NË ÇDO THIRRJE ZBULOHET KUPTIMI I THELLË I FJALËS

Feb 9 • Kisha në Kosovë

Takimi i rregulltarëve në Prishtinë

Të shtunën, më 7 shkurt, në rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, ishin të bashkuar të gjithë Rregulltarët që veprojnë në Ipeshkvinë e Kosovës. Ky takim nuk ishte si çdo takim i rëndomtë i rregulltarëve, por, ishte ditë festimi, përkujtimi, i kushtimit të tyre Zotit, siç bënë prindërit e Jezusit, kur e kushtuan në Tempull te Jeruzalemit në shenjë dhurimi Zotit për shëlbimin e botës.

U bashkuan të gjithë të kushtuarit e Zotit në rregulltari, pranë Bariut të kishës vendor Imzot Dodë Gjergjit, i cili ishte pritësi i kësaj dite. Në orën 9:30 u bashkuan të gjithë duke shkëmbyer përshëndetjet, në orën 10:00 ligjërata e mbajtur nga Mons. Dodë Gjergji, i cili si bari besnik dhe prijës i tyre iu drejtua rregulltarëve dhe njëkohësisht edhe nxënësve të Shkollës katekistike që ishin të pranishëm në sallë. Ipeshkvi foli për vlerën që kanë rregulltarët brenda Kishës, për detyrat që zhvillojnë dhe sesi me karizmat e tyre e pasurojnë Kishën dhe shoqërinë dhe në të njëjtën kohë çfarë Kisha pret prej tyre dhe si duhet të jenë dëshmi e dashurisë së Krishtit për botën. Ja po citoj disa fjalë që ipeshkvi ua drejtoi rregulltarëve më këtë rast:

“Në çdo thirrje zbulohet kuptimi i thellë i Fjalës. Pra, Jezu Krishti, është modeli për të kuptuar thirrjen e çdo njeriu, për të verifikuar ecjen e Tij të jetës dhe për t’i dhënë fryt shpirtëror misionit të tij. Rregulltarët dëshirojnë për së afërmi të ndjekin Jezu Krishtin dhe t`i afrohen përsosmërisë në dashuri – në shërbim, Mbretërisë së Zotit. Ata në Kishë shënojnë e paralajmërojnë lavdinë e jetës në Mbretërinë qiellore. Kisha është kopshti ku lulëzojnë dhe rriten thirrjet, për të gjithë njerëzit, për shërbim të vërtetë. Jeta e kushtuar Zotit më së miri dëshmon, e bën “Plantatio Ecclesiae”, mbjelljen e Kishës në botë, sikurse Virgjëra Mari që e lindi Jezu Krishtin, kështu edhe personi i kushtuar Zotit duhet t’i shërbejë Zotit, Kishës, njeriut dhe ta bëjë mbjelljen e saj në bashkësinë njerëzore”.

Ligjërata zgjati më shumë se një orë, duke vazhduar edhe me pjesën e diskutimit të hapur në lidhje me temën e ditës. Në orën 12:30 ishte kremtimi i Meshës së shenjtë në Katedralen “Nënë Tereza”, ishte një kremtim solemn dhe vëllazëror, të bashkuar një zemre pranë tryezës Hyjnore që ofron Fjalën e shpallur dhe bukën e thyer. Kjo ditë u përmbyll me drekën e përbashkët të ofruar nda famullitari i Prishtinës Don Rrok Gjonlleshaj. Duke e falënderuar Zotin dhe Ipeshkvin, kjo ditë kaloi bukur dhe të gjithë u ndanë të kënaqur duke u kthyer në misionin e tyre, duke e lavdëruar Zotin për punën e madhe që ka bërë për secilin me dhuratën e Thirrjes së Shenjtë. (m. Lindita Spaqi)

10967995_934788683198672_1630858361_n 10967994_934789173198623_886492522_n 10967956_934789413198599_433960736_n 10966623_934789479865259_1140228992_n 10966530_934788649865342_273577826_n 10959247_934788639865343_954359671_n 10841223_934788786531995_885740440_n

Shpërndaje

Comments are closed.

« »