E diela e V gjatë vitit

Feb 7 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

Leximi parë (Jb 7,1-4.6-7)

 

Lexim prej Librit të Jobit

 

Jobi foli dhe tha: “Vallë, s’ është  luftë mbi tokë jeta e njeriut? Ditët e tija si ditët e meditësit? Porsi të skllavit që e dëshiron hijen, si të meditësit të varur nga mëditja? Kështu më takuan mua maj zhgënjimi, net plot dhimbje për pjesë më qëlluan!

Nëse shkoj të bie, pyetem: Kur do të agojë drita?

E përsëri mezi pres mbrëmjen, plot me dhimbje mezi e pres muzgun! Më kaluan ditët më shpejt se drugza e vektarit, u sosën, mbetën pa pe. Moa harro: avull është kjo jeta ime, sytë e mi fat të mirë s’ do të shohin.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 147(146)

 

Ref. Na shëro, o Zot, Hyj i jetës sime.

———————————————–

Lavderojeni Zotin, sepse është i mirë,

është bukur t’i këndosh Hyjit tonë,

është kënaqësi ta ëavdërosh si i ka hije!

Zoti e rindërton Jerusalemin,

i bashkon izraelitet e mërguar!

————————————————-

Ai i shëron zemrat e copëtuara,

i lidhë plagët e tyre!

Ai e njeh numrin e yjeve,

dhe e thërret secilin me emër.

—————————————————-

I madh është Zoti ynë,

e pakufishme është dija e tij.

Zoti i lartëson të përvujtët,

kurse përdhe i shtron bakëqijtë.

———————————————

 

Leximi dytë (1 Kor 9,16-19.22-23)

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

 

Vëllezër, të shpallë Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin. Nëse e bëj këtë me iniciativën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej iniciativës sime-është detyrë që më është besuar. Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas pa i përdorur të drejtat që m’ i jep Ungjilli.

Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitojë për fe sa më shumë njerëz. U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Fjalët e tua, o Zot janë shpirt dhe jetë.

Ti ke fjalët e jetës së pasosur

Aleluja!

 

+ Ungjilli (Mk 1, 29-39)

 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

 

Posa dolen nga sinagoga, Jezusi shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. Mbarë qyteti u mbledhë para derës. Ai i shëroi të sëmurët – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë.

Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.”

Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

 

Fjala e Zotit

 

Porosia

 

Leximet e sotme, na paraqesin takimin e njeriut me vuajtjen.

Leximi parë na flet për Jobin. Jeta e tij është përfshirë me vuajtje dhe vuajtja është tejet e madhe, ditën mendon kur vjen mbrëmja që të pushoj, nata i duket tejet e gjatë dhe pret kur del drita.

Kështu ishte jeta e tij, kështu është edhe jeta jonë me shumë angazhime, punë, kryqe, sfida me të cilat ballafaqohemi.

Sikurse tek Jobi që mbetet besimi dhe shpresa në Zotin, edhe tek ne duhet të jetë ashtu, të besojmë dhe shpresojmë në Zotin, sepse Ai, pra të gjithë ata që shpresojnë dhe besojnë i shpërblen, i shpërblen me të mirat qiellore.

 

Shën Pali ishte me shëndet jo të mirë, por nuk e pengon që të punoj me zell për përhapjen e Fjalës së Zotit. Ai është punëtorë i vyeshëm në vreshtin e Zotit. Pali  shpallë me shumë kujdes Ungjillin bashkësive të ndryshme. Është shërbëtorë i të gjithëve vetëm e vetëm që të ofrojë sa më shumë njerëz te Krishti.

Shën Pali na është shembull dhe inspirim se si duhet të punojmë e të jemi të angazhuar në përditshmëri, mbi të gjitha t’i jemi dhe t’ i qëndrojmë besnik Zotit.

 

Të gjithë të kërkojnë thotë Ungjilli i sotshëm…Kush e kërkon Krishtin? E kërkojnë të paaftët, të sëmurët, e kërkojnë ata që kanë humbur shpresën, e kërkojnë ata që nuk mund të ecin vet në jetë, u nevojitet një shtytje,një përkrahje,  u nevojitet një ndihmë, e ndihmë më e madhe se ajo e Zotit nuk ka.

Jezusi shëronte të gjithë, sepse kishte dashuri dhe dhembshuri për ta.

Njeriu duhet të zbuloj vetveten para Zotit dhe të shoh çka ka nevojë të heq e të shtoj për t’ i pëlqyer Atij.

Edhe ne duhet ta kërkojmë Zotin, ta kërkojmë dhe ta gjejmë.

Edhe ne duhet të tërhiqemi sikurse Jezusi nga zhurma e botës në vetmi, sepse në vetmi, në qetësi kur gjithçka në ne e rreth nesh hesht, flet Zoti, i flet mendjes, zemrës, jetës sonë.

 

Zoti gjithmonë ka një porosi, ka një kërkesë, ka një lutje për ty, për mua, për ne të gjithë.

E ajo është të jemi të vëmendshëm në jetën e përditshme, të jemi ata që gjithmonë e pranojmë dhe e ndjejmë që të ardhmen tonë ta ndërtojmë me ndihmën e Tij.

Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

 

Vëllezër dhe motra, sikurse dëgjojmë në Ungjill të gjithë e kërkojnë Jezusin, edhe ne kemi nevojë për Jezusin që të na ndihmon në jetën tonë dhe bashkë me të ta ndërtojmë të ardhmen,  për këtë pra një mendje e një zemre t’ i lutemi:

 

O Jezu, na dëgjo!

 

–         Jezus, të gjithë të kërkojnë: të kërkojmë edhe ne ta udhëheqës Kishën tënde, drejt limanit të amshuar, të lutemi:

 

–         Jezus, të gjithë të kërkojnë: të kërkojmë edhe ne që t’ shikosh nevojat tona: na jep duresën dhe qëndrueshmërinë që me gatishmëri në çdo sprovë të jetës të jemi të bashkuar me ty dhe të veprojmë nëpër ty, të lutemi:

 

–         Jezus të gjithë të kërkojnë: të kërkojnë të sëmurët tanë dhe nevojtaret në nevoja të ndryshme janë të shumtë dhe ti i di fare mirë, po të lutemi dhe po të kërkojmë qëndro pranë tyre dhe forcoje besimin, shpresën dhe dashurinë, të lutemi:

 

–         Jezus të gjithë të kërkojnë: të kërkojmë edhe ne që t’ i japësh botës paqe dhe të kuptojnë njerëzit që janë të krijuar në përgjasimin Tënd, le të përpiqen për një angazhim të përbashkët vëllazërorë në paqe dhe mirëkuptim në mes vete, të lutemi:

 

–         Jezus të gjithë të kërkojnë: të kërkojmë edhe ne sepse kemi nevojë për ty dhe pa ty jeta nuk ka kuptim, na frymëzo mendime të drejta dhe të mira që të mundemi të frymëzuar nga ti, të japim shembull të mirë, të lutemi:

 

–         Jezus, të gjithë të kërkojnë: të kërkojmë dhe të lutemi edhe ne: Ti që u ngjalle nga të vdekurit, jepu të dashurve tanë që kaluan nga kjo botë jetën e pasosur, të lutemi

 

O Zot Jezu Krishti bota ka nevojë për Ty mos ua mungo kujdesin dhe dashurinë tënde, qëndro pranë nesh dhe me ndihmën tënde një ditë të gëzojmë me Ty në amshim, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Don Marjan Demaj

Bishtazhin

Shpërndaje

Comments are closed.

« »