LAHUTA E MALCÍS – NJË VEPËR MISIONI

Feb 9 • Kulturë, Letërsi

Shkruan: Xhavit BEQIRI

 

Poeti kombëtar shqiptar, At Gjergj Fishta, është autor i epit Lahuta e Malcís, e cila nisi të shkruhej që në vitet e para të shekullit XX, ndërsa u botua si vepër e tërësishme vetëm më 1937. Pasi u prit me ngazëllim nga e gjithë bota letrare e kulturore shqiptare, kjo vepër, ashtu si edhe autori i saj, u shpall e papërshtatshme nga regjimi komunist në Shqipëri dhe, si rrjedhojë, u ndalua deri në fillim të viteve ’90, kur edhe ra sistemi monist në Shqipëri.

Me gjithë ndalesën gjysmëshekullore, Lahuta e Malcís mbeti vepra më me ndikim e gjithë historisë së letërsisë shqipe. Kjo dëshmohet edhe me studimet e shumta që i janë bërë asaj gjatë këtyre viteve, të cilat shtjellojnë aspekte të ndryshme të kësaj vepre.

Ky punim yni, i shkëputur nga teza e disertacionit me titull “Veçoritë gjuhësore e stilistike të Lahutës së Malcís të Gjergj Fishtës”, përveç të tjerash, është një synim për ta vënë në pah edhe anën e religjiozitetit të kësaj vepre, e cila, si dukuri, shpeshherë është mbuluar pa të drejtë nga studiuesit. Pra, synimi ynë është që kjo vepër të lexohet në kontekstin e plotë të rrethanave, në të cilat krijoi e jetoi Fishta, gjithnjë duke e pasur parasysh përkushtimin dhe misionin e tij për Fe e Atme, që, në fakt, ishin një moto e çdo veprimi të tij.        

Lahuta e Malcís nuk mund të lexohet, sidomos me synimin e analizës, sipas qëndrimit se letërsia flet vetëm për veten. Kjo vepër është vepër okazionale, është vepër me mision. Një vepër që shkruhet me këto premisa, nuk mund të lexohet me pikëpamjet që reduktohen në qëndrimin strikt: letërsia flet vetëm për veten.

Cvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, pohon se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore të cilën e jetojmë”[1]. Detyrimisht, leximi i Lahutës kërkon njohjen dhe marrjen parasysh të botës komplekse të botës psikike dhe shoqërore të audiencës së cilës i drejtohej Fishta me këtë vepër; Shqipëria e kohës së Fishtës ishte një vend me shkallë të lartë analfabetizmi (rreth 90 për qind), kështu që forma më e përshtatshme e komunikimit me atë audiencë ishte vargu tetërrokësh (sado që pikërisht për këtë tip vargu Fishta pati një polemikë me Zef Valentinin, i cili thoshte se varg më popullor ishte dhjetërrokëshi), me të cilin veshi i malësorëve ishte i mësuar; Fishta e mbushi Lahutën e tij me heronj historikë e mitologjikë, sepse në mendësinë e bashkëkohësve të tij ata ishin thuajse të njëjtë, prandaj ndjenjat kombëtare, të cilat ai synonte t’ua rizgjonte shqiptarëve, i shprushnin njësoj si Leka (Aleksandri i Madh) e Gjergj Kastrioti, ashtu edhe Gjergj Elez Alia, orët dhe zanat, qenie mitologjike të cilave ende u besohej në kohën e Fishtës.

Po, nëse kemi pranuar se gjuha na flet neve, e jo ne gjuhën, atëherë s’kemi se si të mos theksojmë se Gjergj Fishta, duke krijuar Lahutën e Malcís, krijoi njëkohësisht një vepër letrare kombëtare dhe religjioze. Në studimet e derisotme tehu i interpretimit është orientuar vazhdimisht nga aspekti kombëtar i kësaj vepre, e cila, edhe pse nuk ka një fabul klasike, me strukturën e lidhur të këngëve, është një kronikë letrare e historisë së shqiptarëve, ndërkohë që, gjatë gjithë kësaj kohe, është lënë disi manash dimensioni i saj religjioz, paçka se vetë autori i saj thoshte se kishte shkruar një ep religjioz.

Dimensionin laik para atij religjioz e vendosin studiues të ndryshëm të Lahutës. Kështu, dr. Tonin Çobani, i cili i bën jehonë sidomos fillesës mitologjike në gjithë strukturën e kësaj vepre, duke theksuar se “edhe areali i figurave mitologjike në Lahutë të Malcis nuk është folklorizëm”, shkruan se “sado që Fishta e fillon Lahutën e Malcis me vargun “Ndihmo Zot si m’ke ndihmue…”, dhe e mbyll me dyvargëshin “Si premtue kish Perëndia, prapë zonjë n’veti duel Shqipnia”; sado që në atë vepër togfjalëshi “për Atme e Fe”, që ishte programi ideologjik i klerit françeskan në Shqipëri, përsëritet herë pas here, Lahuta e Malcis është cilësuar pak a shumë si vepër laike”[2].

Çobani vë në pah se “në këtë përfundim nuk kanë arritur studiuesit ateistë, çfarë mund të merrej si një konkluzion tendencioz”, porse “një formulim të tillë e ka bërë kolegu i tij, jezuit At Zef Valentini, studiues i vëmendshëm i Lahutës së Malcis dhe një ndër njohësit më të mirë historisë, kulturës dhe letërsisës së gropës së Shkodrës e më gjerë”[3]. Ky studiues i referohet një teksti të At Zef Valentinit, të botuar më 1937 në revistën “Shejzat”, në të cilin Valentini shkruante se “Fishta ka qenë midis misionarëve më të lartë katolikë që shërbyen asokohe në Shqipëri, por sot ka ardhur koha të flitet qartë edhe për një lloj afetarizmi të kryeveprës së tij Lahuta e Malcis[4]. Sipas T. Çobanit, Valentini nuk e ka argumentuar “mendimin e shprehur”. Ndaj, ky (Çobani) pohon se “argument i mjaftueshëm për të arritur në një përfundim të tillë është fakti se mitologjia e Lahutës së Malcis nuk ka marrë asgjë nga mitologjia biblike, çfarë do t’i shkonte një vepre të shkruar nga një klerik, ajo nuk ka marrë as nga mitologjia greko-romake, çfarë do t’i shkonte një autori që kishte studiuar me themel në gjuhët origjinale letërsinë e vjetër greke dhe atë latine”[5].

Megjithatë, nuk mund të lihet anash fakti se autori i veprës Lahuta e Malcís ishte rregulltar, prift françeskan, me një kulturë të gjerë fetare, gjuhësore e letrare. Një prift, edhe po të jetë poeti më liberal i mundshëm, kurrë s’mund të lirohet nga veloja e fratit; Fishta është poet nacional, gjithsesi, por është poet nacional që shkruan nën pelerinën e meshtarit. Diskursi i tij, edhe kur himnizon, edhe kur shan e mallkon është diskurs i njeriut që është identifikuar dhe është mishëruar me këtë petk, me petkun e misionarit.

Prandaj, është e vështirë të mendohet, e lëre më të provohet që Fishta, vepra e tij, të lexohet jashtë këtij konteksti. Lahuta e Malcís është vepër që e argumenton këtë misionaritet të Fishtës në çdo kângë të sajën. Kjo vepër nis me lutjen: Nihmo, Zot, si m’ké nihmue! dhe mbaron me daljen e Shqypnís zojë m’vedi, ashtu si premtue kisht’ Perendija. Një vepre që nis dhe mbaron me komunikim tipik religjioz nuk mund t’ia mbulosh këtë fakt, i cili jo që nuk e zbeh aspak atë të parin, kombëtaricitetin, por, përkundrazi e forcon dhe e përplotëson atë edhe më shumë, sa kohë që e marrim si të mirëqenë maksimën e Fishtës: Atme e Fe!

Kësodore, krahas tonit të lartë nacional, të ndërtuar me shumë mburrje, me plot lavde e me oshtima pasthirrmash e thirrorësh kumbues, në vargjet e Lahutës gjejmë kudo diskursin/toposin religjioz. Kjo vepër pomendare e Fishtës komunikon nëpërmjet heronjve shqiptarë, nëpërmjet miteve e gojëdhënave të larmishme të botës së tyre, por komunikon, po kështu, nëpërmjet engjëjve, shenjtërve dhe vetë Hyjit, të cilit autori i drejtohet pothuajse në çdo kângë, gjithmonë me tonin e adhurimit me të cilin i drejtohet rregulltari: Neper Rjekë me kapun mal’,/ Madhi Zot, tý t’kjoshim falë. (LM, fq. 71); Si t’u ndeshshin flakë e agzot,/ Lum e lum për t’Madhin Zot (LM, fq. 72); Pika e djalit, Lekët e Hotit,/ N’zâ kahë pushka e besa e Zotit (LM, fq. 143); Kur t’jenë lidhë me besë e Fé / Kur t’jenë lidhe me besë të Zotit (LM, fq. 147)    

Mirëpo, krahas diskursit religjioz/biblik, po kështu, kemi shpërthime të fuqishme të unit nacional, sidomos para përballjeve me fqinjët sllavë:

 Pse s’t’a njof asnji per bé:

Un Shqyptár, ata janë Shkjé:

Né na dán nji gjak e i’ fé:

N’mní t’shoqishoqit kemi lé:

Kem’ndermjet nji qiell e ‘i dhé!… (LM, Kângë e katërmdhetët, Te Ura e Rrzhanicës, fq. 150)                   

 

            Në situata të tilla, kur shqiptarët duhet të ndeshen me tjetrin, çdo dallim besimi shuhet dhe ata janë një, madje me i’ fé. Është një idealizëm i pastër poetik, që kësaj vepre të ashpër epike aty-këtu i jep nota të butësisë së romantizmit! Gjithsesi, as këto nota romantike, as diskursi ndonjëherë i rëndë kundër pushtuesve dhe kërcënuesve të tokave arbnore nuk mund të jenë pretekst për ta parë këtë vepër si nxitje të urrejtjes apo të mosdurimit ndaj të tjerëve. Përkundrazi, siç e kemi dëshmuar, Fishta jo një herë i stolis “armiqtë” me epitete e lëvdata thuajse të njëllojta me ato që i stolis heronjtë e mitologjisë dhe të historisë së etnisë së tij. Lufta e Fishtës është luftë universale në mes së mirës dhe të keqes, në të cilën, domosdo, fitues del kjo e dyta. Prandaj, në asnjë varg të kësaj vepre nuk ka përbuzje apo shovinizëm ndaj kombeve të tjera. Ka, porse, shumë atdhedashuri dhe himnizim të historisë dhe të botës shpirtërore shqiptare. Në fund të fundit, kjo vepër me këtë qëllim është shkruar, sado që i përket sferës metafizike.

            Po të kishte sadopak ndjenjë urrejtjeje ndaj të tjerëve, Fishta do të tregohej shumë më purist, sesa që është në realitet. Lahuta e Malcís e përafron ligjërimin poetik të Fishtës me Albumin e Fan S. Nolit, i cili, po ashtu, përdor shumë fjalë të huazuara, të cilat i shkrin pa asnjë ngurrim në vargjet e veta. Poetët që i “urrejnë” popujt e tjerë nuk mund të jenë aq derëhapur ndaj fjalëve të huaja, aq më pak të atyre gjuhëve që u përkasin popujve “të urryer”!

            Prandaj, na duket paksa i ekzagjeruar pohimi i Arshi Pipës, sipas të cilit “elementi subjektiv i Fishtës është sllavofobia”. Këtë qëndrim të tij, mbase, Pipa e mbështet në bindjen se “kur Fishta ia parashtroi vetes detyrë të shkruante epin e parë, në shenjë kujtimi për përplasjen e vitit 1880 ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve, etikat fisnore (familja dhe marrëdhëniet e pronës në veçanti) kishin ndryshuar pak që nga kohët e Mesjetës, kur ato kishin filluar të zbatoheshin”[6].

Madje, sipas Pipës, “Turqia nuk kishte asnjë interes t’i ndryshonte traditat dhe zakonet e malësorëve shqiptarë, ndaj ishte mjaft e përmbajtur në pohimin e sovranitetit të saj mbi territorin e tyre. Taksat e malësorëve, të paguara në formën e një haraçi, ishin të vogla, megjithatë ata duhej të shërbenin në ushtrinë osmane, të udhëhequr nga bajraktarët e tyre”[7]. Pipa vë në pah se këta (bajraktarët, v. j.), po edhe prijës të tjerë shqiptarë e kishin pranuar islamin, ndërsa qeveria (në raportet me malësorët, v. j.) i shfrytëzonte si ndërmjetësues, shpesh për t’ia mbajtur anën asaj.

“Vepra e parë epike e Fishtës ofron një pasqyrë mjaft objektive të një situate historike të tillë. Për shembull, ai nuk e fsheh faktin se fiset kryesisht katolike Hot dhe Grudë udhëhiqen në betejë nga një bajraktar mysliman. Elementi subjektiv është sllavofobia e Fishtës”[8], shkruan ai.

Gjithsesi, Pipa është ndër studiuesit që e kanë spikatur më së miri ndryshimin e diskursit të Fishtës gjatë etapave të shkrimit të Lahutës së Malcís, sidomos sa i përket cilësimit të armiqve, qofshin ata turqit, qofshin fqinjët sllavë, varësisht nga konteksti historik dhe nga ngjarja së cilës ai i këndon. Pipa vëren se te kënga Vranina, në të cilën heroi është një mysliman shkodran, Oso Kuka, armiq janë sllavët, jo turqit, ndërsa në këngët që trajtojnë ngjarjet pas Lidhjes së Prizrenit, turqit janë armiq, ashtu siç janë edhe sllavët. 

Pipa mbetet i veçantë në qasjen e tij, jo vetëm sa i përket eposit të Fishtës, por të gjithë letërsisë shqipe, madje deri në periudhën e realizmit socialist, tek rreket të argumentojë temën e fshatarësisë që e “përshkon tërë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë edhe atë të diasporës”[9]. Në fakt, në esenë e dytë të librit Albanian literature: Social perspektives, me titull “Barinjtë dhe fshatarët në letërsinë shqipe” (Shepherds and Peasants in Albanian Literature), Pipa pohon se “historia e Shqipërisë është një histori e fshatarëve të lirë dhe e barinjve që nga koha kur ata u shfaqën si një grup i dallueshëm në Ballkan, e deri në konstituimin e vendit si shtet i pavarur”[10]

Pipa, në këtë ese, identifikon disa tipa të ndryshëm të fshatarësisë shqiptare në traditat e ndryshme letrare, të cilat ai mendon se zhvillohen në formë të një delte, ndonëse të pavarura, për t’u takuar në një pikë të përbashkët, e cila përfaqësohet nga Lidhja e Prizrenit.

“Nga këta tipa, disa prej të cilëve janë karakteristikë për tradita të caktuara letrare, si bujku arbëresh, bariu luftëtar gegë, fshatari i përzënë toskë, ka edhe një tip që është i përbashkët për të gjitha traditat dhe ky është banditi fshatar. Arsyeja për prevalencën e këtij tipi duhet kërkuar, sipas Pipës, në varfërinë e gjatë të fshatarësisë shqiptare”[11], komenton H. Çiftja.

Edhe leximi i Lahutës së Malcís e përligj këtë pikëpamje të Pipës. A nuk është kjo vepër përplot me fshatarë e barinj, me njerëz që ndonëse i takojnë një rangu inferior social, kanë përplot veti të mira, përplot virtyte morale e humane, të cilave do t’ua kishin zili edhe fisnikët më të lartë. Me barinj, sa për kujtesë, nis kënga e Marash  Ucit: Te nji mriz, te nji lejthí/ Kishin ndodhun tre barí/ Dy me dhen e nj me dhí/ Marash Ucie t’bijt e Calit/ Dy djelm t’letë si shpezët e malit…  

Në fund të fundit, kjo ishte bota shqiptare, ky ishte realiteti në të cilin kishte mbijetuar kjo etni, ndaj edhe heronjtë e kësaj letërsie, domosdo, do të ishin të tillë, fshatarë e barinj.

            E gjithë vepra e Fishtës, po veçanërisht vepra epike Lahuta e Malcís është vepër që u bën jehonë të fuqishme virtyteve më të çmuara të njeriut si individ, por edhe të njerëzimit si tërësi, si bashkësi e Zotit. Një poet/prift si Fishta, gjithçka mund të ishte, por kurrsesi një urrejtjenxitës. Gjuha e tij është prova e parë, më e madhe dhe më e pakundërshtueshmja, që ai ishte luftëtar i dinjitetit njerëzor, i lirisë dhe i dashurisë universale. Ajo – dhe kjo është më e rëndësishmja –  e flet vetë Fishtën, është aureolë mbrojtëse e përjetshme përballë çfarëdo përpjekjeje që është bërë, apo që mund të bëhet edhe në të ardhmen, për t’i mveshur këtij poeti nacional shqiptar epitete që nuk i rrinë aspak. Fundja, të gjithë ata studiues, shqiptarë e të huaj, që e kanë studiuar dhe vazhdojnë ta studiojnë veprën e Fishtës, dimensionin e thellë human të tij as e vënë në diskutim. Të tjerët, që kanë shkruar ose që eventualisht mund të shkruajnë me receta stereotipe ideologjike, mund të kërkojnë dëshpërimisht në veprën e tij “njolla”, me të cilat “do ta ekspozonin” atë me ngjyrë të zezë, siç bëri më se pesë dekada kritika socrealiste në Shqipëri.   

 Por, sot të gjithë e pranojnë sovranitetin e veprës së madhe letrare e diturore të Fishtës, në të cilën Lahuta e Malcís, pa dyshim, qëndron si botë më vete. Gjuha e saj, siç e kanë cilësuar studiuesit, është një pasuri e jashtëzakonshme që është shkrirë me mjeshtëri në art të bukur të fjalës poetike. / (Ky tekst është shkëputur nga një studim më i gjatë i autorit)

[1] Tzvetan Todorov, Letërsia në rrezik, ShB “Buzuku”, Prishtinë, 2007, fq. 66.

[2] Dr. Tonin Çobani, Mitologjia në Lahutën e Malcis, në revista “Kumbona e së Diellës”, nr.11/12 Nëntor – Dhjetor 2012, Shkodër, fq. 22.

[3] T. Çobani, po aty.

[4] Po aty.

[5] Dr. T. Çobani,  “Kumbona e së Diellës”, rev. e cit., fq. 23.

[6] Arshi Pipa, Albanian Folke Verse: Structure and Genre, Trilogia Albanica III, ShB “Dr. DR. Rudolf Trofenik”, München, 1978, fq. 122.

[7] Po aty.

[8] Po aty.

[9] Shih: Hektor Çiftja, Arshi Pipa, Letërsia shqipe si letërsi e barinjve dhe fshatarëve, (në: www.ShkodraOnline.com)

[10] Po aty.

[11] H. Çiftja, burimi i cit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »