Identiteti i Kosovës: kriza e përfaqësimit dhe e identifikimit

Feb 6 • Opinion

Shkruan:Ndue Ukaj

Çdo shoqërie i duhet një akordim i brendshëm, që të mund të funksionojë dhe të ketë një pamje të dallueshme për të tjerët. Kjo pamje, me emër tjerë, mund të quhet identiteti me të cilën të tjerët e identifikojnë shoqërinë përkatëse.

Kosova ka krizë identiteti e identifikimi dhe kjo reflektohet në gjithë organizmin tonë shoqëror e politik. Kjo krizë, vjen si rezultat i zhvillimeve të hovshëm dhe të pakontrolluara, me të cilat jemi ballafaquar dy dekadat e fundit. Pa një elitë të formuar si duhet- të mangët në punë të dijes dhe pa tagër që të flet me autoritet e kompetencë dhe që zëri i saj të dëgjohet. Kësisoj, shoqëria jonë ka rrëshqit nga një pol në tjetrin, pa qenë e përgatitur për sfida dhe transformime të nevojshme. Ndaj, kalimi nga një sistem në tjetrin, është bërë vjedhurazi, ndërkaq zërat kryesor që i kanë folur shoqërisë, të shumtën e rasteve kanë qenë pjellë e estabilishmentit dhe konjukturave politike të kaluara; elita që kanë pasur aftësinë e adaptimit dhe kamuflimit në çdo  sistem. Në këtë mënyrë, e kemi përthith demokracinë, duke e hijeshuar atë si retorikë, mirëpo, pa e ditur se ajo ka rregulla dhe limite. Dhe tani e shohim sesi frytet e saj të gjertanishme,  janë përtej mundësive tona, sepse fytyra jonë e veshur me petkat e demokracisë po rezulton të jetë e maskuar.

Zaten, problemi me identitetin e një shoqërie a shteti, është çështje shumë serioze. Që nga Hegeli e këndej, ka shumë filozofë e mendimtarë që pareshtur pohojnë se lufta për identitet është në thelb një akt politik. Këtij konstatimi i bashkohet edhe një dijetar bashkëkohor, si Francis Fykajama. Në dijet humane: filozofë, historianë e sociologë, ndajnë mendime të ndryshme për identitetin, për faktin se si term me domethënie të variueshme, ai bëhet koncept i lëvizshëm dhe si i tillë i vështirë për t’u definuar. Mirëpo, gjithsesi, në një pikë ka konvergjenca, kur pohohet se një bashkësie e caktuar, që organizohet në një shtet apo formë tjetër të organizmit, i duhet një korpus vlerash gjuhësore, politike, kulturore, letrare, me të cilat mund të identifikohet.

Pa vlerat e sipërpërmendura, shoqëria  e ka të pamundur kohezionin shoqëror, të domosdoshëm për çdo organizëm politik dhe jo vetëm politik. Ky model identiteti nganjëherë individin e ka detyruar të përfaqësohet apo identifikohet me diçka të padëshiruar për të, por për hir të shoqërisë, sepse ajo ka qenë zgjedhje politike, sipas parimit se identiteti është një akt politik. Ka shumë europianë të cilët sot s’pajtohen me shumë çështje të politikave europiane, mirëpo për hir të mbivendosjes politike, e pranojnë atë identitet si të tyrin.  

Shteti i Kosovës është krijuar, por jo edhe identiteti politik i tij. Hendeku mes qytetarëve dhe politikës viteve të fundit veç sa është rritur, ndërkohë që ka një refuzimi në rritje për shtetin e Kosovës. Ky refuzim vërehet më së miri me humbjen e besimit në elitën politike dhe alternativat që shpërfaqen aty këtu. Goditja më e madhe për këtë është ikja masive e qytetarëve të këtij vendi. Kjo ndodh për faktin se qytetarët e këtij vendi s’duan të përfaqësohen nga një elitë e tillë politike, që vizionin e vetëm e ka pushtetin si instrument për punë të pastra egoiste-mendojnë ata.

Në gjithë procesin e formimit të identitetit shtetëror të Kosovës, institucionet e dijes, autoritet kulturore e shkencore, kanë qenë zëra të papërfillshëm. Këta zëra, në zgrip të shoqërisë, kanë mund të jenë të kënaqur me një kordhë që ju është hedhur nga pushteti dhe kështu kanë pranuar të bëjnë jetë prej kameleonësh. Ndaj, për fryte kulturore e politike të viteve të fundit mund të flitet shumë pak. Të heqim këtu mënjanë trashëgiminë e pasur të Ibrahim Rugovës, nga krejt elita politike e pas luftës s’mund të nxjerrim asgjë për Kosovën e nesërme, sepse kjo elitë ka vepruar në mënyrë stihike, pa strategji dhe me improvizime qyqare, të cilat e kanë çuar Kosovën buzë një humnere politike.

Se sa i rëndësishëm është identiteti politik për një shoqëri e shpjegon mjaft mirë studiuesi bashkëkohësFrancis Fukuyama, në tekstin e tij “Sfidat e identitet europian”, ku ndër të tjera thekson: “Ne e kemi të njohur ndikimin shkatërrues të nacionalizmit, formën e politikave identitare dhe dominimin e një shtet mbi tjetrin. Por, identiteti nacional dhe shtet-ndërtimi, janë absolutisht vendimtar, për suksesin e ndonjë shoqërie. Unë kam shpenzuar shumë kohë, duke shikuar problemet e shteteve në zhvillim- shumë të varfra dhe të copëtuara- dhe shtete të dështuara, ashtu siç janë ato të Afrikës. Praktikisht, te secila çështje, dobësia qendrore është mungesa e identitetit nacional, mungesa e një shteti, dhe mungesa e një kuptimi të përbashkët, si synim që s’i lejon qeveritë faktikisht të formulojë dhe të zbatojnë politika. Shpërndarja kulturore, është e nevojshme, si një gjendje e komunikimit, si mënyrë për t’i bërë individët të jetojnë në komplekse thelbësore dhe shoqëri të ndryshme të komunikimit. Nuk mund të kesh një shoqëri moderne të suksesshme, pa një shkallë të shtet-ndërtimit dhe identitetit nacional.”

Qau vadis, Kosovë?

A ka Kosova një rrugë të cilën po e ndjek sot dhe të cilën do ta ndjek nesër? Për ma tepër, a ka ndonjë plan strategjik- të analizuar, ku qartëson se mbi çfarë parimesh synohet të sendërtohet Kosova e nesërme? A mjaftojnë improvizimet, retorika e bukur dhe mendimet stihike se ne jemi europian dhe e ardhmja jonë është Europa për ta sendërtuar të ardhmen tonë në përkim me ambiciet e shumicës së shoqërisë për të ecur krah për krah me vlerat e Europës së bashkuar? Koha si gjykatorja ma e mirë e ka treguar se jo. Ndaj, duhet diçka tjetër.

Qytetari i Kosovës, sidomos ai që vjen nga shumica etnike shqiptare, sot, s’ e ka të qartë të përgjigjet në pyetjen “kush jam unë?” Sepse ai s’e di kush është apo kush duhet të jetë në raport me Shqipërinë? Madje për fat të keq, ai s’e di kush është dhe kush duhet të jetë në raport me Serbinë politike, me të cilën ka prerje kulturore? E më e keqja, ai s’e ka fare të qartë raportin tij me Turqinë, ish sunduesen që i ofrohet me një doktrinë të re- neoosmanizmin. Dhe si rrjedhojë, natyrisht ai e ka shumë të mjegullt të di kush është ai ne në raport me gjermanët, italianët a skandinavët? Këtë pasiguri të tij, e ka ndihmuar imazhi tejet negativ i politikës, që është bërë pengues për formimin e një identiteti me të cilin ai identifikohet dhe me të cilën prezantohet jashtë. Me kënd atëherë duhet të identifikohet qytetari i këtij vendi sapo të kalon kufijtë e vendit të tij? Cili është identiteti i tij?

Kosova s’e ka bërë “diferencimin” nga format pararendëse politike dhe s’ka lëvizur kah formimi i një identiteti politik shtetëror, përkundër faktit se ka krijuar simbole shtetërore dhe instrumente tjera.
Shqiptarët e Kosovës, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së këtij shteti, më shumë identifikohen me flamurin e Shqipërisë sesa me të Kosovës; më shumë lexojnë autorë të Shqipërisë sesa të Kosovës; më shumë admirojnë mediat e Shqipërisë sesa të Kosovës; me një fjalë, ata, më shumë i kanë sytë kah Shqipëria sesa nga Kosova politike, të cilën e konceptojnë si një story të dështuar. Në gjithë këtë avari, atij i duhen referenca të fuqishëm, tek të cilat mund të gjejë preje dhe me të cilat mund të identifikohet.   

Çfarë ka ngjarë, që përkundër instrumenteve të shumtë politik që janë futur në lojë për të formuar identitetin e shtetit të Kosovës, përsëri qytetarët e këtij vendi s’e ndjejnë atë si të tyre? Këtë e dëshmon më së miri eksodi masiv i shqiptarëve kah perëndimi.

Pyetja është esenciale dhe sigurisht kërkon interpretime të natyrave të ndryshme-esenciale-mbase studime serioze. Mirëpo, një gjë është më së e sigurt: instrumentet politik që janë vu në funksion të formimit të këtij identiteti, kanë qenë krejtësisht të papërfillshëm, joadekuatë dhe shpeshherë iracional; ndaj, ata s’kanë arritur të prekin aspak identitetin e brendshëm të individit të këtij vendi, që ai të mund ta përthith atë dhe të punojë për ndërtimin e identitetit politik e shtetëror (Martin Berishaj), pra atë identifikimit me shtetin e Kosovës.

Pengesa e parë që ka ndikuar në mos formimin e këtij identitetet është elita politike, me të cilën shqiptarët e Kosovës s’duan ta identifikojnë të ardhmen e tyre identitare. Ata, mund të jenë aty aksidentalisht, mendojnë shumë qytetarë, por s’përfaqësojnë atë çka jemi ne dhe çfarë synojmë të jemi ne. E këtu, ngatërrohet çështja, kur pyesim: kush jemi ne?

X është X sepse nuk është Y. Një suedez është suedez, sepse s’është danez, edhe pse trungu i tyre parakombëtar është i përbashkët.

Një kosovar, kush është dhe me çka identifikohet?

A domethënë që identiteti i tij është i lëvizshëm- në proces- apo shthurur, ashtu siç është historia e kufjeve të tij?

Një identitet i mbivendosur në një identitet tjetër, a mund të lëshoj rrënjë?

Këto janë pyetje thelbësore, që s’kanë gjet ende përgjigje, ndërkohë që përgjigja s’duket asgjëkund në horizont dhe kriza identitare vetëm sa thellohet.  
Në konceptet për identitetin-identifikimi me diçka, është nyja kyçe që formon a formëson identitetin e subjektit, që gjithmonë është në relacion me objektin, sepse identitet të individit s’mund të ketë, pa një sërë konstruksionesh që ia mvesh shoqëria, konteksti politik ku ai jeton, ideologjia, ambienti ku frymëzohet, figurat me çka identifikohet, etj.

Këto raporte dhe fenomene të ndërvarshme, i trajton mjaft shkoqitur studiuesi Martin Berishaj te libri i tij “Identiteti dhe shtetësia”, në të cilin, me fakte empirike dhe referenca relevante sjell dëshmi të bollshme, që mbështesin idenë se identiteti s’mund të krijohen pa punë. Ndaj, duhet t’i rrekemi kësaj pune. Pa e ditur kush jemi, askush s’na njeh dhe sigurisht s’e dimë kah shkojmë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »