DEMOKRACIA VERBALE, TEORIKE DHE E VËRTETË

Feb 7 • Res socialis

Shkruan: Dr. Pavao BRAJŠA

Në demokracinë e parë vetëm flitet, por në atë mënyrë nuk mendohet as nuk veprohet. Në të dytën flitet dhe mendohet, por nuk veprohet në atë mënyrë. Vetëm në të tretën mendojmë, flasim dhe sillemi në mënyrë demokratike. Të parën do të mund ta quanim “demokraci verbale”, të dytën “demokraci teorike” kurse të tretën “demokracia e vërtetë”.

Demokracia verbale është demokraci deklarative. Në të vetëm flitet për demokracinë, por mendohet dhe sillet në mënyrë jashtëzakonisht jodemokratike. Të gjithë e kanë plot gojën demokraci. Gjithçka është e mbushur me terma “demokratikë”. Mbahen fjalime “demokratike”, sillen konkluzione “demokratike”, shkruhen manifeste “demokratike”. Një tentim i sjelljes demokratike me përdorimin e termave demokratike por pa zhvillimin dhe mirëmbajtjen e mënyrës së të menduarit demokratik dhe qëndrimeve demokratike – është jetëshkurtër. Një demokraci e tillë nuk mund të mbajë gjatë. Ajo shpejt kthehet në të kundërtën e saj. Në të është i zhvilluar të folurit demokratik, por jo edhe qeverisja demokratike. Do të mund ta quanim demokraci në gjuhë, por jo në zemër dhe në kokë.

Demokracia teorike është “do të duhej” demokraci tipike. Këtu dihet saktësisht se çfarë është demokracia, nga se përbëhet ajo dhe si vihet deri te ajo, por ende nuk vihet deri tek ajo. Ajo mbetet në nivelin e të menduarit, studiuarit, shkruarit, hulumtuarit. Themelohen institute “demokratike”, bëhen projekte, bëhen anketa. Librat dhe gazetat janë plot me demokraci. Shkruhen ligje dhe kushtetuta demokratike. Në prapavijën e gjithë kësaj, megjithatë, paralelisht rrjedh një realitet shumë jodemokratik. Kjo është demokraci e intelektualizuar, filozofim demokratik. Kjo është demokraci në re, prej akademiku, universitare, në nivel forumesh, seminaresh, ligjëratash. Shkruhen ligje shumë të sofistikuara demokratike që mundësojnë shmangien jodemokratike të drejtësisë. Një demokraci ekskluzivisht verbale dhe teorike mundëson korrupsionin dhe paligjshmërinë, sepse bëhet një terren pjellor për zhvillimin e manipulimit dhe shfrytëzimin e lirive demokratike në jetën reale dhe të përditshme.

Në një demokraci të vërtetë mendohet, flitet dhe veprohet në mënyrë demokratike. Kjo është një demokraci e sinqertë, e pajtueshme dhe e mirëfilltë. Këtu demokracia i ka përshkuar njohurinë, të folurit dhe sjelljen. Thuhet ajo që mendohet, mendohet ajo që thuhet. Sillemi siç mendojmë dhe flasim, mendojmë dhe flasim siç edhe sillemi. Dy të parat janë të pjesshme, kurse e treta është një demokraci e plotë. Vetëm demokracia e vërtetë mundëson një bashkëbisedim të ndershëm demokratik, një teoretizim dhe diskutim, debate të dobishme dhe pragmatike, si në nivelin universitar ashtu edhe atë parlamentar. Vetëm këtu mundësohet zhvillimi i demokracisë dhe kohëzgjatja e saj.

(Përktheu nga kroatishtja: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »