FORCONI ZEMRAT TUAJA (JAK 5, 8)

Feb 9 • Kisha në botë

Mesazh i Papa Françeskut për Kreshmët 2015

Të dashur vëllezër e motra,

Kreshmët janë kohë përtëritje për Kishën, bashkësitë dhe për secilin nga besimtarët. Sidomos janë “kohë hiri” (2 Kor 6, 2). Zoti nuk ka kërkon asgjë, që s’na e ka dhuruar më parë: “Ne duam, sepse Ai na deshi më parë” (1 Gjn 4,19). Ai nuk është indiferent ndaj nesh. Secilin prej nesh e ka për zemër, na njeh me emër, kujdeset e na kërkon kur e lemë. Secili prej nesh i intereson; dashuria e Tij e pengon të jetë indiferent ndaj ngjarjeve, që na ndodhin. Por ndodh që kur jemi mirë e ndjehemi rehat, sigurisht, i harrojmë të tjerët (gjë që Zoti Atë nuk e bën kurrë), nuk na interesojnë problemet e tyre, vuajtjet dhe padrejtësitë që pësojnë… atëherë zemra jonë bëhet indiferente: ndërsa jam relativisht mirë e rehat, harroj ata që nuk janë mirë. Ky qëndrim egoist, indiferent, ka marrë sot përmasë botërore, deri në atë pikë, saqë mund të flasim për globalizimin e indiferencës. Kemi të bëjmë me një problem që, si të krishterë, na duhet ta përballojmë. Kur Populli i Zotit ndryshon sipas dashurisë së Tij, gjen përgjigjet për ato pyetje, që historia ia vë vazhdimisht përpara. Një nga sfidat më urgjente, në të cilën dua të ndalem në këtë Mesazh, është ajo e globalizimit të indiferencës.

Indiferenca ndaj të afërmit e ndaj Zotit është tundim i vërtetë edhe për ne të krishterët. Prandaj, kemi nevojë të dëgjojmë në çdo Kreshmë britmën e profetëve, të cilët e ngrenë zërin e na zgjojnë.

Zoti nuk është indiferent ndaj botës, por e do deri në dhënien e Birit të vet për shëlbimin e çdo njeriu. Në mishërim, në jetën tokësore, në vdekjen e ringjalljen e Birit të Hyjit, hapet përfundimit porta ndërmjet Zotit e njeriut, ndërmjet qiellit e tokës. E Kisha është si dora, që e mban të hapur këtë portë, përmes shpalljes së Fjalës, kremtimit të Sakramenteve, dëshminë e fesë, e cila bëhet e frytshme në bamirësi (shih Gal 5, 6). Megjithatë, bota priret të mbyllet në vetvete e ta mbyllë atë portë, përmes së cilës Zoti hyn në botë e bota në Të. Kështu dora, që është Kisha, nuk duhet të habitet kur shtyhet, shtypet e plagoset. 

Populli i Zotit ka nevojë për përtëritje, që të mos bëhet indiferent e të mos mbyllet në vetvete. Dua t’ju propozoj tre hapa që t’i meditoni për këtë përtëritje.

“Nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët”(1 Kor 12, 26)” – Kisha

Dashuria e Zotit, që e thyen atë mbyllje vdekjeprurëse në vetvete, të cilën e quajmë indiferencë, na ofrohet nga Kisha me anë të mësimeve të saj e, sidomos, me anë të dëshmisë. Por, mund të dëshmojmë vetëm diçka që e kemi provua më parë. I krishteri është ai, që e lejon Zotin ta mbulojë me mirësinë e mëshirën e Tij, ta riveshë me Krishtin, për t’u bërë si Ai, shërbëtor i Zotit e i njerëzve. Na e kujton mirë këtë liturgjia e së Enjtes së Madhe, me ritin e larjes së këmbëve. Pjetri nuk deshi që Jezusi t’i lante këmbët, por pastaj e kuptoi se Jezusi nuk dëshiron të jetë vetëm një shëmbull për mënyrën si duhet t’ia lajmë këmbët njëri-tjetrit. Këtë shërbim mund ta bëjë vetëm ai, që e lejon Krishtin t’ia lajë këmbët. Vetëm ky ka “pjesë” bashkë me Të (Gjn 13, 8) e kështu mund t’i shërbejë njeriut.

Kreshmët janë kohë e përshtatshme për ta lënë Krishtin të na shërbejë e kështu, të bëhemi si Ai. Kjo ndodh kur dëgjojmë Fjalën e Zotit e kur marrim sakramentet, veçanërisht Eukaristinë. Në të bëhemi ajo, që marrim: korpi i Krishtit. Në këtë korp nuk gjen vend indiferenca, që shpesh, duket sikur fiton pushtet në zemrat tona. Sepse kush është i Krishtit i përket një kopri të vetëm e në Të nuk jemi indiferentë ndaj njëri-tjetrit. “Pra, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.”(1 Kor 12, 26).
Kisha është “communio sanctorum”, sepse në të bëjnë pjesë shenjtorët, por edhe sepse është bashkim i gjërave të shenjta: dashuria e Zotit zbuluar në Krishtin e gjithë dhuratat e tij. Ndër to, është edhe përgjigjja për të agjithë ata, që e lënë veten të preken nga kjo dashuri. Në këtë bashkim shenjtorësh e në këtë pjesëmarrje në gjërat e shenjta, askush nuk ka vetëm për vete, por çfarë ka është për të gjithë. E meqë jemi të lidhur në Zotin, mund të bëjmë diçka është për të largëtit, për ata që s’mund t’i arrijmë kurrë vetëm me forcat tona, sepse me ta e për ta e lusim Hyjin që të gjithë t’a hapim zemrën veprës së Tij shëlbuese.

“Ku është vëllai yt?” (Zan 4, 9) – Famullitë e bashkësitë

Sa thamë për Kishën universale është e nevojshme ta zbatojmë në jetën e famullive e të bashkësive. A arrihet, në këto realitete kishtare, të eksperimentohet se jemi pjesë e një korpi të vetëm? Një korp, që gjithë së bashku, merr e jep ç’dëshiron të na dhurojë Zoti? Një korp, që i njeh dhe kujdeset për gjymtyrët e tij më të dobta, më të varfëra e më të vogla? Apo strehohemi në një dashuri universale, që angazhohet larg nëpër botë, por e harron Lazrin, ulur para portës së mbyllur? (shih Lk 16,19-31). Për të marrë e për ta bërë plotësisht të frytshme ç’na dhuron Zoti, duhen kapërcyer kufijtë e Kishës së dukshme në dy drejtime.

Së pari, duke u bashkuar me Kishën e qiellit në lutje. Kur Kisha tokësore lutet, krijohet një bashkim shërbimi të ndërsjellë e një bashkim së mirë, që arrin deri tek Zoti. Me shenjtorët, që kanë gjetur plotësinë e tyre në Zotin, bëjmë pjesë në atë bashkim, brenda të cilit indiferenca mundet nga dashuria. Kisha e qiellit nuk tirumfon sepse u ka kthyer shpinën vuajtjeve të botës e gëzon e vetme. Përkundrazi, shenjtorët mund të kundrojnë e të gëzohen për faktin se, me vdekjen e ringjalljen e Jezusit, kanë fituar përfundimisht mbi indiferencën, mbi ngurtësinë e zemrës e mbi urrejtjen. Derisa kjo fitore e dashurisë të mos depërtojë në të gjithë botën, shënjtorët ecin së bashku me ne, akoma shtëgtarë. Shën Tereza e Lisieux, dijetare e Kishës, shkruante, e bindur se gëzimi qiellor për fitoren e dashurisë së kryqëzuar nuk është i plotë derisa edhe një njeri i vetëm mbi tokë të vuajë e të ofshajë: “Shpresoj shumë të mos mbetem pa punë në qiell, dëshira ime është të punoj akoma për Kishën e për shpirtrat” (Letra 254 e 14 korrikut 1897).
Edhe ne marrim pjesë në meritat e në gëzimet e shenjtorëve e ata marrin pjesë në luftën e në dëshirën tonë për paqe e pajtim. Gëzimi i tyre për fitoren e Krishtit të ringjallur është për ne motiv force për kapërcimin e shumë formave të indiferencës e të ngurtësisë së zemrës.
Nga ana tjetër, çdo bashkësi e krishterë është e thirrur të kapërcejë pragun, që e lidh me shoqërinë rrethuese, me të varfërit dhe me të largëtit. Kisha, për natyrën e vet, është misionare, pra, është dërguar për të gjithë njerëzit e nuk mbyllet në vetvete.

Ky mision është dëshmia plot durim e Atij, që dëshiron ta çojë tek Ati çdo realitet e çdo njeri. Misioni është gjithçka që dashuria nuk mund ta heshtojë. Kisha ndjek Jezu Krishtin në rrugën, që e çon tek çdo njeri, deri në kufijtë e tokës (shih. Vap 1, 8). Kështu mund të shohim në të afërmin, vëllain e motrën për të cilët Krishti vdiq e u ngjall. Sa kemi marrë, e kemi marrë edhe për ta. E njëlloj, çfarë zotërojnë këta vëllezër, është dhuratë për Kishën e për mbarë njerëzimin.
Të dashur vëllezër e motra, sa dëshiroj që vendet në të cilat është e pranishme Kisha, në veçanti famullitë dhe bashkësitë tona, të bëhen ishuj mëshire në mesin e një deti indiference!

“Forconi zemrat tuaja!” (Jak 5, 8) – Besimtari i veçantë

Edhe si individë na tundon indiferenca. Jemi ngopur me lajme e imazhe tronditëse, që na tregojnë vuajtjen njerëzore e njëkohësisht, e ndjejmë veten të paaftë për të ndërhyrë. Ç’duhet të bëjmë për të mos u thithur nga kjo spirale frike e pafuqie?

Së pari, mund të lutemi në bashkim me Kishën tokësore e qiellore. Të mos e lëmë pas dore forcën e lutjes së bashku! Nisma “24 orë për Zotin”, që uroj të kremtohet në të gjithë Kishën, edhe në nivelin dioqezan, më 13 e 14 mars, dëshiron ta shprehë këtë nevojë për lutje.
Së dyti, mund të ndihmojmë më gjeste bamirësie, duke arritur të afërmit e të largëtit, falë organizmave të shumtë të bamirësisë së Kishës. Kreshmët janë kohë e përshtatshme për të treguar interesimin për të tjerët me një shenjë, edhe të vogël, por konkrete, të pjesëmarrjes sonë në humanitetin e përbashkët.

E së treti, vuajtja e tjetrit përbën thirrje për t’u kthyer kah Zoti, sepse nevojat e vëllait më kujtojnë brishtësinë e jetës, varësinë nga Hyji e nga vëllezërit. Nëse përvuajtërisht i kërkojmë Zotit hire e i pranojmë kufizimet e mundësive tona, atëherë do të shpresojmë në mundësinë e pafundme që na rezervon dashuria e Zotit. E mund t’i rezistojmë tundimit diallëzor, që na bën të besojmë se mund të shëlbohemi e ta shpëtojmë vetë botën.

Për të tejkaluar indiferencën e pretendimet tona për gjithëpushtet, do të doja t’u kërkoj të gjithëve ta jetojnë kohën e Kreshmëve si rrugë për formimin e zemrës, siç thoshte Benedikti XVI (Enciklika ‘Deus caritas est’, n. 31). Të kesh një zemër të mëshirshme nuk do të thotë të kesh një zemër të dobët. Kush dëshiron të jetë i mëshirshëm ka nevojë për një zemër të fortë, të qëndrueshme, të mbyllur për tunduesin, por të hapur për Zotin. Një zemër që ta lejojë Shpirtin Shenjt të hyjë e ta çojë në udhët e dashurisë, që e udhëheqin drejt vëllezërve e motrave. Në fund të fundit, një zemër e varfër, që e njeh varfërinë e vet dhe shkrihet për të tjerët. 
Për këtë, të dashur vëllezër e motra, dua t’i lutem me ju Krishtit në këtë Kreshmë: “Fac cor nostrum secundum cor tuum”: “Bëje zemrën tonë të ngjashme me tënden” (Lutja nga Litanitë e Zemrës së Krishtit). Atëherë do të kemi një zemër të fortë e të mëshirshme, të vëmendshme e bujare, që nuk mbyllet në vetvete e nuk bie në humnerën e globalizimit të indiferencës.
Me këtë urim, siguroj lutjen time që çdo besimtar e çdo bashkësi kishtare të përshkojë frytshëm udhën kreshmore, e ju kërkoj të luteni për mua. Zoti ju bekoftë e Zoja ju ruajttë.

Vatikan, 4 tetor 2014

Festa e shën Françeskut të Asizit

Shpërndaje

Comments are closed.

« »