PRELË TULI I MËRTURIT (1852 – 1918)

Feb 10 • Histori, Kulturë

Shkruan: Ylli PREBIBAJ

Nëse një individ lëvdohet,

ky lavdërim i përket gjithë grupit të tij fisnor

          Kazuhiko Yamamoto

 

Trashëgimi e vyer nga periudha e vetadministrimit të malësive shqiptare është mënyra e përfaqësimit, nëpërmjet personaliteteve të njohura. Në vargun e tyre e me një kontribut të çmuar historik shfaqet Prel Tuli. Delegimi i përfaqësimit, dëshmon një vetëdije organizative e hierarkike të shoqërisë së Nikaj–Mërturit. Në burimet arkivore ata njihen si “krenë”, detyra kryesore e të cilëve ishte përfaqësimi i Mëhallës, Katundit a Bajrakut në kuvende, kryengritje, apo ndërmarrje të tjera me karakter politik.

Prel Tuli (Dedndreaj) nga Salca e Mërturit lindi më 1852. Ai u rrit në një atmosferë të vështirë, ndërkohë që mbarë trojet shqiptare përjetonin një prej pushtimeve më të egra që ka njohur historia, atë të sundimit osman. Në Nikaj e Mërtur, pesha e sundimit ndihej më së forti nga reprezaljet e herëpashershme që kryheshin në Kosovë, për shkak se Nikaj–Mërturit ishte pjesë e Malësisë së Gjakovës.

Prelë Tuli pati rastin qysh në fëmijërinë e hershme, të njihej me traditat e zonës, nëpërmjet rrëfimeve të moçmëve të Vllaznisë e Bajrakut. Rol në brumosjen e tij burrnore e nacionaliste ka luajtur stërvitja morale prej klerit katolik françeskan, që shërbeu në Mërtur. At Danjel Gjeçaj O.F.M në një libër kushtuar Prelë Tulit thekson se: “Frati e shifte shpesh këtë djalë te kisha në e dielë. Në të hetoi të dallueme. E pau se ishte mendtak, i urtë, i çiltë, i shënueshëm, i peshuem ma tepër se ja lejonte mosha, dhe mbi të gjithë Prela ishte i mirë e i pasherrite frati djali xu të vërtetat e fesë…dhe muer njoftësitë e para mbi historinë kombëtare e mbi tjetrën botë” (Duka-Gjini; 1988; 29-30).

tuli

Një rol të madh në karrierën e tij ka luajtur pjesëmarrja në një varg kryengritjesh që prej 1880-ës e deri më 1915, të cilat ndikuan në përftimin e artit ushtarak. Bash këto tre shtylla ishin bërthama e brumosjes së këtij “kreshniku”, sikurse cilësohet ndër disa burime të shkruara.

Burimet arkivore na ndihmojnë në pasqyrimin objektiv të veprimtarisë së Prelës dhe kohanikëve të tij, të cilët në ndërveprim me njëri tjetrin, ruajtën vetadministrimin e Nikaj-Mërturit përgjatë sundimit turk. Ai ishte një ndër drejtuesit e rezistencës, për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Plavës e Gucisë, në dhjetor 1879 – janar 1880, të sulmuara nga ushtria malazeze, si pjesë e një plani ushtarak për jetësimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, ku ato vise i aneksoheshin Malit të Zi. Prelë Tuli merr pjesë në këtë betejë krahas Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Haxhi Zekës, Idriz Seferit, Ali Ibër Nezës, Mic Sokolit, Man Avdisë e Qerim Delisë (Lushaj; 1999; 90).

Aso kohe në mbrojte të Plavës e të Gucisë, u angazhuan mijëra vullnetarë nga Tropoja, Hasi, Shkodra, Dukagjini etj. Prej Shkodre arritën qindra burra me prijësit e tyre Isuf Sokoli e Filip Ceka, vullnetarët e Kelmendit dhe Dukagjinit, si dhe ato të Nikaj-Mërturit, të udhëhequra nga Prelë Tuli, shkruan Xheladin Gosturani (Gosturani; 1999; 71).

Roli i tij ishte i rëndësishëm në qëndresën antiturke të organizuar më 1910 në Kodër të Palçit, Danjel Gjeçaj vlerëson se “Këtu fillon epopeja e lumnueshme e këtij burri” (Duka-Gjini; vepër e përmendur; 33). At Antonin Fishta O.F.M. është një tjetër autor që i ka kushtuar vëmendje kësaj qëndrese, sipas tij “Prijsi e shpirti i gjithë këtij guximi, i gjithë kësaj armiqësie me ushtri të Turgutit, ishte sidomos Trimi i Salcës, Prel Tuli” (Hylli i Dritës; 1936; 22).

Sipas dokumenteve të kohës Prel Tuli i vuri pushkën Turgut Pashës që donte të shtronte Dukagjinin, kësisoj qëndresa e armatosur shtrëngoi trupat turke të kthehen mbrapa (AQSH, F. 170; V.1937; D. 53; 20). Në betejën e Kodrës së Palçit u luftua për 22 ditë, ndërkohë ushtria turke u detyrua të kthehej mrapa dhe nëpërmjet Urës së Vezirit ra në Shkodër, në këtë luftë Prela mbeti i plagosur (AQSH, F.132; V. 1912; D. 23; 1). Qëndresa e armatosur u mbajt gjallë edhe përgjatë vitit 1911, falë angazhimit të Isa Boletinit, Dedë Gjon Lulit, Mehmet Shpendit, Prel Tulit, Marash Delisë, etj. Rezultat i saj ishte ngritja e flamurit në Hot dhe shpallja e memorandumit të Gërçës (Butka; 1995; 116).

Një varg dokumentesh autentikë, pasqyrojnë veprimtarinë e tij në vitet 1911-1912, sipas tyre ai merr pjesë aktive në Kuvendin e Mirditës i mbajtur në prill të vitit 1911. Në atë iniciativë me rëndësi politike, u shpall “Qeveria e Perteshme” e Shqipërisë. Në kuvend merrnin pjesë shumë krenë të veriut, të cilët mandatuan Terenc Toçin si përfaqësues të këtij organizmi politik, me seli në Gims (Kimëz) të Mirditës. Kjo ndërmarrje shënon një stad më të lartë solidariteti e ndërveprimi politik, krahas shumë personaliteteve, figuron edhe Prelë Tuli i Mërturit (AQSH, F. 77; D. 29; 2), i cili nënshkruan në aktet administrative të “Qeverisë së Perteshme”, në emër të 1000 burrave (AQSH, F. 77; D. 29; 89). Përfaqësues të tjerë të Nikaj-Mërturit, janë Gjon Difi krye në Mërtur, Mark Sokoli i Nikajve, Sadri Tahiri krye në Mërtur, Ded Marashi i mërturas,etj.

Ky dokumentacion në gjuhën italiane, përshkruan masivitetin e qëndresës edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira politike e ekonomike. Kuvendi i Fanit i vitit 1911, gjen pasqyrim edhe në shtypin e kohës. Gazeta “Taraboshi”, e konsideronte atë si pjesë e programit “Shqynija asht e Shqyptarëve t’ liir e veturdhnuesa”. Sipas saj kuvendi mishëron përpjekjen e shqiptarëve, për të mos ju nënshtruar pushtimit turk, kjo nismë gjeti mbështetjen e krenve të Mirditës, Shalës, Shoshit, Mërturit, Nikajve, Toplanës, etj (Taraboshi; 1914; 1).

doreshkrimw

Faksimile e dokumentacionit të Kuvendit të Mirditës 1911

Në kuadër të pasqyrimit objektiv të figurës së Prel Tulit dhe krenve të tjerë të Nikaj- Mërturit, bie në sy një tjetër dokument me rëndësi. Ai ka të bëjë me mbajtjen e një tjetër kuvendi të “Shqipërisë së Sipërme” në shkurt 1912, me devizën “Liri e Bashkim të Kombit Shqiptar”. Pjesëmarrësit e mbledhur për këtë qëllim, ndërmjet të cilëve përfaqësuesi i Mërturit Prel Tuli dhe ai i Nikajve Shytan Brahimi, shpallën si përfaqësues të tyre Nikollë Ivanajn, duke i premtuar besnikëri e mbështetje si me armë ashtu edhe të holla (AQSH, F. 170; V. 1937; D. 55; 12).

Intensifikimi i lëvizjes së armatosur antiturke më 1912 në Malësi të Gjakovës si një ndër vatrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare, çoi në mobilizimin rishtazi të krenve të Nikaj-Mërturit. Simon Doda nëpërmjet një letre dërguar nga Valbona më 24 maj 1912, njofton se afër Gjakovës fiset e Nikaj Mërturit, Krasniqes, Gashit etj, me në krye Zeqir Halilin e Prelë Tulin, kanë sulmuar një fortesë dhe kanë shkatërruar garnizonin, më tej informon se  revolucionarët kanë rrethuar ushtrinë në qytetin e Gjakovës. Sipas tij u zhvillua një betejë prej 6 ditësh, i vetmi armëpushim që u bë ishte për varrosjen e të vdekurve (Përmbledhje Dokumentesh mbi Kryengritjet Shqiptare ; 2003; 219).

Pak kohë më vonë, Sali Hida, Niman Syla e Zeqir Halili, informojnë Ismail Qemalin rreth gjëndjes në Malësi, ku kishte shpërthyer një kryengritje masive. Aso kohe në Bytyç mbërritën Prel Tuli dhe një prej bajraktarëve të Nikaj–Mërturit, të cilët lajmëruan se 500 patriotë të krishterë po marshojnë drejt Gjakovës nga një rrugë tjetër (Përmbledhje Dokumentesh mbi Kryengritjet Shqiptare; vepër e përmendur; 235). Ky mobilizim i përgjithshëm i të gjithë bajrakëve të Malësisë së Gjakovës, ishte dëshmi e një ndërveprimi të harmonizuar ndërmjet krenve respektivë.

Pas shpalljes së pavarësisë Prel Tuli merr pjesë në kuvendin e mbajtur në Mirditë nga imzot Preng Doçi më 1912, për lidhjen e një bese të përgjithshme. Kuvendi synonte shmangien e qëndrimeve tendencioze a veprimeve individuale përkundrejt Qeverisë së Vlorës, përpos Prelës merrnin pjesë nacionalistët e njohur Dedë Gjon Luli, Mehmet Shpendi, etj (AQSH, F. 419; D. 33; 12).

Prelë Tuli përfaqëson një “krye” me peshë edhe gjatë luftës së parë botërore dhe ndikimi i tij njihet nga autoritetet austro-hungareze. Kësisoj në gusht të vitit 1918, në një ceremoni të posaçme në Zhuri, Perandori Karl nëpërmjet përfaqësuesve të tij nderoi me dekorata 9 krenë e bajraktarë, nga Malësia e Gjakovës, Bicaj, Vila, Kalia e Hasi. Me këtë rast Prel Tuli i Mërturit vlerësohet me dekoratën “Kryq arit pa kunorë” dhe Hamz Ukshini i Rajës me dekoratën “Kryq Argjendi me Kunorë” (Vëllazënija; 1918; 2).

Roli i Prel Tulit është vlerësuar gjithashtu edhe në Kosovë, Dr. Jakup Krasniqi njëherësh Kryetari i Parlamentit të Kosovës në fjalën e mbajtur në Parlament me rastin e 100 vjetorit të kryengritjes së vitit 1910, ka vlerësuar qëndresën e nacionalistëve shqiptarë ndërmjet të cilëve edhe Prelë Tulin (www.kuvendi i kosovës.com; 2010).

*

*            *

Më lart u orvatëm, të paraqesim rolin e Prel Tulit, në lëmin e historisë. Një ndër meritat e tij është se gjatë veprimtarisë disavjeçare, ai identifikohej me fisin apo krahinën që i përkiste. Dëshmi kjo e një vetëdije të një shkalle më të lartë, krahasuar me prirjen për famë individuale.

Roli i tij, nuk do të mund të pasqyrohej drejt, pa konsultimin me dokumentacionin e shfrytëzuar, si dhe shkrimet e shumta të Hyllit të Dritës e Lekës që ishin periodikët më autoritarë të botuara në shqip në gjysmën e parë të shekullit XX. Trajtimi i ngjarjeve historike ku konstatohet prania e Prel Tulit, provon qartazi se ai ishte një personalitet i Malësisë së Gjakovës, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Kumtesë e mbajtur me rastin e aktivitetit përkujtimor “Prelë Tuli (Dedndreaj) Luftëtar i Lirisë”, Tiranë 2012.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »