të besuar në këtë dashuri, herë në mënyrë të vështirë, herë të sigurt, herë duke nxitur diskutim, herë duke festuar apo duke u lutur, kështu i përgjigjemi ne  keqes, dhunës.

(Burimi: forum-pfarrblatt.ch – 1 janar 2015; Përktheu nga gjermanishtja: Shtjefen Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »