HARMONIA FETARE E SHQIPËRISË NË PARIS

Feb 10 • INTERVISTË

Në një intervistë për revistën fetare-kulturore “DRITA” të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës në Shqipëri, rrëfen mbi Marshin e Paqes organizuar në Paris me rastin e ngjarjes tragjike të ndodhur në redaksinë e revistës franceze Charlie Hebdo.

 

1. Imzot Lucjan Avgustini, si e pritët ftesën për të qenë pjesë e Marshit të Paqes dhe kush ishte ideatori i këtij shtegtimi?

Ftesa për të qenë pjesë e delegacionit nga Shqipëria erdhi nga Zyra e Kryeministrisë dhe ishte krejtësisht e papritur. Por pasi që pjesëmarrja në këtë akt solidariteti dhe dëshmi kundër akteve terroriste përkonte me ditën e Diele (11.01.2015)  dhe ipeshkvijtë të cilët ishin kontaktuar më parë nuk e kishin assesi të mundur për të marë pjesë, atëherë më kanë kontaktuar  mua personalisht. Faktikisht edhe unë kisha angazhime baritore, por gjeta zëvendësime dhe u bëra pjesë e delegacionit.

Gjithçka rreth pjesëmarrjes në këtë aktivitet është ideuar dhe organizuar nga ana e Qeverisë Shqiptare, konkretisht nga Zyra e Kryeministrit.

2. Çfarë emocioni përjetuat ndërsa solidarizoheshit me dhimbjen e francezëve?

Më lejoni të them se në popullin e Parisit dhe më gjerë ishin gërshetuar dhimbja për personat e vrarë nga një akt terrorist dhe ankthi e frika se çfarë po ndodhë. Me siguri se, emocionet e brendshme të atij momenti kur ne ishim duke marshuar në rrugët e Parisit, nuk është lehtë të përshkruhen me fjalë. Mua personalisht më përshkoj një rrënqethje dhe një ndjesi e fuqishme e brendshme, duke më kujtuar një ngjarje të hidhur nga historia e vendit tonë, konkretisht më kujtoi Shkodrën në marsin e vitit 1997. E kisha shumë të qartë nga kjo përvojë historike, kur kishim dalur së bashku përfaqësuesit e komuniteteve fetare të qytetit në lagjet e Shkodrës, për të bërë thirrje se nuk luftohet në emër të Zotit. Dhe qëndrimi ynë së bashku mjaftoi për të sjellë qetësinë në zemrat e shkodranëve.

Kështu edhe në Paris, i përshkuar me kujtesat e ngjarjeve të përmendura, mendoja se ecja e jonë së bashku mund të sjellë një lloj qetësie në zemrat e paresienëve.

10966932_10153152529867962_2042945471_n

3. Si u demonstrua harmonia jonë fetare?

Mendoj se përgjigjën më të mirë në këtë pyetje e dhanë vetë populli i Parisit, të cilët e pritën me brohoritje dhe duartrokitje ecjen tonë së bashku, të të katër përfaqësuesve të besimeve në Shqipëri, edhe pse nuk e dinin se kush jemi dhe nga vinim, por pastaj është marrë vesh.

4. A është përçuar realiteti shqiptar i tolerancës fetare në Shqipëri?

Së pari dëshiroj të theksoj një ndryshim ndërmjet tolerancës dhe harmonisë. Në Shqipëri kemi harmoni fetare ndërmjet besimeve të ndryshme. Toleranca do të thotë: unë toleroj; ndoshta nuk jam dakord por, ja se po lëshoj rrugë…

Pikërisht, me praninë tonë në Paris këtë kemi dashur të përçojmë si shembull, realitetin e bashkëjetesës sonë se, edhe pse me besime të ndryshme është e mundur të jetohet së bashku. A nuk e theksoj dhe e mori si shembull Shqipërinë dhe këtë harmoni fetare edhe Papa Françesku në vizitën e tij me 21 shtator 2014, për t’i treguar botës, posaçe atyre vendeve që jetojnë në urrejtje dhe luftra fetare, se është e mundur të jetohet së bashku?!

5. Vëmendja botërore u vendos në dëshminë e komuniteteve fetare të Shqipërisë, çka do të thotë kjo për vendin tonë?

Harmonia fetare e cila u dëshmua në Paris është vetëm nxjerrje në dritë e vlerave të mëdha që populli ynë ka. Bota këtë e di, ndërsa ne duhet të dimë ta ruajmë dhe ta dëshmojmë duke ua transmetuar gjeneratave të reja.

6. Si zëvendëskryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë zhvillohen takime të shpeshta mes komuniteteve fetare dhe merren vendime të përbashkëta?

Në Shqipëri kemi një Këshill Ndërfetar, ku marrin pjesë përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Takimet janë sipas kalendarit që parasheh statuti apo edhe sipas nevojave që mund të lindin për ndonjë arsye. Gjatë këtyre takimeve edhe merren vendime të përbashkëta në ato gjëra dhe qëndrime të cilat shërbejnë bashkërisht për të mirën dhe zhvillimin e popullit dhe vendit.

7. Gjithë ky shembull i kësaj harmonie fetare në vendin tonë, ka një kod marrëveshjeje apo ka ardhë natyrshëm duke respektuar ndjenjën e besimit të së cilit?

Kur themi kod, mendohet menjëherë në teknologjinë e sotme. Kodi, paswordi (fjalë kalimi) apo çelësi nuk janë fjalë magjike, tash e thua apo e shkruan dhe u bë. Harmoni  fetare është  njohja dhe respekti i gjithësecilit, në atë besim që jeton. Njohja e ndërsjelltë sjell edhe mundësitë e një dialogu, e kjo sjell frytet e një jete në harmoni. Nuk mund të ketë një harmoni fetare apo edhe çfarëdo harmonie tjetër në qoftë se nuk e njohim njëri-tjetrin dhe nuk dialogojmë.

Respekti, nderimi dhe dashuria e ndërsjelltë është urdhër prej Zotit: duani njëri-tjetrin! Këtu nuk thotë duani vetëm të tuajt, të besimit tënd, apo të familjes apo të grupit politik, të qytetit apo fshatit, por duani njëri-tjetrin, duaje të afërmin tënd. Pra, dashuria ndaj të afërmit, respekti dhe nderimi i ndërsjelltë, është kodi apo passwordi (fjalkalimi) i harmonisë fetare.

8. A mendon që në lirinë e shtypit të fyhen ndjenjat e besimit nëpërmjet karikaturave?

Fyerja në cilën do formë me të cilën ajo paraqitet, nëpërmjet shtypit, fjalës, karikaturës apo gjesteve është lëndim i ndjenjave kujt i drejtohet. Sa më tepër fyen aq më shumë lëndon. Kjo shprehet veçanërisht kur fyhen gjërat e shenjta dhe lëndohen zemrat e besimtarëve.

Liria është e tillë deri sa nuk prek dhe lëndon lirinë e tjetrit. Liria në jetë dhe liria e besimit janë të drejta themelore të njeriut dhe asnjë formë, të quajmë liri e shtypit, e fjalës etj … nuk ka të drejtë të lëndojë tjetrin. Duhet të ketë një lloj limiti apo kufizimi. Këtë e thekson edhe Papa Françesku pas ngjarjeve që ndodhën në Paris. Mund të shprehem në mënyrë figurative: gota e ujit ka një masë, ka një limit. Nuk mundemi që një fuqi ta zbrazim në një gotë uji. Dikush edhe mund ta bëjë dhe thërret nën emrin e lirisë se është e drejtë e imja. Por duhet të mendohen edhe pasojat se ajo çka tepron prej gotës del jashtë dhe mund të bëjë dëm.

Liria nuk mund të krijojë dëm, por duhet të ketë parasysh të mirën: atë personale dhe të përbashkët. Shën Pali apostull thekson në letrën drejtuar Korintasve 6, 12: “Për gjithçka kam leje… por gjithçka nuk më sjell dobi”. Prandaj edhe njeriu i sotëm duhet të zgjedhë atë që sjell dobi, e veçanërisht dobinë dhe të mirën e përbashkët.

9. Po në Shqipëri, mendon se po të organizojmë marshime të tilla, shumë probleme politike dhe sociale mund të zgjidhen?

Marshimet nuk janë zgjidhje matematikore. Ato mund të jenë shenjë e protestës, shenjë e solidaritetit, shenjë e përkrahjes, por edhe shenja të lavdërimit apo gëzimit. Personalisht jam për formën e dialogut. Dialogu është forma më e mirë e diskutimit dhe arritjes së zgjidhjes së problemeve që mund të na rrethojnë, qofshin ato politike apo sociale.

Dialog (greqisht dia logon) do të thotë nëpërmjet fjalës, pra nëpërmjet fjalës, bisedës të mundemi ti zgjidhim problemet që kemi. Nuk zgjidh punë protesta apo marshimi. Këto mund të vijnë në fund të fundit si reagim i pamundësisë për të biseduar së bashku apo dialoguar. Dialogu nuk e varfëron as identitetin as dinjitetin e askujt, por ndihmon që më mirë ti shohim gjërat që na bashkojnë për të mirën e gjithësecilit.

10979479_10153152527752962_1899443116_n

10. Harmonia fetare njihet në historinë e kombit tonë apo më shumë u vendos pas viteve ’90?

Absolutisht nuk jam dakord se harmonia fetare është e njohur në kombin tonë pas viteve ’90. Çka të themi atëherë për të kaluarën e popullit tonë? Kemi raste në shumë zona të trevave shqiptare, ku vëllezërit e një gjaku kanë qenë të besimeve të ndryshme, njëri i krishterë e tjetri mysliman e mos të flasim për kushërinj apo pjestarë të fiseve, si kanë jetuar këta, në luftë apo harmoni? Nuk e kemi të njohur në popullin tonë se ndonjëherë është zhvilluar ndërmjet shqiptarëve ndonjë luftë fetare, ndërsa janë të shumtë shembujt e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Kjo na flet se harmonia fetare në kombin tonë është një trashëgim i një vlere jashtëzakonisht të madhe të cilën na e kanë lënë të parët tanë. Këtë duhet ta dimë ta ruajmë, ta mbrojmë dhe t’ua përçojmë si amanet gjeneratave të reja, që të dinë të jetojnë si vëllezër.

11. Me këtë marshim, Ju i dhatë botës një leksion për afirmimin e paqes?

Pjesëmarrja e jonë në marshim në Paris ishte më tepër dëshmi, kuptohet se secili duhet të dijë të lexojë prej saj dhe të dinë ta përvetësojë. Dëshira e jonë ishte që të tregojmë para botës se është e mundur të jetohet së bashku dhe se, në emër të Zotit nuk mund të vritet askush. Nuk mund të përdoret Zoti dhe besimi për të bërë krime apo për të kryer akte terroriste. Zoti nuk e do që ne të vdesim por që të jetojmë; dhe kërkon prej nesh që të jetojmë në paqe dhe harmoni me njëri – tjetrin.

12. A mund të rrezikohet Shqipëria nga këta ekstremistë?

Sot, asnjë vend nuk mund të thuhet se është plotësisht i sigurt, prandaj edhe Shqipëria mund të rrezikohet. Shqiptarët duhet të jemi vigjilent dhe të kuptojmë se çdo formë e ekstremizmit na sjellë vetëm dëme. Lufta, dhuna dhe terrori janë nëna e çdo varfërie.

13. Cili është mesazhi i Juaj për Paqen?

Paqja nuk është gjendja e thjeshtë pa luftë, as drejtpeshimi në mes fuqive të kundërta, nuk është as fryti i sundimit të dhunshëm, por sikurse na mëson Isaia profet, është vepra e drejtësisë (32,7). Paqja është fryt i rendit që e ka vulosur Themeluesi Hyjnor në shoqërinë njerëzore dhe do ta zbatojnë njerëzit të cilët dëshirojnë drejtësinë gjithnjë e më të përsosur. Ne mendojmë se mjafton që të çarmatosen popujt dhe vjen paqja. Nuk do të ketë asnjëherë çarmatim të vërtetë të njerëzimit dhe shteteve, në qoftë se nuk çarmatoset zemra e njeriut; deri sa nuk lirohet nga ajo që e nxit kundër të afërmit të vet. Paqja varet shumë se si njerëzit sillen dhe mbajnë qëndrimin, çfarë parime morale pranojnë, me çfarë vlere dhe normë ecin në jetën e tyre.

I lumi Papa Pali VI, në fjalimin e tij para UN (Kombeve të bashkuara) në vitin 1965 ka theksuar se: “Paqja nuk mund të ndërtohet me politikë dhe barazimin e forcave të armatosura, siç mendojnë shpesh politikanët, por paqja ndërtohet në shpirt me idetë dhe veprat e mirësisë”.

Paqja nuk fitohet kurrë një herë e përgjithmonë, por do të ndërtohet pandërprerë. Paqja është një kantier pune i hapur për të gjithë. Në këtë kantier nuk punojnë vetëm specialistët, por të gjithë jemi të thirrur për të qenë ndërtues të paqes, veçanërisht janë të thirrur të rinjtë.

Violeta Marashi

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »